Nuk keni te drejte, zoti Withers!

Shpëtim Nazarko
Gazeta Shqip

E dëgjova dhe pastaj e lexova fjalën Tuaj, zoti Ambasador në lidhje me korrupsionin. Natyrisht me respekt, si fjalën e çdo njeriu që përfaqëson një shtet, që ndoshta më shumë se çdokush ia do të mirën vendit tim. E di shumë mirë se si çdo njeri i rangut Tuaj e studiuat dhe i dini punët e vendit, ku do të punonit për periudhën e ngarkuar. Po më vjen keq të them që në fillim, se keni rënë në një nga ato grackat, ku këtu ka kohë që noton jo vetëm një përfaqësues i medias, i OJF-ve, por dhe i vetë shtresës të së korruptuarve, që mund të jenë përfaqësues të qeverisë apo hallkave të saj.

Shqipëria e njeh mirë këtë lloj lufte antikorrupsion dhe jo në kohën që jetojmë. Po të shihen me pak vëmendje pjesë të fjalimeve të ish-komunistëve të vjetër, mund të merren modele të shkëlqyera fjalimesh që do t‘i kishin zili dhe përfaqësuesit më të ndritur të OJF-ve, kudo ku e zhvillojnë aktivitetin e tyre. Fjalimet e dikurshme të Enver Hoxhës kundër korrupsionit, me siguri që janë modele nga më të përsosurit dhe ndoshta në këtë pikë ai nuk do të arrihet për një kohë të gjatë. Ata që e sundojnë Shqipërinë e pas viteve ‘90, e dinë mirë këtë dhe i gjejnë më mirë se të tjerët, të huaj a analistë se si mbahen fjalimet antikorrupsion. Nuk do ndonjë marifet të madh për të parë se të gjitha kalimet e pushtetit nga ‘90-a e këtej janë bërë fiks me parulla kundër korrupsionit. Më thjesht janë zhvilluar me parullën: kapini hajdutët!

Në vitin ‘92, një anglez na foli për arin e vjedhur, e ne ndërruam sistem e qeveri bashkë. Në ‘96-n, një anglez tjetër i quajtur Gambell, foli për një qeveri gangsterësh, dhe ne prapë e ndërruam qeverinë. Në vitin 2001, përsëri u hodhëm në luftë me parullën: t‘u vëmë ruspën të korruptuarve. Më 2005-n, përsëri e ndërruam qeverinë me parullën: të fshijmë korrupsionin. Aq e fortë është kjo lloj shakaje, sa dhe brenda të njëjtit kamp politik ajo mbetet e njëjtë. Në vitin 2001, zoti Nano u nis prapë nga malet për të rrëzuar qeverinë e tij, me parullën e famshme të “katarsisit”.

Nuk është ndonjë sekret i madh që përsëri qeveria e tanishme do të bjerë po me të njëjtën parullë etj. Dikur në vitin 2005, ia kam thënë në një ambient të hapur Kryeministrit të tanishëm që po rrekej të vinte në pushtet, këto që po shkruaj më sipër. Origjina e një beteje të tillë vjen nga Lindja e lashtë para 2000 vjetësh. Atje zbrisnin nga malet për të qëruar hesapet me hajdutët, me të njëjtat parulla si dhe sot. Këpusnin tre a katër koka, sundonin ca kohë, derisa të vinte një luzmë tjetër me të njëjtat parulla. Kështu, loja përsëritej nga e para, njëlloj si te ne sot, ku nuk ka prerje kokash, po gjëra të ngjashme. Filozofët e shpjegojnë thjesht këtë përsëritje banale ngjarjesh; ajo quhet mungesë e pronës private. Kjo bën që të tërë të vijnë vërdallë duke thënë: kapeni hajdutin! Dhe pasi vijnë në pushtet zënë e bëjnë të njëjtin marifet si të parët. Pra, zënë e vjedhin atë që ka mbetur nga pasuria e përbashkët. Këtë në favor të vetes apo të të huajve që i zënë miq rrugës së qeverisjes.

Në mënyrë të përgjithshme unë nuk mund të jem dakord me Ju. Një vend si Shqipëria nuk është shembull i korrupsionit. Një vend mund të quhet i korruptuar ku shkalla e informalitetit është në përqindje të vogla, që venë pak më shumë se shifra dhjetore, po jo kur kjo shkallë informaliteti është 50 apo 60 për qind. Në këtë rast nuk është vendi i korruptuar, por flitet për dështim total qeverisjeje apo politikash të tilla. Apo po të doni; për mënyra qeverisjeje që kalojnë në vetëqeverisje apo ndryshe përshtatje për mbijetim e së gjithë shoqërisë. Populli i urtë shqiptar ka zgjedhur rrugën e dytë dhe ka arsye të thella për këtë gjë. Përfytyroni, i dashur Ambasador, nëse në Amerikën e sotme papritur Presidenti Bush të thotë se këtej e tutje të ardhurat mesatare do të jenë 150 dollarë për frymë në muaj, e çmimet do të jenë po ato e ndoshta do të rriten, ç‘do të bënte populli amerikan? Në rastin më të mirë do të arratisej nga sytë këmbët siç bëjnë shqiptarët e gjorë pesëmbëdhjetë vjet rresht. Apo ndoshta t‘i vinin flakën vendit të tyre, gjë që dhe ne e kemi bërë nja dy-tri herë këto 20 vjetët e fundit. Po çfarë të bëjmë Zoti Ambasador? Ndoshta gaboj apo e kam bërë dhe dogmë në të gjitha shkrimet e mia tërë këto vjet. Ky vend është pa strategji zhvillimi dhe kjo klasë e mjerë politike e dy krahëve nuk e kalon dot Lindjen e lashtë, veçse në një ndërrim të vogël fjalori që çon në ndryshime forme, po jo përmbajtje.

Unë mendoj se ndërtimi i vendit, ashtu si dhe ndërtimi i çdo teorie shkencore të tipit fondamental, ka një analogji që mund të pohohet ndoshta në këtë mënyrë. Në teoritë e mëdha në krye vihet një princip natyror, i cili zbulohet nga mendjet e ndritura apo pasqyron një periudhë të gjatë kërkimi, apo reflektimi. Krahas principit vendoset një aparat matematik që reflekton në pikëpamje kuantitative domethënien e tij. Kur kjo skemë shkon në analogji në ndërtimin e vendit ajo përkthehet ndoshta kështu. Në rolin e principit natyror kemi dy shtylla. Së pari, modernizohen resurset natyrore që kanë lënë e zhvilluar të parët e tu. Së dyti, shikohet pozicioni gjeografik i vendit në lidhje me të tjerët. Vetëm tani mund të ndërtojmë aparatin matematik. Që do të thotë se të gjitha ligjet që shkojnë në Kuvend e qeveri janë në funksion të shtyllave të mësipërme. Nuk është ndonjë zbulim i madh të pohosh se vendi ynë ka qenë tranzit dhe, së dyti, një vend blegtoral e bujqësor. Që nga koha kur ra Perandoria Romake, nën pushtimin turk, ne u kthyem në një vend jotranzit, por periferik. Çka na la pa këtë shtyllë zhvillimi. Në kohën e komunizmit ishim dhe vend periferik dhe i izoluar.

Të mbetur pa këtë shtyllë në kohën e regjimit të Zogut Shqipëria zhvilloi shtyllën e dytë të tij. Atë të të qenit vend blegtoral e bujqësor. Andaj Shqipëria e kësaj kohe kishte një blegtori të klasit të parë e të barabartë me Zvicrën, që dhe sot është në vendet e para. Në kohën e Hoxhës ne i thyem dy shtyllat e zhvillimit. Izoluam vendin, duke i hequr mundësinë e të qenit vend tranzit. Pastaj çuam fshatarin të blinte qumësht në qytet, duke thyer kështu dhe shtyllën e dytë të zhvillimit. Një vend që thyen këto shtylla, pavarësisht lodhjes së pafundme të qytetarëve të tij, mund të rrojë vetëm me miell hua nga jashtë. Kështu na ndodhi dhe ne. Pasi mbaruan ndihmat e rusëve dhe kinezëve mbetëm në sistem triskëtimi. Çka na çoi në parullat e Hoxhës dhe të tjerëve. Pra, na mbetej të kapnim hajdutët dhe armiqtë. Në këtë pikë jemi dhe pas njëzetë vjetëve tranzicion.

Në vend të kinezëve a rusëve, ushqehemi me miell nga vëllezërit tanë refugjatë a ndihmat e të huajve. Ne nuk jemi prapë vend tranzit. Nuk kemi bërë as rrugë, as portë në funksion të kësaj shtylle. Nuk mund të jemi as vend blegtoral e bujqësor, se kemi prishur veç të tjerave, edhe marrëdhëniet e pronësisë. Kështu pa këto shtylla zhvillmi kemi vetëm një rrugë: të kërkojmë e të zhvillojmë një propagandë që nuk na çon gjëkundi. Ajo ushqen vetëm një klasë parazitësh politikë, që mbajnë fjalime këtu a në sallat e Evropës, apo OJF që vijnë sot e tërë ditën vërdallë, duke humbur vazhdimisht kredibilitetin e tyre. Unë e shoh ndoshta gabim, por dhe me trishtim zoti Ambasador, se jemi drejt fundit tonë, pavarësisht parullave. Shikoni deficitin tregtar tonin që po na çon drejt ferrit, analizoni marrëdhëniet e bankave dhe do të kuptoni se ato janë më keq se qeverisja në politikat e tyre të zhvillimit. Me mijëra kredi e kapitale derdhen prej tyre për të shtuar kafene e karburante në emër të kolateraleve që kanë të kredituarit. Shikoni mediat tona të mjera, që në shumicën e tyre marrin reklama vetëm nga shoqëritë telefonike për çmime katastrofike, që u pozojnë klientëve dhe do të konstatoni lehtë se nuk është punë korrupsioni, por thyerja e rregullave elementare që karakterizojnë zhvillimin harmonik të çdo vendi. Shikoni si tallet çdo qeveri e jona me politikat bujqësore e marrëdhëniet me pronën, e do ta konstatoni me lehtësi se kjo që po ndodh me ne nuk është punë korrupsioni, por vetëpërshtatje e qeverive dhe popullit që nuk gjen dot rrugë zhvillimi. Në ato dy shtyllat e zhvillimit mund të shtonim dhe një të tretë, ndoshta me efekt të përkohshëm: Një brez i ri që nuk shkon dot në shkolla profesionale, por në shkolla që adaptojnë vetëm filozofë e juristë në shumicën e kohës. Duke na hequr mundësinë të ndihmojmë veten në radhë të parë apo të bëhemi të dobishëm për të tjerët. Ndoshta gaboj Zotëri, por besoj se jemi përpara një krize, e cila vetëm në formë mund të jetë më e lehtë se ajo e vitit ‘97, por shumë më e rëndë në përmbajtje. Dhe nga e cila nuk na shpëton dot asnjë gjë, nëse nuk kthehemi në rrugën e çdo kombi që kërkon strategjitë kombëtare nëpërmjet njerëzve të vet të ndritur apo refleksionit real të eksperiencave të hidhura! Vetë besoj se jemi në grahmat e fundit! Gjithsesi, mbetet falënderimi për fjalën Tuaj të shkëlqyer, e cila siç thotë Balzaku i madh, njerëzve tanë do t‘i bëjë të ndërrojnë sjelljen, por jo mendimin për të vazhduar si më parë!

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente

  1. Max thotë:

    10 May 2008 @ 10:07 am

    Nazarko, you’ve got the point!

  2. Max thotë:

    10 May 2008 @ 11:21 am

    Fjalet Shqiperi dhe Strategji nuk mund te shkojne bashke!
    Kemi 20 vjet qe ndricohemi me qiri, kemi 20 vjet qe flasim per krize energjetike dhe kemi po kaq vite qe nuk jemi ne gjendje te ndertojme nje (ko-)TEC vajguri apo qymyri!
    …daullja per TEC-in ne Vlore ka qe ne mes te viteve ‘90 qe po bie, por aty te daullja jemi akoma sot - madje tani po i biem nje daulleje te re, asaj berthamore!!!

  3. Qafir Arnaut thotë:

    10 May 2008 @ 5:20 pm

    e do ta konstatoni me lehtësi se kjo që po ndodh me ne nuk është punë korrupsioni, por vetëpërshtatje e qeverive dhe popullit që nuk gjen dot rrugë zhvillimi. Në ato dy shtyllat e zhvillimit mund të shtonim dhe një të tretë, ndoshta me efekt të përkohshëm: Një brez i ri që nuk shkon dot në shkolla profesionale, por në shkolla që adaptojnë vetëm filozofë e juristë në shumicën e kohës

    mospasja e nje prodhimi vendas bujqesor, apo qofte edhe mospasja e titullit legal mbi pronat, nuk ka te beje me korrupsionit. Korrupsioni eshte problem moral. Bujqesia, qe paskesh qene si e zvicres ne kohen e Zog-ogllu-se, nuk e ndaloi korrupsionin atehere.

  4. Permetari thotë:

    10 May 2008 @ 6:23 pm

    Fjalimet e dikurshme të Enver Hoxhës kundër korrupsionit

    C’thua o ty mbyllte? Ke rrojtur ne ate kohe ti Nazarko apo e ke me te treguar? Ku ishte korrupsioni problem ne kohe te Enverit? Kur Enveri e ka adresuar korrupsionin si problem ne ndonje fjalim? Problem i shtruar per zgjidhje ka qene revolucioni, asnjehere korrupsioni. Apo me gjithe ata spiune qe kishte neper kembe? Apo me gjithe ato menyra anonime, ose te hapura , te te raportuarit te problemeve?
    Ja me keto brockulla te beni te mos vazhdosh fare te lexosh me tej artikullin…

  5. odin m. thotë:

    11 May 2008 @ 2:47 pm

    Eshte shkrimi i pare qe mund tì jap nje fare te drejte Nazarkos per problemin qe shtron.
    E keqja me analistet tane si Nazarko eshte se e konsiderojne veten si eksperte ne cdo fushe dhe rezultati dihet, mbrockulla pa fund. Keta analiste e ndjejne te afte veten te analizojne politiken e brendshme e te jashtme, industrine, bujqesine etj. Fatkeqsisht kane fituar nje status te cuditshem e s`del asnjeri t`jua mbylle gojen. Eshte e qarte se me shkrimet e tyre sigurojne buken e gojes por njekohesisht c`vleresojne profesionin e tyre e shkaktojne konfusion me diskutimet pa buke.
    Cdo masmedia serioze ne bote ka analistet e vet qe jane te specializuar ne fusha te ndryshme, jane studiues, inxhiniere, agronome etj. plus me nje studim ne gazetari. Nazarko me shoke mendojne se fakulteti i gjuhe-letersise i jep te drejte te analizojne cdo fushe te jetes. Ne kete aspekt nuk kane ndryshim te madh nga E.Hoxha ose sot Sala.
    Nazarko ka te drejte kur permend mungesen e strategjise shteterore. Kjo shkakton zhvillimin kaotik qe perjetojme keto 17 vjet. Nqs thuhet qe jemi vend strategjik nga ana ushtarake dhe ekonomike duhet te dihet pse jemi dhe duhet bere dicka qe kete pozicion ta shfrytezojme ne funksion te zhvillimit te vendit sepse pozicioni strategjik presupozon edhe konkurrencen nga vendet me pozite me pak te favorshme. Nqs Shqiperia do te shnderrohej ne nje pike te fuqishme logistike ne ballkan sot do ishim te paret ne BE.
    Mbase pushtetaret tane kane alergji nga planet 5 vjecare te diktatures ose nuk duan te paraqiten si ish-funksionare te saj. Me teper se kurre kishim nevoje per plane te tilla afatgjata me vendosjen e demokracise.
    Permend shkurt vetem turizmin per te cilin kane folur e flitet aq shume. Trasheguam nje turizem te nivelit zero dhe bregdeti yne ishte komplet i pashfrytezuar. Me nje injorance te pashembellt u la mbas dore nje nga pasurite me te medha qe na ka dhuruar natyra. Interesi i gjithe pushtetareve ishte fiksuar te ndertonin nje vile ne Durres ose te shkembi Kavajes. Sot kur flitet per turizmin bregdetar behet fjale vetem per jugun per ate pjese qe nuk eshte shkaterruar plotesisht. Komplet Gjiri i Durresit e ka humbur vleren per thithje investimesh te huaja pasi eshte qelbur. Aktualisht ata qe kane ndertuar ne kete zone mundohen t`ua shesin bashkekombasve tane nga Kosova e Maqedonia.
    Per sektoret e tjere eshte e tepert te flasesh.
    Shkurt jemi ushqyer e ushqehemi prej vitesh me propagande e parrulla demagogjige me efekt disa mujoresh sa per te siguruar pushtetin.
    Nuk ekzistojne plane afatgjata te asnje qeverie te detyruara te zbatohen edhe nga qeverite pasardhese. Edhe per ato studime qe i jepen institucioneve te brendshme ose te huaja, kane nje afat kohor te shkurter sa eshte jetegjatesia e asaj qeverie. Per studime te thella e serioze s`mund te behet fjale, mjafton qe qeveria te dale para publikut e te thote se kete studim e ka bere filan firme e huaj.
    Hyrja ne Nato na hapi edhe nje dere per te thithur investime te huaja por sic e shihni vete s`ka mbetur gje nga ana jone per te ofruar.
    Ceshtja pronave eshte shndrruar ne gangrene per bujqesine dhe ekonomine ne pergjithesi. Ne kete gjendje s`mund te presesh firma prestigjoze dhe investime te medha.
    Per cdo investor te huaj eshte e qarte se ligjet qe rregullojne marredheniet e pronave te ne, dikur do te ndryshojne.
    Duke njohur kete problematike te ne cdo firme e huaj synon ne radhe te pare me investime minimale te nxjerre nje fitim per kater vitet e ardhshme, nqs s`do kete probleme me qeverine e re akoma me mire.

    Kjo eshte strategjia(leshit) shteterore qe funsionon te ne. Ne zhvillohemi per inerci te te tjereve si drujte qe i merr lumi dhe si para 17 vjetesh rrojme per kunj te kinezeve…
    P.S. G99 do na i zgjidhe keto probleme…

  6. shqipo thotë:

    11 May 2008 @ 3:30 pm

    Gjithmone me mahnisin shkrimet e te vetquajturve “analiste” qe e fillojne nje shkrim, pastaj dalin per disa ore per nje kafe me shoke e shoqe, kthehen te frymezuar nga bisedat kafeneiste e vazhdojne te shkruajne dicka tjeter. Se c’lidhje ka fjala e ambasadorit me “shtyllen” e blegtorise vec z. Nazarko mund t’a dije. Sigurisht, nje “analist” nuk mund te jete i besueshem nese nuk duhen harruar edhe kthimet ne histori apo fjale nga njerez te shquar te huaj. mire do jete qe te perfshihen ne shkrim edhe ca fjale te huaja (shume najs, shume najs) qe te tregohet poliglotizimi i shkruesit.

    Por duhet te pranoj qe me vjen mire qe fjalet e te huajve nuk merren me si Bibel apo Kuran ne Shqiperi. Korrupsionin e krijon nevoja - nga te dyja palet. Pala paguese e krijon nepermjet ofertes, per nevojat e tyre, qe te pershpejtojne, anashkalojne burokracine derrmuese, apo edhe per te marre gjera qe s’u takojne (p.sh. tendera). Pala e paguar e krijon thjesht per arsye te rritjes se mireqenjes se tyre, qofte financiare, qofte ne nje menyre tjeter. Dhe sigurisht qe s’e kemi shpikur ne (Shqiptaret), as nuk duhet te fajesojme “demokracine” sepse ka qene mjaft i zhvilluar ne Shqiperi edhe ne kohen e socializmit.

    Fjala e ambasadorit nuk m’u duk aq ofenduese sa c’e ben z. Nazarko. Mendoj qe ai e tha troc e ndershmerisht qe korrupsioni ekziston shume edhe ne Amerike, por diferenca ndermjet Amerikes dhe Shqiperise eshte se ne Amerike antaret e Kongresit apo te administrates nuk fshihen dot pas imunitetit por hetohen e denohen ne menyre te pavarur nga FBI. Thjesht pyesni ate mikun e dashur te z. Berisha, ish-kongresistin nga Ohio James Traficant qe tashme eshte ne burg. Ose shikoni sa shume kongresiste jane nen hetim: http://www.sourcewatch.org/index.php?title=Category:Members_of_Congress_under_investigation

    z. Nazarko mire e thote qe disa votime jane fituar me premtimet (boshe) te zhdukjes se korrupsionit. Por, me c’mbaj mend une, vetem ato te 2005 ishin te tilla, kur z. Berisha premtonte me buje qe sa te vinte ne pushtet, do pastronte ne mase. Cuditerisht, 3 vjet pas ktyre zgjedhjeve, Fatos Nanos dhe VIP-ave te tjere qe ishin ne “shenjestre” e Berishes, s’u ka hyre as nje gjemb ne kembe. Perkundrazi, vazhdojne te pasurohen e te shetisin boten (apo edhe te marrin diploma neper shkolla te amerikes).

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com