Login



Register

Muzika e revoltës

Dy javët e para të Peshku Playlist, ju sollëm muzikë të qetë. Me sugjerimin e Dorit, këtë javë të tretë po e ndryshojmë ritmin duke paraqitur një playlist mbi revoltën. Në historinë e muzikës botërore dhe (mbase pak më pak) asaj shqiptare, dëshira për një botë më të mirë, më të drejtë e më të lirë ka pasur gjithmonë një kolonë zanore, sidomos gjatë periudhave kyce. Pa pretenduar të përfaqësojmë të gjithë gamën e këngëve të protestës, lista më poshtë kombinon këngë frymëzyese klasike dhe bashkëkohore.

NR - Raptishizëm
I kërkoj falje Dorit që këtë listë po e hap me këtë krijim të pazakontë e vulgar të grupit hip-hop nga Prishtina, NR. Po s’mund t’a lija pa e përfshirë, sepse për mua kjo është klithma më e fortë e muzikës shqiptare të viteve të fundit kundër marrëzivë politike e sociale që po përjetojmë. Teksti është thellësisht kosovar, e njëkohësisht, një pjesë e mirë e tij i flet direkt dhe Tiranës. Dhe, më tej, ndryshe nga pacavuret kopjace e banale të hip-hopit shqiptar në përgjithësi, kjo këngë përfaqëson denjësisht një zhanër muzike që lindi si protestë.

Bob Marley - Burnin’ and Lootin’
Dori më sugjeroi një këngë tjetër nga Bob Marley, por unë zgjodha këtë për dy arsye. E para, sepse është relativisht e panjohur, sidomos në krahasim me 5-6 këngë tejet popullore të xhamajkanit. E dyta, sepse e kam dëgjuar për herë të parë të përdorur në filmin La Haine (Urrejtja) të regjisorit francez Matthieu Kassovitz, film që proteston ndaj trajtimit të emigrantëve në periferitë e Parisit. Filmi, i bërë rreth 1995-ës, parashikoi përplasjet e viteve të fundit në Francë mes emigrantëve dhe policisë. Kënga e Marley-t e hapi filmin, duke shoqëruar regjistrime reale protestash (shiko kete klip).

The Who - Baba O’Riley
Nuk di të them shumë mbi këtë këngë (mbase Dori më ndihmon tek komentet), por kur e dëgjova për herë të parë m’u duk sikur e kisha dëgjuar më parë. Kjo sepse me shumë gjasa e kam dëgjuar më parë duke qënë se është nga këngët më popullore, si në stacione radioje rocku ashtu edhe në skena protestash në dokumentarë apo filma.

The Clash - Revolution Rock
Anglezët e Clash mbahen si inisiatorët e parë të punk-ut, një subkulturë akoma e gjallë nëpër qytete anglo-amerikane që ka si ide kryesore rebelimin ndaj normave të zakonshme të bukurisë dhe sjelljes në shoqëri. Si shumë liri të tjera, edhe punk-u lindi në epokën e artë të revoltës, në vitet 60.

Rage Against The Machine - Wake Up
RATM janë nga të paktat grupe muzikore të viteve 90 që ishin të lidhura ngushtë me protestën. Ndërsa MC Hammer dhe La Bouche bënin namin nëpër renditje botërore, RATM shërbyen si frymëzim për të studentët aktiviste amerikano-veriorë që protestuan tregtinë e lirë në Seattle dhe Quebec City. Kjo këngë është vecanërisht interesante për një arsye tjetër: ishte kënga që mbylli filmin The Matrix, film që interpretohet gjerësisht si kritikë e sistemit modern kapitalist.

Anti-Flag - Angry, Young and Poor
Këtë këngë e dëgjova për herë të parë pas sugjerimit të Dorit, dhe nuk di shumë mbi grupin. (Dor, duhet prapë ndihma jote.)

Creedence Clearwater Revival - Fortunate Son
Një nga arsyet kryesore pse kjo listë ka jo pak këngë të vjetra është sepse këto këngë kanë patur rol shumë të rëndësishëm historik në shoqëri (e jo vetëm në muzikë). Eshtë e rrallë të gjesh sot muzikë që të përfaqësojë sentimentin publik sic e përfaqëson kjo këngë e këtij grupi amerikan që denoncon “fëmijët e përkëdhelur” të senatorëve që kishin fatin të evitonin draftin për luftë.

Bob Dylan - Masters of War
E meqë po flasim për histori, është e detyrueshme t’i japim respektet një nga zërave më revolucionarë të viteve 60-70. Nga Dylan mund të kishim zgjedhur shumë këngë, por kjo është boll e mirë. Si kënga e mëparshme e CCR, Dylan i drejtohet “dirigjentëve të luftës”.

Dave Matthews Band - Cry Freedom
“Qaj Liri” është një këngë që kërkon barazi, nga Dave Matthews, icili lindi në Afrikën e Jugut dhe jetoi atje gjatë fëmijërisë. Shumë kritikë muzike argumentojnë se kjo këngë është e frymëzuar direkt nga përpjekjet dhjetravjecare të afrikano-jugorëve për barazi ndërmjet njerëzve të racave të ndryshme.

Neil Young - Rockin’ in the Free World
Kjo këngë klasike rock e kanadezit Neil Young është nga të paktat këngë që rezonojnë fort me situatën politike në botë sot. E shkruar fillimisht si kritikë ndaj politikave amerikane të viteve 80, sot, kjo këngë është e përshtatshme dhe për kritika të politikës amerikane post-9/11. (Nje detaj i vogel: kur e kendoi tek Saturday Night Live kete kenge, Neil Young u stervit me trajner 1 ore perpara shfaqjes qe te ndihej fizikisht me te njejten sasi energjie qe do te kishte pasur sikur te kishte qene ne koncert per 2 ore. Rezultati beri shume buje.)

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

16 Komente

  1. 103whispers thotë:

    11 December 2007 @ 3:19 pm

    he he te muzika e revoltes na mungokan gnr?!!! how come!
    une do te propozoja “garden of eden” dhe “civil war”

  2. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    11 December 2007 @ 3:47 pm

    1 nder 100 mjeke rekomandon “Wake Up” nga RATM cdo mengjes per dite pa stres. :P

  3. 103whispers thotë:

    11 December 2007 @ 4:36 pm

    madje madje tani qe e mendoj shume mire do te qendronte ne kete playliste edhe territorial pissings
    http://www.youtube.com/watch?v=d_UQWjx3HRo&feature=related

  4. Dori Shkruaji mesazh privat thotë:

    11 December 2007 @ 4:56 pm

    Faleminderit Penar, se kishe bërë dhe punën time :) Për sa i përket disa nga këngëve:
    Baba O’Riley - kjo është këngë klasike që flet për të rinjtë, por ka të bëjë në përgjithësi me mosbërjen (inaction) kur duhet të bësh diçka, në një botë me probleme. Për fat të keq është përdorur në reklama dhe programe të tjera (CSI), por megjithatë nëse njerëzit njihen me Who-t në një mënyrë apo tjetrën mirë është.
    Këngët e RATM janë të gjitha për revoltë :) Edhe unë u mundova të zgjidhja një por s’mundesha.
    Anti-Flag janë një grup punk nga Pittsburgh që shprehin idetë e tyre nëpërmjet këngëve në mënyrë fare të qartë. Janë kundër luftrave, kundër politikanëve që s’bëjnë gjë, kundër patriotizmit të rremë, për të drejtat e kafshëve, etj. Shumicën e albumeve i kanë lëshuar nën kontratë me kompani të vogla dhe të pavarura, por nga 2006 dolën tek RCA. Më duket se kanë luajtur në koncerte edhe me RATM. Janë pak si tepër të majtë dhe duket tek disa nga fjalët që përdorin, por megjithatë mua më pëlqejnë ndonjëherë :) Kënga në fjalë është për të rinjtë që ndihen se janë lënë mënjanë nga shoqëria.

    P.S. Për Clash preferoj zgjedhjen time :) Know Your Rights (Njihni të drejtat tuaja) http://youtube.com/watch?v=nPeWSpB_7w4

  5. Altin Goxhaj Shkruaji mesazh privat thotë:

    11 December 2007 @ 6:25 pm

    Muzika deri dje ishte muzike proteste e cila frymesoi revolucionin rinor ne 68. Kjo solli edhe viktimat e veta ku me domthenesit jane John Lenon dhe Jimi Hendrix te ciet u vrane ne rrethana te dyshimta dhe kishin deklaruar qe kishin frike se do ti vrisnin per pikepamjet e tyre politike. pasi u hoqen pengesat e lidereve te muzikes, filloi komercializimi i muzikes ne vitet 80 qe koincidoi me hapjen e MTVse dhe muzika u kthye nga shprehje idesh artistike ne nje mall vulgar seksual biznesi te zakonshem dhe per pasoje rinia e sotme po transformohet pak nga pak ne brezin me injorant te gjithe dekadave te kaluara. Sot muzika perbehet jo me nga vlerat artistike por nga lajmi se Britni spears doli pa breke, Elton John u martua me burrin e vet, Sisscior sister po gjujne per futbollista, etj. etj.

  6. kolektiviza thotë:

    12 December 2007 @ 2:29 am

    pen,

    me gjen dot vargjet e kenges se NR-s

    kesaj liste shume mire do ti shkonte dhe nje tjeter grup kosovar Jericho.

  7. Penar Musaraj Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 December 2007 @ 6:34 am

    S’ti gjej dot, fatkeqesisht. I kam kerkuar dhe per vete, pa sukses.

  8. Dori Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 December 2007 @ 6:58 am

    fjalët?

  9. Penar Musaraj Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 December 2007 @ 7:06 am

    Rrofsh, Dori.

  10. tropizma Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 December 2007 @ 10:52 am

    E bera dhe detyren e degjova listen 3 here….. dhe nuk jam fare gati per revolucion po per kete pergjegjesine nuk po ja le te gjithen penarit :)

    FLM per rage dhe who dhe dave dhe per gjithe kontornot qe ne nje tavoline tjeter do te ishin pjata kryesore por jo tani jo ketu ne krevatin tim. Kam pikepyetje per raptusushet por me pelqen shume guximi.

    Kjo ideja e listes eshte SHUME e mire dhe po pres kontributin e Llukanit ;)

  11. gjergji Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 December 2007 @ 3:52 pm

    Rapitishtizem eshte qamet e bukur.

  12. tropizma Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 December 2007 @ 9:00 am

    Penar ka 3 net qe shkruaj per Afriken (sa e madhe paska qene kjo Afrika mer!!) dhe fap me shfaqet ‘Cry freedom’ dhe une perqendrohem, i shoh me neveri fjalet e mia te teperta dhe.. Falemnderit per kete.

  13. Parrulla Armiqesore Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 December 2007 @ 9:33 am

    Un spo i gjej fundin Egjyptit ….

    dhe ne fryme te kesaj liste ju pershendes me Natacha Atlas

    http://www.youtube.com/watch?v=1g6oz0KdNG8

  14. INA thotë:

    13 December 2007 @ 8:34 pm

    Liste e kendshme.
    Personalish do t’i shtoja;
    The Doors-Break on Through (To The Other Side)
    apo,
    Amy Lee, Seether-Broken

  15. bebe thotë:

    13 December 2007 @ 11:27 pm

    “Wind of change”

  16. Cajupi_junior Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 December 2007 @ 3:04 pm

    Ajo…Muzika, qe nuk hubet..kurre..!

    Prej se ciles fjalet ushqeen
    ato te cilat ndjenjat lindin,
    si ajo Dashuri e Re, qe lulezon
    qe mua ne “Kaos” me drejton
    me ben te ndihem lart ,mbi Re.. te fluturoj
    gje te cilen, vetem- ajo mund ta sqaroj !

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.