Partitë shqiptare, me anëtarë fiktivë
Gazeta Shqip
3 Maj 2007
Një grup gazetarësh të “Fiks Fare” regjistrohen në 13 parti parlamentare dhe joparlamentare. Në PAD, ceremonia për dorëzimin e teserave publikohet në televizione
Nëse drejtohesh në zyrat e një partie për t‘u anëtarësuar, pritesh me krahë hapur. Mjafton të shtosh emrin dhe firmën tënde në listën e anëtarëve. Askush nuk kujtohet të të kërkojë ndonjë dokument identifikimi. Madje, as nuk të pyesin nëse aderon në ndonjë parti tjetër. Askush nuk të kërkon të derdhësh kuotizacionin. Mundohen të të krijojnë sa më shumë lehtësira, zhvillojnë ceremoni për ndarjen e teserave, nëse paraqitesh së bashku me disa shokë e shoqe për t‘u anëtarësuar. I njëjti gazetar i redaksisë së emisionit “Fiks Fare” është regjistruar në 13 parti kryesore parlamentare dhe joparlamentare të Shqipërisë. Në të gjitha zyrat e këtyre partive, gazetari nuk ka paraqitur asnjë dokument identifikimi, megjithatë e ka marrë kartën e anëtarësimit. Partia Aleanca Demokratike, ku janë paraqitur një grup gazetarësh të “Fiks Fare”, si të rinj që donin të aderonin në këtë parti, ka zhvilluar një ceremoni, gjatë së cilës janë ndarë teserat. Disa nga gazetarët, kur janë paraqitur në zyrat e PAD-së për t‘u regjistruar, nuk kanë dhënë emrat e tyre të vërtetë për t‘u regjistruar si anëtarë partie. Askush nuk i ka verifikuar, por u kanë dhënë kartën e anëtarësimit. Madje, ceremonia e dorëzimit të teserave është pasqyruar si aktivitet mjaft i rëndësishëm i kësaj partie edhe nga televizione private.
ANËTARËSIMET FALSE
Te Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Fiksi: Kam ardhur për t‘u anëtarësuar në partinë tuaj.
Sekretarja: E mira do ishte të kishe sjellë një si CD tënden.
Fiksi: Gjithsesi, unë kam pasaportën, merr të dhënat që të duhen.
Sekretarja: Sot do të bëhet anëtarja e re. Se ne nuk kemi kështu anëtarësie (kartë anëtarësimi).
Fiksi: Nuk keni kartë anëtarësie?
Sekretarja: Nuk kemi bërë. Po nëse ty të duhet …
Fiksi: Mirë do ishte ta merrja dhe atë vërtetimin, që të paktën të dallohet që jam anëtare.
Sekretarja: Do të ta bëj unë tani. Sot është data …
Punonjësja: 31
Fiksi: Ndonjë foto duhet për këto?
Sekretarja: Jo, jo.
Fiksi: Kur të vij, mjafton të tregoj këtë?
Sekretarja: Nuk ka problem. Hajde kur të duash, se tani që të njohim nuk ka problem.
Fiksi: Mirë pra, faleminderit.
Punonjësja: Si e kishe emrin, Alkida?
Tek Aleanca Demokratike
Punonjësja: Erdhi koordinatori i Forumit Rinor. Alkida është vajza, bashkë me ca shokë dhe shoqe duan të anëtarësohen te partia. Ka ardhur një ditë dhe ka lënë emrin e saj dhe do që kur të bëjnë atë pranimin dhe të marrin ato teserat, duan ta fokusojnë, duan ta bëjnë d.m.th tip kokteji, tip kështu, tip ku di unë. Jo kështu të thjeshtë. Dhe ka ardhur me listat, emrat e atyre se sa mund të bëhen.
Fiksi: Emrat e atyre …
Koordinatori: Sa veta jeni?
Fiksi: Këtu jemi 6, edhe 2 emra që duhet t‘i shënoj tani bëhemi 8 persona.
Te Partia Republikane
Punonjësi: Përse keni ardhur?
Fiksi: Unë kam ardhur thjesht për t‘u anëtarësuar.
Punonjësi: Kush jeni?
Fiksi: Alkida.
Punonjësi: Alkida? Keni ndonjë numër telefoni?
Fiksi: Po.
Punonjësi: Ku e keni shtëpinë?
Fiksi: Te rruga “Pandi Dardha”.
Punonjësi: Unë, kur të mbledh këta 4-5 veta përpara konferencës, do të thërras. Vetëm dy fotografi, do të kesh parasysh. Dy fotografi, pastaj e sjell unë atë se, nuk kam këtu, deklaratën që do mbushet.
Fiksi: Aha, deklaratën dhe do marr teserën?
Punonjësi: Teserën do ta marrësh ditën e konferencës ose po i more fotografitë dhe deklaratën përpara tek …
Fiksi: Pse, do të bëhet ndonjë konferencë?
Punonjësi: Do bëhet konferencë në Laprakë. Nëse më dëgjove, më datë 25 e lamë. Po do të të thërras përpara unë ty, një ditë përpara.
Dita e dytë te Partia Republikane
Kryetari i PR i Tiranës: Tani dil aty përpara ti.
Fiksi: Po të plotësoj formularin.
Kryetari: Mirë, ne tashti këtë dokumentin do ta bëjmë.
Fiksi: Ëhë, dhe kur mund të vij?
Kryetari: Jo, ti mund të vish pa atë. Ne dokumentet kemi bërë një kështu, një si rregull, do t‘i ndajmë atë ditë që do të bëjmë mbledhje.
Dita e marrjes së teserës te PR
Kryetari i PR i Tiranës: Sa të përgatiteni për pyetje ju dhe … Ne në kuadrin e ribërjes së kartave të reja të anëtarësimit, dhe në këtë kuadër dega e Partisë Republikane ka anëtarësuar mjaft të rinj. Ndërmjet tyre sot ne kemi dhe një të re tjetër Alkida … e cila pret me padurim që t‘i dorëzojmë kartën e re të anëtarësimit në parti. Ka nderin ta marrë këtë kartë nga nënkryetari i Partisë Republikane.
Fiksi: Faleminderit.
Kryetari: Urime, urime!
Te Balli Kombëtar Demokrat
Kryetari i PBKD i Tiranës: Regjistroji të gjitha të dhënat që duhen regjistruar. Ke sjellë fotografi ti? Jo?
Fiksi: Kam unë, kam.
Kryetari: Ke? Lëri dhe fotografitë se vij unë pastaj, por jepe adresën me numër telefoni dhe ta bëjmë gati, a e kupton?
Fiksi: Kush është kryetari i kësaj partie?
Sekretarja: Artur Roshi. Tani emrin?
Fiksi: Alkida.
Sekretarja: E ke pasaportën? Ma jep mua që t‘i shënoj këtu të dhënat. Është hera e parë që po i bëj. Nuk e di çfarë të tha ai Tomorri, ashtu… çfarë të tha?
Fiksi: Numrin e pasaportës e more, numrin e telefonit po.
Sekretarja: Po, ndonjë të dhënë tjetër, punë, shkollë…?
Fiksi: Jam në shkollë, studente. Këto janë të dhënat kryesore.
Sekretarja: Fotografi tha ai, ke me vete apo…?
Kryetari: Tani këto do t‘i mbushim bashkë. Fotografitë na duhen këtu. Dakord? Vulën e të gjitha, pastaj do vish e ta marrësh.
Marrja e teserës te Balli Kombëtar Demokrat
Artur Roshi, kryetar i PBKD: Në çfarë viti je?
Fiksi: Në vitin e dytë.
Roshi: Më bëhet qejfi. Faleminderit që e vlerësoni partinë. Numrin e telefonit ia latë asaj vajzës?
Fiksi: Po, po.
Roshi: Ne, jo nesër, pasnesër do të kemi një aktivitet dhe ta dhanë ftesën?
Fiksi: Po, po, ma dhanë ftesën.
Roshi: Po të jesh e lirë, hajde pa prishur punë … E na fal që jemi vonuar. Kjo e bërë ka qenë, por si të thuash, ishte më tepër një neglizhencë e shoferit. Hajde, ta gëzosh!
Fiksi: Faleminderit.
Roshi: Faleminderit juve.
SONDAZHI
A ndryshojnë programet e partive?
Ku ndryshojnë partitë nga njëra-tjetra? asnjë votues shqiptar nuk e di. Të gjithë votojnë, pa e ditur se çfarë të ofron njëra parti me programin e saj dhe çfarë të ofron tjetra. Pra, shqiptarët votojnë verbërisht, vetëm duke u nisur nga lideri i njërës apo tjetrës parti. Shqipëria ka 79 parti, pjesa më e madhe e të cilave nuk dihet se ku i kanë selitë dhe as nuk kanë paraqitur ndonjëherë programin e tyre. Pjesa tjetër janë krijuar pas përplasjes së anëtarëve të kryesisë së këtyre partive, për të marrë postin e kryetarit. Kur nuk kanë siguruar dot postin e kryetarit, ata janë shkëputur nga partia-mëmë dhe kanë krijuar një parti tjetër, së cilës i ndryshon vetëm renditja e germave të emrit.
“Fiks Fare” kreu një sondazh dje me qytetarë të Tiranës, nga i cili rezultoi se asnjë prej zgjedhësve të intervistuar nuk e dinë se ku ndryshon programi i Partisë Demokratike të Shqipërisë nga ai i Partisë Demokrate të Re, apo ku ndryshojnë programet e Partisë Socialiste dhe asaj të Lëvizjes për Integrim. “Njëlloj janë të gjitha, PS, PD, LSI”, thotë që një qytetar. Ndërsa një tjetër, të vetmin ndryshim që sheh mes PS-së dhe LSI-së është se “LSI është një parti e re, një forcë e re, është me njerëz që më pëlqejnë mua. Ndërsa PS mban pikësynimin e Fatos Nanos, përjashto Edi Ramën që është njeri i veçantë. Punon shumë, bën shumë”. Pra, për njerëzit e thjeshtë, ndryshimi i këtyre partive qëndron te njerëzit që i drejtojnë. Për disa të tjerë, të gjitha partitë “janë një parti”.
Për disa të tjerë, “PR-ja fitoi nga PD. Vetë ajo nuk mund të kishte kurrë 20 deputetë. Vetëm ndihma që i dha me atë të Dushkut fitoi”. Madje, “Fiks Fare” intervistoi kryetarët e dy partive, Skënder Gjinushin, kryetar i PSD-së, dhe Paskal Milon, kryetar i PDS-së. Vetë ata pranojnë, para kamerës së emisionit, se të dy këto parti kanë në themel të tyre alternativën socialdemokrate evropiane. Sipas zotit Gjinushi, “këto dy parti nuk kanë divergjenca në program”. Madje, sipas tij, “partitë nuk dallojnë nga programet, por nga ekipet, vlerat, historiku dhe nga qëndrimet”. Sipas tij, PDS-ja ka ndërruar vetëm shkronjat dhe është krijuar si rezultat i politikave diversiste brenda së majtës. Edhe kryetari i PDS-së, Milo, pranon se partia që ai kryeson është në një familje politike me PSD-në. “Nga ajo parti nuk është larguar vetëm zoti Milo, aq sa sot nuk ekziston asnjë nga themeluesit e PSD-së, në kryesinë e partisë, përveç zotit Gjinushi”, thotë ai, pa na treguar ndryshimin në programin e PDS-së nga ai i PSD-së.


3 May 2007 @ 1:53 pm
Une personalisht jam i SKANDALIZUAR nga ky lajm!
Nuk do ta besoja kurre se keto gjera ndodhin ne Shqiperi, KURRE!!!

3 May 2007 @ 3:47 pm
“Ndërsa një tjetër, të vetmin ndryshim që sheh mes PS-së dhe LSI-së është se “LSI është një parti e re, një forcë e re, është me njerëz që më pëlqejnë mua. Ndërsa PS mban pikësynimin e Fatos Nanos, përjashto Edi Ramën që është njeri i veçantë. Punon shumë, bën shumë”
mir…
3 May 2007 @ 7:29 pm
Edhe une figuroj antar i Forumit Rinor te Partise Demokratike.
S’kam dijeni tamam si qe qe me bene antar po me duket se ma ka bo Felisi (shok gjimnazi) dhe Felisit ia boj hallall…dua te them qe keto listat behen sipas qejfit.
4 May 2007 @ 8:12 am
Po tani, me sa di une ky problemi i anetareve fiktive ne parti doli me zgjedhjet ne Partine Socialiste dhe ne LSI, ku anetaret presupozohet qe do zgjedhin kryesine e partise se tyre, e gjitha kjo me gjasme normalisht.
Se kuptoj c’gazetare na jane keta qe nje problem te hasur te partite e majta shkojne dhe investigojne te partite e djathta.
Jo se kjo do justifikonte menyres se si behet anetaresimet te keto parti, shembujt e te cileve na i sjell gazeta “Shqip”, po eshte nje deformim skandaloz i informimit dhe analizes gazetareske.
Top Media po venitet shume shpejt dhe per kete nuk me vjen mire.