Numri i punonjësve të administratës ose rritet ose ulet
Dy shkrime, njëri nga gazeta Shqip, tjetri nga gazeta Shekulli, japin dy rezultate të ndryshme nga e njëjta mbledhje e qeverisë.
Vendimi, ikin 1866 punonjës të administratës nga puna
Qeveria vendos shkurtimin e numrit të punonjësve të administratës me rreth 2000.
gazeta Shekulli
TIRANË- Viti 2008 duket se nuk do të jetë i mbarë për punonjësit e administratës shtetërore. Qeveria ka parashikuar dje gjatë mbledhjes së saj shkurtime drastike në administratë. Në sitin e Këshillit të Ministrave është publikuar vendimi për
për caktimin e numrit të punonjësve për vitin 2008, në ministritë dhe institucionet qendrore. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008″, me propozimin e ministrit tëFinancave, Këshilli i Ministrave vendosi: numri i punonjësve buxhetorë, në vitin 2008, për ministritë dhe institucionet qendrore, është 105 134 veta”, thuhet shkurt në vendimin e qeverisë, ndërkohe që ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim do të hyjë në fuqi ne 1 Janar të vitit 2008. Edhe pse nuk është sqaruar asgjë në vendimin e qeverisë se sa ka qenë numri i mëparshëm i punonjësve të administratës, burime nga Ministria e Financave deklaruan mbrëmë për Shekullin se numri i punonjësve do të ulet ndjeshëm, ç’ka në mënyrë kategorike do të sjellë edhe shkurtimin nga puna të punonjësve. Sipas burimeve, numri i punonjësve që do të shkurtohen është rreth 2000 punonjës. Burimet nuk saktësuan arsyet se pse vjen një ulje e tille e numrit të administratës, por vetëm saktësojnë se do të ketë një zvogëlim të numrit për shkak të disa arsyeve, që janë sqaruar përmes relacionit përkatës nga Ministria e Financave.
Administrata, hapen 3 mijë vende pune
Qeveria harron dietën, në vitin 2008 numri i punonjësve buxhetorë do të rritet deri në 105.134 veta
gazeta Shqip
Gjatë vitit 2008, në administratën shtetërore do të hapen rreth 3 mijë vende pune. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Dieta e qeverisë përballë votës së elektoratit në zgjedhjet e 2009-ës do të marrë fund. Të pakënaqurit për papunësi do të kenë mundësi që të përfitojnë nga hapja e vendeve të reja të punës në administratën shtetërore. Sipas vendimit më të fundit, numri i personave që do të punësohen në administratë do të shkojë në 105.134 nëpunës. Ky vendim shfuqizon urdhrin e dhjetorit të vitit 2007, që numri total i nëpunësve të jetë 102.159 veta. Saktësisht do të punësohen 3075 persona. Rëndësi të veçantë do t‘u kushtohet atyre personave të cilët janë diplomuar në universitetet jashtë Shqipërisë, ose kanë marrë tituj master dhe doktoraturë jashtë vendit. Dje në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha ka bërë me dije se vetëm 5% e profesorëve janë me tituj në universitetet tona dhe për këtë arsye ka deklaruar hapur se do të hapen 400 vende pune për pedagogë, profesorë dhe doktorë shkencash. “Situata aktuale në universitetet publike lidhur me gradat e mësimdhënësve, pedagogëve është e papranueshme. Doktoraturat e fituara në universitetet perëndimore përbëjnë vetëm 5 për qind të të gjithë mësimdhënësve, ndërkohë që në vende të tjera është 5 dhe 7 herë më e lartë”, u shpreh Berisha. Modernizimi i administratës është një nga synimet e qeverisë “Berisha”, i cili renditet gjithashtu si një nga rekomandimet e ndërkombëtarëve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.
Lëvizjet brenda administratës
Gjatë vitit 2007, me vendim të Këshillit të Ministrave janë larguar 4321 punonjës nga administrata publike. Vetëm ditën e djeshme, qeveria vendosi që të ndryshojë kursin, duke shtuar organikën dhe duke hapur vendet e reja të punës në sektorë të ndryshëm. Arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy nga sektorët që do të kenë më shumë oferta punësimi për profesorët dhe mjekët e kualifikuar, kryesisht në vendet perëndimore. Një nga kriteret e forta për të përfituar punë nga këto 3075 oferta që do të jepen gjatë këtij viti është që kandidati duhet të jetë diplomuar apo të ketë kryer specializime jashtë Shqipërisë. E gjithë kjo ka si synim përmirësimin e punës brenda administratës, duke vështirësuar në këtë mënyrë pikat që duhet të plotësojë një aplikant për t‘u bërë pjesë e administratës shtetërore. Vlen të theksojmë se në janar të vitit 2007, numri total i punonjësve të administratës ishte 106.480 veta. Pra në diferencë nga viti 2006, këtë vit numri i punonjësve do të jetë më i vogël se dy vjet më parë, rreth 1200 veta më pak, por do të jetë shumë më i lartë se në vitin 2007-të, ku administrata u prek nga furtuna e shkarkimeve. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore. Në relacionin e Këshillit të Ministrave, hapja e re e vendeve të punës ka filluar që prej datës 1 janar 2008.


14 Shkurt 2008 @ 11:01 pm
Qyfyre (gazetareske) nga regjimi qyfyr