Oh Ç’më ka Marrë Malli për një Grevë Urie…
Eh more të dashur miq. Në kohërat e e bukura të së shkuarës, atëhere kur demokracia sapo kishte filluar të hidhte rrënjë në Shqipëri të zgjidhje problemet ishte shumë e lehtë. I fusje një Grevë dhe problemet zgjidheshin tak-fak. Pale sikur të ishte një Grevë Urie… Vinte Presidenti, Kryetari i Opozitës, i Pozitës, i të Drejtave të Njeriut, kryetarët e organizatave studentore, gruas, etj, etj.
Nga Arben Dulo
Jo vetëm që kërkesat e mëpërparshme zgjidheshin por ato edhe avancoheshin. P.sh futeshe në Grevë për më shumë drita. Jo vetëm dritat por edhe pluralizmi e demokracia vinin sa kaq. Futeshe në Grevë për lirimin e të Burgosurve Politikë. Paf ish-të Burgosurit Politikë bëheshin Kryetarë, heronj etj, etj. Futeshe në Grevë për të marrë “Paret Tona,” paf Kryetari i Burgosur jo vetëm që liroheshe nga Burgu por merrte edhe paratë e burgut, kokërr për kokërr. Pastaj, qeveriste për vite me rradhë me një grua të re e të bukur, si Zonjë e Parë. Përrallat nuk janë më të bukura se kaq.
Qëkur se ne Shqiptarët filluam të trasheshim ashtu si edhe bashkëmoshatarët tanë në Perëndimin e Largët Amerikan, i humbi edhe rëndësia Grevës së Urisë. Ndoshta perceptimi mediatik nuk do të ishte më aq i fortë për Grevën e Urisë. “Pa shih pa shih, Shqiptarët në Grevë Urie! Eh ta kisha dhe unë fatin e tyre, do të humbja ca nga ky dhjam i tepërt që po ma merr shpirtin” mund të thoshte përtueshëm qytetari i thjeshtë e i trashë, Amerikani Xho, tek përtypte Big Mac-un e tij, të shoqëruar me një porcion të madh French Fries, dhe një sapllake të madhe me Coca-Cola. Prandaj OJQ-të Shqiptare nuk merren më me ato forma “të vjetëruara të marrëdhënieve me publikun,” ku bën pjesë edhe Greva e Urisë.
E megjithatë për mua Grevës së Urisë nuk i ka humbur akoma rëndësia. Pse? Sepse politikanët Shqiptarë janë bërë mjeshtra për t’ia lënë fajin njeri-tjetrit dhe për të gjetur arsyet nga më absurdet për të punuar me ritmin e Penelopës. I sjellin ligjet e rëndësishme për diskutim paradite dhe i prishin mbasdite. E hapin diskutimin sot dhe e rihapin mot, duke i zgjidhur problemet që shqetësojnë aq shumë zgjedhësit e tyre me hapin e breshkës.
Një grevë urie kundër atyre që betohen orë e cast për interesat e popullit nuk do te ishte keq, dhe do t’u shërbente pushtetarëve të njihnin më mirë se kush ishte qiraxhiu dhe kush ishte sovrani (hanxhiu). Por në këtë rast Greva e Urisë duhet të organizohet nga subjekte jashtë parlamentit. Mjaft-i me sa merr vesht kjo kaplloqja ime nuk para i pëlqen këto masa “Radikale.” Mjaft-i parapëlqen protesta më të stërholluara si p.sh sjellja e oktapodit përpara kryeministrisë, etj, etj…, që as unë dhe as ata bashkëfshatarët e mi nuk i marrim vesht.
E që thoni ju ashtu tek mendoj me mall për Grevat e Urisë të kohës së shkuar, e harroj Mjaft-in, e ëndrra vjen e më kap ngadalë. Nuk është ëndërr e madhe si ajo e Martin Luther King-ut. Është një ëndërr e vogël Shqiptare. Ëndërroj që Grupit të Deputetëve pasi refuzoi të hante drekën e Kryetarit të Partisë t’i shtohet oreksi për të mos ngrënë dhe të futet në parlament për të shpallur Grevën e Urisë. Të deklarojnë solemnisht se nuk dalin prej andej pa u ndërmarrë një reformë e përshpejtuar e Sistemit Zgjedhor, ku paisja me Kartat e Identitetit të ishte hapi i parë i panegociushëm.
Përfytyroni se ç’do të ndodhë n.q.s. “monstra” e Grevës së Urisë do të rilindë. Në fillim Greva e Urisë do të vërehet nga të gjithë me dyshim se mos është ndonjë shaka rradhës, e tipit, “Kjo ishte Loja.” Mund të kemi gjithashtu një mini-anti-Grevë Urie diku aty pranë ndërtesës ku organizohet Greva. Por n.q.s Greva e Urisë do të ketë sukses, të gjithë, duke filluar nga Presidenti, kandidatët për President, Kryetari i Opozitës, Kryetarët e Partive, Kryeministri, deputetë, përfaqsues të organizatave të masave (oops,) më falni të OJQ-ve, do të shkojnë atje me shpejtësi. Haptazi dhe me hipokrizinë më të plotë ata do të deklarohen në mbështetje të plotë për kërkesat e Grevistë. Por, kjo nuk ka rëndësi. Nuk ka rëndësi ngjyra e maces mjafton të kapi miun.
Diplomati Amerikan do të shkojë atje… I ri në detyrë fakiri ka nevojë të prezantohet sa më shpejt. Diplomatët e tjerë do të pasojnë. OJQ-të do të vashdojnë të mbajnë deputetët me ushqime organike. Mjaft-i do të vijë me ndonjë lloj ideje të ndërlikuar, se helbete, me shkollë të madhe ata. E më në fund … fitorja… Jo vetëm që Reforma Zgjedhore do të përfundojë tak-fak, por edhe ndonjë medalje nga Presidenti mund të fitohet p.sh, si ajo e Pishtarit të Demokracisë.
Ata që e fitojnë për herë të dytë mund ta shesin Pishtarin për qëllime bamirësie, ose mund ta mbajnë, se dy të rrahura të bëjnë dëm, jo dy Pishtarë. Mund t’i përdorin ata dimrin e ardhshëm. Fjala është se do të kemi drita gjatë gjithë 24 orëve, por ndonjëherë bën vaki që ato mund të ikin… Ashtu kot, mbase për të protestuar me Grevë Urie kundër atyre që i vjedhin dritat drejtperdrejt nga linjat kryesore!?
P.S. Tashmë grupi i deputetëve të PS-së që ishte pro-drekës së kryetarit kërkon të dorëzojë mandatet para zgjedhjes së Presidentit, për të provokuar zgjedhje të parakohshme. Një grup tjetër është për mirëkuptim, bashkim, vllazërim, me Nanon President. Partia e madhe e të voglave LSI-ja luan për të fituar kohë dhe pushtet. Të njëjtën lojë ndjekin dhe partitë e tjera. Grupi i Maxhorancës e ka gati kandidatin për President…!? Eksponentë nga PBDNJ-ja deklaruan se do të mbështesnin kandidaturën e Nano-s për president. Siç duken bathët do të duhen shumë greva urie për të detyruar politikanët Shqiptare të përfaqsojnë dhe mbrojnë interesat e zgjedhësve. Prandaj politika dhe institucionet e saj duhen mbajtur nën presion konstant. Përndryshe do të jemi një brez i humbur që vepron sipas filozofisë “ç’ta vrasim mendjen/ rrimë në kuzhine (taverne/kafene)/ bie erë gjellë/ pa ngrënë s’mbesim,/ na pihet ujë pimë, (ujë mineral sigurisht,)/ na rriten thonjtë/ i presim.”


10 Prill 2007 @ 11:21 pm
Gati gati me ka marre madhi te shoh greven e urise te ”Toka jone” (humor) te clodhem nga keta njerez e te qesh paksa.
Deputet tane jane gati te ”Do e qojme greven deri ne fund te urise”.
10 Prill 2007 @ 11:23 pm
Gati gati me ka marre malli te shoh greven e urise te ”Toka jone” (humor) te clodhem nga keta njerez e te qesh paksa.
Deputet tane jane gati te ”Do e qojme greven deri ne fund te urise”.
11 Prill 2007 @ 12:41 am
Sa do ma kishte qejfi te qeshja edhe une me kete artikullin. Po s’me erdhi. Humor fshati…