Identifikohu



Regjistrohu

Një hije aziatike mbi Kosovën dhe Ballkanin

Nga KATOVICA
Gazeta Shqiptare
19/05/2008

Një hap i pazakontë në skakierën e politikës së madhe botërore ndodhi me 15 maj, kur tre shtetet më të mëdhenj të Azisë u bashkuan në një qëndrim dhe interesim të përbashkët për një shtet të Ballkanit dhe për rajonin. Fjala është për takimin e ministrave të Jashtëm të Rusisë, Kinës dhe Indisë, të cilët në takimin e zhvilluar më 15 maj në Ekaterinsburg të Rusisë, diskutuan për Kosovën dhe Ballkanin dhe shpallën politikë të njëjtë. Në deklaratën e përbashkët në fund të tri ditëve bisedimesh, në një pikë të veçantë shkruhet se “ministrat shënuan rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së statusit të Kosovës dhe deklarojnë se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Tre ministrat i bëjnë thirrje Beogradit dhe Prishtinës, të veprojnë brenda kuadrit të ligjit ndërkombëtar, me qëllim që të kërkojnë një zgjidhje të përshtatshme të problemit përmes bisedimeve”.

Është hera e parë në historinë e politikës së madhe ndërkombëtare, që tre shtetet më të mëdhenj aziatikë dalin me një qëndrim të përbashkët dhe me një kërkesë të habitshme të përbashkët për Kosovën. Padyshim ky është një zhvillim negativ në jetën diplomatike botërore, ku një aleancë e sapokrijuar mes tre shteteve më të mëdhenj aziatikë, merret me një tematikë kaq të largët gjeografike dhe ndërhyn në Kosovë dhe Ballkan me kërkesën për të rihapur krizën, në një kohë që problemi i Kosovës është zgjidhur me krijimin e shtetit të pavarur. Është për t’u përshëndetur qëndrimi i departamentit amerikan të shtetit , i cili menjëherë pas komunikatës së trojkës aziatike, nëpërmjet zëdhënësit të tij Shon Mekormak, hodhi poshtë kërkesën e tyre për rihapje bisedimesh për statusin e Kosovës dhe deklaroi qartë se “statusi i Kosovës është i zgjidhur. Ajo është një shtet i pavarur”. Edhe Shqipëria veproi drejt, që reagoi ndaj kërkesës së rrezikshme të trojkës për Kosovën.

Trojka Rusi-Kinë- Indi, e cila ka marrë ngjizje në vitin 2007, (dhe ky i Ekaterinsburgut është takimi i katërt i radhës), sipas burimeve diplomatike është një nismë e diplomacisë ruse në kuadrin e strategjisë së Kremlinit për rritjen e rolit ndërkombëtar të Rusisë dhe krijimin e aleancave të reja të fuqisë, të cilat kanë për objektiv kundërshtimin apo kufizimin e rolit të SHBA-së si fuqia më e madhe botërore e kohës.

Deri në momentin që krijimi i kësaj trojke aziatike të fuqisë dhe strategjia e saj globale qëndrojnë brenda problemeve të kontinentit aziatik, kuptohet se nuk mund të shkaktojnë një shqetësim për politikën apo diplomacinë shqiptare, ballkanike dhe europiane. Por kur ajo kapërcen ylberin dhe merr përsipër të bëhet pjesë, të pretendojë dhe të kërkojë të imponohet për një problem ballkanik dhe europian, dhe më konkretisht për Kosovën, duke rihapur krizat, ky është një zhvillim, që meriton një vëmendje serioze.

E meriton një vëmendje të tillë, jo vetëm për faktin se bisedimet e trojkës aziatike për Kosovën janë bërë në frymën e interpretimit dhe interesave të Rusisë, por sepse tashmë me Rusinë bashkohen edhe Kina, edhe India. Një trojkë e shteteve më të mëdha aziatike, e cila paraqet për herë të parë një pretendim dhe model aziatik zgjidhjeje të një çështjeje ballkanike dhe europiane, kuptohet se manifestohet me një dimension veprimi, i cili është i ri për skenën ballkanike dhe europiane.

Shqetësimi kryesor është se qëndrimi rus kundër pavarësisë së Kosovës, dhe përpjekja, do të thoshim donkishoteske, për të kthyer mbrapsht një proces të ligjshëm historik si ai i pavarësimit të Kosovës, nuk janë më vetëm parulla të fushatave elektorale serbe apo të liturgjive të patriarkut Pavle të kishës ortodokse serbe. Tashmë shfaqet një aleancë e tri shteteve më të mëdha aziatike, të cilat njoftojnë se do ta përdorin peshën dhe ndikimin e tyre botëror, dhe sidomos bashkëveprimin e tyre ndërkombëtar, për të frenuar dhe sabotuar proceset pozitive të stabilizimi të Ballkanit, pra të Europës.

Nuk mund të mos habisë qëndrimi i Kinës, e cila deri tani ka qenë vërtet kundër pavarësisë së Kosovës, por ka mbajtur një profil të ulët publik ndërkombëtar, duke mos iu bashkuar Rusisë në udhëheqjen e bllokut kundërshtar të pavarësisë së Kosovës. Akoma më i habitshëm është qëndrimi i ri i Indisë, e cila, siç shkruante gazeta “The Hindu” më 16 maj: “India për herë të parë bashkohet me Rusinë dhe Kinën për Kosovën, ndërsa më përpara ajo ka thënë se ka marrë shënim për deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe po e studion zhvillimin e situatës”.

Çfarë interesi strategjik mund të ketë Kina dhe India në Kosovë dhe në Ballkan? Në fazën e fuqisë ku ato ndodhen, ky interes strategjik është afër zeros. Sloganet për ligjin ndërkombëtar apo për normat ndërkombëtare, vështirë se bindin njeri në Kinë dhe në Indi, sepse po të ishin nisur nga këto parime, duhej të kishin folur për një shtet aziatik si Gjeorgjia dhe nuk do të kishin nënshkruar këtë deklaratë me Rusinë, e cila i ka shkëputur faktikisht Gjeorgjisë dy rajone dhe ka ndërmarrë kundër integritetit të Gjeorgjisë një agresion, akt për të cilën Gjeorgjia kërkoi mbajtjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit muajin e kaluar.

Me hapin e tanishëm, trojka aziatike i bën një shërbim të keq stabilitetit dhe paqes në rajonin e Ballkanit. Ajo nxit në mënyrë artificiale forcat dhe rrymat nacionaliste në Serbi, që të intensifikojnë provokimet dhe tensionet në Kosovë dhe kundër Kosovës, nxit Serbinë që të mos ndjekë rrugën e integrimit euroatlantik, por të lidhet më shumë me Rusinë. Ajo nxit minoritetin serb në Kosovë që të mos ndjekë rrugën demokratike të pjesëmarrjes në institucionet demokratike të shtetit të Kosovës.

Çështja më shqetësuese është se Kina dhe India bashkohen dhe shpallin lobing për politikën dhe interesat ruse në Ballkan. Rusia po kërkon një rikthim politik dhe strategjik në rajonin tonë, pas një hyrje triumfale, që ajo bëri në muajt e parë të këtij viti në rajon, me nënshkrimin e marrëveshjeve strategjiko-energjetike me Bullgarinë, Serbinë dhe Greqinë, dhe të cilat i japin Moskës një pozitë dominuese dhe kontrolluese në tregun energjetik ballkanik dhe europian. Rusia ka nevojë për të forcuar instrumentin kryesor të politikës së saj ballkanike, Serbinë. Me dashje apo pa dashje, Kina dhe India vihen në dispozicion të kësaj politike të forcimit të influencës ruse në rajonin e Ballkanit.

Ende nuk ka informacion se në shkëmbim të çfarë kompromisi politik apo diplomatik rus në Azi, dhe ku kanë interes Kina apo India, është bërë ky bashkim i tyre me politikën ruse në Kosovë dhe në Ballkan. Por këto dimensione të papritura ballkanike të diplomacisë së aleancës së re aziatike hapin një situatë të re shqetësuese në disa drejtime.

Së pari, shohim se trojka aziatike projekton hijen e një ndërhyrje në rajonin e Ballkanit, duke paraqitur një pretendim pranie politike dhe influence.

Së dyti, trojka ndërmerr një sfidë ndaj SHBA, të cilët kanë qenë kontribuesit më të mëdhenj të procesit të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë në rajonin e Ballkanit në përputhje me aspiratat e popujve.

Së treti, trojka aziatike i bën një sfidë Bashkimit Europian në një rajon gjeografik dhe politik të tijin, sepse Ballkani i tërë, si rajon i Europës Juglindore, ka kërkuar që të integrohet në Bashkimin Europian. Dhe natyrisht Brukseli e din më mirë se Moska, Pekini dhe Delhi, se çfarë i shërben më mirë paqes në Ballkan.

Ndërhyrja e aleancës së re aziatike në çështjet e Ballkanit, është një ogur i keq për zhvillimet diplomatike dhe politike në rajon. Duket sikur tre shtetet më të mëdhenj aziatikë janë frymëzuar nga parulla strategjike racisto-revolucionare e ish udhëheqësit komunist të Kinës, Mao Ce Dun, se “era e lindjes do të mundë erën e perëndimit”. Ballkani e ka zgjedhur se cila erë t’i fryjë velat e orientimit të tij strategjik dhe tre të mëdhenjtë e Azisë do t’i bënin një shërbim më të madh paqes botërore, nëse do të merreshin me Azinë, ku edhe janë problemet dhe vuajtjet më të mëdha të njerëzimit sot.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente »

  1. Qafir Arnaut thotë:

    20 Maj 2008 @ 5:42 am

    Duket sikur tre shtetet më të mëdhenj aziatikë janë frymëzuar nga parulla strategjike racisto-revolucionare e ish udhëheqësit komunist të Kinës, Mao Ce Dun, se “era e lindjes do të mundë erën e perëndimit”

    Katovica s’duhet ta marre kaq ters situtaten. “Oguri i keq” qe sjell RIK-u (Rusi-Indi-Kine) nuk ka nevoje te rikujtohet me nje parrulle te Maos. Ne mesin e viteve 90-te kryeministri i zhurmshem i Malajzize, Mahathir Mohammed, kish deklaruar me plot gojen qe “vlerat perendimore jane vlera perendimore. Vlerat lindore jane universale”.

    Ketyre u vjen era kerrme prandaj jane duke qeshur si hijena. Perendimi po perendon. Rusia eshte ne nje ngritje te perkohshme artificiale. India dhe Kina me kete qe bene deklarojne se se kane vullnet per pushtet e jo interesa strategjike ne Kosove.

    Ne Kosove fillon fundi zyrtar i Perendimit (sipas tyre)

  2. Rob-terneti thotë:

    20 Maj 2008 @ 6:00 am

    Kosova eshte relativisht cape e vogel e pa shume zarar per te kater. Si rrjedhoje, eshte ideale te perdoret si test nga luanet e rinj ndaj atij me senior. Por ky i fundit e di se po leshoi capen e vogel, i rrit oreksin te rinjve, dhe i afron fundin vehtes. Libri e do qe senior-i tu jape nje shpulle treshe, por largqofte, mund ta ruaje shpullen dhe per ndonje rast tjeter me me zarar.

  3. Grupi Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Maj 2008 @ 4:20 pm

    Qafir sec kisha nje ndjenje qe ishe ti ky Katovica qe shkruan gjithnje ke Balkanweb…mos gabohem? ;)

    Per mendimin tim Kina dhe India nuk kane ndonje interes te madh me Kosoven e as me Serbine. Ata kane interesat e tyre qe tani per tani bien ndesh me pranimin e Kosoves nga ana e tyre. Besoj se nese Kina nuk do kishe problemin e Tajvanit…ajo do ta njihte Kosoven menjehere. Nuk besoj se qendron ndonje strategji anti-Shqiptare ne kte mes nga ana e tyre. Po ashtu India ka probleme te brendshme qe ja ndalojne njohjen e Kosoves.

    Ndersa Rusi…e ben per aresye te tjera dhe me nje strategji te qarte pan-Sllaviste.

  4. gre_wireless Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Maj 2008 @ 5:32 pm

    edhe une jam dakort me grupin. Thjesht eshte rastesi dhe teoria e konspiracionit te Katovices eshte shume e egzagjeruar…

    megjithate do te thoja se Kina nuk ka me shume problemin e Tajvanit se sa ka vemendjen qe po krijohet nga puna e Tibetit tani ne prag te lojrave olimpike. Prandaj eshte shprehur ne kete moment dhe jo me pare.

    Sa per Indine, ata jane 2000 minoritete dhe 700 gjuhe te ndryshme, keshtu qe nuk do te beje njohje te Kosoves.

    Ketu Rusia e ka me te futur edhe ndaj Indise dhe Kines mendoj une. Sepse Rusi e para po mundohet te hyje serish ngadale ne skene si aktor aktiv ne politiken boterore dhe ne te njejten kohe mundohet t’i japi jehone si precendent ketij rasti dhe ta terheqe zvarre tek ato dy rajone ne Gjeorgji per nja 50 vjet te tjere..

  5. Qafir Arnaut thotë:

    20 Maj 2008 @ 5:39 pm

    Sic e tha Terrneti: Kosova eshte ‘test ground’ per RIK-un. Nuk ka asnje lloj teorie konspirative. Dihet qe Perendimi eshte ne perendim, dhe keta te RIK-ut ne lindje.

  6. Pjer Thomas thotë:

    22 Maj 2008 @ 8:40 pm

    Dihej qe India do dilte kunder per shkak te problemeve te saja te brendeshme, biles pakistanezet qe kemi ketu thonin se India do ta kundershtoje pavarsine e Kosoves, siç ka kundershtuar gjithmone pavarsine e Kashmirit, per shkak se ka shum shtete e nacionalitete qe mezi po i mban nen ombrelle, nen shtetin Indi. Kina po dihet qe ka dhe ajo perveç Tibetit dhe krahina apo shtete te ndryshme qe i ka nen juridiksionin e saj , parvarsisht se u ka dhene nga nje fare autonomie, si ne rastin e Tibetit. Rusia po dihej, mirpo dipllomacia jone e dobet nuk ka arritur dhe as ka per te arritur ta neutralizonte kete inisiative te ruseve ne mbrojtje te serbeve. Te pakten te bente qe Rusia te qendronte neutrale ne kete çeshtje.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.

  • Komentet e fundit

    • ThoughtPolice: Kur kane ngelur edhe injorantet te na japin mesime latinishteje, eshte... Morali i dyshimtë i G99
    • Darjeleeng: Luçi mos doje të thoje, Miranda sqaro veten më mirë? Thjesht pyes.... e puthura
    • Luçi: Me duket se eshte dhe ne ndonje antologji, apo permbeldhje te letrave ... e puthura
    • Darjeleeng: Zana thotë: 29 Gusht 2008 @ 11:16 pm LosT,e gjej herme... antimall-makth i kulluar
    • Luçi: Miranda Haxhia - E verdha e Korrikut / tregime ISBN 99943-31-27-2 P... e puthura
    • emigrant: LostT-o, se s'te kam pyetur, po meqe u hap ky muhabeti te mesuarit nga... antimall-makth i kulluar