Login



Register

Një perceptim për sondazhet dhe korrupsionin

Bledi KASMI
Rilindja Demokratike
9 Maj 2008

Ambasadori amerikan në Tiranë, John Uithers, i ftuar në prezantimin e rezultateve të sondazhit të organizuar nga një organizatë jo qeveritare, me diplomacinë e natyrshme që mbart fjalimet e një diplomati, u shpreh se nuk ka asnjë në vend që të mos jetë i prekur nga fenomeni i korrupsionit. Nuk mund të vihet në dyshim se sondazhe të tilla si ai i disa ditëve më parë, pavarësisht metodikës së organizimit, janë për t’u vlerësuar dhe për t’u analizuar në ato perceptime që ato paraqesin, për sa kohë ato prekin tema mjaft të rëndësishme për zhvillimin. Aq më shumë kur këto sondazhe nuk janë tendencioze apo të politizuara.

Përtej këtij sondazhi, prej të paktën dhjetë vitesh, të gjitha anketimet e zhvilluara në këtë vend kanë pasur një pyetje shabllon, e cila nuk ka munguar në asnjë prej tyre: A ka korrupsion në Shqipëri dhe se cilët sektorë mendoni se janë më të prekshëm nga korrupsioni? Dhe në këto dhjetë vite, pavarësisht numrit të të anketuarve, përgjigjja ka qenë e njëjtë. Po, ka korrupsion dhe më tej vazhdohet me sektorët më të prekshëm prej këtij fenomeni, që natyrisht janë ato të shërbimeve publike dhe në to dihet se cilat janë pikat më nevralgjike. Duke parë konkluzionet e këtyre sondazheve, nuk mund të thuhet se kemi risi, të cilat duhet vërtet të hapnin një debat të thellë politik, por një debat institucional.

Edhe sikur pyetjet e këtij sondazhi të ishin bërë në institucione, perceptimet nuk do të ishin shumë të ndryshme nga ato që iu morën qytetarëve. Kryeministri i këtij vendi pranon nga mëngjesi në darkë që fenomeni i korrupsionit vazhdon të jetë një problem dhe që nuk ka marrë një zgjidhje definitive, pasi sikurse u shpreh edhe ambasadori amerikan, ai është i pranishëm në çdo vend. Risia e një sondazhi të bërë gjatë këtij viti do të kishte vërtet elementë të rëndësishëm për të hapur një debat të mirëfilltë politik dhe publik, nëse do të bënte të lexonim mendimin e qytetarëve, nëse luftohet apo jo korrupsioni në këtë vend, pasi që ai ekziston, këtë askush nuk e mohon dhe çdo betejë politike në këtë drejtim është e kotë, aq më tepër kur në paradën e radhës, duke dashur t’i politizojnë këto sondazhe, komentet vijnë nga një ish-kryeministër, për të cilin sondazhet gjatë qeverisjes së tij e rendisnin Shqipërinë si vendin e tretë në botë për nga korrupsioni, apo një kryetar bashkie që vetëm për korrupsionin nuk mund të bëjë moral.

Përgjigjja e pyetjes, nëse besojnë qytetarët se po luftohet apo jo korrupsioni, do të ishte mjaft e rëndësishme për një testim të institucioneve në betejën ndaj korrupsionit dhe ne ende nuk e kemi një sondazh të tillë, i cili do të ishte shumë herë më i rëndësishëm se anketimet që bazohen në pyetjet a ka apo jo korrupsion, që janë pyetje universale dhe që kanë edhe përgjigje universale. Nuk mund të pretendohet as sot, as nesër dhe as pas 20 apo 50 vitesh që të kemi përgjigje të ndryshme. Shqipëria nuk është një vend me imunitet ndaj këtij fenomeni, sikurse nuk janë shumë demokraci të tjera, shumë herë më të zhvilluara dhe me demokraci funksionuese më të konsoliduar, që nuk kanë arritur të gjejnë dot solucionin e zhdukjes së këtij virusi.

Korrupsioni është një bashkëshoqërues i sistemit, por e rëndësishme është të dihet nëse vetë sistemi e lufton këtë fenomen që e gërryen atë apo jo, nëse institucionet vendimmarrëse janë apo jo të prekura nga korrupsioni, për të parë nëse kemi të bëjmë me një problem periferik apo me një problem qendror. Mjekë, doganierë, gjykatës dhe tatimorë të korruptuar ka patur, ka dhe do të ketë gjithmonë, dhe kush mendon të kundërtën, ka thjesht një iluzion. Është njëlloj sikur të bëhet pyetja nëse a bëhen krime në këtë vend. Natyrisht, përgjigjja e kujtdo do të ishte se po bëhen krime, por e rëndësishme është se kemi një polici, e cila ka zbulueshmëri të lartë ndaj aktiviteteve kriminale, sikurse kemi edhe prokurori, dhe gjykata që i dënojnë këta kriminelë. Dhe këto institucione i bëjnë njerëzit të ndjehen të sigurt dhe të kenë besim tek sistemi, sepse nuk kemi një shoqëri, të cilën krimi e ka vënë përfund, por një sistem që ka vënë përfundimisht nën kontroll situatën e sigurisë. Nuk është më primare perceptimi ka apo nuk ka korrupsion, por sa të korruptuarit zbulohen dhe sa dënohen ata. Nëse kemi një sistem që e godet korrupsionin njëlloj si krimin, atëherë mund të thuhet se sistemi funksionon, në të kundërt është për të vënë duart në kokë.

Faktet e servirura gjatë këtyre tre viteve flasin se korrupsioni ka qenë një fenomen që është goditur me njëjtën forcë, sikurse çdo krim tjetër. Dhe janë fakte të certifikuara si të tilla edhe nga institucione ndërkombëtare si, FMN, BB, Bashkimi Europian apo Aleanca e Atlantikut. Nëse kemi pasur deri dy buxhete suplementare gjatë këtyre tre viteve, kjo është bërë si pasojë e përkushtimit dhe shmangies së korrupsionit në tatime dhe dogana, gjë që është konvertuar në disa miliarda euro të ardhura më shumë në buxhetin e shtetit. Megjithatë, sondazhi i fundit thotë se perceptimi qytetar është i tillë që edhe në këta sektorë ka të korruptuar. Askush nuk e thotë që nuk mund të ketë të korruptuar, sikurse është e vërtetë se shumë tatimorë dhe doganierë kanë përfunduar në prangat e policisë gjatë këtyre tre viteve. Sistemi po funksionon dhe nuk është e rastësishme që në të gjitha dokumentet e organizmave të mësipërm, Shqipëria konsiderohet si një demokraci funksionuese.

Ndryshimet janë të dukshme, por që ato të përfshihen në perceptimet e qytetarëve në anketim, varen nga pyetja dhe tendenca e pyetësorit të anketimit. Është krejt e pranueshme se sondazhe të caktuara dhe njerëzit që qëndrojnë pas tyre të synojnë, përmes rezultateve të paraqitura, jo të bëjnë përgjegjës pushtetin për situatën, por për ta bërë atë që të jetë nën presion për të vazhduar më tej betejën ndaj korrupsionit, duke gjendur mjete të reja alternative që do ta mundësonin atë.

Duke iu rikthyer sondazhit, ndoshta më i rëndësishëm ishte mesazhi që transmetoi ambasadori amerikan nga ajo audiencë, duke i kërkuar klasës politike të gjejë mekanizmat e duhur për të ndryshuar Ligjin “për imunitetin” për deputetët dhe gjyqtarët. Prej vitesh vazhdonte një debat në lidhje me këtë pikë dhe asnjëherë opozita nuk pranonte të kufizonte imunitetin. Nga dje, mesazhet e kryetarit të PS-së janë të tilla se gjatë ditëve të ardhshme do të nisin negociatat për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme në këtë pikë, duke i hapur rrugë institucionit të akuzës të veprojë pa barrikada politike në këtë drejtim. Ndoshta ky ishte produkti më i mirë i nxjerrë nga ai sondazh, duke ndërgjegjësuar të gjitha palët se para ligjit duhet të jenë të barabartë.

PD zhvilloi një fushatë të ashpër politike tre vjet më parë me luftën ndaj korrupsionit, duke premtuar se do ta çrrënjosë atë. Ajo arriti të fitojë besimin e zgjedhësve shqiptarë, nga Veriu në Jug, dhe të fitojë zgjedhjet e 3 korrikut me këtë kalë beteje, dhe në këto tre vjet, të gjitha përpjekjet e kësaj qeverie janë bërë vetëm në këtë drejtim. Vetë sistemi i korrupsionit i instaluar në këtë vend, pas marrjes së pushtetit përmes grykës së pushkës, arriti deri atje sa t’u imponohej qytetarëve të këtij vendi se kishim të bënim me një mënyrë jetese, kishim të bënim me një edukatë pune dhe të menduari me të cilën duhej të përshtateshe.

Nuk ka qenë e lehtë edhe për këtë qeveri që të niste betejën e saj kundër korrupsionit, kur një pjesë e njerëzve të saj e panë pushtetin jo si një përgjegjësi, por si mjelësit e radhës të lopës së fermës. Kjo mënyrë të menduari vinte se nuk mund të çrrënjosej menjëherë ai sistem i ngulitur edhe në psikikë gjatë tetë viteve të qeverisjes së PS-së, ku pushteti dhe korrupsioni konsideroheshin si një binom i pandarë. Arrestimet më të shumta, ky pushtet nuk i ka kryer ndaj simboleve të korrupsionit gjatë tetë viteve të qeverisjes së PS-së, por ndaj radhëve të saj, duke e nisur ndryshimin, në radhë të parë, tek vetja dhe për të përçuar mesazhin se binomi pushtet-korrupsion është prishur të paktën për këtë qeverisje. Ka shumë qejfmbetës të prishjes së këtij binomi edhe nga njerëz që deri dje konsideroheshin si të afërt me PD, por që si për çudi tani po mbrohen nga të njëjtët arkitektë ideologjikë dhe strukturalë të sistemit të tre viteve më parë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    10 May 2008 @ 7:15 am

    Presidenti Topi i përgjigjet interesimit të medias mbi aktualitetin politik në vend.

    president.al
    9 maj 2008

    Pas pritjes së organizuar nga Komisioni Evropian në Tiranë me rastin e “Ditës së Evropës”, Presidenti Topi i pyetur nga mediat mbi mënyrat e ndryshme të leximit nga klasa politike të sondazhit të IDRA-USAID mbi korrupsionin në Shqipëri, u përgjigj:

    “Është e pamundur që gjërat të vlerësohen në këtë mënyrë, në mënyrë diferenciale. E rëndësishme është që të gjithë të vlerësojmë me nota realiste jo vetëm një sondazh, por sondazhet në përgjithësi pasi ato janë perceptime qytetare dhe kurrësesi nuk duhet të biem në atë pozicion që të bëjmë vlerësime diferenciale. Janë njerëzit, është shoqëria që periodikisht në zgjedhje politike bën vlerësimin e duhur. Ajo që duhet të bëjnë institucionet, të gjithë ne pa përjashtim, duhet që me nota shumë realiste, në mënyrë analitike, të vlerësojmë në radhë të parë vetveten, pastaj të kalojnë në diskutime për të tjerët, sepse çështja e korrupsionit është si çështja e enëve komunikuese. Pra, për të bërë një lloj paralelizmi, aty ku qarkullon uji, padyshim që janë të infektuar me një fenomen të tillë. Në rast se ne diagnostikojmë një fenomen të tillë, në rast se ne ndërgjegjësohemi që korrupsioni duhet të luftohet në çdo lloj qelize, atëherë nuk do të kishte nevojë të bënim paralelizma, kush e ka më shumë, kush e ka më pak, por të gjithë duhet të punojmë që korrupsioni të luftohet në radhë të parë me zbatim të ligjit. Aty ku ligjet nuk janë të mjaftueshme, ose ka nevojë për t’i mbushur vakumet, duhen bërë reforma dhe të gjitha ato që thuhen me fjalë duhet t’i realizojmë me vepra.”

    I pyetur për marrëdhëniet me Kryeministrin Berisha pas ndryshimeve kushtetuese Presidenti Topi u shpreh:

    “Ju e keni parë që marrëdhëniet janë shumë institucionale. Pra, një njeri që okupon në një moment të caktuar një institucion, duhet të jetë shumë i kujdesshëm që të zbatojë me shumë rigorozitet të gjitha konturet që i jep ligji pozicionit të tij. Ndërsa në marrëdhënie, patjetër që marrëdhëniet ndërinstitucionale janë të domosdoshme, sepse këto projektohen pastaj edhe në gjenden psikologjike të shoqërisë. Kështu që unë mendoj se nuk ka arsye të realizohet një pyetje e tillë, sepse ne shkojmë në mënyrë shumë korrekte”.

    I pyetur mbi debatin e rihapur për heqjen e imunitetit të deputetit, Presidenti tha:

    “Çështja e imunitetit të deputetit, në këndvështrimin tim, sepse është Parlamenti ai që do të vendosë dhe partitë politike, është e tillë që çdo njeri duhet ta ndiejë veten pa imunitet, sepse në rast se do të kemi mbrojtje pas imunitetit, atëherë të gjitha ligjëratat për korrupsionin mbeten në retorikë, mbeten demagogji. Kështu që unë besoj që një nismë e tillë për të hequr imunitetin në mënyrë të vullnetshme do të ishte një nismë e mrekullueshme.”

    I pyetur mbi pretendimet e disa partive se me ndryshimet kushtetuese po shkohet drejt dypartitizmit, Presidenti i Republikës u përgjigj:

    “Kjo është çështje e pozicioneve të partive, të cilat respektohen në mendimin e tyre. Unë në pozicionin e Presidentit po ndjek situatën me shumë kujdes, për aq sa më takon dhe do të jem gjithmonë inkurajues i reformave, dhe kur ato përkrahen me mazhorancë, atëherë kuptohet që ato janë mjaft të kuptueshme që do të realizohen.

    Në vijim Kryetari i Shtetit u pyet edhe për arsyet se përse e ka firmosur në një kohë të shkurtër dekretin për ndryshimet kushtetuese:

    “Mund të ketë qenë dekreti që e kam firmosur në një kohë jashtëzakonisht të shpejtë, pra në një kohë rekord, sepse nuk kisha asnjë lloj mëdyshjeje për të firmosur ndryshimet që ishin me një mazhorancë prej 115 votash. Juve ndoshta e lidhni me apelin që unë kam bërë përpara një apel që qëndron gjithmonë në të gjitha proceset dhe ka qenë një apel në parim, një apel shumë parimor. Gjërat e rëndësisë së veçantë gjithmonë duhet të konsultohen, duhet ekspertizë dhe mos e lidhni vetëm me momentin e ndryshimeve kushtetuese, por për gjithçka. Produktet që janë të maturuara janë produkte që japin shansin që të jenë jetëgjatë, të krijojnë stabilitet në shoqëri dhe të mos ketë kontestim”.

    I pyetur nëse këto ndryshime ishin një produkt i maturuar, Presidenti Topi u përgjigj:

    “Gjëja më e mirë është se sot kemi mundësinë që përveç politikës së institucioneve, kemi edhe analistë, kemi opinionistë. Në studiot tuaja mund të merrni opinione nga opinionistë.”

  2. Avniu thotë:

    10 May 2008 @ 3:43 pm

    Risia e një sondazhi të bërë gjatë këtij viti do të kishte vërtet elementë të rëndësishëm për të hapur një debat të mirëfilltë politik dhe publik, nëse do të bënte të lexonim mendimin e qytetarëve, nëse luftohet apo jo korrupsioni në këtë vend, pasi që ai ekziston, këtë askush nuk e mohon

    Jam plotesisht dakort me shkrimin, sidomosne kete pike. Njerezit duhet te shprehen, nese qeverria po e lufton korupsionin apo jo, sipas tyre, sepse eshte e kote te pergjigjen nese ka apo jo korrupsin, perderesi te gjithe e dime se korrupsion ka pasur, ka dhe do te kete.

    E rendesishme eshte pra, te dime nese kyfenomen luftohet aq sa duhet, luftohet pak, shue, aspak etj etj : kjo do te keet vlere me teper.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.