Identifikohu



Regjistrohu

Nga vend i shqiponjave, në vend i plehrave

Nga KOCI BLUSHI

Edhe pse në Shqipëri mund të lindësh e të vdesësh pa t’u dhënë rasti të shohësh në qiell të fluturojë ndonjë shqiponjë, mëmëdheun tonë të dashur dikur e quanim krenarisht e me një bindje të budallallepsur: “vend i shqiponjave”. Ndërsa sot, mund të pohojmë pa frikë, ne mund të quhemi, natyrisht jo dhe aq krenarisht, “vend i begatë i plehrave”, “toka e askujt” ku të gjithë, që nga qeveritarët hushkulur e deri te katundari më i rëndomtë që i vë zjarrin pyllit apo dinamitin detit, kanë qenë e kanë mbetur armiq të përbetuar e të nderuar të pronës e të interesit publik. Ky vend është pa zot!
Në fillimet e demokracisë, më kujtohet, një poet që kishte bërë disa vite burg në diktaturë, i entuziazmuar nga liria e demokracia, botoi një vjershë për plehrat, ku thosh se në demokraci edhe plehrat janë të bukura! Por ja që nuk qenkan edhe aq të bukura! Pas gati njëzet vitesh, në këtë tranzicion të rrëmbushur me lloj-lloj plehrash kombëtare dhe ndërkombëtare, ne sa vjen e gëlojmë mbi plehra të ngurta, kimike, toksike, bakterologjike, të ngordhura, të kalbura, të gjalla, herë me dy e herë me shumë këmbë, herë me erë të qelbur e herë pa erë të qelbur, plehra vetjake e kolektive, plehra qyteti e plehra katundi, plehra me zot e plehra pa zot…Ne tash kemi jo pak plehra zyrash, partiake, qeveritare, bashkiake, policore, doganore, pavijone sindozot infektive, ushqime të skaduara, pije alkoolike false, mish me plasje (antraks), peshk të sjellë nga India, merimangë të zezë, rroba gabi e veshje firmato turke e kineze, rrugë të pudrosura me pluhur batërdisës, bukë me miell të infektuar, rubinete me ujë të nakatosur me fekale, varreza pafund makinash, inerte, ndërtime pa leje e prishje me leje, fabrika çimentosh e gurore në çdo qafë mali e hyrje-dalje qyteti…Bashkë me këtë plehrënajë kombëtare kemi edhe shpifje e sharje e sherr për një gërvishtje makine, shkolla me nxënës analfabetë, universitete private me studentë gjysmë analfabetë, mësues që shiten e blihen e ndonjë që edhe arrestohet për 100 euro, vrasje të nënës bashkë me të birin për një dele, qenër rrugaçë të legalizuar, lule pafund, -oh sa shumë lule!-, por ama artificiale, pra lule të përndezura që nuk vyshken kurrë e që janë vendosur me kujdes në çdo kilometër në kujtim të të vrarëve të dehur nga liria e pamerituar, si dhe lapidarë të përdhosur heronjsh të harruar apo anonimësh buzë xhadeve tona të handakosura e aq shumë të përgjakura, që provojnë hallakatjen e kërleshjen tonë në kotani e në hyrjabyrja!
Por ama, ne kemi Ministri Mjedisi, kemi edhe Ministri Kulture dhe Turizmi! Kemi pra ministra të suksesshëm, një kryeministër të fortmerakosur që nuk e zë gjumi për ne, kemi dikastere, inspektorë mjedisi, zjarrfiksa, higjienistë, mjekë, policë të llojllojshëm, madje edhe policë pyjorë, natyrisht shumë më pak se zjarrvënës, se shkërbërës të pronës publike, plehrabërës, plehrangrënës dhe plehrahedhës me pushtet e tahma të pakufizuar! E pra, nuk është fjala për ambalazhet e çokollatave apo të kanoçeve bosh të coca-colës, që dikur i vinim për zbukurim në ballinat e bufeve e që ndoshta poeti asokohe kishte parasysh pikërisht ato, po për mbetjet toksike të sjella nga Greqia e të hedhura në Bilisht krejt hapur, nëpërmjet doganës, ditën për diell, me licencë, bash me lejen e Ministrisë së Mjedisit! Këtë e pranoi me një çiltërsi të paparë vetë Ministria jonë e Mjedisit, sipas së cilës, këto mbetje plastike nuk bëkan aspak dëm për popullsinë, pavarësisht se populli aty po ankohet se po qelbet nga era e ndotur! Në fund të fundit, populli atë punë ka, të ankohet! Nuk kemi parë deri më sot një zëdhënës më të sinqertë se ai i Ministrisë së Mjedisit! Me një transparencë të admirueshme, zëdhënësi i Xhuvelit na sqaroi para ca ditësh se mbetjet plastike të hedhura në Bilisht nuk janë aspak të rrezikshme, pasi plehrat nuk ishin hedhur fshehur, natën, po ishin sjellë si biçim dhurate nga Greqia, se ato, plehrat toksike pra, paskëshin hyrë legalisht në Shqipëri, nëpërmjet doganës, me “vizë” të rregullt nga qeveria, natyrisht nëpërmjet “një firme të licencuar”, gjë që e bën punën e plehrave një çështje më se të rregullt e ligjore, d.m.th, një punë të pastër e më se të nderuar!…Madje plehrat e mirëseardhura greke edhe mund të përpunohen, si po thuhet, gjë që do të thotë se do të punësohen edhe ca bilishtarë e bilishtare të papunë….A nuk është ky edhe një tjetër sukses i qeverisë sonë demokratike?!
***
E pra, gjithnjë sipas kësaj logjike, apo transparence, si i thonë zëdhënësit, para ca kohësh u njoftua se në Korçë do të montohej një TEC për të prodhuar energji me qymyr, TEC që do të çmontohej diku andej nga Kosturi, në mos gabohem, pasi për banorët e Kosturit ishte bërë shqetësim ndotja e mjedisit! Po me një transparencë të tillë, kryeministri ynë po i lutet Berluskonit që këtu, tek ne, të ngrihet një central bërthamor për energjinë, central që me referendum popullor nuk qenkësh pranuar të ndërtohej në Itali. Para ca vitesh, qeveria e mëparshme sa nuk na solli plehrat e Italisë, për të na bërë një tjetër nder, d.m.th, për të punësuar edhe ca shqiptarë gjynahqarë të tjerë të mbetur të papunë!
Me këtë synim fisnik, për të ndihmuar investitorët e huaj që të mësyjnë sa më shpejt e sa më shumë në Shqipëri, u miratua para ca ditësh leja për ndërtimin edhe të një tjetër fabrike çimentoje në Lezhë, veç atyre në Krujë…Ne do të mbytim me çimento nga malet tona të gërryera jo vetëm Europën, por edhe Azinë! Ja pra edhe një tjetër sukses i qeverisë dhe sidomos i atyre zyrtarëve të lartë që firmosin e që 10 % për firmën e hedhur e kalon milionëshin e eurove! Edhe këto fabrika, që nuk marrin dot licenca në vendet prej nga janë investitorët për shkak të ndotjes së mjedisit, po ndërtohen me gëzim dhe një entuziazëm qeveritar të papërshkruar në vendin tonë që tani, me sa duket, nuk kushton as edhe një euro, pasi edhe kjo nismë me sa duket është harruar!Të mos flasim për Vlorën e për parkun energjetik, se për atë vazhdon të bëhet pak zhurmë e tipit “bjerini ju legenit, bjerini”, po për rërën që me anije, para ca kohësh, me licencë të Ministrisë sonë të Mjedisit e merrnin grekët, e tani, sipas një gazete të huaj, e marrin edhe italianët… Të mos flasim pastaj për masakrën legale mbi pyjet e lumenjtë anekënd vendit tonë sa të bekuar, aq edhe të dashur!
***
Mund të jepen prova pafund për të dëshmuar se ne jemi bërë me qejf e me dëshirë gropa e zezë e Ballkanit, një varrezë gjigande dhe e begatë plehrash, me mbetje toksike, madje edhe radioaktive; se qytete të tëra në periferi të Shqipërisë brenda një dite përfshihen nga epidemi masive; se pyjet e ullishtat digjen sikur ndez një cigare pranë oxhakut; se peshk deti nuk gjen më, madje edhe zogj nuk shikon më në qiellin tonë të kaltër; se bari në mëngjes nuk zë më vesë; se lajmet, edhe ato, sa vjen e bëhen edhe më të pista e më të plehrëzuara nga mbetjet, d.m.th, nga të pëgërat e politikës sonë të lavdishme që po na çon nga suksesi në sukses, nga një përurim në tjetrin, duke na futur pisllëkun edhe në shpirt, edhe në tru, edhe mes njeri-tjetrit!
Po të gjitha këto nuk kanë as edhe një rëndësi, nuk na bëjnë më përshtypje, sa kohë nuk na ka hyrë epidemia brenda në shtëpi. Të gjithë, në heshtje e pranojmë se sot, po nuk qe një plehrë e vërtetë morale, nuk bën dot hajër, d.m.th, karrierë, nuk të nderojnë, nuk zgjidh dot asnjë hall, nuk të hapin derën në asnjë zyrë, nuk të japin madje as nuse në katund!
Për këtë arsye tek ne askush, deri më sot, nuk është ndëshkuar për masakrat e pashembullta mbi pronën publike, mbi urbanistikën, mbi mjedisin! Kush u ndëshkua për masakrën urbane historike e të pandreqshme që u bë në plazhet e Durrësit?! Po Sarandën e kini parë si e kanë mbytur shumëkatëshet e ngritura si monstra, ngjitur njëra me tjetrën, duke e shfytyruar dhe denatyruar këtë qytet të mrekullueshëm? Ata që bëjnë këto krime të pallogaritshme e të pariparueshme mbi pronën dhe interesin publik sot janë jo vetëm të nderuar, po edhe të pasur! Mund të rraset në burg një zjarrvënës i paguar që djeg një pyll të tërë, po edhe ky nuk burgoset dot, pasi ligji në fuqi jep vetëm dënim me gjobë! E megjithatë ky katundar i paguar për zjarrvënie nga ndonjë biznesmen, mund të rraset në burg, po ama kurrë nuk dënohen ata zyrtarë të lartë që kanë bërë masakra urbane të llahtarshme mbi pronën publike, mbi plazhet e qytetet tona turistike, mbi interesin tonë jetim publik, mbi të nesërmen tonë të rrezikuar!
Ne kemi qenë e kemi mbetur armiq të përbetuar të pronës publike, si askush tjetër në Ballkan! Për këtë mjafton të shkosh një ditë në Mal të Zi apo në Maqedoni. Sa kalon kufirin e kupton se andej prona publike është e mbrojtur, e njëjtësuar me interesat e përbashkëta publike. Ne tanimë e kemi harruar edhe shprehjen e vjetër: Po përmore në det, nesër e gjen në kripë! Ne mund të hedhim plehrat që nga ballkoni, mjaft që shtëpinë brenda ta kemi të pastër! Zogjtë dhe peshqit po ikin nga ky vend se, me sa duket, e kanë kuptuar që këtu plehrat janë zotër realë, sundimtarët realë, se ato, plehrat pra, ujërat e zeza dhe ajri i ngopur me pluhur e tym gomash të djegura mund të të japin lirinë të jetosh i lirë ose të vdesësh po aq i lirë, në varësi të infeksionit dhe të shpërblimit që merr një qeveritar nën dorë! Që do të thotë, se plehrat e kanë bërë dhe po bëjnë ligjin kudo e kurdo e mbi këdo!
Ndërsa ne, njerëzit, ndryshe nga zogjtë e peshqit, jemi të qetë e të lumtur se kemi, njëlloj si bota, edhe qeveri, edhe kryeministër lavdimadh, edhe Ministri Mjedisi, edhe Ministri Kulture dhe Turizmi! Kaq mjafton për të fjetur të qetë, për të thënë se edhe këtu, në Shqipërinë tonë që po mësyn me aq padurim NATO-n, vërtet ka “standarde” të larta si dhe liri për të….për të jetuar me një të sotme pa të nesërme të sigurt!

Gazeta shqiptare

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

16 Komente »

  1. edi thotë:

    20 Korrik 2008 @ 9:34 pm

    …dikur e quanim krenarisht e me një bindje të budallallepsur: “vend i shqiponjave”


    Fol në njëjës dhe për vehten tënde, IDJOT!

  2. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Korrik 2008 @ 10:01 pm

    Ufff, qindra fjale dhe cfare pastaj? Plehrat i shikojme te gjithe, e dime qe na kane mberritur deri mbi koke. Cfare propozohet konkretisht per ta zgjidhur problemin? Ti groposim? Ti djegim? Ti eksportojme?

  3. une thotë:

    21 Korrik 2008 @ 12:31 am

    Ka aq shume PLEHRA sa shpesh i bej pyetjen vetes nese kemi qene vertet dikur vendi i shqipnjave? Nga dolen tere keto pehra?

  4. Syri Shqiponjes Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 Korrik 2008 @ 12:01 pm

    ky shkrim eshte sa per te marre honoraret…dhe sa per te thene qe…”po bejme opozite…”
    hmmmm,brezi i vjeter qe ka gllaberuar pothuajse cdo gje ne keet vend….

  5. ardi thotë:

    21 Korrik 2008 @ 1:45 pm

    ….shkruesi ka ne dore lapsin dhe letren….eshte i drejte shkrimi apo jo…kete se di…por qe 12 vjete me pare ky ishte problem lagje e qyteti, tani qenka bere kombetar….

  6. tomthplasuri Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 Korrik 2008 @ 2:05 pm

    do te doja ti pergjigjesha pyetjes se”une”: “nga dolen tere keto plera???” ne te vertete tere keto plera kan dale nga ty po aq sa edhe nga cdo qytetare tjeter i ketij vendi. nuk besoj se problemi qendron tek keqadministrimi se sa tek mosorganizimi i tyre qe ne baze. besoj se eshte detyre e cdo individi riciklimi i plerave dhe besoj po ashtu se ne shqiperi nuk e ben njeri nje gje te tille. dhe zgjidhja qe ka propozuar eksperienca mbareboterore eshet pikerisht riciklimi.

  7. Idris thotë:

    21 Korrik 2008 @ 2:06 pm

    “”"Ky vend është pa zot!!!!!!!! “”"”….dhe perderisa ky vend te jete i tille s’ka propozim konkret qe e nxjerr nga e KEQJA ku e kane zhytur….
    Plehrat ne tru nuk mund te mbajne pasterti ne avlli….
    Ky vend ka zot,por i ka BANDITE!
    Nje udheheqje qe ka 20 vjet qe ka leshuar JARGAMANET me peshtyma edhe per aksionet e te dielave per pastrimin e ambienteve….morrat e pleshtat do ta zene…..
    Nje Udheheqje qe punen vullnetare per mirmbajtjen , sistemimin e rregullimin e gjerave (ku perfshihej edhe sistemimi mbeturinave) e vvleresoi se “vetem zogu kendon pa para” Sorrat i nxjerrshin syte…
    Nje udheheqje qe nxit vjedhjen e pusetave dhe venien dinamit te shtyllave te TENSIONIT te larte per 20 vjet…ne terr e ne grope do e shtyje kete POPULL…
    Artikull shume domethenes si gjithnje BLUSHI….

  8. Adam thotë:

    21 Korrik 2008 @ 2:10 pm

    1-Autori nuk eshte Koci Blushi por Kico Blushi.Duhet te jesh pleh te thuash per vendin vend plehrash.Ku jetohet ka plehra,kudo por problemi eshte kur i heqin.Une mendoj qe shqipot jne me te paster sa flitet.

  9. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 Korrik 2008 @ 2:12 pm

    …Une mendoj qe shqipot jne me te paster sa flitet…..

    Ndersa une Adam mendoj qe jo vetem autori mesiper flet kot ne ere sa per te mbushur faqet me mllefe qe mund ti nxjerri kushdo nga shpirti kur shikon perdhunimin qe i eshte bere ketij vendi, por gjithashtu edhe ti ja fut kot dhe Shqipot s’jane aspak aq te paster sa i mendon ti ;)

  10. Odysseus Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 Korrik 2008 @ 2:15 pm

    Shtepite i kemi xixe neve. Problemi fillon sa del nga shkallet e pallatit.

  11. Moza thotë:

    21 Korrik 2008 @ 2:19 pm

    Të gjithë, në heshtje e pranojmë se sot, po nuk qe një plehrë e vërtetë morale, nuk bën dot hajër, d.m.th, karrierë, nuk të nderojnë, nuk zgjidh dot asnjë hall, nuk të hapin derën në asnjë zyrë, nuk të japin madje as nuse në katund!

    Ti dhe yt bir Kico, sikur skeni qene dhe aq keq me keto punet e karrjeres ee?

  12. Idris thotë:

    21 Korrik 2008 @ 2:20 pm

    Aty fillon dhe artikulli…edhe shoqeria aty fillon…edhe denglat MIXHISTE aty fillojne si dhe PLEHRAT….
    JASHTE SHKALLEVE !!!!!!

  13. Adam thotë:

    21 Korrik 2008 @ 2:49 pm

    Une nuk e di se ku jetoni yu(Ll)por une bera krahasime me vendin qe jetoj (LONDER) me vendin qe bej pushimet cdo vere(LEZHE).Edhe venet e tjera si Rubiku,Rresheni,SHkodra etj jane te pasterta.Nihilizmi eshte semundje.KUR SHQIPERIA KA QENE VEND iSHQIPONJAVE? Apo aludon per kohen e dulles.

  14. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 Korrik 2008 @ 2:54 pm

    O Adam,

    Une nuk “aludoj” (provo “nenkuptoj” ose ndonje fjale tjeter ne Shqip) per asnje kohe. Me ate pergjigje qe te dhashe kisha dy qellime:

    1) Te ngacmoja Idrisin qe lavderon autorin megjithese autori s’ka shkruar ndonje gje te vecante, dhe
    2) te te vija ty ne pah qe nje popull qe le derrat/bagetite ne mes te rrugeve te qytetit, qe hedh plehrat mbi ballkonin e komshiut, qe shkaterron pa turp e pa menduar pasurine e tij me te madhe duke e mbushur me qese plastike te te gjitha ngjyrave, s’mund te quhet kurrsesi i paster. S’e kam vizituar ndonjehere Londren por s’ma merr mendja kurrsesi qe Lezha te jete me e paster :lol:

  15. Pjer Thomas thotë:

    21 Korrik 2008 @ 4:49 pm

    Pa u futur programet e pastrimit nepermjet emisive te CO2 , s’do te kete gje ne vije. Kafshet drejtues te shtetit shqiptar me ne krye mavrine tone, s’kane as zgjuarsine dhe as burrerine per te ndigjuar se si realizohet kjo. Te pakten 30-35% e pastrimit do ishte realizuar nepermjet ketij mekanizmi ekonomik, dhe pjesa tjeter nepermjet paketave te tjera.

  16. adriatik thotë:

    22 Korrik 2008 @ 1:14 am

    Kur ishim nje here me shokun Enver duke shetitur para pallateve te popullit tone, pame ca bajga neper hyrjet e pallateve. Shoku Enver u nxeh dhe u bertiti ite gjithe komunisteve: Ca komunista muti jene ju qe kaloni 20 here ne dite neper bajgat e shkalleve te shtepive tuaja dhe nuk i luani nga vendi fare. Qe atehere u ngriten me komunista e me popull dhe me pune vullnetare i pastruan bajgat. (Shenime udhetimi nga xha Teme)

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.