Login



Register

Ndërhyrje te ngutshme te bëra në terr

Mustafa Nano
Shqip

Në një intervistë të publikuar në “Shqip”-in e djeshëm, Ylli Manjani jep shpjegimet e veta lidhur me dy ndërhyrjet kushtetuese të kryera në ngut e sipër, pa asnjë debat publik, pas një ujdie të arritur midis dy partive më të mëdha shqiptare. Është fjala për ndryshimin e nenit 87, i cili përcakton procedurat parlamentare të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, të nenit 104, i cili i jep përgjigje situatës, kur mocioni i besimit i paraqitur nga kryeministri refuzohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, dhe të ndonjë neni tjetër të lidhur me dy të parët. Rezultati është, që tani e tutje, Presidenti i Republikës mund të zgjidhet edhe me një shumicë të thjeshtë votash, ndërsa një kryeministër mund të rrëzohet bashkë me shumicën që e ka pjellë. Dhe kështu, edhe pse një shumicë e thjeshtë nuk ka më fuqi të rrëzojë një kryeministër (pa rrëzuar dhe maxhorancën që ka fituar zgjedhjet), ajo, shumica e thjeshtë pra, ka fuqinë për të zgjedhur një president. Kjo situatë nga njëra anë e forcon kryeministrin (kjo është më e perceptueshme prej të gjithëve), e bën atë Zot të maxhorancës së vet, i jep në dorë shkopin e kërcënimit me zgjedhje të parakohshme, rrjedhimisht i hap pa fund e pa anë rrugët e një qeverisjeje arbitrare, të pakontrolluar e të papërgjegjshme, dhe nga ana tjetër e dobëson Presidentin; e dobëson, pasi së pari i heq atij kompetencën “për të kërkuar maxhoranca të reja në mbështetje të një kryeministri të ri pas refuzimit të mocionit të besimit”, së dyti e lë në mëshirë të shumicave të thjeshta (këto shumica afërmendsh do të jenë shumica qeverisëse), dhe bash për këtë arsye - jemi tek pika e tretë - hëm nuk e mban presidencën në lartësinë e një institucioni super partes, hëm nuk e lejon atë të ngrihet në nivelin e përfaqësuesit të unitetit të popullit (një president i zgjedhur me votat e shumicës qeverisëse do ta ketë të vështitë e të pamundur ta luajë këtë funksion në mënyrë të besueshme).

Manjani thotë, se ndërhyrja kushtetuese në procedurat parlamentare të zgjedhjes së Presidentit muk mund të qortohet si një qasje antidemokratike (”është demokratike” thotë ai saktësisht). Në fakt, për të pasionuarit pas semantikës e pas saktësisë së ligjërimit, përcaktori “demokratik‘ është kallur në mënyrë disi të sforcuar në këtë arsyetim. Kjo ndërhyrje nuk ka të bëjë fare me demokracinë; këtu jemi në fushën e rregullimeve të botës institucionale. Më tej, duke përjashtuar ndonjë zë të parëndësishëm gazetaresk, që ka folur për puç kushtetues, askush tjetër nuk ka ecur asaj ane (këtu po përjashtoj zërat politikë, të cilët, sa herë që ua lyp interesi i tyre, nuk e kanë për gjë të bëjnë theksimin e dramatizimin e çdo nisme ligjvënëse). Problemi pra nuk është tek natyra anti-sistem e kësaj ndërhyrjeje. Problemi është që gjithçka është bërë mbi bazën e një motivimi ngushtësisht personal të kryeministrit dhe - sipas shumë gjasave - të kryetarit të partisë socialiste, nga njëra anë me synimin për të kushtëzuar veprimtarinë e Presidentit aktual, për ta ngucur këtë të fundit në kllapën e sjelljes së detyrueshme bon ton, për t‘ia bërë ta pasigurtë avenirin e tij në daçi presidencial, në daçi politik, dhe nga ana tjetër me synimin për të majmur kompetencat e kreut të maxhorancës, i cili kështu merr dhe tagrin e atij që ka në dorë emrin e presidentit.

Është e vërtetë që kështu e ka Gjermania (dhe shumë vende të tjera, që Manjani nuk i përmend), por puna është që gjermanët e të tjerët nuk bëjnë ndërhyrje kushtetuese në emër të interesave egoiste të kryeministrit në detyrë apo të aspirantit për kryeministër; aq më pak, kanë kurajon për t‘i shitur këto ndërhyrje si reforma të mëdha e të rëndësishme në të mirë të rendit institucional e konstitucional. Nuk bëjnë as ndërhyrje kushtetuese, në themel të të cilave qëndron meraku për të mbrojtur një kryeministër të caktuar nga presioni që i vjen nga radhët e maxhorancës së vet. Dhe me që ra fjala, ndryshimi i nenit 104 të kushtetutës, në ndryshim nga ndryshimi i nenit 87, është një ndërhyrje kushtetuese që bie era anti-sistem. Me “sistem” kuptoj këtë ngrehinën tonë të ligjeve e të institucioneve, në themel të së cilës është Kuvendi i Shqipërisë. Në fakt, nuk është më. Ishte. Ishte se ç‘na ishte.

“Kush i fiton zgjedhjet, duhet të qeverisë”, thotë Manjani. Po, kjo është e vërtetë, por me përemrin “kush” nënkuptohet një maxhorancë e caktuar, e jo një kryeministër i caktuar. Kjo që them, më shumë se sa me teoritë e praktikat politike, ka të bëjë me disa përcaktime tonat kushtetuese, të cilat nuk kanë ndryshuar ende. Në nenin 96 të kushtetutës thuhet, se “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë apo të koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”. Vini re: nuk thuhet, që presidenti emëron në postin e kryeministrit kryetarin e partisë fituese më të madhe, apo njeriun që ka drejtuar fushatën e që u ka bërë premtime zgjedhësve në emër të partisë së vet apo të një kolacioni partish (unë, ashtu si dhe Manjani, nuk do kisha asgjë kundër të ishte dhe kështu, por ja që s‘është). Siç shihet, ndryshimi i nenit 87 është bërë aq ngutshëm, sa nuk kanë gjetur as kohën për të kopsitur e harmonizuar strukturën kushtetuese, e cila për këtë arsye mbetet kundërthënëse e kontradiktore. Kushtetuta jonë pra, kur vjen puna tek zgjedhja dhe emërimi i kryeministrit, vijon t‘i njohë ende në frymë dhe në gërmë një rol qoftë Presidentit të Republikës, qoftë Kuvendit, qoftë shumicave qeverisëse. Ndërsa me ndërhyrjet që janë bërë, ky rol shndërrohet në hiç.

Përtej të gjitha arsyetimeve që mund të bëhen në këtë mes, dy gjëra të lënë një shije veçantërisht të keqe. Dhe tek këto dy gjëra, Manjani nuk ndalet. E para ka të bëjë me nxitimin, me të cilin është vepruar, a thua se po përjetonim ndonjë emergjencë të llojit të Gërdecit. Është shmangur debati politik e publik, i cili në raste të tilla është, jo vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm. Është e papërfytyrueshme që opinioni publik të marrë vesh mbi ndërhyrjet kushtetuese vetëm në ditën që këto ndërhyrje miratohen në parlament.

Kjo gjë nuk ndodhi me ndryshimin e sistemit electoral. Personalisht jam dakord me sistemin electoral të adoptuar, por edhe sikur të mos isha, nuk do ta ngarkoja politikën me faj e me qortime. Nuk do ta bëja këtë, pasi është kompetencë e politikës të bëjë zgjedhjet e veta në rrethanat - kjo është shumë e rëndësishme - e një debati të hapur publik e politik lidhur me këtë çështje. Dua të them se politika ka gjithë të drejtën të injorojë qortimet që u bëhen vendimeve të marra prej saj. Por kur këto vendime amá janë marrë në respekt të ligjeve e të institucioneve të vendit, dhe në kushtet e transparencës së plotë; dmth pas një debati të madh të zhvilluar në sytë e publikut. Është pikërisht kjo gjë, që nuk ka ndodhur. E të mos harrojmë që bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese.

Gjëja e dytë, të cilën e ceka pak më sipër, ka të bëjë me motivimin politik të të ashtuquajturave reforma. Ka vallë motivime politike tek ndërhyrjet kushtetuese në fjalë? Sigurisht, ekspertë si Manjani nuk e kanë të vështirë të bëjnë veshjen juridike e politike të këtyre ndërhyrjeve në Kushtetutë (një pjesë e gjërave që thonë janë absolutisht të vërteta), por ata bëjnë sikur harrojnë apo sikur nuk e dinë, se këto ndërhyrje kanë të bëjnë më së pari e mbi të gjitha me interesat personale politike të Sali Berishës e të Edi Ramës. E gjitha ka qenë një ujdi mes këtyre të dyve. Më saktë, ka qenë një “shkëmbim në natyrë”: Rama mori nga Berisha ligjin elektoral që donte, ndërsa Berisha mori nga Rama liçencën për të qeverisur i qetë në periufdhën post-Gërdec, deri në zgjedhjet e radhës. Ja, kjo është në thelb ajo që ka ndodhur.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente

  1. anonymus thotë:

    1 May 2008 @ 8:46 pm

    Më saktë, ka qenë një “shkëmbim në natyrë”: Rama mori nga Berisha ligjin elektoral që donte, ndërsa Berisha mori nga Rama liçencën për të qeverisur i qetë në periufdhën post-Gërdec, deri në zgjedhjet e radhës.

    Une e kam te paqarte, se si e “la” Rama kete te qeverise?! Ky po qeveris, ka numrat, ka votat! Mbase ne kuptimin qe Rama nuk do jete perdite ne rruge duke hedh Molotove sic bente Saliu?
    Ne qofte kjo, Rama nuk e ka fshehur ndonjehere qe nuk do Politike Barrikadash!
    Apo ne kuptimin qe Rama nuk do e cysi kete punen e Gerdecit ne TV e ne Parlament?
    Ne qofte kjo, atehere Muchi ja fut kot! Rama e ka bere poster ate shperthimin e Gerdecit, bashke me logon; Jeta ne Rrezik, a dicka e tille.
    Muchit me duket i vjen inat qe Sala doli nga rrethimi!
    Edhe mua me vjen inat qe te plas me vjen, por kur shikoj qe rezultati eshte stabilitet i Shqiperise, dhe zhdukja e atyre paraziteve te Dushkut, atehere, them se ja vlen.

  2. Idris thotë:

    1 May 2008 @ 9:14 pm

    Sala i dashur Anonimus eshte i TERI ne GROPEN qe ka hapur ne Gerdec.
    Eshte vete jeta e njerzve qe leviz dhe s’ka njeri kohe te humbase me SALEN dhe JOZIN e shakaxhijte e tjere te Perparimit.
    EDVINIT si kujtedo qe te ishte ne krye te nje levizje OPOZITARE , i eshte “e ndaluar” te marre pjese ne levizje RADIKALE ….te pakten ne kete kohe kur edhe Lefteret bejne thirrje per hir te Autostrades(Ruges Patriotike) qe na lidh me Kosoven si dhe Policeve qe kane parandjere se nuk e ruajne dot me idhullin e tyre me DHUNE Mamurrsiake :( :( :(
    Mos na merzitet Edrus me Mamursiaket :) :) :)
    Si lloi ne lloin e tij , keta artikuj jane per te ushqyer situaten , pra te castit dhe si te tille kane vlera per aq se nuk e lene kujtesen te zere “ndryshk”

  3. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    2 May 2008 @ 10:27 am

    Vini re: nuk thuhet, që presidenti emëron në postin e kryeministrit kryetarin e partisë fituese më të madhe, apo njeriun që ka drejtuar fushatën e që u ka bërë premtime zgjedhësve në emër të partisë së vet apo të një kolacioni partish

    Ne fakt, Fatos, pikerisht ate thote kushtetuta. Thote qe konsultimet i ben me shumicen por jo ne parlament (i pyet qe te mos i shkoje emerimi dem). Pastaj presidenti emeron dhe parlamenti voton. Ndryshe nga rasti i mocionit te mosbesimit te perfundur me shkarkim ku parlamenti voton per te riun (brenda 15 ditesh) dhe PASTAJ presidenti emeron.

    Nese une nuk ke kam kuptuar gabim (se nuk po gjej nje link me ndryshimet) tani e tutje kryeministrit ne shkarkim i jepet mundesia te mbroje veten edhe me “kush je ti kush jam une” dhe “t’ia nxjerri koken gjarprit” perpara se te shkarkohet.

    Ne fakt e kisha kuptuar disi me te rende punen nga shkrimi i manjanit dhe e mora si te qene perderisa edhe perpiqej te mbronte ndryshimet.

  4. B…LI thotë:

    2 May 2008 @ 1:45 pm

    Ç’fare tjeter kane bere Mire PD-PS gjate ketyre 17-te viteve, pervece se te prodhojne situata te tilla per Popullin SHqiptar ku prodagoniste jane po keto dy parti ku njeri eshte shkelesi i ligjeve popullit dhe tjetri shpetimtari i po ketij populli.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.