Njeriu-amfib që jeton me gjuetinë e oktapodëve

DURRES/ Oerd Ulqini
Silueta e tij mbi suprinën e ujit është e dukshme çdo ditë nga bregu i detit. Askush prej atyre, që e njohin mirë nuk çuditet me gjahtarin e oktapodëve, i cili thuajse një të tretën e vitit e kalon në det.

Kostika Luarasi është “njeriu-amfib”, që duke shpërfillur temperaturat ekstreme të katër stinëve të vitit i siguron mbijetesën familjes së tij, e cila numëron gjashtë frymë. I pajisur me dy heshta të mprehta dhe një kostum të vjetër polumbari 56-vjeçari është personazhi më interesant i bregdetit nga Bërryli deri në Currilave, zona këto që, Kostika i ka shndërruar në një habitat fiks. “Në dimër qëndroj çdo ditë mesatarisht 7-8 orë në ujë, ndërsa në verë, koha e gjuetisë së tetëkëmbëshave të shijshëm dyfishohet”, shprehet për gazetën “Panorama”, “ujku i detit”. Fytyra e tij e ekspozuar gjatë të gjithë kohës ndaj agjentëve atmosferikë është e rreshkur, ndërsa shpatullat e tij ngjyrë bronzi dëshmojnë krejt të kundërtën. Kostika është njeriu që kurrë nuk del duarbosh nga deti dhe që ditën më të keqe, e quan kur kap më pak se katër kilogramë oktapodë. “Nxjerrja e oktapodëve nga shkëmbinjtë nënujorë është procesi më i vështirë, i cili veç vështirësive të zhytjes kërkon edhe energji të mëdha për të mposhtur rezistencën e tentakulave muskulore të kësaj specieje”, deklaron për gazetën ky gjuetar i rrallë. “Ndryshe nga të tjerët unë e kam ujin e detit element jetik, të domosdoshëm për të jetuar”, thotë ai. Ky shembull është gërshetimi ideal i domosdoshmërisë jetike për të fituar diçka dhe i pasionit. Ai njeh në pëllëmbë të dorës çdo shkëmb, gropë, apo cekëtirë të kësaj zonë në veri të qytetit të Durrësit.

Kostika nuk di se çfarë janë hartat nënujore, pasi çdo gjë ia beson kujtesës së tij, e cila tashmë ka skicuar me detajet më të vogla një sipërfaqe prej 5 km katror, që përbën zonën e tij të gjuetisë. “Kohë më parë, më duhej të zhytesha në apnea edhe 10 metra thellë, ndërsa tani me peshën e viteve mbi supe gjuetia ime kushtëzohet, deri në një milje larg bregut me thellësi maksimale 6-7 metra”, shprehet për gazetën 56-vjeçari.
Për të fotografuar Kostikën në aksion nevojitet një mjet lundrues, të cilin “Panorama” e ka marrë enkas për t’i servirur lexuesit personazhin më interesant të peshkimit sportiv. Nuk kalojnë 5 minuta dhe Kosta kap tetëkëmbëshin e parë, na duhet të presim fare pak në mënyrë që të shohim oktapodin e dytë që më kot përpiqet t’i shpëtojë heshtës së tij të mprehtë dhe mjaft precize.

Ky është personazhi, që gjuan afro 10 kg oktapodë çdo ditë, të cilat i shet me një çmim prej 400 lekësh kilogramin. “Sapo dal nga bregu të gjithë duan të blejnë gjahun tim, i cili shpeshherë është ende i gjallë”, shprehet Kosta. “Kam punuar si shofer për 23 vite me radhë në Parkun e Mallrave të Durrësit, deri në periudhën e mbylljes së ndërmarrjes shtetërore në vitin 1993, kohë kjo, e cila nuk mjafton për marrjen e pensionit të pleqërisë”, thotë ai për gazetën. “Më thonë se pensionin do ta përfitoj kur të mbush 65 vjeç dhe sigurisht do të jetë i reduktuar, pasi nuk e plotësoj vjetërsinë”, deklaron Kosta. Me kursimet e pakta të një jete punë si shofer ai bleu në vitin 1993 kostumin e polumbarit, maskën, tubin ajrosës, si dhe farkëtoi me duart e tij dy heshta, të cilat i ka ende në përdorim. Kjo ishte zgjidhja e tij për të ushqyer familjen, e cila vazhdon që prej 13 vjetësh.
Kostika nuk mund t’i përgjigjet saktësisht kësaj pyetjeje, por një gjë është e sigurt, ai preferoi të kalonte në ujë pjesën e mbetur të kohës, duke iu shmangur kamionit tip “Skoda”, që ecte zhurmshëm mes rrugëve plot pluhur dhe stres.

“Trofeu”, 20 korrik 2003
“Ishte mëngjes dhe gjatë një zhytjeje në apnea në një thellësi 4 metra, pashë pjesën fundore të tentakulave të një oktapodi gjigant”, dëshmon predatori i detit. “U ndjeva i lumtur, i habitur, por edhe i frikësuar njëkohësisht, teksa shihja tetëkëmbëshin me ngjyrë të kuqërremtë që lëvizte i shpenguar”, vijon ai. Mes hezitimit dhe dëshirës fitoi instinkti i gjuetarit. “Me gjithë dy heshtat e ngulura në trupin e oktapodit, tentakulat e species së pazakontë ishin mjaft të fuqishme dhe m’u desh të luftoja me to për 20 minuta në një distancë 500 metra larg bregut”, shprehet ai. Kureshtarë të shumtë u mblodhën atë ditë në bregdetin e Currilave për të parë gjahun e “njeriut amfib”. “Oktapodi i rrallë peshonte 9 kg dhe e shita
3200 lekë”, shprehet Kosta për gazetën.
Shitja e tetëkëmbëshave
Klientët e Kostikës janë turistë të rastësishëm, administratorë restorantesh luksoze, si dhe qytetarë durrsakë. “Më ndodh rëndom që të kthehem në shtëpi pa asnjë oktapod, pasi gjatë rrugës prej 2 km deri në shtëpi blerës të shumtë, të njohur dhe të panjohur më thërrasin në emër”, shprehet ai. Padyshim që asnjë blerës nuk e vë në dyshim freskinë e tetëkëmbëshave të tij, të cilët edhe të shpuar nga heshta lëvizin duke ngjallur frikë. Me një motor tip “Piaggio”, Kosta kryen çdo ditë itinerarin Currila-Bërryl, deri në shtëpinë e tij modeste, gjë që tashmë është bërë rutinë. Ndryshe nga ai, asnjë prej 5 fëmijëve të tij nuk e ka trashëguar pasionin për gjahun e vështirë. “Nuk kam mundur dot ta zgjoj këtë dëshirë te fëmijët, pasi nuk kanë dashur kurrë”, deklaron ai.

www.panorama.com.al

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. Idlir Klefti thotë:

    29 January 2007 @ 1:13 pm

    Jam 1 person i apasionuar pas detit dhe fotografise nen uje.ne se ju intereson me kontaktoni ne e-mailin tim.Pershendetje Idi.

  2. Blendi thotë:

    29 January 2007 @ 1:19 pm

    Idi, nese ti ke fotografi nenujore, por edhe mbi ujore, dhe deshiron t’i ekspozosh tek peshku, atehere ler nje koment tjeter ketu dhe merremi vesh. Mjaft qe fotografite te jene dixhitale apo te skanuara ne nje kompjuter.

    tung

  3. idlir klefti thotë:

    31 January 2008 @ 10:30 am

    Nqs je i interesuar akoma per fotot e mia te cilat jane te skanuara, me kontakto ne kete adrese e maili. kidlir@hotmail.com

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com