Ne qofte se do kishte nje emer te dyte…
Saimir Tahiri/Panorama
A ka njeri në këtë vend që nuk është neveritur me Kryeministrin tonë, kur para pak ditësh nga bregdeti i Sarandës i sugjeronte sejmenëve të tij të mbledhur rreth e përqark të pagëzonin qeverinë e tij dhe atë vetë me ermin e dytë “Premtim-Mbajtësja” dhe “Premtim-Mbajtësi”. A ka njeri që nuk ka sharë e mallkuar duke parë Kryeministrin të pagëzonte vetveten dhe qeverinë e tij si qeveria e suksesit të padiskutuar, qeveria e premtimit të mbajtur? Natyrisht këtu nuk kam ndërmend ata militantë të verbuar që te Sali Berisha shohin shpëtimtarin e zbritur në tokë, por kam ndërmend ata shqiptarë të ndershëm që sigurojnë jetesën me një mijë e një halle e mundime, e që mbledhur kruspull përpara televizorit shohin lajmet në pritje të habereve të mira nga kjo qeveri e zezë.
E ç’të shohin? Një palo Kryeministër që pa iu skuqur fytyra tallet gjithë ditën e ditës me një popull të tërë. Një gënjeshtar të kalitur që iu shpif këtij vendi tash e 18 vjet, e që po nuk e mori Perëndia, ka bërë ndërmend të na rri mbi krye edhe për 30 vjet të tjera (e këtë premtim që na e tha vetë me siguri ka bërë ndërmend ta mbajë). Si mundet Kryeministri më i dështuar i Ballkanit, të ketë sy e faqe të na zërë ekranin edhe në fundjavë, e të na thotë pa iu dridhur qerpiku se emri i tij i dytë është Premtim-Mbajtësi. Si mundet ky njeri që nuk ka lënë të zeza pa i bërë këtij vendi e këtij populli, djegur, shkretuar, vrarë e gjymtuar, hajdut i kursimeve të familjeve tona e që vazhdon sot e gjithë ditën të vjedhë xhepat tanë, të dalë duke u zgërdhirë a thua se është heroi i Ballkanit, e jo fatkeqësia jonë e përbashkët. Si mundet ky njeri të marrë guximin të dalë e të fyejë inteligjencën tonë kolektive, duke na shitur pallavra absurde për të vërteta të thekura, në vend që të fshihet skutave të Kryeministrisë duke iu lutur Perëndisë. Me kë tallet ky i papërgjegjshëm përsëritës, që pasi dogji treçerekun e Shqipërisë në 1997-ën, e tani pasi i vuri dinamitin një rajoni të tërë për të ngrënë në pleqëri paratë e tija të fëlliqura nga fishekët e predhat që qëronin fëmijët e gratë e Gërdecit, na shitet për virgjëreshë e rehabilituar, tamam si ajo prostituta e plakur dhe e fishkur nga lodhja.
Si e mendon ky zotëri këtë popull? Mos na mendon gjë hajvanë e dallkaukë si pjesa më e madhe e atyre që e rrethojnë? Apo harron se kur i flet servilëve të pashoq që i shkojnë nga pas, e dëgjon gjithë Shqipëria në lajme? Dhe Ylli Pango, ministri i megalomanisë qeveritare, do ketë shqyer sytë kur e ka dëgjuar. Se dobare, dhe atij po t’i kishin vënë mikrofonin përpara do ngrinte kokën në ajër e do mburrej si kaposh qafëgjatë (e me mjekër madje) se kaq di të bëjë e aspak më shumë, po nuk ma do mendja se do kishte guxim të shkonte kaq larg sa shkoi shefi i tij.
Po për kë premtim flet Kryeministri, kur as banorëve të Gërdecit që iu mori jetën e të afërmve, shtëpinë, pasurinë dhe të ardhmen, nuk u ka shpërblyer akoma dëmet e shkaktuara nga makutëria dhe babëzia e tij shtazarake.
Për ç’premtime të mbajtura flet Kryeministri? Mos flet gjë për rrugën Durrës-Kukës që po rrënon jo vetëm tani, por edhe për nja 50 vjet të tjera xhepat e qytetarëve të varfër. Apo mos flet gjë për rrugën e Fierit që është përuruar tri herë, është inauguruar dy herë e që akoma s’ka filluar e askush nuk thotë kur do përfundojë. Apo e ka fjalën për rrugën e Tepelenës, Vlorës, Beratit, Korçës, Tropojës, Shkodrës, Lezhës e shumë të tjera që i ka premtuar paraqende gjatë fushatës elektorale.
Kë premtim ka mbajtur deri tani ky Kryeministër? E ka fjalën për Shqipërinë 1 Euro, Skemën e Kafshatës, Vaskat e Floririt që as në letër nuk ekzistojnë, por vetëm në mendjen e këtij njeriu.
Për kë premtim flet Kryeministri kur çmimet janë dyfishuar, listat e borxhit në fshat e qytet janë kilometrike, rroga e pensione po zvogëlohen nga pesha gjithnjë e më e shtrenjtë e jetesës dhe njerëzit vuajnë heshtur se nuk dinë ç’të bëjnë tjetër.
Po ata turistët në Sarandë me çfarë do i thërresë Kryeministri tani që çeli edhe sezonin turistik? Me betonin arme që ka mbuluar çdo pëllëmbë të Sarandës? Me fshatin turistik informal që ka ndërtuar në mes të zonës arkeologjike? Me ndërtimet pa leje në buzë të Butrintit? Apo me errësirën që ia veshi thatësirës dhe thatësirën që ia veshi PS-së? Me çmimet stratosferike? Me infrastrukturën mesjetare? Me rrugën e papërfunduar? Kemi parë e dëgjuar, siç do shohim edhe një herë këtë vit shifrat megalomane të ministrit kaposh. Se kjo qeveri e ky kryeministër një gjë e bën mirë, gënjen sa s’ka ku të shkojë më, e ministrat e tij vetëm e imitojnë si lodra boshe.
Më mirë do të ishte që Kryeministri ynë të thërrasë turistët nga Gërdeci, për të vizituar gërmadhat e një qyteti të humbur e të zhdukur nga faqja e dheut prej shpërthimit vrasës që shkaktoi qeveria e këtij kryeministri. T’i çojë për një vizitë turistike në Ground Zero, ku më parë qëndronte fabrika që ai nuk dinte, në qytetin që ai nuk e dinte, e që mori jetë njerëzish që ai nuk i dinte. Çuditëm botën për sy e faqe të zezë me maskarallëqe hajdutësh që fatkeqësisht i kemi mbi kokë, e tani bëjmë mirë t’i thërrasim si turistë të vijnë e të na shohin nga afër, ata të shkretët në Gërdec që rrojnë mes predhave me frikën e vdekjes, ne të tjerët që çirremi e thërrasim, e këta që kemi mbi kokë që majmen e fryhen në kolltuqet e pushtetit. Të paktën ata pak banorë të asaj zone që kanë mbetur në Gërdec do kishin mundësi të fitonin ca të ardhura më shumë e të kompensonin ato që qeveria iu premtoi e ende nuk i ka dhënë.
E meqë të kopjojë di mirë, tani në këtë turin e “Dialogut Blu” për çfarë investimesh do u flasë qytetarëve Kryeministri dështak? Apo për Aeroportin Ndërkombëtar të Sarandës që do ndërtohet brenda një viti? A thua se sarandjotët e gjithë shqiptarët e tjerë janë dele të besojnë idiotësirat e këtij burri.
Në qoftë se Kryeministri ynë do të kishte një emër të dytë, ai sigurisht nuk do të ishte “Premtim-Mbajtësi”. Mund të jetë Sali Turpi, Sali Fisheku e Sali Gërdeci, Sali Gënjeshtra, Sali Vjedhja e shumë të tjera si këto, por kurrsesi Sali Premtim-Mbajtësi. Ky shërbëtor i përjeshtëm i vetes ka humbur një herë e përgjithmonë të drejtën për t’u konsideruar i vërtetë, duke shënuar emrin i pari në listën e zezë të historisë tonë moderne, i pari ndër gënjeshtarë, hajdutë e palaço të tjerë që politika shqiptare ka prodhuar në masë këto 18 vjet.
E në qoftë se kjo Qeveri do të kishte një emër të dytë, sigurisht nuk do ishte ai që Kryeministri na propozon. Mund të ishte Qeveria e Varfërisë, Qeveria e Mashtrimit, Qeveria e Hajdutërisë, Qeveria e Krizës, Qeveria e Errësirës, Qeveria e Shkatërrimit dhe shumë e shumë të tjera si këto, por kurrsesi Qeveria e Premtimeve të Mbajtura.
Megjithatë, Sali Berisha një premtim e ka mbajtur me fanatizëm të pashoq, atë që t’i nxjerrë shkumën këtij populli që nga 1991 e këtej, premtim që me hir e pahir ia ka dalë ta mbajë në kurriz të këtij populli të varfër.
Dhe së fundi, në qoftë se duhet vërtet që tani në mbyllje të karrierës të bëjë më në fund një gjë me mend, ky Kryeministër duhet të bëjë një premtim të fundit e të betohet përfundimisht se këtë do e mbajë pa na gënjyer. Të premtojë se do zhduket një herë e mirë nga hapësira jonë publike, e të presë ta gjykojë historia dhe brezat që do vijnë pas. Të paktën këtë ia ka detyrim shqiptarëve.


7 May 2008 @ 6:34 pm
Saimir !
Si Kryetar i FQS , Fonadacioni Qemal Stafa , e di qe dje ishte 5 Maj dhe ishte dite e shenuar per ate qe i keni vjedh emrin ?
Ketu ke kjo faqja e juj http://www.fqs-al.org sikur nuk pashe te kishit bere ndonje aktivitet mer per sy e faqe te pakten, se si mendon ti e di une.
7 May 2008 @ 9:05 pm
Hajde artikull qe paskeni peshku hajde… Sa keq ju “peshku staff” !!!
Po ca vlerash tregon ky artikull, se spo e pertyp dot… s.tahiri vallai…
A ka ngel ndonje shqiptar brenda rrethit t unazes pa shkrujt artikuj n t perditshme?
E keni bo peshkun me mos e kliku me….
7 May 2008 @ 9:16 pm
Perveç ca te sharave te sterkonsumuara,ca refrene 1997,e para te humbura nuk mora vesh ndonje gje tjeter………….
8 May 2008 @ 9:56 am
po ti mor Tahir, a nuk u zemerove, a nuk shave e mallkove kur ai shefi jot i Ps-se bashkoi votat me ate Salen qe ti shan me lart per te perdhosur kushtetuten?!!!
8 May 2008 @ 11:00 am
Në vijim, le ta quajmë atëherë zoti “NPM”.
8 May 2008 @ 11:32 am
Pa lidhje me temen!!!
N.Ago me lejon nje pyetje (meqenese nuk i paske shume qef anonimet tek blogu)?
8 May 2008 @ 6:43 pm
disk i prishur