Ne, të rinjtë


Ja, përmbi kodrat e përflakura rrezekuqthi kemi ardhur

Kem’rrethuar Jerusalemin me hije të stërzgjatura ambicioze

Qytetin ku të gjithë dëshiruam të lindnim

Burimin e komplekseve të përbashkëta, qytetin e mijëra historive faqeskuqëse

Ne,

Të rinjtë

Motivuar me naivitet, armatosur me dinakërinë idiote të bujkrobit

Pushtues të Romës për herë të njëmijtë, të njëmiliontë

Erdhëm të armatosur me korniza dipllome

Infinite gërmash të printuara mbi letra të bardha shkëlqyese

Ne,

Të rinjtë

Ballin na i rreh dielli

E supet tona

I ngroh po ai, i njëjti yll

Të paepur në etjen tonë për fitore ne mbërritëm

Të paduruar për ndryshimin individual që as vetë nuk e duam, nuk e dimë

Ëndërrojmë mijëra nënkresa të mbushura puplash

Ëndërrojmë famën, thashethemin, a si i thonë sot gossip-in

Edukuar mes libidosh televizive e flluskash shumëngjyrëshe

Nën ritmin minimalist të marshit tonë komerçial

Ne, që idealizmin e flakim lehtë në moçal

Ne,

Të rinjtë

Të gatshëm për të shkruar emrin tonë kudo

Të uritur për të lënë gjurmët përfundimtare, të pashlyeshme

Në murin e botës sonë

Që gjithnjë e më shumë përngjan

Me një mur haleje…

Ballin na i rreh dielli

E supet tona

I ngroh po ai, i njëjti yll

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

15 Komente

  1. losttext thotë:

    8 September 2008 @ 3:40 am

    sol, me ç’kam vënë re, i sëmbit telat kur në dukje dhe në të vërtetë je më i relaksuar, siç kur vërtiteshe nëpër bejte, edhe pse me tallje.

    Tashti, mënyra jote për të shkruar këtë lloj poezie, më duket se përcjell më shumë përshtypjen se you are trying, rather than being the vessel of communication.

    Thënë kjo, duhet shtuar se imazhet që pikturon në këtë poezi janë shumë domethënëse dhe afërmendsh, përsihatëse në efektin e tyre.

    flm.

  2. sol-nox thotë:

    8 September 2008 @ 11:20 am

    thx lost, faktikisht anoj kah imagism-i dhe per arsye formimi :) (po dhe per arsye preference)

  3. flokenaja thotë:

    8 September 2008 @ 1:06 pm

    Ne,

    Të rinjtë

    Të gatshëm për të shkruar emrin tonë kudo

    Të uritur për të lënë gjurmët përfundimtare, të pashlyeshme

    Në murin e botës sonë

    Që gjithnjë e më shumë përngjan

    Me një mur haleje…

    Ballin na i rreh dielli

    E supet tona

    I ngroh po ai, i njëjti yll

    soli, me keto vargjet je shperfilles dhe filozofik ne te njejten kohe…

  4. sol-nox thotë:

    8 September 2008 @ 2:32 pm

    floku, si gjithnje ndihem i perkedhelur nga komentet e tua :)

  5. Koth thotë:

    8 September 2008 @ 7:03 pm

    sol-nox ,

    nese je i njejti me ate qe i rekomandove nje bashkemoshatares tende qe baba vet ish gjeneral te gjente nje ushtri tjeter kjo pjeseza ketu :

    Ne,

    Të rinjtë

    Të gatshëm për të shkruar emrin tonë kudo

    Të uritur për të lënë gjurmët përfundimtare, të pashlyeshme

    Në murin e botës sonë

    Që gjithnjë e më shumë përngjan

    Me një mur haleje…

    po dhe gjithe poezia jote me ngjan nje hipokrizi.

  6. AR31 thotë:

    8 September 2008 @ 7:08 pm

    Miku im sol-nox, ti e di qe asnjehere kritikat s’ti kam kursyer, por poezia “ne te rinjte” eshte teper e bukur per te pesuar shi kritikash. eshte nje poezi e çliruar nga çdo kompleks, e pasur ne mendim te rrjedhshem dhe qe percillet fund e krye nga nje fryme lirie. pershendetje.

  7. emigrant thotë:

    8 September 2008 @ 9:20 pm

    o sol-o, ke goje ti mbas kesaj me kritiku socrealizmin, mer?

    Ka shkrujt MaJestro-ja “Na t’birt e shekullit te ri”, po nuk ka qene si bori partie! Ti ben edhe bejte, o njeri! Me shum pritsha nga ty! Si lexues eshte nje mrekulli te jesh shqiptar (kemi shkrimtar, or tunjatjeta, jo llafe); ama si krijues, te njec dopjo gjashta ne dore, se steka eshte shume lart.

    Hudh tjeter, sol-o, se me ket, i ke bo dom vetes. Te keqen ne krijimtari nuk ta du. Ji i sigurte per ket!

  8. sol-nox thotë:

    8 September 2008 @ 11:33 pm

    jam ne shpirt une erresire
    mendja ime rri vec shtrire
    burri (a gruja) me vejn brire
    filozofin e boj mire

    une ke peshku jom poet
    kom botu un edhe libra
    gjith te tjeret jon ibret
    vijn e bojn ktu xhinglamingla

    un ke peshku humoriste
    sepse sot nuk ma var burri
    nuk ka faj ai i shkreti
    ka dy vjet i o tha druri

    un ke peshku jom kritik
    vetem un s do haj kothere
    s’e rruj tocin per armik
    jom mesu me dallavere

    fshihem ke pseudonimi
    si struci me koke n’rone
    une pra jom ai trimi
    sa shum gojes i kam dhone

    menjiher boj aleanca
    e ka qef katnari idiotin
    sa shume shajm ne internet
    sa shum koh e kom prit sotin

    ne kete bejtene time
    nuk ka si te mos mungoje
    nje marrdhonie ne mes femrash
    qe shijusi ta shijoje

  9. Sorkadhja thotë:

    8 September 2008 @ 11:35 pm

    Po pse te vlores??????????? lol dhe jo te Skraparit psh????

  10. sol-nox thotë:

    9 September 2008 @ 12:43 am

    o sol-o, ke goje ti mbas kesaj me kritiku socrealizmin, mer?

    i nderuar, as nuk e kam kritikuar ndonjehere, e gjykoj ne parametrat kulturoro-sociale te kohes se vet. Me vjen keq per ata qe e kultivojne sot e kesaj dite kete lloj letersie sepse jane anakronike, pa nuk e kritikoj, nuk ta prish qejfin

    Ka shkrujt MaJestro-ja “Na t’birt e shekullit te ri”, po nuk ka qene si bori partie! Ti ben edhe bejte, o njeri! Me shum pritsha nga ty!

    po me po, maestroja ka qene i shekllit t’ri, atij te shpreses po une jam i shekllit t’vjeter, atij te zhgenjimeve. dhe di me i thene grise gri, nuk kam nevoje te bej akrobacira nga e bardha te e zeza, me shprehje patetike poezish tashme te shkruara

    Si lexues eshte nje mrekulli te jesh shqiptar (kemi shkrimtar, or tunjatjeta, jo llafe); ama si krijues, te njec dopjo gjashta ne dore, se steka eshte shume lart.

    nuk ka lexues shqiptare o em. ty t’pelqen vetem kadareja. edhe mua. (mos ma merr fjale per fjale te lutem, se je bajagi i drejtperdrejte si tip me sa t’kam pa). Ate punen e stekes, vallahi m’duket se nuk duhet me fol per stekat e njoni-tjetrit, se dhe une i kam dyshimet e mia per sukseset dhe mberritjet e tua poetiko-prozaike. stilin e ke te mire, po ke ngecur nja 30 vjet me pas mo lal, gjonat kane ndryshuar shume. mos u perpiq ta zhveshesh artin nga aktualiteti, se behesh disident pas te vjeli

    Hudh tjeter, sol-o, se me ket, i ke bo dom vetes. Te keqen ne krijimtari nuk ta du. Ji i sigurte per ket!

    nuk jam tu hudh mo karremin n’kyt pellg o em. peshqit ngriten krye qe t’mos hane me nga keto poezite e mia (ver re qe kjo poezi flet edhe per ca gjera karakteristike per nje pjese te peshqve qe kercyen si dragonj virtuale. peshqit jane thanase me thanatos te thekur. dhe meqe paska domene virtuale ku s’ia pertojne ofendimit e budallallikut e ku nuk ndryshojne asfare nga cdo vend tjeter ku garrumullohen pese e me shume shqipe, lum ata qe rrine e shkruajne, po une po bej si po bej pa te…Suksese Emo

    Not’nemir e bofshi qejf, e ju nifsha t’miren me dhe pa pseudonime
    (pershendetje flok dhe LostT)

  11. flokenaja thotë:

    9 September 2008 @ 6:54 am

    po me po, maestroja ka qene i shekllit t’ri, atij te shpreses po une jam i shekllit t’vjeter, atij te zhgenjimeve. dhe di me i thene grise gri, nuk kam nevoje te bej akrobacira nga e bardha te e zeza, me shprehje patetike poezish tashme te shkruara

    shpjegim teper i sakte sol…
    ka shume sarkazem ne ato vargjet: ne te rinjve ballin na e rreh dielli…
    eshte sarkazem per shekullin qe humbem nen endren komuniste, eshte sarkazem edhe per kete tjetrin qe po humbasim…

  12. AR31 thotë:

    9 September 2008 @ 12:02 pm

    eshte sarkazem per shekullin qe humbem nen endren komuniste, eshte sarkazem edhe per kete tjetrin qe po humbasim…

    me duket se po i vjen fundi botes…:D pershendetje flokenaja!

  13. flokenaja thotë:

    9 September 2008 @ 12:10 pm

    Pershndetje arber!

  14. spiritus thotë:

    9 September 2008 @ 1:35 pm

    Poezia me duket si nje perqeshje me patetizmin deklarativ.Ka nota deshperimi per idealizmin qe shuhet para frymes komerciale. urime sol.

  15. Pjer Thomas thotë:

    9 September 2008 @ 4:16 pm

    :-) Autori/ja, duket qe ka dell poeti.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com