Minierat shqiptare shiten në bursat e botës

Një kompani kanadeze e quajtur “Carlaw Capital III Corp” njoftoi dje se ka blerë nga një korporatë australiane pesë kontrata koncesionare për minierat e kromit dhe të bakrit në Shqipëri, u njoftua dje nga media kanadeze.

 

 

Gjergj Erebara (Shekulli)

Një transaksion tjetër u njoftua dje me shitjen e koncesionit të Kalimashit. Kompanitë, krejtësisht të panjohura. Shqipëria ka lëshuar mbi 100 kontrata koncesionare për minierat, por përfitimet janë të padukshme

Faktet

* E gjithë Industria Minerare e Shqipërisë u dha me koncesion gjatë viteve 2000-2003, krejtësisht falas, përkundrejt investimeve minimale.
* Të gjitha kompanitë koncesion-marrëse kanë qenë të vogla dhe të panjohura në qarqet botërore të industrisë minerare.
* Koncesionet më të rëndësishme janë shitur te të tretët dhe qeveria shqiptare ka dhënë miratimin, pa bërë publike detajet e transaksioneve.
* Ministria e Financave u ankua disa javë më parë se shfrytëzimi i nëntokës shqiptare po prodhonte pak apo aspak të ardhura për Buxhetin e Shtetit.
* Qeveria miratoi së fundmi një ligj që i detyron kompanitë të paguajnë 10% rentë për shfrytëzimin e resurseve kombëtare.
* Minierat me koncesion kanë ngrënë jetën e disa dhjetëra minatorëve gjatë pesë viteve të fundit. Kompanitë kanë shpëtuar pa ndëshkim.

Një kompani kanadeze e quajtur “Carlaw Capital III Corp” njoftoi dje se ka blerë nga një korporatë australiane pesë kontrata koncesionare për minierat e kromit dhe të bakrit në Shqipëri, u njoftua dje nga media kanadeze. Sipas njoftimit, kompania “JAB Resources” zotëron koncesione për mineralet e kromit, platinit, arit, bakrit e nikelit në Kalimash dhe zona të tjera të Shqipërisë veriore. “JAB” zotëron rreth 3 milionë dollarë australianë për të financuar aktivitetet e kompanisë për pjesën e mbetur të vitit 2008. Vlera e transaksionit nuk bëhet e ditur. Kompania thotë se po kryen kërkime për burime të reja minerali kromi pranë minierës ekzistuese të Kalimashit. Kompania “JAB” ka zyrat qendrore në Australi dhe është themeluar nga disa ekspertë gjeologë.

Koncesioni

Në listën e ligjeve shqiptare, “JAB” nuk gjendet gjëkundi. Zyrtarisht, Miniera e Kalimashit i është dhënë me koncesion kompanisë turke “Hayri Ogelman Mademcilik” në vitin 1999. Vetë “JAB”, në faqen e vet në internet, thotë se e ka blerë kontratën koncesionare nga një kompani tjetër. Shit-blerja e kontratave koncesionare duket se është një praktikë e zakonshme në Shqipëri dhe kryhet pa marrë mundimin për të informuar shqiptarët. Sipas një investigimi gazetaresk të kryer nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, kompanitë po shfrytëzojnë në mënyrën më të keqe të mundshme nëntokën shqiptare, pasi po mbledhin mineralin më të pasur, duke ulur vlerën e pjesës dërrmuese të burimit dhe duke i hequr shansin vendit që të përpunojë pjesërisht këto minerale. Për pasojë, vlerësohet se rreth 200 milionë euro vlerë mineral kromi e bakri janë hedhur. Në mungesë të mineralit të pasur, kjo vlerë mund të bëhet e parikuperueshme, sipas ekspertëve, sepse nuk do të ketë leverdishmëri ekonomike. Në total, kjo metodë pune ul jetëgjatësinë e burimeve minerare dhe ul përfitimin ekonomik të vendit.

Dhe ka shumë raste të tilla

Kompani, emrin e të cilave nuk e ka dëgjuar askush në Shqipëri, mësohet se ekzistojnë dhe kanë koncesione nafte apo mineralesh të tjera, vetëm kur lajmi publikohet për investitorët e bursave të vendeve të tjera. Disa muaj më parë, një kompani me emrin “Privat Co.”, rezultoi pronare e zonës naftëmbajtëse të Kuçovës. Zyrtarisht, eksportet e mineraleve të papërpunuara arritën në dhjetëra-milionë euro gjatë vitit të kaluar por ministri i Financave, z.Ridan Bode, deklaroi këtë vit se qe shumë i pakënaqur për faktin se gjithë ky volum ekonomik po sillte në Buxhetin e Shtetit, të ardhura në nivele të papërfillshme. Kompanitë që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare nuk kanë asnjë detyrim tjetër për të plotësuar, me përjashtim të pagesës së Tatimit mbi Fitimin, por tatim-fitimi i deklaruar është i papërfillshëm.

Ndalohen investimet serioze

Copëzimi i Industrisë Minerare të vendit në një pafundësi kontratash, si dhe refuzimi i autoriteteve për të revokuar kontratat që janë shkelur në pjesën dërrmuese të rasteve nga kompanitë koncesion-marrëse, ka penguar kompani më serioze të investojnë në Shqipëri. Vitin e kaluar qenë kompanitë kineze të interesuara për të shfrytëzuar nëntokën shqiptare, por nuk mundën të hynin, për shkak se në Shqipëri nuk kishte më burime të lira. Kompania më e madhe koncesion-marrëse te mineralet, ka marrë angazhim të investojë 15 milionë dollarë, dhe as këto para nuk i kanë investuar. Minierat shqiptare u shfrytëzuan në mënyrë të gabuar gjatë dekadës së fundit të komunizmit, kur nevoja e qeverisë për të fituar valutë sakrifikoi logjikën e shfrytëzimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm të burimeve.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. edrus thotë:

    18 August 2008 @ 10:35 am

    Dmth për të bërë diçka në Shqipëri, pasi të biesh dakord me të fortit e lagjes, pasi të pakuash atje ku duhet paguar, pasi ti japësh diçka edhe pronarit të tokës… u dashka kërkuar edhe se mos del ndonjë kompani ndërkombëtare që mund të ketë konçesionin për tokën apo eskluzivitetin e atij aktiviteti :( .
    Shkurt muhabeti, bjeri ti bijem, njëri gozhdës dhe tjetri patkoit…

  2. Ftjkt thotë:

    18 August 2008 @ 3:07 pm

    Disa muaj më parë, një kompani me emrin “Privat Co.”, rezultoi pronare e zonës naftëmbajtëse të Kuçovës

    -
    Po normal o vella qe nuk kishte degjuar njeri, a nuk e sheh qe e ka te thene qe tek emri i kompanise… eshte PRIVAT :D

    ministri i Financave, z.Ridan Bode, deklaroi këtë vit se qe shumë i pakënaqur për faktin se gjithë ky volum ekonomik po sillte në Buxhetin e Shtetit, të ardhura në nivele të papërfillshme

    -
    Ministri qenka i pakenaqur sepse po vjedh shume!!! :( Çudia e rradhes… ministri i Financave i thote atij te Ekonomise: “Po mos vidh kaq shume o burre i dheut se na e dh.jeve buxhetin fare!!”

  3. linda thotë:

    18 August 2008 @ 5:20 pm

    Pse cdo here qe lexoj lajme nga Shqiperia duhet te me bjere infarkt ne zemer? Pse cdo gje duhet te jete shakterrim, dhenie falas te huajve, turperim i shqiptareve qe s’durohet, vuajte, sherre, varferi, etj etj?!
    Infarkti i rradhes…

  4. iRsi thotë:

    18 August 2008 @ 10:20 pm

    Sa te verteta jane keto qe jane shkruar? Ka mundesi ndonjeri te beje paksa me shume research mbi kete? Nqs eshte zbuluar kjo gje, kush eshte plani i aksionit nga ndonje organizate europiane qe ska qellim perfitimin personal?
    Eshte i mundur interesi nga keto lloj organizatash? Do kisha deshire qe dikush te interesohej per kete.

  5. Sorkadhja thotë:

    18 August 2008 @ 10:22 pm

    Sa paguan o iRsi?

  6. jo pra thotë:

    19 August 2008 @ 3:58 am

    po jo pra, s’ka mundesi te kete bere keshtu pislliqesh Nanua. e tha edhe vete Sala (pas zgjedhjeve) qe s’ka asnje dosje per Nanon.

    po pse qenka kaq i shqetesuar Bodja? taksa nuk pagujne kto kompanite?! po pse s’i fut nje denoncim atehere ish-ministrit te Financave (Malaj)?

    ehhhhhhhhhhh…..

  7. irsida thotë:

    19 August 2008 @ 4:34 am

    hahaha, dmth sherbimi i research jepet vetem me pagese?
    Crap, ta kisha dit kete gje sdo e kisha kerku. Thashe mos dinte ndonjeri ndonje informacion mbi kete. Nejse, po te pagova, sa me saktesi ma jep sherbimin sorkadhe? :D

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com