Pakti i supozuar
Nga Redi Shehu, Gazeta START
Me mprehtësinë e një dinaku së fundmi lideri socialist Rama e ka kuptuar formulën e artë dhe më të suksesshme të ardhjes në pushtet, atë të vetëkonsumimit të kundërshtarit me anë të erozionit të pashmangshëm që të jep pushteti. I bindur se nëse do të përdorte taktikën e sulmit dhe kundërshtimit flakë për flakë të çdo lëvizjeje të maxhorancës, do të ndizte euforinë militante që gëlon në nivele të ndryshme në dejet e votuesve shqiptarë e cila do të ekstremizonte mendimin politik të zgjedhësve. Problemet me LSI dhe me një parti demokratike të mirëkonsoliduar në llogoret e veta do të përbënin një problem tashmë jo vetëm për PS por për vetë ekzistencën e Ramës në politikë pasi një humbje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do t’i prishte atij ëndërrën për të “ngjyrosur” Shqipërinë.
Më shumë se pakti i supozuar Berisha-Rama ky është pakti Rama-Rama. Pakti në mes Ramës rebel alla “doktoooor” dhe Ramës me thinja dinak i latuar pas aventurave lakuriqe ne brigjet e Francës. Një pakt brënda Ramës për Ramën.
Lideri multicolor socialist, sidomos pas ngjarjes së Gërdecit e kuptoi se kundërshtimi më i mirë dhe më i efektshëm i mundshëm ndaj Berishës, është vetë Berisha. Ndryshe nga pakti Rama-Rama, duket se pakti në mes Berishës opozitar të virtyteve të mëdha dhe Berishës në pushtet, po lëkundet nga themelet.
Praktikisht duke qëndruar pothuaj i mënjanuar si lider politik i opozitës, duke mandatuar zonjushën Braçe të ulërijë në media, duke lëshuar në orbitë satelitin e ri G99, Rama po kujdeset për makiazhin e figurës së tij si një lider në majën e olimpit socialist.
Rama nuk ka pse të përdorë metodologjinë e Berishës opozitar për sa kohë brënda kampit të djathtë kundërshti të forta janë duke u profilizuar në një nivel të lartë institucional. Ramës i shkon për shtat një thërmijëzim i piramidës demokrate duke mbështetur lobe të caktuara brënda demokratëve. Me pak fjalë një lojë opozitare e cila tenton të largohet nga tradita ballkanike e konfliktualitetit pasionant drejt ftohtësisë së politikës evropiane me fërkim duarsh në prapaskenë.
Rama gjithashtu e ka kuptuar se do të ishte një gabim i pafalshëm të ndërhynte dhunshëm si opozitë në raport me maxhorancën. Kjo do të rimblidhte dhe konsolidonte Partinë Demokratike dhe grupin e saj parlamentar duke u konfiguruar edhe njëherë si bllok politik pa të çara.
Një vit nga zgjedhjet parlamentare i japin besimin liderit opozitar socialist, se është një kohë e mjaftueshme që maxhoranca të shtojë gabimet e veta, thelluar konfliktualitetin brënda PD-së, çarë marrëdhëniet me aleatët. Një proçedim i mundshëm i Mediut, do të shpërbënte pazgjidhshmërisht marrëdhëniet me aletin e vjetër republikan. Një parti demokristiane që është opozitë e maxhorancës duke qenë vetë pjesë e saj, një president si Topi që tërheq lobin e vet nga mbrapa, një kryeparlamentare që tenton të marrë kontrollin e një PD-je post berishiane, janë faktorë të mjaftueshëm që kryetari i Partisë Socialiste të merret me blegtorinë, mjedisin dhe shtimin e gjedhëve në fshation tonë mesjetar.
Makinacionet për t’ia faturuar maxhorancës krizën botërore të ushqimeve, energjisë dhe karburanteve, përpjekjet titanike të mediave opozitare për të afishuar Gërdecin si etalonin e korrupsionit duke sulmuar simbolin e fitorës së të djathtëve në 2005, janë të mjaftueshme që Rama të endet në cepat e Shqipërisë në kërkim të dialogut.
Por, a i ka bërë të qëruara hesapet lideri socialist ? Kjo është për t’u analizuar.
Historia e demokracisë shqiptare aq e vjetër sa edhe historia e Berishës demokrat, tregon se aftësia e këtij të fundit për të përmbysur situata në favor të tij është totalisht e pabesueshme. Në vargun e trofeve të Berishës ku i fundit ishte Nano, Rama duket si një kupë plot shkëlqim që pret të ruhet në dollapin e trofeve berishiane.
Duke pasur pas vete buxhete të tëra qeveritare që i lejojnë prerje shiritash në mënyrë progresive në raport me afrimin e datës së zgjedhjeve që gjithmonë e më tepër asfaltizojnë mendimin politik të votuesve, po ashtu duke luajtur me legalizimet të cilat prekin një shtresë të gjërë zgjedhësish , Berisha synon t’i sensibilizojë ata. Marrja e ftesës për anëtarësin në NATO, një liberalizim i mundshëm i vizave brënda mandatit të tij si dhe çiftëzimin në mes pavarësisë së Kosovës dhe rrugës Durrës-Kukës-Morinë, i japin besimin se zgjedhësit shqiptarë në kohë të fushatave do të vazhdojnë të polarizojnë dhe bunkerizojnë mendimin e tyre politik.
E gjithë ajo që i mbetet Berishës dhe partisë demokratike është që ekuacioni elektoral të dalë në favor të tij duke kalkuluar kostot e rënda të qeverisjes.
Megjthëse Rama përpiqet të profilizojë veten si një lider i së ardhmes i cili është mbi gabimet dhe politikën e së shkuarës, pra me pak fjalë një soj kalorësi që po vjen të shpëtojë mëmëdhenë, përsëri prezenca tij në qeverisje si ministrore dhe vendore është një etiketë jo fort e hijshme në kostumin e tij politik.
Është mëse e arsyeshme që si Berisha dhe Partia Demokratike do të përpiqen të ç’montojnë imazhin e Ramës pikërisht duke i kujtuar elektoratit se ky kalorës po vjen nga një qeverisje e gjatë e Bashkisë së Tiranës plot me probleme, dhe akuza për korrupsion, klientelizëm dhe sidomos arbitraritet.
Ndoshta nuk paska zgjidhje tjetër për ne shqiptarët. Të ndodhur në një ulluk politik pa dalje duket se gjithmonë duhet të zgjedhim jo midis të keqes më të vogël të mundshme por midis të keqes më pak të dukshme. Ajo që besoj se përsëri do të përsëritet me afrimin e zgjedhjeve është verbimi i mendimit tonë politik i cili menjëherë pas zgjedhjeve do të pasohet me psherëtimën e radhës…

30 June 2008 @ 7:45 pm
Thua te jete kaq i squt ky Edvini apo e ban nga frika se ….Berisha dhe Partia Demokratike do të përpiqen të ç’montojnë imazhin e Ramës pikërisht duke i kujtuar elektoratit se ky kalorës po vjen nga një qeverisje e gjatë e Bashkisë së Tiranës plot me probleme, dhe akuza për korrupsion, klientelizëm dhe sidomos arbitraritet…… Mbetet per te pare Grupo dhe Hunter cfare mendoni Ju
30 June 2008 @ 9:16 pm
Teper heret, 1 vit kohe fushate elektorale.
Po Edi Rama do te fitoje…