Login



Register

Pëllumbi kritikon Ramën: PS-ja s’mund të jetë as e majtë as e djathtë

Gazeta Standard
09/04/2008

Një prej ish-drejtuesve të selisë rozë, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pellumbi, kritikoi dje përgjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare qëndrimin e Kryetarit të PS-së mbi identitetin e kësaj partie të majtë. Deklarata e Ramës, e përdorur mjaft shpesh në muajt e fundit “përtej se majtës dhe së djathtës” nuk është pritur mirë nga Pëllumbi, një prej themeluesve të PS-së, i cili përmes një deklarate të tillë ka parë një devijim të PS-së si parti e majtë drejt qendrës. “PS-ja është parti e majtë dhe s’mund të synojë të ndërrojë pozicion”, - mësohet që të jetë shprehur Servet Pëllumbi, në shkëmbim replikash me kreun e PS-së. Burime nga mbledhja thonë se edhe kryetari i PS-së është përpjekur që të argumentojë një deklaratë të tillë që në fakt më shumë se e tillë, është bërë një qëndrim i PS-së. “Tendenca e sotme e së majtës dhe e së djathtës është larg asaj tradicionales”, - mësohet që të jetë shprehur kryetari i PS-së. Në fakt, kjo është kritika e parë që ish-themeluesi e ish-drejtuesi i PS-së, Servet Pëllumbi ka adresuar te Rama. Me zgjedhjet e 2005-ës, Pëlllumbi është tërhequr nga politika. Por kjo nuk e ka penguar të jetë një vëzhgues i mirë i asaj se çfarë ndodh në tërësi dhe në veçanti në PS. Në qëndrimet e mëparshme të tij, PS-ja e drejtuar prej Ramës po shkonte në rrugën e duhur, reformimi i nisur prej tij, ishte i duhuri, por nga këndvështrimi i një politikani të vjetër, për herë të parë po shihet një devijim i faktit që ajo mbetet mbi të gjitha një parti e majtë. Prej afro tre vitesh me ardhjen e Ramës në krye të PS-së është folur për një politike të re të kësaj partie. Në fjalorin e togfjalëshit “politika e re” u përfshinë edhe deklarata të tilla si: “Unë nuk jam politikan, por qytetar, apo edhe për një politike të re përtej së majtës dhe të djathtës”. Vetëm në fjalën e fundit të Ramës në protestën e ditës së premte, ky togfjalësh është përdorur dy herë rresht.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

8 Komente

  1. lefti thotë:

    9 April 2008 @ 4:51 pm

    “përtej se majtës dhe së djathtës”

    Kjo eshte e “reja” e shprehjes se tej-vjeter : “Pa dallim Feje, Krahine e Ideje !”

    Shpresojme qe premtimet elektorale te Rames per mireqenien, punesimin, bagatine e popullit Shqiptare, mos t’i rezymojme tek “LUGA E FLORIRIT” !

    :) ;) :)

  2. lefti thotë:

    9 April 2008 @ 4:54 pm

    siper e kisha fjalen per “begatine” jo per bagetine, edhe pse pjese te mira te popullit tone jane tamam bageti.

    JO se kam ndonje gje kunder fshatit, por me takimet neper Fshatrat Shqiptare Rama kerkon te mbledhe ato vota qe i munguan ne 2007 pikerisht ne zonat rurale per shkak se fshataret votojne tradicionalisht per partine ne pushtet - pavaresisht se cila eshte kjo parti: (kete e pohojne dhe shume militante socialist) - e bukura eshte se fshataret Shqiptare genjehen shume kollaj - mjafton t’u thuash ate qe duan te degjojne ! dhe pastaj, behen tamam si bageti …

  3. lefti thotë:

    9 April 2008 @ 5:04 pm

    FATOS LUBONJA - “GERDECI DHE OPOZITA”

    Marre me shkeputje nga Gazeta “Korrieri”

    (…)

    Ajo vërteton se kjo lloj ndjeshmërie mungon krejtësisht tek opozita. Përkundrazi ajo tregon se opozita kërkon thjesht ta instrumentalizojë Gërdecin për pushtet, se ajo veçse na ka bërë demagogji kur na ka folur për “politikën e re” që do të zevendësojë “politikën e vjetër”. Ne fakt ndonëse shpesh i është kërkuar të jetë më konkret, Rama nuk ka konkretizuar thuajse asgjë lidhur me përmbajtjen e politikës së re. Me deklaratën në Gërdec zbuloi se fjala “politikë e re” nuk ndryshon nga fjala “reforma” e dalë nga goja e Berishës së fundmi. Janë fjalë boshe të fetishizuara që më tepër kërkojnë të mbulojë mungesën e ndryshimit sesa të sjellin ndryshimin.

    (…)

    ==================================================================

    Ja pra sesi e cileson Fatos Lubonja “Politiken e Re” te Rames, politike e cila po has kundershti edhe ne gjirin e vete PS-se.

  4. Odysseus Shkruaji mesazh privat thotë:

    10 April 2008 @ 9:47 am

    Sigurisht. As e majte as e djathte. Gjarpri i Partise se Punes nderroi lekuren dhe u quajt PS. Sa shpejt harrojne njerezit.

  5. lefti thotë:

    10 April 2008 @ 2:23 pm

    Sa shpejt harrojne njerezit

    Nuk harrojne njerezit jo ore Odysseus, por problemi eshte se parada e tyre eshte te thone se “te dy partine kane dale nga partia e Punes” - pra, mundohet t’i fusin te gjithe ne nje thes, atehere kur te gjithe e dine se Ramiz Alia deklaroi ne 11 Dhjetor 1990 se 6 muaj me vone do mblidhej kongresi i PPSH-se, ai qe e nuk themeloi PS, por vetem ndryshoi emerin nga PPSH ne PSSH …

  6. ThoughtPolice Shkruaji mesazh privat thotë:

    10 April 2008 @ 3:42 pm

    Qe ne momentin kur e pashe kete lajm tek gazeta “Standard”, mendova qe duhej sjelle tek peshku, pasi do te sherbente per te inicuar nje debat per PS-ne dhe drejtimin nga Rama te kesaj partie. Ke perfaqeson kjo parti, politikat dhe reformat qe propozon etj.? Shprehjet e Rames, “pertej te majtes dhe te djathtes” meritojne me teper vemendje. Nese per PD-ne eshte foluar shume me teper per sa i perket ketij aspekti, per PS-ne heshtet, edhe kur kjo parti ka deformime te thella.

    Askush nuk mund te shpjegoje se cfare politikash sociale propozon PS-ja, si parti e majte?
    Nuk e dime qendrimin e PS-se, qe ne rast se vjen ne pushtet, do t’i rrise taksat dhe me parate e mbledhura te investoje me teper ne sherbimet publike, shkolla, spitale etj, apo do t’i ule me teper per te lehtesuar biznesin, apo do t’i mbaje te pandryshuara?
    Cfare eshte qendrimi i PS-se, si parti e majte, nese mund t’i thuhet e majte, per privatizimet qe ka ndermarre qeveria aktuale? I mbeshtet ato plotesisht, ne te gjithe sektoret?
    Kam degjuar Ndoken qe tha se do te privatizohet edhe sherbimi i urgjences ne spitale, e mbeshtet apo kundershton PS-ja kete?
    PS-ja eshte me teper parti e disa biznesmeneve qe e mbeshtesin, se sa e shtresa qe supozohet se duhet te perfaqesoje nje parti e majte.

    Xhaxhallaret veterane dhe komunistet qe e mbeshtesin me besnikeri PS-ne, e bejne thjesht per shkak te tradites, qe PS-ja eshte trashegimtare e PPSH-se, dhe simboleve komuniste qe PS-ja i mbron dhe i mban, dhe jo se ka politika te majta.

  7. ThoughtPolice Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 April 2008 @ 5:34 pm

    Martin Leka
    Gazeta Panorama

    Në fillim u duk si “risi”. Disa thanë se ky është një “ekzibicion” i kryetarit të ri të socialistëve, të mësuar me veshjet publike “alla frënga” gjatë fushatës së tij për kandidimin në krye të PS-së. Por “produkti” që sollën mbledhjet e forumeve të PS-së sa në Laç, sa në Shkodër apo Vlorë, apo së fundmi në kufi me Gërdecin, rezultoi të ishte si një lëvizje boshe në planin politik. Si puna e lëvizjes së një autobusi urban, i cili ndalon në disa stacione të caktuara paraprakisht nga “shoferi”. Kjo është pamja formale, të cilën nuk kishte pse ta anatemonte kush, nëse produktiviteti i këtyre udhëtimeve të forumeve të PS-së do të kishte qenë i prekshëm, të paktën për socialistët. Por gjithçka që po ndodh sot në PS e në të majtën shqiptare, tregon se kjo parti gjithnjë e më shumë po e humb identitetin e një partie të majtë, madje më shumë se kaq, po shndërrohet në një masë amorfe taktikash, politikash, programesh e fjalimesh, duke vënë pikëpyetje të mëdha mbi të majtën e vërtetë shqiptare. Kësisoj, socialistët e thjeshtë kanë gjithë të drejtën të ndjehen të hutuar dhe të zgjedhin partitë dhe liderët që u përkasin interesave të vërteta të tyre, larg llafologjisë “interesante” në emër të erudicionit apo mbledhjeve populiste në emër të “shkrirjes” me bazën, siç bën sot lidershipi aktual i PS-së.Mbledhja e fundit e forumit më të lartë socialist, Asamblesë së PS-së në Vorë, tregoi më shumë se kurrë, -provoi më saktë- atë që po thuhet gjithnjë e më shumë së fundmi, kapjen nga kryetari i Bashkisë dhe i PS-së të strukturave të PS-së. U tha që në mbledhjen e Asamblesë, vetëm një anëtar i kësaj strukture kishte votuar kundër platformës së paraqitur dhe një anëtar po i këtij forumi, madje i njohur për mbështetjen e Ramës së fundmi, -ndoshta për kundërpeshë - kishte kritikuar qëndrimin e kryetarit të partisë për konceptin e identitetit të PS-së. Nuk dihet se si, qysh, kur, ku ka mundur kryetari i Bashkisë e Partisë (Socialiste) të bëjë “zap” e të “blejë” heshtjen e të gjithë këtyre anëtarëve të udhëheqjes së lartë, këtyre që deri dje, socialistët i dinin për “goxha burra e gra”?!… Tashmë forumet e PS-së nuk bëzajnë, si dikur. Të paktën, dikur, këto forume u bënë tema të një debati të lirë, shpesh edhe të ashpër, por që në politikën e re sollën pikërisht një tjetër frymë, frymën e lirisë së forumeve partiake, frymën e një debati dhe transparence që kurrë më parë nuk kishte ndodhur në partitë shqiptare, të njohura për hermetizmin dhe diktatin. PS-ja e ka humbur edhe këtë novacion që solli në politikë, që me ardhjen e Ramës në krye të saj.
    E dyta dhe që nuk është e ndarë nga e gjithë analiza që i bëhet PS-së, është ajo që po quhet së fundmi, qartësisht e artikuluar si kapja e kryetarit të Bashkisë nga Kryeministri Berisha. Qëndrimet e fundit në marrëdhëniet dhe frymën e “bashkëpunimit konstruktiv”, sidomos për ligjin për reformën zgjedhore, ligj i cili duket se do të jetë një boomerang për vetë PS-në (por jo për pushtetin e kryetarit të Bashkisë e Partisë (Socialiste) nuk mund të të japin qasje tjetër veç kësaj. Ndoshta pikërisht për shkak të një situate të tillë në PS, Rama jo rastësisht në turin e tij të dialogut, ka gjetur një “zgjidhje” sa populiste dhe të kamufluar, duke folur për zhdukjen e dallimeve mes të majtëve dhe të djathtëve, në emër të politikës së re. Një performancë e tillë do t’i shkonte shumë një fushate presidenciale, por ndoshta kurrë një kryetari partie. Por, edhe pse me metoda sa të reja në dukje, aq populiste në përmbajtje, duket se socialistët janë përballë dy alternativave: ose të zgjohen e të largojnë nga drejtimi “uzurpatorët”, njerëzit që u lidhën me PS-në pa kurrfarë kontributi e vetëm për qëllime karrieriste e përfitimi (pranë Gërdecit mund të fillonte demontimi i “gëzhojave” të socialistëve), ose ta braktisin këtë lidership për të gjetur të majtën përfaqësuese, të majtën për integrim, për shembull, pse jo?!

  8. genti thotë:

    15 May 2008 @ 7:11 pm

    Sic thote komentatori i njohur Martin Leka, PS ka humbur identitetin dhe eshte nje mase amorfe.
    Meqenese nuk di adresen e tij, do ju lutesha ti transmetonit pyetjen time: -Ku ndryshojne dhe cilat jane dallimet Rama - Berisha? Do doja nje pergjigje sa me konkrete, jo te pergjithshme me nenkuptime, troc!

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.