Nena armene
Nga Albana Shala
“Mbyllni sytë dhe lëreni mendjen të fluturojë e lirë. Lëshojeni gjithë peshën e trupit mbi dysheme. Ndjeni se si merrni frymë, se si nxirrni frymë, njëhësohuni me frymëmarrjen tuaj». Gary ecën ngadalë mbi parketin e palestrës. Zëri i tij më mbëshjell butësisht, ashtu si mbështillet një pako që ka për destinacion një tjetër botë, atë të paqes dhe të harmonisë. Kur të më çmbëshjellin, do të më duket sikur kam jetuar gjithmonë në atë botë imagjinare. Në një shtëpi të vogël me çati të kuqe, me komshinj gojëëmbël, me postierë që më sjellin lule. Ngadalë mendja ime po çlirohet nga andrallat e ditës dhe po kullot e lirë në ca hapësira të gjelbërta pa cak. Prej atyre hapësirave vështroj miqtë e mi të kësaj bote të shtrirë mbi dyshekët e hollë të palestrës. Si thasë të murmë. Grykëhapur. Gati për t’u nisur për një udhëtim të gjatë. Vetëm pikënisjen e kemi të përbashkët.
“Pastroni ngadalë mendjen tuaj nga gjthçka që ju rëndon. Hiqni ngadalë nga supet barrën e takimeve, gatimeve, zënkave, çantave të pazarit të javës . Çlirohuni prej tyre, u thoni lamtumirë, pa pasur frikë të mbeteni bosh dhe vetëm”, vazhdon Gary.
Kështu u dashka bërë. Mirë, atëhere. Po e filloj këtë sprovë vullneti vetëharrues nga e hëna që shkoi. O zot! Mbledhja e stërzgjatur e të hënës. Mbetçi me shëndet mbledhje! Mbetçi me shëndet kolegë me fshikëza urine të mbushura me mbetje çaji!
E marta: Pres gjysëm ore autobuzin 15, në mes të një rrebeshi dhe ere të çmendur. Sytë e akullt të shoferit që më thonë: “Nëqoftëse nuk e mbyllni si duhet karrocën e fëmijës, nuk mund të futeni brenda”. Mbetç me shëndet, shofer! Ç’më duhet linja 15. Unë dua të ngjitem lart, shumë lart, dua të shkoj atje ku nuk bie e shi e nuk fryn erë. Më vjen keq, por për këtë ti nuk më ndihmon dot zotëri. Adio!
E mërkura: një e-mail i titulluar “Deri kur kështu?” i tim eti që ndihet çuditërisht i harruar dhe si gjithnjë i shqetësuar e qortues. Nuk i mjaftojnë 1.500 km distancë për të latuar çdo lloj cepi ndjenjash e për ta ndryshuar titullin, për shembull në “Sa mirë kështu!”. Adio e-mail, adio dhe përgjigja ime. Adio pandreqësi! Ujërat e largëta nuk i shuajnë dot zjarret, më vjen ndërmend kjo thënie e s’di se kujt dhe ndjej keqardhje për alarmet e tim eti sa herë që nuk i del emri im në ekranin e kompjuterit.
E enjtja: dallgët e turmës së njerëzve që nxitojnë të blejnë në Kalverstraat. Më duhet të gjej të gjithë gjërat që janë në listën e kampingut të tim biri, të madhit. Me pas tre çanta të zbukuruara me luleshtrydhe të supermarketit Coop. Duke e ditur që nuk ka biçikletë hollandeze dhe as gomar Shqipërie që t’i mbajë të gjitha këto. Mbetçi me shëndet çanta me rripa të stërzgjatura! Mos kini merak, në një mënyrë ose në një tjetër do të ricikloheni.
E premtja: çfarë vrapi! Për të qenë në orën tre mbasdite tek Barbara, fizioterapistja e të voglit tim, Lucios. Sytë e tij nuk flasin por ulërijnë. Nuk duan t’ia dinë për tjetër gjë veç si të mundin urinë që e ka mbërthyer. Më pas një ‘ë-e-ë-ë” e lodhur, e zvargur dhe ai bie menjëhershëm në gjumë. Edhe Barbara, edhe unë e dimë që ky nuk është orar i mirë për fizioterapi. Duke i ardhur rrotull si magjistare, përpiqet më kot ta zgjojë me tringëllima zilkash e lodra shumëngjyrëshe. Më kot e ka. Mbetç me shëndet Barbara! Më në fund e di që as ti nuk je e domosdoshme.
E shtuna: tre lavatriçe të mbushura me rroba, pesë libra gogol që dua t’i lexoj njëherazi në anë të shtratit, dy DVD të harruara që duhet të kthehen një ditë dhe si mbyllje, darka me Henkun, të cilin e ka lënë në të njëjtën kohë dhe e shoqja dhe e dashura. Mbetç me shëndet rrëmujë e së shtunës. U desh të ktheja shtëpinë përmbys që të mund të gjeja frymën time. Dhe kush thotë që e gjeta…
Mbetç me shendet kargoja ime e javës së 46-të vitit 2002! Ti ke arritur tavanin e lartë dhe të palyer të palestrës dhe një e nga një, nga parvazi i dritares, shikoj se si hidhen përjashta, si parashutiste, ndodhitë e javës që shkoi. Po ikin për të mos u kthyer, ndoshta të befasuara dhe të tronditura nga vizita ime e behtë, e qëllimtë, pa tmerr e ngut. Deri tani isha unë ajo që prisja vizita, ose më mirë prisja të më zinin derën. Po më mbushet mendja që nuk ka përse të jem shtëpi, magazinë, hotel, han për këtë kargo.
Të gjithë po ikin, përveç gruas së panjohur me sy të shkruar dhe vetulla kaleshe, të cilën e takova sot në mëngjes në stacionin e metrosë. Çfarë bën ajo këtu? Ashtu si unë, po përshëndet një e nga një të gjitha ngjarjet e javës sime. Më pas, ngadalë, si e çliruar, shkon e ulet përsëri në stolin e stacionit. Çfarë do ajo këtu? Përse nuk e kam nisur edhe këtë takim të rastit së bashku me të tjerët?
E kuptoj që nuk kam nxjerrë zë. E panjohura më sheh me çudi dhe dhembshuri.
- Nuk paska ardhur ende tramvaji juaj?
- Eh, në këtë vend të zgjidh punë biçikleta, sidomos në fundjavë, kur nuk ka shumë lëvizje dhe vetëm halli i madh të nxjerr nga shtëpia në pike të mëngjesit.
- Halli, po, po, halli. Ju shkoni për të punuar, kurse unë, nuk ju tregova me parë, jam në seancen e parë të një workshopi terapeutik. Ideja është e thjeshtë e praktike. Vetëm duke arritur të shkarkoj ngarkesat e javës që shkoi do të mund të mbaj ato të javes që vjen. Me sa duket, pa ndihmë, nuk e bëkam dot vetë këtë punë.
- Çfarë do të thotë kjo?
- Ende nuk e kam kuptuar mirë që të mund ta shpegoj. Me vete them se nuk besoj te terapia si institucion, por tek ngrohtësia e zerit te Garyt; tek përpjekjet e tij për të pakësuar vuajtjen njerëzore. Si thoni? Mirë po bëj?
Ajo më veshtron butësisht.
- Mos po bëheni vonë?
- Sa mirë që keni gjetur punë në njerëz te kuptueshëm. Ashtu është, njerëz të mirë ka gjithkund.
- Çfarë thatë se do të donit të bënte vajza juaj, kur të vijë këtu?
- Të studiojë për inxhinjeri ujërash?
- Shumë mirë e keni menduar. Ky vend është i gjithi i ngritur mbi ujë. Nëse ajo do të vendosë të jetojë këtu, është profesion për së mbari.
- Sigurisht që këtu duhet të jetojë. Çfarë do t’i duhej inxhinieria e ujërave në Armeni?
- Dhe sa kohe mendoni që do të duhet të punoni për ta sjellë këtu? Më thatë që është vete e dytë, domethënë që së bashku me vajzen do të vijë edhe mbesa.
- Eh, nga anët tona martohemi të reja, por kur nuk të ecën fati s’ke çfarë bën.
- Si thoni ?
- Edhe dy vjet të tjere. Ashtu është, kur ke punë, vitet kalojnë shpejt.
- Po, po është shumë e rëndësishme që të vijnë me dokumenta të rregullta, të mos hyjnë si ilegale, se pastaj mbeten skiç…
- Ju erdhet që t’i hapnit rrugën asaj. Do t’ua dijë, zonjë, për gjithë jetën.
- A e dini që im më do të donte të pinte kafe me ju dhe besoj se do te merreshit vesh edhe pa folur.
- E di, e di që punoni çdo dite, por ndoshta ndonjë mbasdite do të ishit më e lirë.
Vazhdoj si me ngulm biseden, ndonëse e di që takimi i nënës sime me të mbetet vetëm dëshirë. Ime më ndodhet mijëra kilometra larg që këtej. Ajo më kap duart lehtë sikur do qe te mi ngrohë.
- Po vjen tramvaji juaj ?
- Jo, jo, nuk po përlotem, por dua t’ju përcjell deri tek dera.
- Ditën e mirë edhe një herë!
- A mund t’ju perqafoj?
- Shumë të faleminderit!
Dera e tramit mbyllet dhe ajo për disa çaste qëndron në këmbë, pa u nxituar që të ulet. Metroja është pothuajse bosh. Më hedh edhe një herë një vështrim dhe shkon e ulet.
Gary më shkund lehtë nga supi. E di. Eshtë ajo, gruaja e panjohur e stacionit të metrosë që me ka lëshuar me kujdes mbi dyshekun e palestrës, si çdo nënë foshnjën e saj, në këtë të djelë të ftohtë nëntori. Ashtu siç ëndërron të lëshojë në rrugët e botës së madhe një ditë të bijën, e cila pret në një qytet të vogël të Armenisë. Të dyja janë të bindura që një ditë vajza do të studiojë inxhinjeri ujërash.
Botuar tek revista “Perpjekja“

Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.