Është e paqtë pasditja në shtëpinë e tij. I rrethuar me tablo, suvenire, kujtime gjithkund, Dritëro Agolli është ulur pranë akuariumit me peshq, përballë ekranit të madh, ku ndjek lajmet me kërshëri dhe kthen herë pas here gotën me raki Skrapari, shoqëruar me cigare një pas një. Na janë mpirë gjunjët kur mbërrijmë në dhomën e madhe të miqve. Kemi ngjitur 27 shkallë. Nuk i kemi numëruar, por na e zbulon Dritëroi këtë fakt, tek flet për imtësitë dhe syrin e vëmendshëm të vëzhguesit, si një tipar që i shërben shumë shkrimtarit. 

“Për t’u ngjitur këtu janë...ja të bëjmë një llogari 9 X 3... 27 shkallë”. Rëndësinë e imtësive ia ka mësuar një grua e veçantë. Dhe ai s’mund ta harrojë kurrë atë. Quhej Virgjini Pepo. Ajo ka vdekur një javë më parë. Kjo e ka trishtuar shumë Dritëronë... 

“Ishte një grua mesatare. Nuk ishte shumë e gjatë. Flokët nuk i kishte të zeza, por thuajse biondë, pak të errët. Fliste shumë bukur. Dinte edhe të këndonte...” Virgjinia ishte mësuesja e tij. Prej saj mësoi gjuhën, letërsinë. Dritëroi është përgatitur të më flasë për të. Zonja e tij, Sadija na ka shërbyer ndërkohë pije e çokollata. Dhe Dritëroi është gati të kujtojë fillesat e tij në letërsi dhe çelësin që e bëri poet, sekretet që ia mësoi Virgjinia. Gishtat i dridhen pak, me cigaren shtrënguar mes tyre, dhe vështrimin e ka fiksuar fort në një pikë të padukshme. Më ngjan se diç po rrëmon në kujtesë. Në fakt po kërkon një metaforë. 
Çfarë janë kujtimet? 
Dhe Dritëroi ia nis... 

“Kanë rrjedhur shumë ujëra. Kanë kaluar shumë kohë që atëherë. Janë ndryshuar shumë gjëra në shoqëri. Janë ndryshuar sisteme shoqërore dhe politike. Po janë ndërruar tekstet. Ka bërë një evolucion gjuha. Duke qenë një kohë kaq e gjatë, shumë gjëra kanë mbetur edhe të harruara në mendje. Por shpeshherë, këto gjëra të harruara dalin afër cipës së trurit edhe të duken si realitet. Feksin... 

E keni vënë re ndonjëherë rrjedhën e një lumi, kur në ndonjë pellg në mbrëmje, që ngjan si i lyer me vaj, mbi cipën gjithë shkëlqim, sheh papritur të kërcejnë peshq të vegjël. Edhe kujtimet ndonjëherë kur i ngacmon diçka, që i fton të dalin në pah, kërcejnë njësoj si ata peshqit e vegjël mbi cipën plot shkëlqim të lumit. 

Megjithatë, përgjithësisht mbeten si filmat e palarë të fotografëve, ende pa u zhytur në solucion, ende pa u shfaqur në to personazhet a ngjarjet e fiksuara. Kështu edhe në mendjen e njeriut duhet të futet ndonjë “solucion”, që të dalin ato ngjarje e detaje, që kërkon dikush t’i kujtojë...” 

Dritëroi, hesht një grimë pas kësaj paranteze dhe më zërin që merr një ngjyrim pak më të fortë, nis të tregojë për mësuesen e tij: 

“Virgjini Pepo nuk harrohet. E kam pasur mësuese të gjuhës dhe letërsisë në Bilisht të Devollit. Bilishti ishte kryeqendra e Devollit. Është një luginë e madhe dhe ka përreth fshatra plot. Pastaj ka edhe Bilishtin, që është qendra e kësaj krahine. 

Në vitin 1946 erdhi në shkollën tonë Virgjinia. Kjo quhej Shkolla Unike. Ishte tre vjet. Pasi bëje shkollën fillore, vije në këtë vatër arsimi. Kjo ndryshonte pak me tetëvjeçaret që kemi sot, pasi mësimet ishin thuajse si gjimnazet. Madje e quanin ‘paralice’. Mësimet ishin më të vështira. Nga kjo shkollë kishte nga ata që nuk kishin mundësi të shkonin e të ndiqnin shkollat më tutje, por shkonin mësues, sepse vendi kërkonte mësues. Ato vite, ishin rreth 80-90 për qind analfabetë. Shumë shokë të mi vajtën mësues pasi mbaruan këtë shkollë. 

Virgjini Pepo e njihte këtë gjendje të vendit dhe përpiqej të na jepte mësime të sakta në gjuhë, gramatikë shqipe dhe sintaksë, por ajo ngulmonte shumë edhe në të shkruarit e hartimeve në letërsi. Na nxiste që të lexonim ata libra që ishin përkthyer në atë kohë. Ishin shumë pak, përkthyer që në kohën e Zogut a më përpara. Më kujtohet që na thoshte: “Lexoni Hamletin, - e kishte përkthyer Noli, - “Makbethin”, “Robinson Kruzo-në”, “Don Kishotin”, por edhe Kozetën, një fashikull nga romani “Të mjerët” e Hygoit. 

Dritëroi kujton se atë kohë ishte 15 vjeç. Kureshtja për botën e kishte mbushur plot memorien e tij prej fëmije. Të lexuarit ishte një mënyrë tjetër për të zbuluar botën, njësoj siç u thoshte nxënësve të saj mësuese Virgjinia. Dritëroi kujton: Një ditë na thoshte: “Ai njeri që nuk lexon, është si ai që nuk udhëton, që nuk i pëlqejnë udhëtimet. Por ai që nuk udhëton, nuk mund të shohë as pemët, as shpendët, as njerëzit, asgjë...Prandaj duhet të lexoni, që të shihni e të njihni shumëçka”. 

Unë isha atëherë 15 vjeç. Ajo duhet të ketë qenë 29 vjeç. Më kujtohet që fliste bukur dhe ne e dëgjonim me kureshtje. Dinte të këndonte. Dinte gjuhë të huaja. Mua më bënin veçanërisht përshtypje temat e hartimeve që na jepte. Hartimet ajo i kërkonte jo me frazeologji të madhe, fraza me ekzaltime, nuk e kishte qejf retorikën në hartime. “Nuk janë të bukura”, na thoshte... 
Fjala vjen: një ditë e bukur dimri me dëborë në fshat. Se ne nga fshati ishim të gjithë. “Si do ta përshkruanit këtë ditë dimri kur bie dëbora?”, na tha. Dhe më kujtohet, për atë temë, ajo zgjodhi hartimin tim dhe të një shoqes time të klasës. Mësuese Virgjinia, e kishte zakon të përzgjidhte e të lexonte hartimet më të mira para nxënësve të tjerë. 

Lexoi fillimisht hartimin e shoqes sime. Ajo ishte nga Poloska, 30 minuta larg Bilishtit. Ajo shkruante: “Jam larg. Sa nisem nga Bilishti, shoh mes dëborës Poloskën. Vija të kaltërta ngrihen mbi dëborë, nga oxhaqet e shtëpive. Nga këto vija shoh edhe oxhakun e shtëpisë sime. Që rrugës nëpër dëborë, nga kjo vijë shoh se ç’bëhet në shtëpi.... Pasi lexoi hartimin e saj, lexoi edhe hartimin tim. Unë e kisha bërë ndryshe. Fshatin time e kisha 3 orë larg në këmbë. Gjatë ditëve të shkollës jetoja bashkë me dy shokët e mi me qira në një shtëpi në Bilisht. Por fshatin kisha në mendje. 

I nxjerrim nga ahuri lopët, qetë, kalin, dhentë. Në govatat e pusit pinë ujë. Pastaj i nxjerrim nga portat e madhe për të shëtitur pak, pasi iu ziejnë gjunjët. Duke ndenjur në ahur gjithnjë me gjunjët e mpirë, qetë nuk do të mund të lërojnë tokën në pranverë ... Po ashtu shkruaja edhe për kalin, por kali nuk ka shumë nevojë. Ai nuk fle i shtrirë, fle në këmbë... Kështu e dinim ne fshatarët që kali shtrihej vetëm kur ishte sëmurë. Dritëroi, ndalet një çast dhe qesh. Befas hedh një thumb. “...se ka nga këta shkrimtarët sot, që thonë ‘kali është shtrirë e po fle’. Ja, si të themi tani se këta peshqit këtu, (tregon me dorë akuariumin) janë shtrirë të flenë. Por peshqit flenë ndërsa notojnë. Pushojnë pak ngarendjen, por ashtu flenë. 

Dritëroi i rikthehet sërish kujtimit me mësuese Virgjininë, e cila atë ditë që i lexoi hartimin para nxënësve, iu dha edhe një këshillë. “Duhet të lexoni, që të bëni hartime të mira, por edhe duhet të vëreni me kujdes gjithçka përreth. Duhet të jeni vëzhgues të mëdhenj”. Për herë të parë kam dëgjuar Virgjininë që thoshte: “Nëse keni shkallë në shtëpi, mundësisht t’i dini sa janë”. Më ka mbetur në mend dhe them gjithnjë sa shkallë kemi ne këtu në shtëpi? “Këto janë imtësira, që ju shërbejnë jo vetëm për jetën, por edhe për shumëçka tjetër”, na thoshte. “Imtësitë kanë rëndësi të madhe. Ato përbëjnë një të tërë”. 

Siç kujton shkrimtari, mësuesja e tij Virgjinia ndenji 2 vjet në Shkollën Unike dhe pastaj u zhvendos në Institutin e parë Pedagogjik. Por ato dy vjet, prej saj ai mori mësime të vyera. 
E pyes për krijimet e para, përveç hartimeve në shkollë, dhe Dritëroi sjell në mend poezinë e parë që i kanë botuar në gazetë, gëzimin e mësuese Virgjinisë dhe krenarinë e babait të tij. 
“Në 1947, unë shkrova një vjershë dhe e botova në ‘Rinia’, që më vonë u quajt “Zëri i Rinisë”, me titullin “Sulmuesi i hekurudhës”. Unë kam qenë vullnetar si shumë të rinj në hekurudhën Durrës-Peqin. Shtronim trasenë, vinim shinat, binarët...Një muaj kalova në hekurudhë. Duke parë vullnetarët që punonin, unë shkrova këtë vjershë. Mbaj mend se u botua në gusht a shtator.  Pastaj Virgjinia e mori dhe e recitoi para nxënësve duke thënë: “Ja, do të dalin nga kjo shkollë edhe poetë”. 
Ja, ashtu siç thotë mësuesi që i lavdëron nxënësit...”, thotë Dritëroi dhe vizaton një shprehje modestie në portret. Pastaj qesh dhe kujton se si e përjetoi i ati botimin e poezisë së tij të parë. “Im atë e preu nga gazeta dhe e ngjiti në kutinë e duhanit. Thoshte nëpër fshat “ja ç’ka shkruar djali im. Po do të shkruajë vjersha. Po do të bëhet si Naimi...!!!” 

Ndalet dhe qesh sërish. “Po, a bëhej ky krahasim? Dritëroi me Naimin ndryshon si Menkulasi me Tiranën!!!.(Menkulasi është fshati i tij i lindjes). “Po ku ka si Naimi? Nuk lind më një Naim i dytë!. Por gëzohej ai, gëzohej babai për djalin. Megjithatë, më shumë ishte Virgjinia që gëzohej...”, thotë Dritëroi, ndërsa shton se me këtë mësuese mbajti lidhje për vite me radhë. 
“Edhe pas shumë dekadash, ajo kujtohej. Kur kisha 75-vjetorin më mori në telefon, dhe pastaj sërish vjet, në 79-vjetorin tim. Mendo, ajo ishte 93 vjeç dhe sërish kujtohej. Mbaj mend që e mora edhe unë kur mbushi 90 vjeç. Dhe sërish me thoshte: “Dritëro, e mban mend kur të porosisja ‘gjuhën, gjuhën, kujdes gjuhën!”. 

Ai ndalet një çast dhe bashkë me Sadijen kujtojnë detajet e bisedave në telefon. Pastaj ndez cigaren e radhës. 
Pra, fëmijëria është ajo baza e fortë, ku shkrimtari ushqen idetë e tij, apo jo? - i them. 

“Është e vërtetë”, thotë Dritëroi. “Sa më e pasur me kujtime dhe njohje të jetë fëmijëria, aq më mirë për atë që dëshiron të bëhet shkrimtar. Me kureshtjen e jashtëzakonshme, një fëmijë mëson shumë, dhe gjithçka që mëson që njeh, që vëzhgon, e depoziton në kujtesë. Di shumë gjëra për natyrën për njerëzit, di emrat e zogjve, di kur çelin pemët dhe lulet, kur çel manushaqja. Se s’mund të thuash “qe gusht e sapo kishte çelur manushaqja.”!!! Manushaqja çel në mars e në prill. 

Pra, i di të gjitha këto gjëra. Arin ta dallosh grurin nga elbi”, thotë Dritëroi dhe kujton një tregim të Mark Tuenit, ku heroi thotë se “pataten nuk duhet ta tundësh nga pema se vritet. Po patatja nuk është mollë që të bjerë në tokë e të vritet! Patatja nuk tundet se është në dhe. Por, kam lexuar ndonjë tregim tek- tuk, edhe njerëz me mend, që shkruajnë “shikoja karrot e ngarkuara me pambuk në maj”. A vilet pambuku në maj??? 

Jeta në fshat është plot, ka shumë detaje, lëndë jetësore që i vlejnë shumë një shkrimtari. Po ashtu edhe në qytet, një fëmijë kurioz e i vëmendshëm fikson detaje që do t’ia pasuronin shumë botën e tij letrarë në të ardhmen. 

Pra imtësirat për çdo njeri, jo vetëm për shkrimtarin, kanë rëndësi të madhe. Por ç’rol kishte mësuesja juaj në këtë rast, i them, ndërsa i mëshoj faktit se ky interes për botën është karakteristikë e shumë fëmijëve kuriozë, por që në të ardhmen nuk kanë prirje letrare. “Ne si fëmijë i dinim këto imtësira. Por Virgjinia na mësonte si t’i organizonim njohuritë tona. Ajo u jepte drejtim ideve që kishim në kokë. Ajo na jepte çelësin”, - shpjegon Dritëroi. 

Biseda ka kaluar befas në aktualitet, ngacmuar nga televizioni. Por shumë shpejt i rikthehet personazhit për të cilin flasim. Ndjen keqardhje teksa flet për humbjen e Virgjini Pepos. 

“E mësova vonë që kishte vdekur. Nuk e dija se do të mundohesha të shkoja në varrimin e saj...” - hesht pak dhe sheh sërish nga ekrani i televizionit. - “Çudi, duhej ta kishte dhënë televizioni”, thotë. “Ajo ishte nj patriote e madhe. E dini se familja e saj ka pasur një shtëpi botuese dhe një shtypshkronjë të famshme në Korçë? Botimet Pepo i quanin...”. Dritëroi e ngul vështrimin sërish në atë pikën imagjinare dhe largohet prej aty, me siguri, një kujtim tjetër nga vitet e rinisë së hershme, vetëm kur i themi se kujtimet e Virgjinia Pepos, lënë në dorëshkrim nga ajo, do t’i botojmë në ‘Milosao’ së bashku me kujtimet e tij për të. Sigurisht, do t’i presë me kërshëri. Përmes tyre do të njohë etapa të tjera, të panjohura nga jeta e mësueses së tij, e cila edhe pse qe një patriote, një grua e zonja, e fisnike, që fliste aq bukur, sikur këndonte, sërish vuajti si gjatë viteve të luftës, po ashtu edhe gjatë diktaturës, por edhe në vitet e pleqërisë së vonë... 

Marre nga Milosao

24 Komente

nuk e kam lexuar akoma shkrimin, por nisur nga titulli, nuk e di por kam pershtypjen se diku, dikur Driteroi ka pas thene:  laberia me beri poet ose shkrimtar, dicka e tille.

nejse, do ta lexoj me vone. respekt per Dritero Agollin.smiley

“Im atë e preu nga gazeta dhe e ngjiti në kutinë e duhanit. Thoshte nëpër fshat “ja ç’ka shkruar djali im

smileysmiley

 Shume e bukur kjo pjese. Njerez si Driteroi jane si koralet qe kur vdesin bejen pjese e rifit te kombit.

well, kjo eshte duam s'duam atmosfera qe beri te medhenjte e periudhes 60-90 per ne PF. Driteroi ka patur nje vjershe ku tregon se si filloi "te mbushte plot deftere" per klerikun e fshatit (bektashi). Ja edhe kjo qe vjen shume per hosh te kesaj qe thote Driteroi:

BABAI

Ai edhi ne mbremje i pire
Afer vatres u ul, u step
kasketa e vjeter, e nxire
Gazeta e dites ne xhep.

Pse kish pire nuk tregoi
Nena tha: “ku ta dish!”
Dikush vjershat e djalit te madh
Ne gazete kritikuar kish.

Ne klub plot potere te tymte,
Ne gazete i treguan nje vend.
Dikush kish thene: “vate
Dhe puna e djalit tend!”

Per vjershat e djalit s’kish patur
Te vecante interesim…
Sonte ish here e pare
Ne klubin e vogel plot tym.

I. Kadare - 1957

 edukimi, edukimi dhe gjithmone edukimi, ashtu sic thoshte Zola. fatkeqesisht, sot ne shqiperi, edukimin e ka marre lumi me ate nivel shkollash per te vene kujen. pa edukimin e duhur edhe Driteroi do kish mbetur vec nje bejtexhi fshati.

lira... nje pyetje. nuk eshte thjesht per ty, eshte per te gjithe. pliiz mos ma merr per keq. mos me shaj.

E cfare se thoshte Emili? (Cfare pastaj?) smiley

 c'i ke keto ti zotrules?  na nxorre snoba te tere. po ne kete bote o njeri jane ca qe kane bere emer dhe shume shume te tjere qe u kane vajtur pas dhe kane bere hajer. ne, shqiptaret jo vetem qe nuk u shkojme pas, por nuk na u lejuaka as ti permendim. ti e di shume mire qe une permend emra, shume shume rralle,vetem atehere kur mendoj se duhen. pse keq eshte sikur shqiptaret te lexojne '' emilin'' e rusoit ( ja qe e paskam ngaterruar pa dashje me zola-n. kete te me thoshe, qe ngaterrova emrat.

 

p.s. u e paske thene me stil. tani me vajti ne tru. se emili e lexova si zola.

ndoshta eshte nje rastesi po dy shkrimtaret tane me te medhenj kadare dhe agolli jane produkt i shkolles ruse.Ne keto 20 vjet liri fjale ende nuk kemi ndonje emer te ri ne horizont qe tu afrohet ketyre te dyve.

cfare produkti jane mo? po mire, fare nuk i njeh?

sa i thjeshte por edhe i bukur ne shpirt driteroi.ky njeri ja ka mbyllyr deren te keqes

...Po do të bëhet si Naimi...!!!” Ndalet dhe qesh sërish. “Po, a bëhej ky krahasim?

ta ka sqaruar ardian vehbiu tek superlativis acuta, maestro...

 

Pelegrin

 

Unë jam prej kohësh pelegrin
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer
Jam ndarë padashur nga karvani im
Mes shtigjeve nga vapa e shirat gërrye

                    ***

kërkoj karvanin tim në rërë e në shpat
karvanin që e ka ndërruar drejtimin me kohë
Ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat

Me shami të grisur lidhur në kokë

                    ***

Për ujë buza ime u bë zhur
Dhe sytë më shpojnë nga shterrja e lotit
Me duhet të arrijë karvanin e tretur qëkur
Çapitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit

                    ***

Unë jam prej kohësh pelegrin
Shtegtar i karvanit të humbur
Dhe bart në kurriz një premtim
Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.

Diteroi.

 driteroi te shkoje te mesoje shqip.

Me duhet të arrijë 

ose redaktori i kesaj poezie, te shkoje te ... s'e them dot.

poezia ne vetvete... klas. smiley

falemnderit moni. :X

O vend i bekuar bluxhinsa dhe gune

ne trup kushtetuten ne mendje kanune

o vend i bekuar mbushur me cudira

goten me uiski koken me therria.

Driteroismiley

 po, ca thu o shoku, ke dyshim ti per shqipen e Agollit?!!! Ylle eshte, te ishe gege do te jepja te drejte!

smiley

e kam cituar vella. flet vete. nuk e shpika apo sajova une. nese e ka shkruar driteroi ashtu, jazek i qofte. smiley --- eshte gabim, gjithsesi. gabim.

 

Te lumte Admirina.Meriton noten 10.

Po ki Driteroi thonte se poet e kishte berë Partia dhe mesimet e shokut Enver ? Dhe s'pushonte së theni nga mengjesi ne te ngrisur. Prandaja dhe e doja. Po tani na thotë që e ka bërë Virgjinia ! 

E thonë pastaja se poetet jane te sinqerte..., që japin nga shpirti i tyre... 

Pordha, pordha, thoshte një tetua ime.

 si funksionon ajo shprehja e 20 lëkurëve. ncncnc...

 

Dje e lash per sot, ta pija me kafen e pare.. smiley dhe cvajti..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).