Na lini të luajmë
Ka një kategori bashkëbiseduesish nga Shqipëria që, herët a vonë në muhabet, do të të thonë: “Këtu do të plasë një ditë”. E kanë fjalën për revoltën popullore kaotike, të ngjashme me atë të vitit 1997 për nga patosi në mos për nga pasojat. Dhe meqë ngjarjet e 11 vjetëve më parë u shkaktuan, në thelb, nga kolapsi i shoqërive financiare ose “piramidave”, ndoshta është vendi të pyetet nëse ka ndonjë dukuri sot që kërcënon t’i ngjajë në përmasa dhe dramë asaj katastrofe, në qoftë se nuk ndërhyhet në kohën e duhur.
Të kërkosh të gjesh se çfarë i ngre masat në revoltë të dhunshme, oqeanike, të papërmbajtur, është punë për kryepolicët, sociologët, filozofët, rrallë e tek historianët. Disa thonë është pamundësia për të vazhduar jetën si më parë, të tjerë bëjnë me faj urinë; në shumë raste, megjithatë, arsyet e menjëhershme janë krejt triviale; ndonjëherë edhe një ndeshje futbolli e arbitruar keq ka mjaftuar. Nuk kam qenë në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990, por mbaj mend se kur punët kishin marrë rrokullimën, gjatë viteve 1989-1990, regjimi Alia u përpoq të qetësonte disi “rininë” duke hedhur në treg disa produkte të dobëta por joshëse, si këpucë atletike plastike, t-shirts, shampo polake dhe të tjera xhingla për aborigjenët. Nëse më kujtohet mirë, te MAPO-ja në Rrugën e Durrësit atletet kineze ose indoneziane i shisnin natën duke u gdhirë, nga një dritarez me hekura në oborrin e pasmë të pallatit. Turmat e grumbulluara në rrethina të dyqaneve ku shpresohej se do të “dilnin” këta artikuj kaq të dëshiruar ishin parapamja e (kundër)revolucionit të cilit i tuteshin aq shumë pashallarët bojë rozë të Alisë; njerëzit u shtynë, u rrahën, u qëlluan me thika, shkelën mbi njëri-tjetrin, thyen, shklyen, pështynë, dhe në fund të këtyre betejave legjendare pak të lumtur arritën të shtien në dorë rruzat prej qelqi.
Muaj më pas, ishin po këto turma meshkujsh të hedhur, të nxirë në diell, me shapka të këputura, të djersitur, të paqethur e të palarë që do të pushtonin oborret e ambasadave; më pas do t’u kacavareshin anijeve të portit në Durrës për të zbarkuar në brigje më të begata; e më pas akoma që do të vërtiteshin hergjele bulevardeve e sokakëve duke kërcyer, kënduar e ulëritur parrulla sipas rastit politike ose ekzistenciale për Saliun, Amerikën dhe James Baker-in. Logjika ta do se po këta investuan shuma të mëdha në skemat financiare, i humbën (natyrisht) të gjitha dhe pastaj ia përmbysën e zhvarrosën themelet institucionale shtetit, duke u futur me tanke në oborre çerdhesh e duke vjedhur topat fushorë nga magazinat e reparteve ushtarake, që t’i hiqnin mënjanë për një ditë të zezë.
Mirë për 100,000 dollarë të humbur nga padija e ndonjëherë grykësia, po a bëhet vallë revolucion për një palë atlete, tha?
Kësaj pyetje m’u duk se ia gjeta një ditë përgjigjen në një përrallëz të Calvino-s, të cilën e pata përkthyer dikur nga një përmbledhje tregimesh përndryshe të pabotuara më parë të atij shkrimtari, e që e pata marrë hua në bibliotekë. Përkthimi – relativisht i lirë – më ka mbijetuar:
Na ishte njëherë një kasaba ku gjithçka ndalohej me ligj.
Gjithçka, me përjashtim të lojës së nëntëshit. Prandaj edhe mileti e kishin bërë zakon të mblidheshin në hijet e avllitë ndanë rrugës së madhe, e ta shtynin tërë ditën e Perëndisë duke luajtur nëntësh.
Dhe meqë ligjet e fermanet ndalimtare ishin shpallur jo bashkë e së toku, po një nga një e me të butë, e përherë me ndonjë sebep të mirë, mosnjeri nuk gjente vjegë per t’u qarë e ankuar, as e kishte zor për t’u mësuar e përshtatur me to.
Kaluan vite e mote. Një dite të bukur, autoritetet e panë se nuk kishte më ndonjë shkak a arsye për t’i mbajtur në fuqi gjithë ato ndalime e pengesa, e dhanë karar të vënë tellallë që t’i jepnin popullit sihariqin e madh: andej e tutje ishin të lirë të bënin ç’të donin.
U lëshuan tellallët nëpër hije e avlli.
“Dëgjoni e mbani vesh, o milet!” thanë, “që sot e tutje nuk ka më gjë të ndaluar! Të merrni frymë lirisht e të rroni edhe ju për së mbari, boll vuajtët e hoqët!”
Mileti, si të mos kishin dëgjuar gjë hiç, vazhduan të luanin nëntësh.
“Morët vesh, apo jo, mor edepsëzë?” u inatosën tellallët. “Që sot e kësaj dite jeni të lirë të bëni si t’jua dojë mideja!”
“E morëm vesh”, thanë mileti, “po na lini tani, se po luajmë.”
Dhanë e morën tellallët që t’u përmendnin e kujtonin sa e sa gjëra e punë e zeje te bukura kishin qenë bërë dikur e qëmoti në kasaba, e që s’kishte pse të mos ngjalleshin e këndelleshin prapë… pa fre e ndalim. Po mileti nuk ua vuri në pullë, të përpirë siç ishin, në ethet e të luajturit.
Panë ç’panë tellallët, e vajtën t’u qahen autoriteteve.
“Si kështu??” u thartuan autoritetet. “Prapë me nëntësh? Mirë atëherë, që sot e tutje s’ka më nëntësh. Nëntëshi ndalohet me ligj!”
Po me të dëgjuar këtë, brofi e u ngrit mileti në këmbë dhe vrau e preu ç’i duall përpara, me tellallë, xhandarë e autoritete.
Pastaj, pa një pa dy, u kthyen e u vunë me ngut të luanin prapë nëntësh.
Tani që e sqaruam edhe pse bëhen revolucionet, dua të kthehem te pyetja në krye të shkrimit: a ka ndonjë dukuri sot në ekonominë shqiptare që kërcënon të shndërrohet në një katastrofë të ngjashme me atë të shoqërive financiare ose të piramidave, gjatë viteve 1990? Kësaj pyetje mund t’i përgjigjen vetëm kolegë që jetojnë në Shqipëri e që i ndjekin zhvillimet e atjeshme drejtpërdrejt, jo nëpërmjet filtrit opak të mediave. Unë vetëm mund të spekuloj e të formuloj, me shumë rezerva, hipotezën se nga gjithë ç’po ndodh sot në ekonominë e atjeshme, ajo veprimtari që u afrohet skemave piramidale për nga natyra e investimit dhe histeria kolektive e pjesëmarrjes është pikërisht ndërtimi, sidomos në zonën bregdetare; sa kohë që shumë ndërtues e investues i janë futur këtij business-i në mënyrë spekulative, të joshur kryesisht nga fitimet e atyre që kanë ndërtuar më parë, dhe të paaftë për të kuptuar se, sa më shumë që ndërtohet e sa më shumë shtohet kubatura në dispozicion të shqiptarit, aq më e afërt është dita kur e gjithë kjo fidanishte prej tullash e çimentoje, njëlloj si ajo tjetra 11 vjet më parë, do të shembet nën peshën e vet dhe Shqipëria do të mbushet me gërmadha që s’patën fatin të gëzonin as edhe një ditë të vetme si ndërtesa.
Ndonjë mendim nga kolegët?


25 Prill 2008 @ 10:50 pm
Xha xhai
Pervec ekonomise, ne Shqiperi ka nje tjeter bombe me sahat qe askush nuk e merr ne konsiderate. Mungesa e edukim shkollimit te brezite te ri. Pa u futur ne perrarra filozofike e endrra rilindasish, a e mendoni se si do te fitojne leket per te jetuar nje brez qe po rritesh Bathoresish, Lanabregasish, Breglumasish a qofte edhe Gerdecaresh. Duke mos pasur aresimim si do mund te gjejne nje pune te ndershme me te ardhura te mjaftueshme, si do te mundin te ingranohen ne nje shoqeri te civilizuar.
Shtoji dhe kulturen e dhunes, bosllekut e prostitucionit qe po propagandohet perdite ne Shqiperi, sa % e tyre mendoni ju se do te pranojne te vdesin ne moshen 18 vjecare si poeti Piro Kuqi.
Erozioni i kriminalitetit afatgjate i kesaj gjenerate do te jete me i demshem se cdo eksplozion ekonomik. Dhe ata do te jene banditet, ndersa viktimat do te jene te gjithe ato qe kane vene ndonje lek ne menyre te ndershme, e qe s’kane bodigarde qe te ruajne kalamajte.
Ju kujtohet kur Ramiz Alia beri amnisti dhe i nxorri edhe hajdutet nga burgu, dhe u tha se Partia u jepte nje shans te dyte qe te ktheheshin e te jetonin ne shtepite e tyre e te ktheheshin ne punet qe kishin pasur?
Kur arrestuan nje hajdut duke vjedhur perseri pas nja dy muajsh, dhe e pyeten ne polici se pse nuk perfitoi nga amnistia qe te behej njeri per se mbari, ai u pergjegj: “Shoku Ramiz na tha qe te ktheheshim tek jeta dhe profesionet e mepareshme. Por une edhe me perpara hajdut kam qene.”
27 Prill 2008 @ 12:49 pm
Xha xhai, nuk eshte puna tek betonizimi i bregut te detit, se po te shohesh plazhin e Belgjikes 72 km i gjate, puthiten qytezat me njera-tjetren. Pra ti futesh ne nje plazh, sheh hotele e pallate, hecen si shetitje per ti nxjerre fundin ketyre ndertesave, per te pare nje pjese pa beton, por sapo mbarojne ndertesat (e fundit mund te jete pak si e veçuar) ti sheh fillimin e plazhit tjeter me ndertesa. Puna eshte tek ndertesat qe jane ngritur mbi rere, qe e kane ngushtuar plazhin si ne Durres. Puna eshte dhe tek ngushtimi i hapsirave per te lozur kalamajte si ne Tirane. Dikur ne kalamojt e Tirones, kishim gjith ato fusha, ndersa femijet e sotem ju duhet te shkojne ne parqe private per tu argetuar.
Peshku Fluturues, mungesa e edukates tek brezi i ri eshte vertet nje fatkeqesi kombetare.
28 Prill 2008 @ 12:28 am
Nje tjeter mbret kishte ndaluar qe ne pazar te mos shiteshin thana dhe kastraveca. Por nje dite u kapen dy fshatare qe e benin kete pune si puna e hashashit sot.
I thirren tek mbreeti dhe ky u dha denimin e merituar. Besoj e dini mire pse qeshte ne mesin e denimit ai qe u kap me thana.
28 Prill 2008 @ 3:51 am
egizston xha-xha
me keto ndertimet eshte ndertuar nje piramide qe duhet ta kene zili ato te ‘97
shumica e ndertimeve te shitura jane te pa hipotekuara. teknikisht njerezia kane paguar per shtepi dhe po jetojne ne kantiere. Sapo te filloje te aplikohet falimentimi ne shiperi do te behet nami.
Nese une nuk gaboj, nese ndertuesi falimenton, gjithe ato qe quajme shtepi por qe jane kantiere (per sa kohe nuk kane leje shfrytezimi dhe qe nuk jane prone e atij qe i ka paguar per sa kohe nuk hipotekohen) duhen likujduar (shitur) dhe parate shperndahen sipas rradhes se preferences ligjore (punetoret, shteti, etj etj, porositesi).
Shume banka kane pranuar si kolateral ndertesa te pa hipotekuara dhe do te terhiqen ne vorbull. Nese kerkon nje tregues mjafton te kujtosh qe nje si shoqate e prodhuesve te betonit vendosi te publikoje listen e ndertuesve qe nuk paguajne. mjafton edhe te pyesesh se sa eshte perhapur apartamenti si mjet pagese nga ndertuesit (jo vetem kur korruptojne politikanet).
p.s. Te gjitha keto i shtohen asaj qe xhaxhai thote me lart (po ndertohet per nje treg te ngopur)
28 Prill 2008 @ 11:15 pm
amani mos ma thoni kete fjale se do vras veten!
29 Prill 2008 @ 8:47 pm
Gene shume vezhgim i mire Zoti na ruajt po ke te drejte Piramidat e reja qe ata qe bene 97 do ti kene zili
1 Maj 2008 @ 9:57 pm
Ligji i ri per procedurat tatimore (dashte zoti i therresin mendjes) me nenin 104 do te rendoje jashtezakonisht gjendjen
Fillimi i procedurave te falimentimit
1) Administrata tatimore kerkon ne gjykate fillimin e procedures se falimentimit per tatimpaguesit shoqeri tregtare qe:
…
c) deklarojne rezultat me humbje per te pakten tre vite rresht;
..
3) Mosfillimi i procedures se falimentimit … perben shkelje disiplinore.
1 Maj 2008 @ 10:15 pm
Tani une po ju jap nje shembull konkret qe me prek dretjperdrejt
Aty ku kam blere nje shtepi (ne fakt ishte pjese e shembimit per shtepine e vjeter) ndertuesi prej 5 vitesh nuk arrin te mbaroje ndertimin per shkak se ngjitur me pallatin eshte bere nje ndertese pa leje (bravo u qofte se ata punesojne njerez aty) qe nuk lejon te behen ballkonet nga ai krah (jane hekurat jashte).
Tani qe ai ndertimi pa leje legalizohet …
Sigurisht qe ne keto kushte bashkia nuk e quan te perfundur, nuk jep lejen e shfrytezimit e rrjedhimisht nuk mund te behet hipotekimi e kalimi i pronesise (kontrata e sipermarrjes nuk eshte titull pronesie por “titull kredie”)
Ky ndertuesi, ngase ishte disi i paafte apo dembel nuk ka bere ndertime te tjera dhe per sa kohe nuk ka bere dorezimin e pallatit (hipotekimin) eshte i detyruar te kete te beje me administraten tatimore. Sigurisht qe ne keto kushte rezultati i tyre me humbje do te deklarohet (sikur edhe vetem rrogen e percaktuar me ligj te administratorit te llogaritesh apo vetem taksat e ndryshme ne sasi fikse).
Nese ky ligj i ri hyn ne fuqi, inspektoret tatimore jane TE DETYRUAR ta kalojne per falimentim. Falimentim do te thote likujdim (shitje tek te trete ne ankand) dhe shlyerje te detyrimeve sipas rradhes ligjore me parate qe mbeten.
Ne praktike … merre me long se mishi maroi
Mendo se sa raste te tilla apo te ngjashme ka ne shqiperi ne keto momente dhe qe as nuk llogariten fare.
p.s. Me e bukura eshte se ketij ndertuesit i ka lindur ne zemer deshira per te shtuar edhe nje kat lart per vete dhe nuk e rr.an fare per faktin se kjo do te pengoje me teper proceduren e hipotekimit e aq me pak per faktin se taraca eshte (ligjerisht) ambient i perbashket njelloj si shkallet. Them kete per te treguar shkallen e papergjegjshmerise se ndertuesve ne shqiperi.
1 Maj 2008 @ 10:19 pm
Tani, une nuk do te shkruaj e as do te flas me per kete teme derisa te kem shitur ate shtepine aty per te blere nje nga ato te vjetrat te kohes se komunizmit qe per momentin jane i vetmi investim i sigurte ne shqiperi (vetem ato mund te quhen prone e patundshme)