“Për bukë? Të rrah dhe unë!”

Tregim i jetuar

Siç e shihni, vet titullin e tregimit e kam vënë në thonjëza. Pra, nuk janë fjalët e mia, por të dikujt tjetër që, tani, kur në Shqipëri po fanitet ngritja e kurbës së çmimit të bukës, kur kryeministri deklaron se “nuk mund të ndërhyjmë për çmimin e bukës”, unë po e sjell pa i hequr një presje, ndodhisë dhe fjalëve që kam vënë në thonjëza. Ju lutem, të bëni durim, dhe, pasi të njiheni me këtë ndodhi, atëherë pres që të më thoni që a meritojnë vëmendje keto fjalë.

* * *
Qe mbrëmje e mesviteve ‘80 të shekullit që kaloi, kur trokiti dera ime në kat të dytë të pallatit ku banoj. E hapa dhe qe një nxëxnës imi: - Profesor, (ju lutem mos më merrni për profesor me gradë shkencore, por për një mësues që nxënësit, sidomos në fshat, na thërrisnin kështu; se edhe sot që kam dal në pension, kështu më thonë) të kërkojnë në zyrë. U vesha dhe u drejtova për atje. Zyra e këshillit nga pallati im ishte veç 50 metro larg dhe nuk më krijoj ndonjë bezdi të madhe. Trokita dhe sa më thanë hyr, hapa derën. Pashë që veç sekretarit të partisë, qe kryetarja e këshillit dhe, veç tyre, njeriu më hijerëndë në Fier të cilit, kur e shihja ballas, s’doja t’i shihja as fytyrën: vetë shefi i e hetuesisë. I shëndoshë si një mamuth, nga ata që populli për të treguar sa të shëndoshë janë, thotë: po t’i qëllosh në një faqe, shpejto dhe bjeri tek tjetra, se ndryshe do pëllcas. E pra, vet dora. Ashtu i shëndoshë dhe i kuq ai mend nxirrte tym nga koka dhe pa pritur që qoft sekretari i partisë apo kryetarja e këshillit të më thoshin arsyen pse më kishin thirrur, tha: - Ti je ai profesori? ! Sa m’u drejtua kështu, të them të drejtën, më hyri frika. Se nuk kam se si të mburrem, aq më shumë që në Fier ia kishin bërë beli (se mos vetëm në Fier! ) ca hetues që qenë më të zinj nga vdekja. Ka një aksiomë që thotë: - Opinioni është më i madh se qyteti! Dhe tërë Fieri e dinte se si ishin, sidomos, dy nga ata hetuesët dhe, mbi të gjitha, ky: shefi! Qe djalli vetë! Dhe merre me mend, ishin vitet ‘80 kur “gjuetia” ish bërë si “modë”. Ndala për një çast frymën, për t’u përgjigjur, hodha sytë përqark dhe çfarë shoh? Mu në fund të zyrës, qëndronte në këmbë një nxënës i imi i klasës së tetë, Xhevahiri, dhe po ngjitur ne të, i plotfuqishmi i zonës. Nuk po i jepja dum kësaj pune dhe, tek po mundohesha të dilja në kut, ky, mamuthi, m’u drejtua: - More, profesor, e di pse të kemi thirrur? Dhe pa pritur t’i përgjigjem pyetjes së tij (shqetësimi më vazhdonte, pse ta mohoj? !) tha: - Të kemi thirrur për këtë banditin; për këtë rrebelin dhe tek shkumonte nga inati, vazhdoi të thoshte: - Pa na thuaj pak se çfarë bishe është ky? E mora veten dhe, ndërsa hodha sytë drejt nxënësit tim, i them: - Ky Xhevahir e ka emrin dhe xhevahir është? !!! - Si, mor si? - ulëriti. Pse për t’i dhënë fletëlavdërimi të kemi thirrur këtu, profesor? - sokëlliu. Ndërkaq e kisha marrë veten dhe, ndërsa pashë fatkeqin Xhevahir, pashë që i kishin vënë hekurat. Ndaj dhe i plotfuqishmi i zonës qëndronte pincë pranë tij, prapa derës(ndaj nuk i kisha parë kur hyra! ) . Tani e mblodha mendjen top dhe fola me gjakftohtësi. - Për fletëlavdërimi nuk është se me mësime është nxënës mesatar, por në është për sjellje, është ndoshta më i sjellshmi që ka shkolla, - shpjegova. Se sado që është 14 vjeç nuk është zënë kurrë qoft me një shok apo shoqe. - Jo, more, - ulëriti mamuthi. Na mbushe mendjen. I bukur profesor që më je! Po zaten ndaj dhe nxënësit tënd janë rrugaçer; rrebela. U vura në pozitë të vështirë, por e dija që nuk e fitoja atë betejë të pabarabartë. Pse t’i vijmë anës muhabetit e të rrah gjoksin. - Po e di ti, mor profesor( e kuptoja që këtë profesor e thoshte me një zë disa oktavë më lart me qëllim fyerjeje, por nuk kisha se ç’bëja) se çfarë ka bërë ky bukuroshi yt apo xhevahiri yt? Na ka rrahur kryetaren ekëshilit; ka ngritur dorën kundër pushtetit popullor dhe ndaj i kemi vënë hekurat. Dhe, sakaq, u ngrit nga tavolina , nxitoi çapat e tij prej hipopotami(sa qejf kisha që t’Ia dërrmoja atë kapadaillëk prej satanai, por ja që nuk mundja! ) dhe, kur mbrriti tek Xhevahiri i shhkretë që e kish humbur nga gjithë këto ulërima, i bërtiti mu para syve: - E rrave kryetaren ekëshilit popullor që është dhe komuniste? Dhe Xhevahiri, sdado që dridhej, pohoi: - E rrava! - Siiii? . . . dhe zgjati grushtin bisha, por ndaloi pak për të rimarrë përgjigje. E rrava se më la pa bukë, - e zbrazi Xhevahiri. - ÇFarë? Pse e rrave? - Se u mbarua buka dhe nuk kishte asnjë tthërrime. - Pse për bukë e rrave? - Për bukë, për bukë, - mori zëmër Xhevahiri. - Nezir, - urdhëroi shefi të plotfuqishmin, - hiqja prangat! Kryetare, - tha, - për bukë të rrah edhe unë. Se ku do gjente bukë ky? Dhe ti, profesor, ik dhe na fal se edhe të rënduam pakësa. Ja, kaq qe historia dhe më ka mbetur në kujtesë. Tani pse iu ktheva kësaj historie? Se e shoh që kurba e çmimit të bukës po ngrihet frikshëm dhq ë të mos ndodhë më që Xhevahiri të rrahë pushtetin, solla këtë tregim të jetuar. Se vetem tek buka nuk mban më ujë pilafi. Shkurt: mund të durosh pa drita, edhe për ujë me orare të kufizuar, por buka është tjetër gjë. Se ndodh kështu si dhe ndodhi: - Për bukë të rrah edhe unë!

Përparim Hysi, 10 shkurt 2008
Për”peshkupauje”

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. edrus thotë:

    15 February 2008 @ 10:13 pm

    Sot mund të mos ta kemi më “lepurin në bark” dhe mund të flasim… por kur vjen puna tek buka, aha, është ekonomi tregu byrazer: Po pate pare (dhe shumë bile) edhe ha, përndryshe…. rro me lirinë e fjalës!

  2. Blendi Salaj thotë:

    16 February 2008 @ 3:16 pm

    Lol, me pelqeu.

  3. gre_wireless thotë:

    16 February 2008 @ 3:31 pm

    nese dikush te premton buke dhe te duket i besueshem, ne zgjedhjet e ardhshme je plotesisht i lire t’i japesh voten dhe “te rrahesh” kundershtarin e tij ne kete menyre…

  4. Pjer Thomas thotë:

    16 February 2008 @ 5:34 pm

    Tregim vertet aktual :-) dhe i bukur, ndonse i treguar thjeshte. Papi, ne fakt per tu rrahur jane politikanet tane, drejtuesit e ketyre viteve te tranziscionit. Mire ata 50 e ca perqindeshi qe votuan per PD e aleatet e tyre, po ata 40 e ca perqindeshi qe ishin kundra ç’faj kane te durojne ngritjen e çmimit te bukes.

  5. Vemendje thotë:

    17 February 2008 @ 11:17 pm

    E lexoj rrefimin dhe eshte pak cinik vemendje e lexuesit ne mua. Rrefimtari adhuron stoicizmin e njeriut te betuar ne pushtetaret, ate po bejne eshe sote me pushtetaret shume koketymer, qe falin edhe vjedhjen po s’i preke pushtetaret.
    Shume rrefyes i vertete i rrefenjes me duket Perparimi.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com