Login



Register

Një ditë e vrarë në Tiranë

tir.jpgTakime, shtyrje, pritje, shikime, rishikime, anullim në minutën e fundit, prenotim në minutën e fundit, afate të pafund, të pavendosura, të parespektuara. Pritje dhe qitje, në shenjë vetëm kur nuk duket, mbi tabelën Shqipëri, që kalon duar më duar. Kjo është një ditë e zakonshme në Tiranë, si për një të sapoardhur për pak ditë, edhe për një tjetër që ka vite të tëra që qëndron stativ këtu. Si për dikë që ka vetëm pak orë punë, edhe për dikë që ka ardhur në Shqipëri me kontratë afatmesme për t’iu dhënë mend shqiptarëve.

Si për një vendas, ashtu edhe për një të huaj, dita e punës në Tiranë është një odise e tërë çudirash që nuk dinë të kenë të sosur. Zyrtarë të lartë mblidhen të diskutojnë mbi fatet e një projekti. Ta “rishikojnë” atë. Përgatitjet, ftesat, telefonatat, mbulimi i shpenzimeve, organizimi disa ditor që nuk ngopet së ngrëni kohën e shkurtuar nga dimri dhe nga dritat, sfumohet në një mbledhje të stërgjatë ku pjesëmarrësit dremisin. Dremisin edhe ata që janë rivalë të mbledhjeve dhe të gjumit bashkë. Paraditja e 15 burrave dhe grave “intelektuale” fashitet kështu, pa pyetur hiç për kotësinë që korr suksesin e radhës në vrasjen e kohës. Kjo ndodh shpesh. E gjithë armata e të huajve që vendosen në Shqipëri vetë-shpallen flamurtarë të trajnimeve që edhe pas 15 vjetësh flasin për “formime bazë” dhe “kompetenca kyçe”. Përgjigja shqiptare është kokëfortë po aq sa refuzimi për të pranuar se ndryshime duhen bërë, por koha nuk duhet humbur me gjëra të panevojshme si trajnimet mbi manaxhimin e vetes apo të kohës. Dy – tre orë në kafe gjejnë më shumë lezet në sytë e tyre. Të huajt justifikojnë pagën, vendasit shtyjnë tetë orarshin. Veç ngjashmërisë së paguar, asgjë tjetër nuk i pret.Vijnë e ikin këta të huaj, hyjnë e dalin nga aeroporti ynë i vetëm, rrudhin buzët për aplikimin e ri të pagesës që ka hyrë në përdorim, dhe shohin gjithë përçmim radhët e gjata para ambasadave të tyre. Pse, edhe shqiptarët dinë të kalojnë festat me familjen? Ah, shumica e pjesëtarëve qenkan jashtë? Kërkon t’ju bashkohesh për vitin e ri? Jo! Mosha jote nuk është garante dhe mjaftueshëm e justifikueshme për këtë dëshirë tënden. Sigurisht! Ka edhe një shans? Vërtetim nga sigurimet shoqërore për punën dhe sigurimet e mia? Ja ku e kam numrin personal të sigurimeve. Verifikohet lehtë. Jo, duhet me vulë. Ok, mbyllu susam i huaj, hapu susam shqiptar. Një letër për sigurimet. Jo tek zyra e sigurimeve shoqërore. Në fillim tek tatimet. Qenkeni në pushim të drekës? Ok, 30 minuta. Po dilni për kafe? Mirë, 20 minuta. Në zyrë vazhdojnë rishikimet, diskutimet mbi strategjitë, projektet për kompetencat. Telefoni duhet fikur. Sms-të dhe sekondat nuk shkojnë hiç mirë bashkë. Mbaroi kafja. Vërtetimi! Po. Ngjitu një kat më sipër për numrin; zbrit një kat më poshtë për firmën; kthehu në kat të katërt për vulën. Tani me vrap tek zyra e Tiranës. Duhet vulosur edhe atje. Trafiku është në rregull me çmendurinë e tij. Pas 40 minutash beteje me nervat për ta duruar atë, kat pas kati, mungesa totale e etikës dhe mirësjelljes në punë të presin me këmbët e para tek zyra e radhës. “Ky vërtetim është i pavlefshëm. Nuk ka numër protokolli. Kthehu mbrapsht”!!! Nuk mund të komunikohet me telefon mes zyrtarësh. Larg qoftë. Shkelet ligji. Edhe një herë në luftë me trafikun. Një numër protokolli. Nga sirtari bosh doli. Nisu edhe një herë për vulën numër “n”. Nuk është në zyrë. Nuk dihet ku është. Kompanitë celulare duhet të jenë duke fërkuar duart. Shqiptarët gjenden vetëm nëpërmjet telefonit, edhe në orar të punës. Miq, miq dhe prapë miq. Më në fund dikush vjen të shtypë një vulë që duhet të vendosej pa asnjë telefonatë miqsh dhe pa pritur pushimet e pafund për “një kafe të shkurtër”. Ka edhe më vula. Me vrap tek sigurimet. I marrin të gjitha letrat e vulosura. Binden që emri në to u gjendka në zyrat e tyre. I mbajnë dokumentet poshtë tryezës, dhe grisin me dorë një gjysmë flete blloku nga ato që dikur përdornin magazinierët e ndërmarrjeve shtetërore. “Vërtetojmë se shtetasi është i siguruar nën këtë numër siguracioni”. Kaq. Kaq?! Mrekulli. Çdo njeri e di numrin e tij të sigurimeve. Përse duhet humbur një ditë pune (një ditë rishikimesh dhe mbledhjesh) që qytetari të marrë një informacion kaq të thjeshtë? Po për çfarë i hyn kjo në punë ambasadës? Nuk ka ironi më të madhe se të besosh se fati i aplikimit për vizë të një studenteje të sapo-diplomuar, që kërkon t’i bashkohet familjes së saj për fund-vit jashtë Shqipërisë, të varet nga një gjysmë letër blloku magazinimi, ku ‘spiunohen’ kontributet e saj.Prapë telefoni?! Nuk është marrë e-maili? Ok, as nuk gjendet ftesa e takimit të nesërm. As axhenda! S’ka se si. Ti i dashur i huaj je këtu për të jetuar si i tillë. Do të ta gjejmë, se aty është në kompjuterin tënd, siç janë në sistemin tuaj, një telefonatë larg, një sekondë vëmendje larg, edhe lajmërimet, ekzistencat, vërtetësitë dhe të drejtat legjitime, thelbësore dhe krejt njerëzore të atyre tek të cilët po bujtni muzgun e viteve tuaja. Tirana është kamufluar. As njerëzit, as gjuha, as veprimet, as rrjedha e ngjarjeve nuk është më e pavarur. As e varur. Por e ndërvarur kaq keq mes prurjeve të pa-filtruara, përshtatjeve të pa kriter, kërkesave të pakontrolluara, dhe durimit të skalitur për të pranuar çdo gjendje ashtu siç vjen, sa është e pamundur ta besosh se vazhdon të centrifugojë ende me këtë kaos. Zyrat shtetërore janë një kortezh i paskrupullt paaftësie për të dhënë zgjidhje; zyrat e huaja janë kohë-ngrënëse të babëzitura dhe kampione kotësish, ambientet private janë vatra lajkash dhe manipulimesh; Shqipëria e tërë është kthyer në një copëz vend-parkimi ku duhet shkruar urgjent “keep clear”, që të evitohet viktimizimi.Studentja porositet “miqësisht” që ta rishqyrtojë dëshirën e saj për të qenë me familjen. Për të mirën e kombit, kapaku nuk duhet hapur më. Kështu foli dita e këtij Dhjetori të lagësht në Tiranë.

t_red

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

32 Komente

  1. Perparim Hysi thotë:

    17 December 2007 @ 8:57 pm

    t_red!I ke ra bash per midisi,kur thone andej nga veriu.I ke luajtur zotin duke bere nje anatomi pa hic sterzmadhime te tere atyre vuajtjeve qe heqin shqiptaret sa ne zyrat tona dhe ca me keq:dhe ne ambasada.Ashtu ka qene dhe,sic duket,po ashtu po vazhdojne.Te huajte kane gjetur,kur thone,shtepine e priftit dhe s”kane ku gjejne cahir me pjellor per te kullotur se ne Shqiperi.Japin-domosdo- leksione me “buke”.Te pershendes per kontributin,per kete pruje qe i ve pikat mbi i.

  2. belle_fleur Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 December 2007 @ 9:05 pm

    Zyrat shtetërore janë një kortezh i paskrupullt paaftësie për të dhënë zgjidhje; zyrat e huaja janë kohë-ngrënëse të babëzitura dhe kampione kotësish, ambientet private janë vatra lajkash dhe manipulimesh - Doni me per Shqiperine???

  3. tropizma Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 December 2007 @ 9:24 pm

    t_red, nese me lejon pak humor:

    Pritje dhe qitje, në shenjë vetëm kur nuk duket. Kjo është një ditë e zakonshme në Tiranë. Zyrtarë të lartë mblidhen të diskutojnë mbi fatet e një projekti. Kërkon t’ju bashkohesh për vitin e ri? Jo! Mosha jote nuk është garante dhe mjaftueshëm e justifikueshme për këtë dëshirë tënden. Ka edhe një shans? Vërtetim nga sigurimet shoqërore për punën? Ja ku e kam numrin personal të sigurimeve. Jo, duhet me vulë.

    As njerëzit, as gjuha, as veprimet, as rrjedha e ngjarjeve nuk është e pavarur. As e varur. Por e ndërvarur.

    Kaq. Kaq?! Mrekulli.

  4. artan thotë:

    17 December 2007 @ 9:32 pm

    Te pershendes T_red ,nje shkrim qe ja vlen ta lexosh ,sepse ke prekur atje ku dhemb ,tek plaga me e madhe qe ka Tirana zyrtare dhe e gjithe shqiperia ,shqiperia ka 17 vjet qe ka ngelur te “projektet” tek draftet,tek Shqiperia 1 Euro ,tek Shqiperia ne moshen e Internetit,Centralet berthamore te energjise elektrike ,tek refreni i dites :”Futja ne NATO ” Futja ne BE ,ku do te futemi me ,a ka ngel ndonje vend ne planet ,pa bere projekte ,plane madheshtore qe Shqiperi te futet gjekundi ?!!?!!!

  5. losttext Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 December 2007 @ 9:43 pm

    bukur, t-red, me nerv…

  6. WASU Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 December 2007 @ 10:14 pm

    Duke lexuar menjda kaloi me fast-forward gjithe vara-vingot e palet e sholleve te shkreta qe u hengren rrugeve te Tiranes e shkalleve te zyrave…Si lum pronaret e dyqaneve te kepuceve!!

  7. Selfmaderadio thotë:

    17 December 2007 @ 10:14 pm

    T-red,

    bukur shume.

  8. Tironsi thotë:

    17 December 2007 @ 10:51 pm

    E ke qenis. Kur e lexova u lirova se mu duk sikur ma qau dikush hallin :)

  9. john thotë:

    17 December 2007 @ 11:08 pm

    T-Red flm per shkrimin dhe pse nuk munda dot qe ta lexoj deri ne fund .keshtu ka qene dhe dhjete vjete me pare kur e kam lene une siduket asgje ska ndryshuar.kjo eshte arsyeja pse shume prej nesh nuk kthehemi dot.fale qofte veshtiresite dhe puna ekstra,po te durosh dhe dallaveret e ketyre qe kane mbaruar universitete fantazem,nuk behet

  10. swed Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 December 2007 @ 11:20 pm

    Hejsan. Good. :)

  11. Shqipe Kryezi thotë:

    18 December 2007 @ 1:13 am

    Gjeje dy muaj psheretimi, dhene falas nga ambasada francese.

  12. cluephone thotë:

    18 December 2007 @ 9:07 am

    sa e stresuar dukesh ne photo. apo jam duke te ngateruar me ndonje tjeter?
    mos u qaj se sa vjen e me shume po te ecen shqiperia. apo nuk te ka mare mire dhe shendeti.
    my favourite sentence:
    Shqipëria e tërë është kthyer në një copëz vend-parkimi ku duhet shkruar urgjent “keep clear”, që të evitohet viktimizimi.
    my favourite image:
    http://geography.about.com/library/photos/noparking.JPG

  13. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 December 2007 @ 11:34 am

    “Alo miremengjes. Jam nje qytetare qe banon ne zonen qe mbikyret nga dega juaj e KESH-it. Prej dy ditesh hyrja ime nuk furnizohet me energji. Po, faturat jane paguar te gjitha. Jo, nuk kam pagesa te mbetura. As vonesa ne likuidim. Te marr kete numrin tjeter?! Po. Alo, mirmengjes. Nderprerja e energjise. Nuk ka te beje me pagesen. Po, e di qe kufizimet shkojne deri ne shtate ore, por ketu jane plotesuar 47 brenda dy ditesh. Nuk punoni te shtunen? Ok, po marr numrin e zyres qendrore. Alo? Paska problem linja furnizuese. Nuk beni dot rregullime sot? Jo, te henen nuk ka njeri ne shtepi. Deri ne oren 19.00 ne pune. Juve deri ne 17.00? Ok, po presim mbase rregullohen vetvetiu…” Floket e debores dukeshin me te bukur nen vezullimin e dritave te pallateve perballe. Pak ftohte, por ajo binte jashte. Nen batanijen e perdorur me detyrim nga KESH, fundjava e erret binte mbi oret e vrara me bute sesa debora e munguar ne kryeqytet.

  14. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 December 2007 @ 3:08 pm

    bravo t.red

  15. Rawel thotë:

    18 December 2007 @ 5:29 pm

    Bukur, bukur kur e lexon duke mos qene aty. Ben edhe per te qeshur ndopak…gjithmone kur qeshim per te mos qare, siç qeshim gjithmone ne shqiptaret e shekullit te ri…

  16. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 December 2007 @ 5:50 pm

    Eshte tamam per te qeshur dhe per te qare…por edhe per te bertitur nganjehere.Ama po u mbajt dot shperthimi qe s’dihet nga del, te reagosh sic e kerkojne vete, eshte shume me efikase. Por kush ka nerva t’i shohe nervat duke bere dasem :(

  17. Leon thotë:

    18 December 2007 @ 5:57 pm

    T_red,
    There is a price to pay to be albanian!!
    Per ju qe jetoni ne shqiperi pagesa eshte me e shtrenjte dhe e vazhdushme.. :( :(
    Me vjen shume keqe…

  18. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 December 2007 @ 6:19 pm

    There is indeed a price to pay for that, Leon. And strange enough, the price is higher between albanians themselves.

  19. Aiglon thotë:

    18 December 2007 @ 7:52 pm

    Dje vellai im kishte nje provim. Me tha qe e kaluan me qiri sepse “universiteti” nuk kishte drita. Profesori i tha qe te mos shqetesoheshin se nuk e ka per zakon t`i ngeli studentet kur punohet ne kesi kushtesh. Ja dhe nje brez tjeter i shkaterruar nga cthurja e kohes shqipetare.

    Ke pershkruar nje te vertete poshteruese sa me nuk behet t_red. Veshtire te largohesh nga kjo cmendi, veshtire te jetosh me te.

  20. pjer thomas Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 December 2007 @ 8:51 pm

    Artikull sa interesant aq dhe çuditshem, e them keshtu sepse i ngjante nje fushe te mbuluar me gjethe a diçka te tille dhe te duhej te spostoje gjethet per te pare fushen, apo vendin ku hecje, pra qe lexoje. Autori/ja duket qe ka dhunti ne pershkrimin e jetes, ngjarjeve, çasteve.

  21. Shqipe Kryezi thotë:

    18 December 2007 @ 8:57 pm

    Ne Bibloteken Kombetare te Tiranes, shkoje per te pare çfare librash te rinj kishin blere keto vitet e fundit. Mbasi i hodha nje sy librave ne sistemin informatike, kerkoje te shkoje ne tualet. Nje ze, mbrapa meje ushtone:
    STOP, ku shkone!
    Ne tualet.
    Karten e rregjistrimit!
    Me miresjedhje i shpjegoje se nuk kam, por edhe kam, por nuk e kam me vete. Portieri me tregone porten, ku me shkronja te medha ishte shkruajtur, se nuk lejohet te hysh ne qofte se nuk je i rregjistruar.

    Ne ditet ne vazhdim, i dergova nje leter Drejtorit, per ti shprehur indinjaten time ndaj ketij rregulli absurd, ku i shpjegoja se nuk jam dakort me kete vendim per arsyjen se: une e shikoje Bibloteken Kombetare si nje vend qe “simbolisone dijen” dhe “lirine”, jo “mbyllje” dhe “utopie”, etj, etj….

  22. WASU Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 December 2007 @ 9:15 pm

    Shqipe, nuk thua shyqyr qe e kishin nje banjo? Disa institucione ku me ka rene rasti te shkoj ne Tirane edhe pse kane banjo, e kane kthyer ne banjo per personelin, dhe njerezia le te marrin rruget per te gjetur ndonje cep pallati o t’i mbajne kembet kryq. Po te duash te hapesh biznes ne Tirane, nje banjo publike!! Te tjerat do i blen, s’do s’i blen, po kur te ze keq rrugeve te Tiranes, hec e gjej ku te mbytesh!!

  23. WASU Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 December 2007 @ 9:16 pm

    Tani qe e thashe u bera pishman se po ma merr ndonje peshk idene e po me ben konkurrence :) !!

  24. lule thotë:

    18 December 2007 @ 9:44 pm

    T-Red, ç’te themi, pershkrimi sa real dhe i detajuar, po na beri vertet me dhimbje koke. Uroj qe mos ti kesh per vete keto pershkrime :-(

  25. genti2001 Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 December 2007 @ 10:42 pm

    t_red komplitemente per pershkrimin aq te detajuar te nje skenari rrenqethes mga realiteti ne Shqiperi. Besoj se te gjithe ne nje forme apo nje tjeter kemi qene pre e ketyre gjerave dhe vetem nje zot e di se kur do ti vij fundi.

    Une kisha vetem nje sugjerim te vogel: Ka mundesi qe ndonje nga peshqit do te mirrte persiper te bente nje perkthim ne Anglisht te ketij artikulli. Thanks!!!

  26. t_blue thotë:

    19 December 2007 @ 12:40 am

    Shkrim shume depresionues, t_red.
    Dhe u kujtoja se ju u jeni mesuar me ato pislliqe andej..

    Shendet, t_red

  27. AR31 Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 December 2007 @ 1:00 am

    Nje popull i tere i poshteruar nga burokracia, injoranca, dembelizmi, pesimizmi, nihilizmi, ironia qeveritare, cinizmi, krimi dhe anarkia

  28. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 December 2007 @ 10:52 am

    ti, blu, nice try :)

  29. Koth thotë:

    19 December 2007 @ 11:00 am

    Po shkrimi eshte shume realist.

    Eshte dita ime aty. ( minus ca gjera qe ti t_red nuk i di :) )

  30. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 December 2007 @ 11:20 am

    …plus ca te tjera qe do t’i marr vesh se s’ben! :)

  31. Shqipe Kryezi thotë:

    21 December 2007 @ 1:15 am

    Wasu,
    Ideja eshte interesante por, mendoj se idene ta kane vjedhur para se me e mendu. Sepse dhe nje tualet qe kishte tek Ushtari i Panjohur, i ka nderruar disa pronare. Beje kujdese, liçenso idene se ku i dihet ka ndonje “kineze-peshk” ketu :))))))))) dhe e perdore per fushate apo nuk po vijne ato te “shkreta zgjedhje”?! Uroj qe nuk na i kane “copi” “paste” dhe idene e “pistava ciklable” per Tiranen e mjergulluar qe dita dites kapelja po i behet me gri?!

  32. krasta krau Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 December 2007 @ 1:37 am

    Se kisha lexu tani e lexova… shume mire t_red… Une nuk po bej fytyren e merzitme si keta te jashtmit… se ka ne mo keq ketej pari… Hera e parafundit per halle personale ne nje zyre (ate arsimore ne tr) me thane qe para se me zgjidh pune duhej te beje kerkese me shkrim ke financat e asaj zyres qe te keto te ndertonin nje hapesire per te sjelle aty arkiven e tyre, e cila kishte mbet ne godinen qe ju kthye monarkut dhe ku hyhej vetem me lejen e oborrit… pak a shume per dicka qe normalisht duhej te behej per 30 min, duhej te prisja 3 vjet… Interesante… ajo qe ma tha nuk qeshte hic :)

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.