Monitorimi i buxhetit të shtetit 2008

Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë – Soros (OSFA), në bashkëpunim me nëj grup ekspertësh të ekonomisë, në mjediset e Hotel Tirana Internacional (Salla e Kuqe), zhvilluan një konferencë shtypi ku u bë prezantimi i raportit të dytë i projektit “Monitorimi i buxhetit të shtetit 2008”.
Projekti “Monitorimi i buxhetit 2008” i financuar nga fondacioni “Soros”, ka nisur në janar 2008 dhe do të përfundojë në prill të vitit 2009. Qëllimi i tij është studimi, analiza dhe bërja publike e procedurave ligjore të buxhetit, efektivitetit të përdorimit të fondeve, njohjes dhe transparencës së procesit nga publiku i gjerë.
Raporti i dytë ka për qëllim të prezantojë realizimin e Buxhetit të Shtetit sipas ministrive dhe sektorëve prioritarë për katër mujorin e parë të vitit 2008. Pjesë të këtij raporti janë gjithashtu analiza e zhvillimeve makroekonomike të 4- mujorit të parë dhe rrisqet që kërcënojnë zhvillimet e këtij viti, analiza e realizimit të treguesve fiskalë dhe problematika e realizimeve apo mos realizimeve përkatëse. Në mënyrë të veçantë, raporti prezantoi për publikun, situatën e realizimit të shpenzimeve buxhetore për disa nga ministritë më të rëndësishme dhe problematika që shoqëron këtë proces.
Në këtë projekt fondacioni “Soros” angazhoi një numër ekspertësh nga më të mirët në vend, si Adriana Berberi, Gjergj Teneqexhiu, Selim Belortaja, Eduart Prodani, Olta Milova, Arieta Abazi.

RAPORTI PËRMBLEDHËS

Pas rritjes me 6% në vitin 2007, prodhimi i përgjithshëm, pritet që të ruajë të njëjtin ritëm edhe në vitin në vazhdim. Përsa i përket inflacionit shpresohet që ai, për vitin 2008, të mbahet në nivelin mesatar prej 4%, por me kusht që, siç vuri në dukje misioni i fundit i FMN “… të evitohen presionet e brendshme ndaj kërkesës”dhe të aplikohen “…politika të matura buxhetore dhe monetare”.

Ndërkohë që PBB-ja rritet me ritme të kënaqshme dhe pak a shumë të qëndrueshme, sektorë të veçantë të ekonomisë, shfaqin luhatje të ndjeshme. Shqetësuese është situata me ritmet e rritjes së prodhimit bujqësor, ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë së vendit dhe ku ndodhet edhe pjesa dërmuese e të varfërve.

Problem i mprehtë dhe kërcënim për stabilitetin makroekonomik e atë fiskal mbetet situata në sektorin e energjisë elektrike, ndërkohë që KESH duket se nuk po ja del dot t’i përgjigjet asaj. Mangësia kryesore lidhet me energjinë e papaguar.
Megjithatë, me ecurinë aktuale te kesaj korporate, humbja indirekte e financave publike do të shkojë në rreth 1.4 përqind të PBB-së. Kjo është më shumë se gjysma e shpenzimeve publike për shëndetësinë dhe thekson nevojën urgjente për masa korrigjuese.

Mbështetur në parashikimet afatshkurtra, rezulton se inflacioni do të vazhdojë të luhatet në nivelet aktuale edhe gjatë muajve në vazhdim, duke ruajtur nivelin mesatar prej 4%.

Gjatë muajve të parë të vitit 2008, zhvillimet fiskale dëshmojnë për një ecuri të kënaqshme të grumbullimit të të ardhurave buxhetore. Ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë lidhur me shpenzimet, ku veçanërisht shpenzimet kapitale, dëshmojnë një nivel realizimi shumë shqetësues.

Ne vlerësojmë, se shqetësimi i ngritur, nga ana jonë veçanërisht në diskutimin e raportit të parë, u bë pjesë e axhendës së diskutimeve të Misionit të FMN-së me Qeverinë, duke kërkuar nga kjo e fundit që të bëjë korigjimet e nevojshme në buxhet dhe veçanërisht në kufirin e deficitit në raport me PBB-në, i cili nuk duhet të kalojë 5.2 % të tij.

Duke qenë se disa rreziqe fiskale mbeten, si kosto e lartë e rrugës Rrëshen-Kalimash, mungesa e vlerësimeve të sakta të vlerës totale të projektit, situata e aspak e favorshme financiare e KESH-it, kostot suplementare për të përballuar situatën e post Gerdecit, në këtë rast i rekomandojmë, Ministrisë së Financave të mendojë seriozisht, për të mbajtur fondet të mjaftueshme kontigjence.

Analiza e treguesve fiskale të 4-mujorit të parë, evidencon një realizim të kënaqshëm të të ardhurave buxhetore. Mbështetur në të dhënat e thesarit, në total të ardhurat buxhetore, janë realizuar në masën 103.5% ose në vlerë absolute, rezulton me një tejkalim për rreth 2.7 miliard lekë. Natyrisht kontributin kryesor, në realizimin e të ardhurave buxhetore, e kanë të ardhurat e realizuara nga administrata fiskale, e cila për periudhën e 4 mujorit të parë të vitit 2008, rezultojnë me një realizim prej 105,2%, ose 3.9 miliard lekë, më shumë se objektivat e vendosura nga Ministria e Financave. Duke analizuar realizimin e objektivave nga administrate tatimore e doganore së bashku, vërejmë se, këto administrata i kanë tejkaluar objektivat e tyre, për rreth 5.3 miliard lekë, ose 9,3 % më shumë se plani i kësaj periudhe.

Tatimi i Vlerës së Shtuar është realizuar në masën 108 % ndërkohë që nga mos realizimi i të ardhurave nga Akciza është krijuar një deficit mbi 1 miliard lekë, kur normalisht këto dy lloj tatimesh duhet të jenë më të konsoliduarat. Ndërkohë taksa nacionale realizohet vetëm në masën 80 % ose 1,3 miliard lekë më pak se objektivat e kësaj periudhe.

Në këtë rast i gjithë tejkalimi, është pasojë e tejkalimit të tatim fitimit dhe tatimit mbi të ardhurat personale. Në gjykimin tonë por edhe me konsultë me ekspertë fiskalë, tejkalimi i këtyre dy lloj tatimesh respektivisht 150% dhe 170 %, është rezultat:

• I parashikimeve jo realiste për 4 mujorin e parë
• Arbitraritetit në përcaktimin e detyrimit për tatim fitimin
• Rimbursimi i diferencës së tatimit fitimi nuk është realizuar tërësisht
• Efekti i taksës së sheshtë dhe shtrirja e bazës së tatueshme edhe për ato shtresa që deri dje nuk paguanin këtë lloj tatimi
• Si dhe vendosja e pagës referuese për efekt kontributesh dhe tatimi.

Tejkalimi i taksës doganore dhe TVSH, nga Administrata Doganore është sa i lidhur me rritjen e vëllimit të importeve ashtu edhe ndikimin në rritje që ka patur kursi i këmbimit të Euro/ALL por edhe me zgjerimin e aplikimit të çmimeve të referencës në llogaritjen e transaksionit doganor.

Në se do të analizonim ecurinë e çdoganimeve për mallrat e forta do të shikojmë se janë përkeqësuar treguesit për importin e cigareve ashtu si dhe trendi i importit të karburanteve nuk pasqyron rezultate në luftën kundër kontrabandës. Ajo që bie në sy është pikërisht trendi i mesatares së çdoganimit si katërmujore, ku në se ritmi i rritjes ka qenë gati 4 mijë ton karburante, në katërmujorin e parë të këtij viti shtesa është vetëm 1 mijë ton apo si sasi 4 mijë ton nga 15 mijë në periudhat e mëparshme. Në vitin 2007, janë çdoganuar rreth 453 ton cigare më pak se në vitin 2005, si dhe mesatarja mujore ka shënuar zbritje nga 327 ton/muaj në vitin 2005 ka rënë në 285 ton/muaj në vitin 2008.

Analiza në strukturë e realizimit të të ardhurave evidencon edhe deviacione të tjera. Vazhdojnë të mos realizohen të ardhurat nga ndihmat dhe grantet, pavarësisht se pesha e tyre specifike është relativisht e ulët. Si 4 mujor ato janë realizuar vetëm 26.7 %, ndërsa në krahasim me planin vjetor vetëm 5.2 %. Nga ndihmat dhe grantet janë parashikuar të hyjnë në buxhetin e shtetit rreth 4.7 miliard lekë.

Me mos realizim në total paraqiten edhe të ardhurat nga Pushteti Lokal. Për periudhën ato janë realizuar 83 %. Edhe në këtë grupim vihen re deviacione të mëdha. Në se të ardhurat nga biznesi i vogël janë tejkaluar me 62.23 %, të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë dhe taksat lokale janë realizuar respektivisht vetëm me 47.9 % dhe 70.9 %. Për pjesën e mbetur të vitit mendojmë se përpjekjet e organeve të pushtetit vendor duhet të fokusohen veçanërisht në arkëtimin e të ardhurave nga tatimi mbi pasurinë i cili përbën burimin më të madh të të ardhurave veçanërisht për bashkitë e mëdha si dhe nga aplkimi i skemave në partneritet me sektorin privat që garantojnë shërbimin e mbledhjes së tatimeve nga qytetarët.

Shpenzimet e personelit janë realizuar 100.3%. Shpenzimet për interesa në total janë realizuar 97.54 % por vihet re një ndryshim në shpenzimet e huamarrjes së brendshme në krahasim me huamarrjen e huaj. Pavarësisht se deficiti për periudhën është shumë më i ulët se parashikimi, kjo për arësye të mos realizimit të shpenzimeve për rreth 12.7 miliard lekë, kosto e huamarrjes së brendshme është rritur si rezultat i ndikimit të rritjes së inflacionit (rritjes së normave të interesit nga BSH). Por nuk është plotësisht e shpjegueshme, mos realizimi i shpenzimeve për huamarjen e huaj, zë i cili është realizuar vetëm 52 %. Komenti ynë, në këtë rast do të nënvizonte faktin se planifikimi i kostos së interesave mbi bazën e një database të hartuar mirë, do shmangte deviacionet e vëna re vitet e fundit midis nivelit të planifikimit dhe realizimit të këtij treguesi.

Në mos realizimin e shpenzimeve ndikim ka patur edhe mos realizimi i shpenzimeve operative, të cilat për periudhën e 4-mujorit janë realizuar vetëm 70.7 % (ose 2.3 miliard lekë) si edhe mos realizimi i subvencioneve të cilat janë realizuar në masën 49 %.

Shpenzimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore janë realizuar rreth 98 %.

Në grupin e shpenzimeve të tjera të cilat janë realizuar në total rreth 86 %, bie në sy realizimi i ulët i pagesës së papunësisë 82 % si dhe mos vënia në funksionim e skemës së trajtimit të të përndjekurve politikë dhe e kompesimit të energjisë elektrike për familjet në nevojë. Fondi i parashikuar për financimin e këtyre dy skemave është totalisht i pa përdorur si 4 mujor respektivisht 500 dhe 350 milion lekë. Ka ministri dhe institucione të cilat e kanë konsumuar brenda 4-mujorit planin vjetor të konsumit të energjisë elektrike, gjë që sinjalizon për borxhe të reja edhe të institucioneve publike ndaj KESH- sh a.

I pa përdorur është edhe fondi për “Mbështetjen e shoqërisë civile”, i planifikuar në këtë buxhet 150 milionë lekë. Akoma nuk është ndërmarrë asnjë hap për hartimin e kuadrit ligjor për mënyrën e përdorimit të tij, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 8 të Ligjit “ Për buxhetin e shtetit të vitit 2008.

Analiza sektoriale evidencon probleme të mprehta në realizimin e shpenzimeve dhe vecanërisht të investimeve. Me këtë ritëm realizimi vihet në pikëpyetje plotësimi i objektivave të buxhetit të vitit 2008 që lidhej me dyfishimin e tyre si dhe niveli i manaxhimit të shpenzimeve publike, në se do të “lejohet” të përsëritet tendenca e vitit të kaluar që vetëm në muajin dhjetor u financuan gati 50 % e planit vjetor të investimeve.

Ministritë e marra në analizë konfirmojnë një shkallë të ulët të realizimit të investimeve, e më konkretisht:

Ministria e Shëndetësisë 2.2 % të planit vjetor
Ministria e Arsimit 6.3 % të planit vjetor
Ministria e Transportit dhe Punëve Publike 8.3 % të planit vjetor.

Analiza e detajuar e investimeve me objekte paraqet vështirësi, mbasi akoma nuk është vënë në funksion projekti i thesarit, shpresojmë që me vënien e tij të plotë në funksionim të rritet transparenca dhe mbi këtë bazë edhe analiza.

Pavarësisht raportimeve për detajimin e plotë të planit, analiza e detajuar për ministritë e marra tregon se ato jo gjithnjë janë detajuar dhe se për shumë nga politikat ministritë ose mbajnë rezerva të cilat i tejkalojnë nivelet e 25 – 30 % ose nuk i kanë të qarta ecuritë e tyre me objekte.

Fondet e pa detajuara apo edhe të ngrira janë rreth 2.7 miliard lekë vetëm për Ministrinë e Transportit, 450 milion lekë për Ministrinë e Arsimit, rreth 190 milion lekë për Ministrinë e Shëndetësisë etj

Referuar evidencës së rialokimeve të MoF, vërejmë se gjatë 4 mujorit të parë të vitit, ka patur shumë kërkesa nga ministritë sektoriale për ndryshimin e planit fillestar si dhe deviacione jo të vogla në raport me planin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave në Kuvend mbi bazën e të cilit ky i fundit miratoi edhe programin financiar të vitit 2008.

Vetëm Ministria e Transportit dhe Punëve Publike ka paraqitur 17 shkresa për ndryshime fondesh, të cilat përmbajnë mbi 340 rialokime në objekte të ndryshme. Kërkesat për ndryshime janë të hershme, që në ditët e para të shkurtit dhe të shpeshta, disa herë edhe në harkun e dy apo tre ditëve.

Duke analizuar në mënyrë të hollësishme të dhënat si më sipër vërejmë se:

1. Planifikimi i programit të investimeve veçanërisht për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nuk ka qenë i mbështetur dhe realist. Programi i investimeve nuk është mbështetur në projekte të dezinjuara mirë. Për këtë dëshmojnë deviacionet dhe rialokimet e fondeve krahasuar me projektin fillestar për të cilën është shprehur Kuvendi.

2. Ka një lloj pasigurie në realizimin e projeksioneve makroekonomike e veçanërisht të të ardhurave fiskale që reflektohet në ngrirjen e fondeve në disa projekte të rëndësishme të infrastrukturës, megjithëse është e rëndësishme të theksojmë faktin se çfardo që të jenë arsyet që shtynë MoF, për ngrirje fondesh, kjo praktikë bie ndesh me legjislacionin tonë dhe me standartet ndërkombëtare. (Kodi i Transparecës dhe Praktikave të Mira, IMF).

3. Rialokimet e programit të investimeve, që në 4 mujorin e parë të vitit kryesisht drejtohen në favor të segmentit rrugor Kalimash – Rrëshen, por në “dëm “ të projekteve të tjera të rëndësishme si Qafë Plloçë- Korçë, rruga Transballkanike etj. Nga ana tjetër rialokimi i fondeve për segmentin rrugor Durrës-Kukës, megjithë rëndësinë strategjike që ka kjo vepër, thellon “hendekun“ dhe dispropocionet që janë vënë re që në planfikimin e programit të investimeve dhe që ishin objekt i raportit të parë.

4. Rialokimet e fundit në favor të segmentit rrugor Kukës Durrës rikonfirmojnë gjetjen e raportit që ende nuk ka një vlerë të plotë të kësaj vepre dhe se vazhdohet të punohet mbi baza të një “planifikimi afatshkurtër, javor dhe mujor, dhe jo me projekt të plota e afatëgjatë.

Të gjitha çka u trajtuan më sipër evidencojnë një problem i cili duhet të trajtohet me shqetësim dhe seriozitet – në jemi larg standarteve të kërkuara për një manaxhim të mirë të shpenzimeve publike. Përvoja dhe standartet më të mira vlerësojnë jo thjesht mbledhjen e te ardhurave por mënyrën e shpenzimit të tyre.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. gene thotë:

    17 June 2008 @ 1:41 am

    Beterr fare dmth!

    na jep edhe nje lidhje me studimin e plote alisa. Qe te shohim si kane arritur ne keto perfundime.

    Në këtë rast i gjithë tejkalimi, është pasojë e tejkalimit të tatim fitimit dhe tatimit mbi të ardhurat personale. Në gjykimin tonë por edhe me konsultë me ekspertë fiskalë, tejkalimi i këtyre dy lloj tatimesh respektivisht 150% dhe 170 %, është rezultat:

    • I parashikimeve jo realiste për 4 mujorin e parë
    • Arbitraritetit në përcaktimin e detyrimit për tatim fitimin
    • Rimbursimi i diferencës së tatimit fitimi nuk është realizuar tërësisht
    • Efekti i taksës së sheshtë dhe shtrirja e bazës së tatueshme edhe për ato shtresa që deri dje nuk paguanin këtë lloj tatimi
    • Si dhe vendosja e pagës referuese për efekt kontributesh dhe tatimi.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com