Metafizikë urbane e rikonstruktimit

Anaisa

Pak metra larg civilizimit të Tajvanit (një kafe, një cigare dhe ‘wireless’), qyteti po përjeton një nga metamorfozat urbanistike, që, në transformimin e tij të ditëpërditshëm, formon kapsula të reja sociale. Transformimi agresiv i interfaqes së rrugëve të qytetit, që ndërhyn në veprimtaritë sociale të bashkësisë së rrugës, krijon bulëza hapësinore dhe kohore të përcaktuara nga tiparet e mjedisit kalimtar vetëm në çastet e ndryshimit (rruga në rindërtim dhe jo funksionale), duke krijuar një tipologji të re të marrëdhënieve dhe njerëzve që kalojnë ose punojnë aty. Kryqëzimi që lidh Parkun e Tajvanit dhe sheshin pas Bankës së Shqipërisë, në rrugën “Islam Alla”, është bërë linja ndarëse mes dy zonave (hapësirave) aq të ndryshme për funksionin dhe shfrytëzimin që i bën qytetari, sa ngjajnë si dy botë. Në botën e parë, elementet e fasadave krijon përshtypjen e komfortit (për hapësirën, gjelbërimin, dhe kafenetë) dhe tërheq njerëzit në një vorbull aktivitetesh të përqendruara pikërisht në atë set elementesh që nuk mund t’i gjesh askund tjetër në qytet. Në botën e dytë, tirania e vinçave dhe e makinave të mëdha të dheut e kanë riformësuar ndarjen dhe shfrytëzimin e hapësirës në një gjendje konfliktuale elementesh statikë (trotuaret e prishura, asfalti i gërryer, pirgjet me tulla e dhé), që kanë ndryshuar performancën e bashkësisë sociale, e cila popullon atë rrugë kryesore të metropolit. Kampistë, shitës celularësh dhe kartash, shitës ambulantë dhe kalimtarë të rëndomtë, në atë hapësirë të tjetërsuar dhe jofunksionale, kanë krijuar të gjithë bashkë kapsulën e re sociale të marrëdhënieve mes tyre, ndikuar nga mjedisi, në një mish-mash socio-patologjik. Kjo rrugë, që zgjat më pak se një kilometër në ndarjen e saj përmes kryqëzimit të rrugës “Myslym Shyri”, ndan në këto momente të ndryshimit arkitekturor dhe arkitektonik dy zonat aq të afërta gjeografikisht mes tyre dhe “i çon në hapësirë” (në një boshllëk të ri) marrëdhëniet sociale dhe ndërsjelljen (parë si ritual i performancës së njerëzve kur dalin në rrugë) të shprehur përmes përjetimit të peizazhit.

Raportim nga zona 1

Jam ulur në bordurën e rrugës së paprekur, afër kryqëzimit, që shërben për ne si pikë referimi mes dy zonave. Panoramika në të majtën time është ajo e ndërtesave më të reja dhe të dukshme në zonën e ish-Bllokut. Ato janë të larta dhe me ngjyrë të kaltër në gri, njëlloj si qielli që u varet mbi krye orëve të paradites. Linja ime e vështrimit nis në linjën e sugjeruar nga pemët e palmës, të renditura përgjatë pjesës së paprekur të rrugës “Islam Alla”. Këtu njerëzit ecin ngadalë, duke zgjedhur mënyrën e performancës së tyre në rrugë. Shumica e tyre nuk banojnë aty dhe nuk interesohen për këtë rrugë. Ata janë aty si spektatorë të shfaqjes që ofrojnë baret, lokalet dhe hapësira e gjelbër rreth ndërtesës së Tajvanit. Janë të izoluar nga njëri-tjetri dhe indiferentë, ashtu siç kanë shprehitë më të zakonshme marrëdhënia e të panjohurve në rrugë. Nuk ka asnjë atashim me rrugën, përveç taksistëve që presin ose punonjësve në dyqane ose lokale dhe zyra të atyshme, që e shfrytëzojnë këtë marrëdhënie të detyruar me rrugën, gjithashtu me indiferentizëm. Prej aty ku jam ulur, panoramika ime e djathtë ka dy lartësi vështrimi dhe dy penetrime. Kurora e verdhë e pemëve në zgjatimin e kryqëzimit të rrugës “Myslym Shyri” krijon sipërfaqen e panoramikës së parë, ndërsa pas tyre dallon pak nga muret e Ministrisë së Mbrojtjes. Mesazhet përtej kësaj sipërfaqeje vizive janë zhurmat e makinerisë që punojnë për rikonstruksionin e asaj pjese të rrugës dhe ndërtimin e katedrales së re ortodokse, të ndërprera nga audioja e rrugës ku ndodhem, duke krijuar disonancë mes dy hapësirave qytetëse, që gjenden aq afër njëra-tjetrës.

Raportim nga zona 2

Struktura e drunjtë e katedrales në ndërtim ngrihet mbi kurorën e zverdhur të pemëve dhe rrugës së gërryer. Trotuaret e ngushtuara deri rrëzë pemëve. Këtu njerëzit, nisin e shfrytëzojnë hapësirën që para pak kohësh i përkiste automjeteve, duke ecur normalisht mbi zhavorr dhe pluhur. Në këtë moment, ata zbresin nga trotuaret dhe ecin brenda hapësirës së prishur në një dinamikë që humbet sensin e urbanistikës dhe zhvillohet mbi raporte të drejtpërdrejta me mjedisin dhe njerëzit e tjerë. Aktiviteti i shitësve ambulantë të përhershëm, si shitësit e gështenjave apo paketave, ose lustruesit e këpucëve, në këtë pjesë të rrugës “Islam Alla”, vazhdon normalisht. Anës pirgjeve të dheut dhe tullave ata kanë vendosur kutitë e tyre me pak mallra dhe karriget (mjetet e tyre të punës), duke i shërbyer klientit, i cili, edhe pse në një zonë pothuaj të pakalueshme, arrin të blejë një kaush gështenja ose të paktën një paketë cigare. Komuniteti i këtyre shitësve në atë rrugë, që është vendi i tyre i punës, në kushtet e ndryshimit të saj, duket më i bashkuar dhe më i lidhur se zakonisht: një rritje e ndjeshmërisë ndaj ndryshimit të strukturës arkitektonike të rrugës, mungesës së trafikut dhe afrimit me njerëzit që interesohen mbi zhvillimin që po merr rruga, duke formuar kështu një kapsulë të re sociale, ndikuar nga mjedisi. Duke qenë se ndajnë të njëjtën rrjedhë dite, bisedat e tyre janë intime, - brenda atij peizazhi krejtësisht të transformuar - abstrakte, si shprehi filozofike të personalitetit të tyre dhe marrëdhënies me të tjerët; ndërsa dielli i fortë i paradites dhe gjethet që bien, alternojnë momentet vjeshtake të Tiranës. Pak më sipër, sa kalon kolosin prej druri që mban muret e reja të katedrales, pikërisht në sheshin pas Bankës së Shqipërisë, ku ndodhen kampistët dhe përpara Postës Qendrore, me shitësit e celularëve, rruga merr një përshpejtim të ri situatash, ndikuar nga ndryshimi që po i bëhet. Shumë prej këtyre kampistëve dhe shitës celularësh kanë dalë sot në punë, ashtu si shitësit ambulantë, por në ndryshim nga këta të dytët, të parët konformohen sipas shprehive krejtësisht të tjera. Së pari, grupi i kampistëve dhe i shitësve është shumë më i madh në numër dhe klientët që kanë biznes me ta janë gjithashtu më të shumtë, duke rritur në disa fuqi tensionin për ndarjen e hapësirës. Në kushtet e reja të rrugës, ata punojnë ngjitur pas njëri-tjetrit, duke u bërë një masë gri njerëzish (sidomos meshkujsh) të gjithë njëlloj, pa asnjë tipar qytetës, diçka që mbyt në çdo kuptim lirinë brenda hapësirave urbane. Shprehitë e përfituara në këtë kapsulë janë në fakt degradimi i mëtejshëm i vlerave të mëparshme të asaj zone të qytetit - nisur sigurisht nga relacioni i saj me njerëzit. Nëse më parë ishte vetëm jo e këndshme të kapërceje dhe shmangie lloj-lloj pengesash (kuti në rrugë, njerëz që rrinë në vend, njerëz që të dalin qëllimisht përpara rrugës tënde për të të shitur diçka) nëse do të kaloje nga Qendra te Tajvani ose anasjelltas, sot kjo eksperiencë, thjesht, nuk duhet provuar.

Në total, gjëndrat e komunitetit të kësaj rrugë, çdo minutë të orëve që kalojnë aty, prodhojnë hormone të ndjeshme ndaj ndryshimit të hapësirës urbane për shkak të aksionit rindërtues të rrugës dhe ngritjes së katedrales. Askush prej tyre nuk duket i ndërgjegjshëm për këtë, por vetëm në copa bisedash ata pyesin dhe janë kuriozë se ç’formë do të marrë dita e tyre kur gjithçka të ketë përfunduar.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente

  1. ujku i zi thotë:

    29 November 2007 @ 12:55 am

    Mendoj qe pershkrimet te tilla nuk jane te lehta sidomos kur e kane analizen urbane si qellim ne vetvete, dhe sidomos kur pretendohet te preket ana abstrakte e saj. “Raportim nga zona 2″ kam pershtypjen se eshte pjesa me e arritur e shkrimit. Te duket sikur je me e lirshme ne pershkrim, ndoshta edhe pse je cliruar nga kufizimi qe i ke vendosur vetes ne pjeset e para per ta treguar hapesiren urbane me shume nepermjet konceptesh abstrakte sesa pershkrimit te thjeshte te saj. Apo thjeshte te eshte ngrohur dora?. Ndonjehere pershkrimet e thjeshta i bejne te panevojshme konceptet, aq sa ne shkrimin tend pjesa e fundit duket sikur e ben te panevojshme fillimin. P.sh. disa shprehje ne fillim si civilizimit të Tajvanit apo kapsula të reja sociale por edhe disa metafora te ngjashme qe permenden me pas dhe qe jane ne te vertet koncepte abstrakte urbane nuk te lene ne te vertet te kuptosh se perse behet fjale. Kush eshte ndryshimi midis “arkitekturor” dhe “arkitektonik”? Kurse “raportim nga zona dy” eshte krejt e kunderta, nuk ka kufizime dhe hapesira urbane lexohet qarte. Me pelqen.

  2. swed thotë:

    29 November 2007 @ 9:47 pm

    Transformimi agresiv i interfaqes së rrugëve të qytetit, që ndërhyn në veprimtaritë sociale të bashkësisë së rrugës, krijon bulëza hapësinore dhe kohore të përcaktuara nga tiparet e mjedisit kalimtar vetëm në çastet e ndryshimit (rruga në rindërtim dhe jo funksionale), duke krijuar një tipologji të re të marrëdhënieve dhe njerëzve që kalojnë ose punojnë aty.

    Anaise, keshtu ke formen e te menduarit apo vetem te shkrimit?

  3. Pjer Thomas thotë:

    29 November 2007 @ 11:27 pm

    Ne fakt , ne darke andej shihje shum te vetpunesuar, qe shisnin çdo gje , misra te pjekur, akullore, petulla, geshtenja , fara luledielli etj. Shenje kjo e deshires per pune apo ekzistences per te jetuar.

  4. anaisa thotë:

    30 November 2007 @ 6:55 pm

    ckemi

    eshte hera e pare qe kthej pergjigje per nje shkrim timin e ndoshta s’jam shume e stervitur.

    gjithashtu shkrimi eshte nje sprove per te perfytyruar emocionet e njerezve ne rremujen arkitekturore te Tir, ka te beje me leximin e jetes se kryeqytetit permes rrugeve te tij- qe lidhet me formen sesi mendoj dhe si shkruaj (@swed) ketu jam munduar ta shpreh ne nje forme abstrakte perjetimin tim sepse perfshihen shume elemente qe shkaktojne gjendjen e cila ne vetvete eshte abstragim- ndaj edhe menyra e shkrimit eshte e strukturuar keshtu. Nese mendimet e mia nuk do shkruheshin ne kete forme nuk do mund t’i shkruaja fare.

    ti Ujkuizi, ke te drejte kur thua se me sakte eshte pershkruar ne pjesen e dyte, por kjo sepse per ate zone ishte shume e thjeshte te kapje elementet qe gati te perplasesin ne fytyre- kurse pjesa e pare eshte nje fantazim i situates, nje menyre per te hyre ne gjenden e asaj pjese te rruges e cila nuk ishte ne ndryshim. Me duhet te pershkruaja per te bere nje fare ndryshimi mes dy raportimeve. Por thelbi i shkrimit mbetet pjesa e dyte. Arkitekturor dhe arkitektonik jane perdorur per te kuptuar: 1. ndryshimin aktual te pamjes se rruges dhe ndertimi i katedrales; dhe 2. arkitektonik ka te beje edhe me nje reliev tjeter, nje sistem gjithperfshires elementesh ne nje strukture unifikuese, qe une per momentin nuk di ta shpjegoj me mire sesa kaq. Shprehje si ‘kapsula sociale’ i perdor per te kuptuar nje moment te percaktuar, i mbyllur dhe i ndare nga momentet e tjera- nje akt ose marredhenie qe krijohet ne ate moment kur rruga ndryshon.

  5. krasta krau thotë:

    30 November 2007 @ 11:07 pm

    Bukur bukur me pelqen si eshte shkruar… Te pershendes…

  6. Ujku i zi thotë:

    30 November 2007 @ 11:49 pm

    per ate zone ishte shume e thjeshte te kapje elementet qe gati te perplasesin ne fytyre- kurse pjesa e pare eshte nje fantazim i situates

    Anaisa, hapja e pjeses se dyte me figuren e struktures se drunjte te katedrales eshte shume e goditur megjithese “rastesore” si e thua ti se elementet te “perplesashin ne fytyre”. Por une mendoj se arsyeja pse i kushtijme vemendje dickaje me shume se dickaje tjeter duhet te jete me shume se kaq. Nuk me kujtohet ku e kam lexuar por dikush thoshte pak a shume se “realiteti eshte me interesant se cdo krijim i imagjinetes”. Ketu nuk dua te mohoj rendesine e krijimit, por te theksoj faktin se realiteti na ndihmon te komunikojme me njeri-tjetrin. Nese ti do krijoje nje gjuhe te re qe nuk do kishte lidhje me realitetin, veshtire te prisje te tjeret te te kuptonin, prandaj eshte me e suksesshme pjesa e dyte.
    Psh. ajo figura e katedrales sado rastesore thote me shume per qellimin tend se cdo gje tjeter. Katedralja si arkitekture e urbanistike ne nivelim me te larte, dhe struktura e drunjte si rikonstruksion por edhe si metamorfoze. Kam pershtypjen qe nje poeti nuk do t’i duhej me shume se aq per te shprehur ndoshta ne pak vargje ate qe kerkon ti te shprehesh ne shkrim. Por sigurisht ti nuk po ben poezi, dhe pershkrime te tilla arkitektonike duhet thene qe jane te veshtira.
    Swed mendoj se ka te drejte ne kritiken e saj, dhe ndoshta duhet pare me qetesi se perse nuk ke komunikuar dot me te nepermjet shkrimit tend.
    Kurse mbiemri “arkitektonik” dhe “arkitekturor” medoj se eshte i njejti dhe nuk te ndihmon te besh ate diferencimin qe pershkrove me lart.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com