Monarkia shqiptare dhe patetizmi komunist
Nga Ardian Marashi (Gazeta Shqiptare)
Shpeshherë thuhet se për Monarkinë nuk ka më çfarë të thuhet, se historianët e kanë “zbardhur” rolin e saj në historinë tonë të afërt dhe ne sot do të bënim mirë t’i lëmë të shkruarat siç janë. Atëherë: Pse të flitet mbi Monarkinë? Monarkia është një moment kyç në historinë tonë kombëtare. Për arsyet që tashmë i njohim, roli i saj jo vetëm nuk është “zbardhur”, por është nxirë. Revolucioni komunist nuk mund t’i njihte merita asaj që e quante “bota e vjetër”, përndryshe do t’i duhej të pranonte disa vlera të saj themelore, siç qenë liria, prona, tregu. Trashëgimia shqiptare shënon dy thyerje të mëdha në histori: epokën otomane, që theu trashëgiminë humaniste të Skënderbeut dhe Barletit, dhe epokën komuniste, që theu trashëgiminë liberale të Mbretit Zog dhe Konicës. Të dy thyerjet patën si pasojë izolimin e Shqipërisë nga orientimi perëndimor, mohimin thuajse total të trashëgimisë politike e kulturore, si dhe modelimin identitar të popullsisë përmes imponimit të surrogatove historike të tipit ‘njeriu otoman’ në një anë dhe ‘njeriu i ri’ në anë tjetër.
U tha dhe u shkrua se epoka e qeverisjes së Mbretit Zog paska qenë epoka më e zezë, më çnjerëzore e madje më komikja e historisë kombëtare. U teatralizuan xhandari, prefekti dhe e gjithë epoka, me qëllimin e vetëm për të krijuar në popull një imazh degradues të Mbretërisë dhe të Mbretit. Kjo vënie në skenë e Historisë sipas ambicjeve të regjisorit ishte diçka që pritej: për të ndërtuar diktaturën, komunizmit i duhej që të karikaturonte historinë. Përgjegjësia e historianëve qëndron pikërisht në faktin se këta e luajtën me kënaqësi dhe deri në fund rolin që u caktoi regjisori në këtë mise-en-scène të turpshme. Detyra e shkencës historike sot konsiston në çmontimin e mizanskenave të parafabrikuara, përmes dokumentimit historik dhe faktologjisë.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se kjo detyrë është krejtësisht e realizueshme, aq sa ç’jemi të vetëdijshëm për vështirësitë. Në të kuptuarit e historisë, një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare vazhdon të mbetet peng i interpretimeve teatrore, ku roli i personazheve është përcaktuar sipas optikës socrealiste bardhezi me heronj “pozitivë” dhe “negativë”, një skemë që për fat të keq i përshtatet fare mirë mentalitetit thjeshtëzues popullor, në të cilin, me të zënë vend, ajo ngelet e ngulitur për një kohë bukur të gjatë. Paragjykimi ndaj epokës së Monarkisë është ngritur, pra, mbi një keqkuptim monumental, të përforcuar dhe të stabilizuar emocionalisht në popull edhe nga fjala patetike e poetëve zyrtarë. Mjafton t’u përgjigjemi ndershmërisht tri pyetjeve për të krijuar një ide fillestare mbi rolin e Monarkisë dhe të Mbretit Zog I në historinë shqiptare:
1) Nga erdhi Shqipëria, përpara se Monarkia të merrte në dorë punët e shtetit shqiptar?
Trashëgimia otomane disashekullore la gjurmë të thella deri në identitetin e shqiptarve; kujtojmë formulën e Fishtës / Konicës: “Tani që u bë Shqipëria, duhen bërë shqiptarët”.
Luftërat Ballkanike, më të egra se Lufta Botërore që pasoi, përgjakën vendin dhe shpirtin e shqiptarëve, duke krijuar një komb të përgjysmuar.
Vendi ishte pa infrastrukturë rrugore, ekonomike, tregtare; s’kishte rrjet arsimor, kulturor, shkencor, spitalor e shërbimesh sociale; asnjë potencial administrativ, industrial, ushtarak; sistem ligjor jashtëfunksional; sistem politik empirik dhe i pastabilizuar; sistem doganor e taksativ pothuaj inekzistent; sistem pronësie i tipit feudal.
Në planin e brendshëm: skamje, emigracion masiv, pasiguri, papunësi; në planin e jashtëm: izolim nga bota, aleanca inekzistente ose krejtësisht të kompromentuara.
2) Si e la Monarkia Shqipërinë në fund të dhjetëvjeçarit të qeverisjes së saj, përpara se Lufta tjetër Botërore ta nxirrte jashtë skenës politike?
Një orientim euro-perëndimor, i mbështetur në aleancat me Italinë dhe me Austrinë, dy ndër Fuqitë e Mëdha botërore.
Një periudhë paqeje dhe stabiliteti për gjithë vendin, pa ushtruar dhunë politike apo institucionale mbi popullsinë.
Punime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, hedhje e bazave të ekonomisë së tregut, tregti e lirë dhe në përmasa serioze me fqinjët, me prioritet aleancat ekonomiko-tregtare me Italinë ; rrjet arsimor i nivelit të mesëm në gjithë qytetet, financim shtetëror për bursistët nëpër universite të njohura europiane, promovim i figurave të shkencës nëpërmjet inkurajimit të medias së lirë, të shoqatave dhe revistave kulturore-shkencore ; krijim i një rrjeti funksional spitalor dhe të shërbimeve sociale ; ngritje dhe konsolidim i administratës shtetërore, i bazave të industrisë së lehtë dhe të rëndë, krijim i një ushtrie profesionale nën mbikëqyrjen e ekspertëve nga Italia, Austria, Turqia; konsolidim i ligjit, i kuadrit politik, i sistemit të doganave dhe taksave; arritje serioze drejt një sistemi pronësie të garantuar dhe modern.
Rritje e mirëqenies, kryesisht për qytetet, rënie e ndjeshme e emigracionit, mundësi punësimi dhe vlerësim korrekt për nëpunësit shtetërorë; dalje nga izolimi, por mbetje e vendit në nivelin e aleancave të kompromentuara, kryesisht për shkaqe të jashtme të gjeopolitikave ndërkombëtare në prag të Luftës II Botërore.
Të gjitha këto në një dhjetëvjeçar të vetëm dhe në kushtet e krizës ekonomike botërore.
3) Cila qe gjendja e brendshme e vendit, nën Monarkinë:
Liri e besimit, liri e fjalës, liri e shtypit, liri e lëvizjes.
Garanci e pronës dhe e të drejtave themelore.
Respektim i komuniteteve fetare dhe i personaliteteve të kombit, edhe në rastin kur mëritë personale mund t’i kishin imponuar Mbretit qëndrim të kundërt, si psh. në raportet e tij me Konicën dhe me Fishtën ; nëse më përpara kishte pasur larje hesapesh me rivalët politikë, në vitet e Monarkisë situata politike paraqitet e stabilizuar.
Lulëzim i vërtetë dhe i qëndrueshëm i kulturës, artit e sidomos letërsisë, aq sa periudha e monarkisë mund të cilësohet si periudha mbretërore ose periudha e artë e letrave shqipe.
Detyra e shkencës së sotme historike nuk është kurrsesi që të vazhdojë t’i përmbahet skemës bardhezi, duke e pranuar atë siç qe ose duke ndërruar vetëm vendin e personazheve: më tepër sesa amatorizëm, ky do të ishte krim intelektual e njëkohësisht krim social, në vazhdën e paraardhësve. Sot, detyra e historianëve është që të evidentojnë me skrupulozitet përmbajtjen e qenësishme të epokave dhe të periudhave të historisë kombëtare, si dhe rolin e personaliteteve e të forcave politike në lojën komplekse të faktorëve historikë të ndërlidhur. Angazhimi i QSA në këtë drejtim është i qartë: ne synojmë t’u kthejmë shqiptarëve pronën e tyre të përbashkët, historinë kombëtare, në të cilën të gjitha forcat politike e të gjithë personalitetet janë aktorë me të drejta të barabarta përfaqësimi, sipas kontributit e sipas meritës realizuese.
*Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike

11 September 2008 @ 7:23 pm
Asnjë koment? Po si ka mundësi???
Shprehja origjinale i drejtohet Garibaldit për pepinot. Megjithatë, edhe pas mbretërisë ngelëm fiq të pabërë.
11 September 2008 @ 7:44 pm
ky shkrim si duket i la me dhembe hapur peshqit.
une jam dakort me shprehjen e Kadarese.
(Mbreti Zog l eshte pasqyra e diplomatit ku duhet te shikohen te gjith politikanet e sotem)
11 September 2008 @ 8:40 pm
Larja 50 vjecare e trurit ka bere efektin e vet, historia shqiperise u reduktua me Skenderbeun e PPSH…
12 September 2008 @ 1:24 am
“Luftërat Ballkanike, më të egra se Lufta Botërore që pasoi, përgjakën vendin dhe shpirtin e shqiptarëve, duke krijuar një komb të përgjysmuar”
Ate qe ben ti fare autori sot ne sherbim te Beogradit dhe te Athines, ate beri edhe gjyshi yt ne kohen e luftrave ballkanike. U falen tradhetaret (qe nuk i fal njeri ne bote vec shqiptareve) gjate gjithe kohrave pa e kemi kete peshqesh historik. Dalin krrimbat nga kufomat dhe na mbushin mendjen se e bardha qenka e zeze, se virgjeresha qenka putane, se e verteta eshte genjeshter, se tradhetia qenka globalizem, se Zogu qenka Ataturku i shqiptareve, se kryengritesit e Postribes kishin pasur enderr te futeshin ne Naton qe u krijua shume vite me pas. Keto cudira sec me kujtojne nje kenge humoristike korcare: I cali po vraponte/ vetures t’ja kalonte
Qorri po kerkonte/ gjelperen nen kashte
Gazeta shqiptare duhet ta kete per turp qe boton keto pacavure te tilla, por edhe me turp te kete Blogu i peshkut qe i mban ison si peshk ketyre letyrave baltoze qe germojne varret dhe na nxjerrin qelbesira qe vijne ere pol me pol.
12 September 2008 @ 1:46 am
Ai citati i Fishtes eshte ilustrimi i termit qe perdoret ne politike me “nation building”, formimin e kombit. E cila nenkupton nje proces te qellimshem per te ndertuar nje komb pasi ekziston nje territor i njohur nga bota dhe qeveria vendase. Dhe nuk ben ti ngatarrojme keto procese te qellimshme te elites shqiptare me historine qe kaluan shqiptaret (pra te ngaterrojme qellimin nga pika B. ne piken A. te segmentit te formulimit te kombit, me linjen (ose ciklin) tjeter te historise, te se kaluares). Ky eshte gabim trashanik argumentativ. Eshte turp qe paskemi te tille njerez ne institucione akademik qe kalojne nga premisa ne premise si te ishin majmune cirku ose orangutange neper peme.
Me vjen zor qe do te kthehem ne shqiperi dhe do te punoj me te tille njerez bashibozuke.
12 September 2008 @ 8:55 am
Po mire, si ishte Shqiperia kur e mori komunizmi???
Po mire, nga na erdhi kjo monarki? C’qenka ky mbret qe vika keshtu papritur, qe na del si kerpudha pas shiut?
Po Shen Naumi, si u fal?
Po ky mbret, pse ne momentet me kyce te vendit, na kerkon mbrojtje ne Greqi; armik tradicional i Shqiperise dhe shqiptareve?
Po ky mbret, si na rikthehet ne pushtet me ndihmen e forcave jugosllave?
Po mire, po ky sistem komunist, si ka mundesi qe mbajti ne pune gjithe administraten e sistemit monarkist derisa dolen kuadrot e vet te specializuar per fushat ne nevoje?
Keto more djema, nuk jane pyetje qe duan pergjigje?
Tani mos e ktheni dramen ne komedi me zor dhe mos na beni smog informativ. Ikni e beni detyrat e shtepise njehere.
Si i thone asaj, gazetar hesapi, ka te gjitha tendencat per te qene injorant transendental dhe i pandreqshem; i pashkolle, i trashe, thashethemexhi, qylaxhi, dembel dhe i paafte.
12 September 2008 @ 9:01 am
po pra zoterulus
edhe mua mu duk cudi qe askush nuk e permend shen naumin
12 September 2008 @ 9:32 am
Shen Naumi dhe te tjerat nuk permenden jo per gje tjeter, po nga injoranca.
Meqe ra fjala, se sapo m’u kujtua nje gje e mbremshme qe e pashe ne tv.
Ishte ky debati ne Klan me dy kaposhe te PD-se dhe dy kllocka te Ps-se…
Na del ky turku Olldashi, e ne muhabet e siper mbi shifrat e pensionisteve “fallco” na permend edhe 28 000 deshmoret qe na qenkesh munduar Enveri per te sajuar…
Keshtu shteti jemi ne, historianet e medhenj, ngaterrojne kulisat e behen dhe ministra transporti…
Historiane… historiane u thencin, se e kane mesuar historine e Shqiperise me thashethemet e kafeneve te PD-se, dhe u duket vetja se po kalojne Alpet me elefantet e Hanibalit.
Jo per gje, po para nja tre ditesh, na kish dale dhe nje “historian” ameriqen qe po na inkurajonte te rishkruanim historine. Sepse, kuptohet, amerikanet duhet ta dine me mire se ne historine tone; bile, si ta dine ata, ashtu duhet ta mesojme dhe ne; perndryshe quhet histori komuniste.
Cfare turpi i tmerrshem dhe i padurueshem.
Jemi komb me 5000 vjet histori ballkanike, me 9000 vjet gjuhe, me 80 pushtime te ndryshme; e prape duket sikur jemi pa identitet, sikur nuk dime kush jemi, e duhet te na mesojne karaivdhet historine tone.
12 September 2008 @ 10:08 am
Jam plotesisht dakort me Zotin Marashi dhe sidomos me kriterin e tij shume te thjeshte: si ishte perpara dhe mbas Zogut? Ishte llum dhe u be shtet, edhe pse ne fillimet e veta.
Kur u shemb “socializmi” ne Shqiperi la vetem nje bulevard me max. 10 ndertesat e Universitetit dhe te ministrive te ndertuara nga Italia. Te gjitha te tjerat ishin, si dhe “Kombinati Celiku i PArtise” nje mizerabilitet i vertete.
Mendoj (ne menyre jo-shkencore) se periudhat dhe marredheniet (e veshtira) e Shqiperise me zhvillimin jane tre:
1- Perpara WW2:
-Zogu e donte zhvillimin dhe u perpoq per te;
-shqiptaret nuk e donin;
-bota nuk na donte (sa here qe Zogu i drejtohej perendimit per ndihme ndaj
agresionit iminent Italian i pergjigjeshin me cinizem qe ti drejtohej Italise);
2- Mbas WW2:
- Shqiptaret donin;
- Partia nuku donte;
- Bota nuk donte.
3- Mbas Partise:
- Shqiptaret duan;
- Bota (na) don;
- Nomenklatura nuk (e) don.
Nomenklatura e sotme nuk e don zhvillimin e Shqiperise thjesht per faktin se ndertimi i nje shoqerie te lire dhe te ekonomise se lire i jep fund korrupsionit masiv. Ne kete rast ata krere qe kane vene si “qellim te jetes se tyre” luften kunder korrupsionit (sepse eshte e vetmja gje qe dine te bejne) do te ngeleshin pa pune.
Pa me thoni more miq peshkatare apo peshq, a mund te perfytyrohen politikanet suedeze, norvegjeze, Singaporense, NeoZelandeze, etj (ne vendet me korrupsion te paperfillshem) qe te flasin nga mengjesi ne darke me patetizem kunder korrupsionit dhe te bazojne fushaten e zgjedhjeve ne kete pike?
Ka vetem nje menyre per te luftuar korrupsionin: ndertimi i nje shoqerie dhe ekonomie te lire. Eshte nje zero-sum game. Por ata nuku dijne apo nuku duan. Ne te dy rastet nuk u leverdis sepse ngelin pa pune. Sepse ata nuku e njohin ekonomine e lire, ata dijn vetem te “luftojne korrupsionin”. Mamma mia, sa luftetare te tmerrshem, qe jetojne me djetat dhe me vila ne bregdet.
12 September 2008 @ 12:08 pm
Ne te gjithe me mire dime historine e Frances dhe te Anglise se tonen. Une te pakten nuk e di historine tone, ne shkolle i mesova sic e kishte shkruar komunizmi, kurse tani dalin eksperte historie nga te gjitha anet.
Do te doja vertet te lexoja historine e vertete, pa ndikime, pa urrejtje, pa epitete, po kush ta shkruaje….
12 September 2008 @ 1:58 pm
Nuk shtoj gje tjeter
12 September 2008 @ 2:48 pm
ju lutem shumè..mos mè tregoni pèralla me mbret!!jo pèr ndonjè gjè por nuk e ndihej nevojèn,unè pèr historinè nuk kam nevojè tè lexoj enver hoxhèn siç thotè dikush kètu…unè mbretit zog mund ti njoh meritat jo pèr krijimin e shtetit shqiptar por pèr krijimin e mbajtjen deri sa kishte mundèsi tè pushtetit tè tij,kush e shpalli mbret kètè njeri?nga kush e trashègoi kètè titull?u vetèshpall dhe asgjè tjetèr..se çfarè ishte shqipèria nè kohèn e tij unè s”kam nevojè tè ma thotè enveri,ma thotè shumè bukur e qartè migjeni!!se ushtroi dhunè apo jo politike nuk kam nevojè tè ma thotè enveri,por ma thotè noli e gjithè rilindasit e tjerè shqiptar..pèr mos tè folur pèr avni rustemin!!sa ishte apo jo modern ai shtet ma thotè gjyshi im..pasi ai la mè shumè 1 shtet feudal se sa borgjez,se ata qè quheshin bej apo agallarè nuk ishin shpikje e enver hoxhès por realitet!!dhe qè ai njeri nè momentin kur duhej tè sillej vèrtet si mbret,u soll si hajdut…dhe kètè nuk e thotè enveri por e thonè ata qè e hodhèn poshtè..se unè mund ti fal çdo gjè zogut por kurrè ikjen e tij nè atè mènyrè tè turpshme e bèj atè dhe bashkè me tè nacionalistèt shqiptarè pèrgjegjès pèr ardhjen e komunizmit nè shqipèri..,pasi ky njeri nuk pati guximin tè luftonte pèr vendin e tij as nè 39 por as gjatè zhvillimit tè luftès,kur kètè gjè ja kèrkonte gjithè bota..sepse jam shumè i sigurtè se nè qoftè se do tè kishte ndodhur e kundèrta enver hoxha dhe komunistèt nuk do tè kishin ardhur kurrè nè pushtet!!!
13 September 2008 @ 12:05 am
Meqe disa duan akoma per Belulin:
Nr 333
Pjese nga telegrami i puinetoreve te rruges Kruje-Burrel, drejtuar Ahmet Zogut, ku ankohen se jane pushuar nga puna me qe rruga i eshte dhene ne sipermarrje nje shoqerije italiane.
21 Gusht 1930
…………Ka nji periudhe kohe qe ne te mjeret punojme me gjithe fuqite tona, te shtymun (ne tekst te dejun) nga vobegsia e madhe qe na verbon, ne malin e Krujes, per te kryem nji veper te kushtueshme e patriotike shqiptarizmi si na ka hije…….(mungon nga teksti nje rresht).
Gjithe per kete qellim rane viktime ne detyre 5-6 vellazne e shoket tane. Mirpo gjithe keto sherbime tona vane e humben, se dje na u komunikue pushimi nga puna, me qe rruga Kruje-Burrel i jepet per t’u punue nji sipermarresi te huej nga ana e Ministrise se Puneve botore. Kjo komunikate per ne te mjeret krutane e punetore qe vdekje, pse pervec shperblimit qe merrnim e ushqejshim femijet e familjet tona, por e kishim edhe per nder kombesie.
Punimi i kesaj rruge qe ne fillim e deri tash asht punue me duert e ne te mjereve shqiptare, tue u lidhe e vjere me konop per se gjati te malit, ku perpara as egersinat nuk kane mujt me kalue; e tash qe fuqite tona u harxhuen, e prume deri ne kete grade qe te kaloje automobili, do me u dhane me spermarrje, qe nami e djersa jone e derdhun, here me buke e here pa buke, t’i mbesi e t’i dhurohet gati nji sipermarresi to huej (ketu mungojne 5 rreshtaj).
Arkivi Qendror i Shqiperise… F. 30, D.4 Dok. Nr. 896, origjinal.
A ka ndonje ndryshim politika e sotme e neneshtrimit NanoBerishian nga politika e Zogut tend Hajdut me cisme. O Autor i artikullit, Degjo dhe nja dy gjera te tjera se s’kam ndermend te kopjoj gjithe dokumentat e gjyshit time te Nderuar.
Zogji yt ka marre miliona franga ari prej Italise dhe Mbreterise Serbo-Kroato-Sllovene. Me to ndertoi shume ambiente si ajo vila e Durresit dhe mjaft ndertime ne Tirane duke ja pronesuar vehtes prej taksave te popullit shqiptar qe i ishin keputur kerrbishtet pre 500 vjet historie. Sigurisht qe pasaniket shqiptare ngelen ne Stamboll dhe ketu ne Shqiperi donin te queheshin te pasur dhe fisnike pjesa me e ndyre, me hajdute dhe me lavire e llumit te Shqiptareve. Dihet shume mire pse komunizmi vazhdoi aq gjate ne Shqiperi. Arsyja ishte se “fisniket shqiptare” nuk kishin ndryshim te dukshem prej shqiptareve te tjere ashtu si kishte dallime me te vertet thelbesore midis klasave te pasura dhe te varfera neper boten Perendimore. Pastaj ata ishin aq te vegjel nga shpirti sa qene ne cdo moment te shisnin interesat e Shqiperise per rehatin dhe pordhacerine e tyre.
Pastaj Zogu, o lako, e dine te gjithe qe hodhi mbi vete pasurite shteterore te Sarandes, Karavastane, Pyllin e Divjakes dhe mjafte paruir te tjera shteterore apo pasuri te perbashketa pyjore e kullotore te fshatareve. Pervec ndihemes ushtarake qe mori prej serbeve per te permbysur republikanet demokrate te Nolit, duke ju dhene Shen Naumin, ai mori dhe nje grumbull te jashtzakonshem parash jugosllave qe i konvertoi ne ar duke ja vjedhur kete te fundit popullit te vet.
Kaq kisha per kete rradhe.
14 September 2008 @ 12:09 am
Per gjonin dhe totallyn…
Marashi ka shume te drejte, sidomos kur je injorant fare dhe me keq fare, kur nuk di historine e vendit tend.
Mua me ben cudi, sesi ca njerez ecin krejtesisht kunder rrymes, dhe jane aq te paturpe saqe normat e nje shoqerie krejtesisht normale i shohin nga e kunderta; pra, si mund t’i thone te drejtes e padrejte dhe anasjelltas. Sinqerisht me habit kjo klase njerezish. Se faktikisht, nuk ka nevoje te jesh as injorant e as akademik qe te quash te padrejte ate qe gjithe shoqeria dhe mentaliteti i saj e ka vendosur dhe ta ka mesuar per te tille qe para se te te dilnin dhembet.
Gjono, pash zotin na shpjego pak ketu punen e Shen Naumit dhe te lutem me shpjego mua ne vecanti se si mund te quhet e drejte ajo gje.
Ndersa nga Totally, kerkoj qe te me shpjegoje se ku eshte influenca komuniste ne ate dekret mbreteror per dhurimin e Shen Naumit.
Totally, historise se Anglise dhe te Frances nuk ia ke idene fare, prandaj as mos e merr mundimin te shkruash te tilla dokrra. Ka menyra shume me te thjeshta per t’u thene peshqve qe nuk ia ke idene e historise se kombit tend, dhe kete mund ta besh fare mire pa permendur as komunizem, as francera e as anglira.
Por komunizmi, (me sakte, diktatura qe kaluam, e jo komunizmi) eshte justifikimi me i thjeshte per te mbetur krejtesisht injorant, e per te mos futur asgje ne rradake, sepse demek qenkan te infektuara me ideollogjira te shtrembera.
Edhe nje pike tjeter per Gjonin…
“Komunizmi” ne Shqiperi nuk la vetem nje metalurgjik, po la uzina, fabrika te te gjitha llojeve, kombinate, porte detare, hidrocentrale, termocentrale, miniera, nje sistem bujqesor nga me te miret te mundshem, la pyje, parqe kombetare, la flote detare, marine ushtarake, ushtrine me te armatosur ne BOTE dhe vendin me te fortifikuar ne bote.
La universitete, akademi shkencash, u mesua shqipja dhe u be shkence mbareboterore.
Ne kohe te komunizmit, kemi qene vendi i dyte ne bote (pas Kilit) per prodhim kromi, vendi i pare ne bote per prodhim energjie elektrike per fryme te popullsise nga burimet hidrike, pra, energji te paster ekologjike.
Dhe ka shume fakte te tjera qe ti dhe Marashi i lindur pas 92shit nuk i dini, nuk doni t’i dini, ose nuk ju interesojne t’i dini.
Pra, perralla mos na tregoni ketu.
Dhe pak turp duhet t’ju vije, se doni te ngrini zerin e budallallekut duke e ditur qe ne kete forum nuk ka vetem injorante kafenesh.