Login



Register

Nevoja për vetëhapje të dosjeve dhe sanksione për spekulimin

Nga Mero Baze
botuar te Gazeta Tema

Kuvendi i Shqipërisë u bë dje sërish një ekspozitë, ku reklamohet shëmtimi me spekulimin me dosjet. Në mënyrë të qartë provokative, një deputet i opozitës i kujtoi një pseudonim kryetares së Kuvendit, duke acaruar dhe banalizuar gjithë debatin dhe duke dëshmuar pa dashje arsyen pse dosjet nuk janë hapur kurrë në këtë vend. Shkak kryesor nuk ka qenë se politikanët do të njolloseshin, por se shumica e tyre do të pastroheshin. Duke qenë se hapja e dosjeve sjell liri dhe dinjitet për ata që nuk janë të implikuar dhe ata nuk janë shumë, me shumë cinizëm politika shqiptare e ka lënë evazive këtë çështje, me qëllim që të gjithë të njollosen dhe përbalten, kur e lyp nevoja politikisht.

Muaj më parë, kur ky debat nxori kokë, i kam nisur një shkresë zyrtare në emër të shoqatës së gazetarëve zonjës Topalli dhe i kam kërkuar që në ligjin e dosjeve të përfshihet doemos e drejta e gazetarëve shqiptarë për të vetëhapur dosjen e tyre, duke iu drejtuar një instance gjyqësore, nëse dikush ngre ndaj tyre akuza të pabaza dhe lëshon tymnaja si ajo e djeshmja në Kuvend. Ky nen shumë i rëndësishëm për dinjitetin e gazetarëve shqiptarë duhet pastaj të shoqërohet doemos me sanksione, që mund të jenë ose sanksione të forta financiare, ose dhe penale, ndaj atyre që i përbaltin ata publikisht, duke i akuzuar si bashkëpunëtorë Sigurimi. Këto sanksione duhet të shtrihen për të gjitha kategoritë, dhe për politikanë e zyrtarë të lartë, dhe çdo qytetar shqiptar, i cili mund të akuzohet padrejtësisht.

Dobia e moshapjes së dosjeve të Sigurimit në Shqipëri ka qenë pikërisht te nevoja për të përbaltur gjithkënd që ke kundërshtar. Dhe kjo praktikë duhet të marrë fund.

Ligji duhet doemos t’i japë të drejtë çdo qytetari shqiptar të vetëhapë dosjen e tij, kur dikush e akuzon. Ai që nuk do ta vetëhapë, le të mos e vetëhapë, por unë dhe kolegët e mi e kemi të nevojshme të kemi një mekanizëm mbrojtjeje nga përbaltja publike. Nuk jam i sigurt se në cilën kategori do të përfshihet hapja e dosjeve për gazetarët, por dyshoj se koncepti gazetar në Shqipëri, duke qenë se nuk ka një institucion vetërregullator, është shumë relativ. Gazetar mund të quhet dhe ai që është i punësuar si i tillë, dhe ai që shkruan kolumne javore apo komente për qejf të vet. Ndaj më e sigurt është që t’i garantohet çdokujt vetëhapja e dosjeve, në rast se ai dëshiron. Vetëhapja e dosjeve është dinjitet dhe dëshmon lirinë e individit para errësirës së shpifjeve dhe akuzave të papërgjegjshme.

Në këtë klimë tensioni mes medias dhe politikës, qeveria është e gatshme të shpallë ish-bashkëpunëtorë Sigurimi në mënyrë verbale gjithkënd që nuk i pëlqen. Kasnecë të saj, por dhe kundërshtarë të saj po aq të papërgjegjshëm, janë të gatshëm të përbaltin gjithë qeverinë dhe ministrat si ish-bashkëpunëtorë. Për t’i thënë ‘Stop’ këtij fenomeni, është mirë që ligji të garantojë të drejtën e vetëhapjes së dosjes dhe sanksione të rënda për atë që ngre akuza false. Kështu mund të marrë fund spekulimi i gjatë dhe përbaltja e shoqërisë shqiptare nga dosjet e Sigurimit, të cilat duket se kanë lënë litarin jashtë varrit dhe po shkaktojnë ende trauma në shoqërinë shqiptare.

Personalisht, do t’iu bëj thirrje kolegëve të mi kryesorë në media, së paku kryeredaktorëve dhe botuesve, të vetëhapin dosjet që ditën e parë të hyrjes në fuqi të ligjit dhe më pas të jenë të lirë për të zhvilluar debatin publik rreth dëmeve që ato i kanë sjellë shoqërisë. Por mendoj se dëmin më të madh ato ia kanë sjell demokracisë shqiptare duke u përdorur si spekulim për baltosje dhe fyerje ndaj çdokujt që kërkon të jetë i lirë për të thënë atë që mendon. Ndaj, vetëhapja dhe sanksionet ndaj shpifjes në këtë drejtim do t’i japin dinjitet këtij ligji. Nëse bëhet.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. Pjer Thomas thotë:

    5 July 2008 @ 9:50 am

    Ne fakt ideja e Meros nuk eshte e keqe perkundrazi e mire , per vete faktin se po vihet re nje papergjegjeshmeri nder shqiptare, qe akuzojne njeri-tjetrin si pa gje te keq, fenomen qe eshte vene re jo vetem nga lart-poshte (vertikalisht), ku qeveria akuzon kundershtaret e saj, por dhe horizontalisht, ku shqiptare akuzojne njeri-tjetrin per mendimin ndryshe. Mendoj se ne drejtimin e Mass-Medias, ministrive, drejtorive te tyre, politikes se shtetit, organizmave te rendesishem , nuk duhet te marrin pjese ish punonjes te nomeklatures se larte te meparshme, ish sigurimsa dhe bashkpuntore te tyre, kuptohet duke e vendosur me ligj. Me kete rast u hapet rruga ter intelektualve te paangazhuar.

  2. berberi Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 July 2008 @ 10:00 am

    Guri thote:”Mendoj se ne drejtimin e Mass-Medias, ministrive, drejtorive te tyre, politikes se shtetit, organizmave te rendesishem , nuk duhet te marrin pjese ish punonjes te nomeklatures se larte te meparshme, ish sigurimsa dhe bashkpuntore te tyre, kuptohet duke e vendosur me ligj. Me kete rast u hapet rruga ter intelektualve te paangazhuar.”
    Mendim jo i keq por utopik. I pa realizueshem per sa kohe politikanet e sotem do te jene fizikisht gjalle.

  3. gre_wireless Shkruaji mesazh privat thotë:

    15 August 2008 @ 7:43 pm

    u hapen dosjet ne amerike

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.