Metafizikë etike

Çdokush që ka përjetuar epokën e diktaturës komuniste në Shqipëri – i madh dhe i vogël – rrallë herë i shpëton tundimit të të kthyerit të kokës prapa. Sipas individit, vështrimi mund të jetë nostalgjik – veçanërisht kur mosha dhe vështirësitë e jetës errësojnë pamjen e të sotmes ; kritik – kur vëren se e nesërmja mbetet rob i të sotmes, që çuditërisht ende varet nga e shkuara; përçmues – kur zbulon naivitetin e perceptimit të botës nga masa njerëzore që tërhiqej për hunde nga një grusht cinikësh të paskrupullt ; bile edhe ndëshkues – kur llogarit kohën e humbur, përpjekjet e asgjësuara, sakrificat e kota, ndalimet absurde.

Rrallë herë ndodh që vështrimi të mos mbytet nga pasioni, asnjëherë ai nuk është indiferent.

Kur bëhet fjalë për vetë viktimat e komunizmit, vështrimi bëhet i pamëshirshëm : si mund të vlerësohet ndryshe dhuna primitive e « dikushit » të veshur me pushtet ndaj « askushit » të zhveshur nga e drejta më elementare – ajo e të menduarit dhe të shprehurit « ndryshe » ? si mund të cilësohet tjetër ushtrimi i gjykimit arbitrar, i torturës dhe i eliminimit fizik « në emër të popullit » ? gjymtimi fizik dhe moral i njeriut – « kapitalit më të çmuar », i ushtruar në emër të një ideali « të lartë që synon zhdukjen e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu », të shoqërisë « të drejtë dhe më njerëzore » të Historisë ?

Nostalgji - kritikë, perçmim - ndëshkim, urrejtje – drejtësi… Në ç’raport qëndrojnë elementë të tillë si pasioni – arsyeja, cilat janë lidhjet e brendshme të këtij çifti që ndikon vështrimin tonë ?

Në fund të fundit, cili është objekti-shënjestër i këtij vështrimi retrospektiv, i gjykimit qoftë edhe të vonuar : një ideologji e caktuar – përçuesi dhe zëri i saj – udhëheqësi ? një grup njerëzish të caktuar – kasta e « të privilegjuarve » - parti politike ? një masë e madhe njerëzish – shuma e zbatuesve dhe pjesëmarrësve në projektin vetëvrasës – populli ?

Pasi duhet të jemi të sinqertë, të paktën me vetvehten : një projekt i tillë shoqëror si komunizmi, një rregjim i tillë politik si totalitarizmi nuk mund të reduktohen në një njeri të vetëm, qoftë ky edhe gjeni ose diktator. Në qoftë se karizma personale mjafton për të mbledhur rreth vehtes një grup individësh që synojnë pushtetin dhe favoret e tij, në qoftë se ideologjia arrin të anesteziojë shpirtrat e një brigade sulmi – qoftë edhe një divizioni besnikësh, si duhet shpjeguar nënështrimi i një populli për dhjetëvjeçarë të tërë si dhe bashkëngjitja e tij ndaj projekteve të një pushteti ? Më frikën nga dhuna apo me mungesën e përvojës demokratike ? – Çuditërisht, as kurajo nuk i ka munguar, as edhe tradita liridashëse…

Dashur padashur, ekuacioni ynë politik-shoqëror-shpirtëror reduktohet në ndërlidhje mes variablave të tillë të pashmangshëm sikundër përgjegjësia dhe fajësia, ndërkohë që marrëdhëniet mes individit dhe pushtetit sintetizohen nga raporti bashkëpuntor – fajtor.

Për t’i shpëtuar diktatit të ligjit si dhe komandës së moralit, kemi zgjedhur etikën dhe këshillat e saj për të përvijuar dy këndvështrime dhe dy përsiatje mbi të njejtin objekt analize – rishkrimin e historisë. Të parën e sjell Mërgim Korça dhe të dytën Fatos Lubonja. Sejcili përfaqson jo vetëm një botëkuptim por edhe një epokë, jo vetëm një bindje por edhe një metodë – diametralisht të kundërta në çfaqje dhe në thelb – megjithëse që të dy kanë të njejtat arsye për të kërkuar përgjegjësitë e të kaluarës : ato të viktimës që shëndrrohet në gjykatës të xhelatit të tij.

Përgjegjësia si gjykim : pesha e të kaluarës.

Historia personale e z. Mërgim Korça ngërthehet në atë të atit të tij Xhevat : intelektual i spikatur antizogist, demokrat nolist, ai bënte pjesë në rrethin e ngushtë të udhëheqjes së Ballit Kombëtar dhe pranoi postin e ministrit të arsimit të qeverisë Kruja gjatë pushtimit fashist italjan. I gykuar si kolaboracionist dhe kuisling nga gjykatat komuniste të pasluftës, Xhevat Korça dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në burg – gjatë një greve urie. Djali i tij, Mërgimi, persekutohet parreshtur nga rregjimi komunist – megjithë talentin e tij si mekanik dhe përfundimisht, pas rrëzimit të diktaturës, mërgon në SH.B.A ku i përkushtohet letërsisë, objekti i të cilës është dënimi i atij rregjimi dhe i krimeve të tij. Shkrimet e Mërgimit përshkohen nga ideja konstante e rivlerësimit të historisë bashkëkohore të vendit nën dritën e arsyes nacionaliste : atë të logjikës së brendshme të kompromisit që karakterizoi krerët e Ballit Kombëtar, të cilët shfrytëzuan rrethanat e krijuara nga pushtimi fashist për të rimëkëmbur patriotizmin si edhe Shqipërinë, në kufijtë e vet të mëdhenj, për të mos i quajtur « natyralë ».

I ndikuar thellë nga mëshira fetare si dhe nga konceptimi bektashian i botës, vështrimi i tij kritik dhe këmbëngulës karakterizohet nga mungesa e idesë së hakmarrjes, gjithë duke theksuar rehabilitimin e një morali politik. Dhe pikërisht në emër të këtij morali, z. Korça ve në pah veti të tilla si atdhedashuria, përkushtimi ndaj dijes ose edhe ndershmëria, për të përçuar edhe kredon politike të njërit prej modeleve të tij, Mustafa Krujës :

« … Ne nuk mund të jemi të pavarur pa mbështetjen e saj (të Italisë – M.K.) sepse do të binim pré e fqinjëve tanë më të fortë se ne » (shih tekstin e plotë).

Megjithatë, përtej moralit dhe shembullit kantian të politikanit moralist dhe të moralistit politik, shfaqet etika. Lidhur me këtë të fundit, z. Korça përmend dhe interpreton filozofin dhe sociologun Maks Weber :

« …Etika e bindjeve, (që janë edhe mësimet e të gjitha besimeve fetare), ësht’ajo e cila mëson të mos vrasim, të mos mashtrojmë, të mos gënjejmë, të mbajmë fjalën e dhënë, të ndihmojmë nevojtarët, etj. e lidhur kjo edhe me të gjitha pasojat që mund të ketë një respektim i këtyre normave

…kurse etika e përgjegjësísë ësht’ajo simbas së cilës veprimet politike duhet të llogariten lidhur me gjykimin e pasojave, nga një qëndrim i dhënë, në interes të kombit, popullit si edhe shtetit » (shih tekstin e plotë).Le t’i nënështrojmë pikpamjet e mësipërme pikërisht analizës së filozofit të mësipërm, pa harruar aspak se një nga elementët kryesorë të veprës të tij qendërzohet pikërisht tek njeriu politik dhe përmasat e tij që dyzohen mes etikës së bindjeve dhe etikës së përgjegjësisë.« …Sidoqoftë, egziston një kundërshti e pafund mes qëndrimit të atij që vepron sipas precepteve të etikës së bindjeve – në një gjuhë me thekse kishtare do të shpreheshim : « besimtari bën detyrën e vet dhe në lidhje me rezultatin, ja le vehten në dorë Zotit » -, dhe qëndrimit të atij që vepron sipas etikës së përgjegjësisë, i cili thotë : « ne duhet të përgjigjemi lidhur me pasojat e parashikueshme të akteve tona ».

Partizani i etikës së bindjeve do të ndjehet « përgjegjës » vetëm lidhur me domosdoshmërinë e të mbajturit ndezur të pishtarit të doktrinës se pastër – (qoftë kjo edhe nacionaliste- shënimi ynë) – me qëllim që kjo e fundit të mos shuhet. Aktet e tij nuk mund dhe nuk duhet të kenë vlerë tjetër përveç asaj shembullore por që, po qe se i kqyrim nga ana e pikpamjes së qëllimit të tyre eventual, mbeten iracionale pasi udhëhiqen vetëm nga një qëllim dhe një i vetëm : të ushqejnë përjetësisht flakën e bindjeve të tyre.

…Por nuk ka asnjë etikë në botë që mund të nënvleftësojë faktin se për të arritur qëllimet « e mira » jemi shumë shpesh të detyruar nga njera anë të përdorim mjete të rrezikshme për të mos i quajtur « moralisht të pandershme » dhe nga ana tjetër të përballim mundësinë e pasojave rrënuese. Asnjë etikë në botë nuk është në gjendje të na thotë se në ç’moment dhe në ç’masë një përfundim moralisht i mirë justifikon mjetet dhe pasojat e rrezikshme (1).

Praktika tregon në fakt, se etika e bindjeve shkrihet në atë të përgjegjësisë pasi kjo e fundit s’përfaqson gjë tjetër veçse vlerësimin me kandarin e bindjeve të pasojave të veprimit të ndërmarrë, gjithë duke qenë i përgjegjshëm lidhur me tërësinë e këtyre pasojave. Dhe veçanërisht në qoftëse këto pasoja bien në kontradiktë me qëllimin që udhëhoqi veprimin fillestar.

Nuk po flasim këtu për « papërgjegjësinë politike », bile bëjmë sikur e kemi harruar edhe vërejtjen aq therëse të filozofit Zhak Lacan - gabimi i kryer « me zemër në dorë » është gabimi më i rëndë.

Përgjegjësia si veprim : forca e të tashmes.

Historia personale e z. Fatos Lubonja ngërthehet gjithashtu në atë të atit të tij Todi : partizan i orëve të para, komunist i bindur, pas çlirimit të vendit - falë zotësisë të tij, ai bënte pjesë në rrethin e udhëheqjes së PPSH dhe drejtoi Radio Televizionin Shqiptar deri në vitin 1973.

I gykuar si sjellës i frymës liberale në jetën e vendit dhe si armik i Partisë, Todi Lubonja dënohet me burgim dhe më tej me internim, dënim që e vuajti deri në shembjen e komunizmit. Djali i tij Fatos, dënohet fillimisht « për agjitacion e propagandë », dënim i cili ripërsëritet dhe e mban në burgjet e rregjimit deri në vitin 1991. Gjithmonë në vendin e vet, ai braktis pasionin e tij të parë – shkencën, dhe i përkushtohet letërsisë, esesë dhe gazetarisë.

Shkrimet e Fatosit përshkohen nga ideja konstante se rivlerësimi i historisë të vendit duhet kqyrur nën prizmin e çmontimit të miteve që kanë shërbyer për ta ndërtuar : lashtësia e origjinës, nacionalizmi, komunizmi…

Mendimi i këtij vëzhguesi të kujdesshëm të realitetit të vendit huazon dhe kryqëzon përqasje filozofike dhe historike të epokës, të cilat i projekton me guxim mbi tema të ditës. Vështrimi i tij sa politik dhe social karakterizohet nga mungesa e idesë së hakmarrjes, gjithë duke nënvizuar hipokrizinë e moralit politik.

Shkrimet e z. Lubonja krijojnë instiktivisht një përqasje me konceptin e « banalitetit të të keqes » të Hannah Arendt. E njejta vështirësi e tejskajshme për të gjykuar krimet e padurueshme, sa edhe fakti që kriminelët ishin të zakonshëm – ordinerë. Njerëz, banaliteti i të cilëve i sjell në realitetin e përditshëm, të jetuar nga çdokush – « tmerrësisht normalë ». Pra, shnjerëzorja a është pjesë e qënies, e çdokujt ? në këtë mënyrë, a perceptojnë « keqen » dhe faktin që « i bëjnë keq dikujt » këta lloj njerëzish ? A ndjejnë ata « fajësi » për aktet që kryejnë ?

Duke fshirë çdo gjurmë fajësie nga shpirti i xhelatëve, sistemit totalitar shpreh thelbin e tij antinjerëzor : pasi ka kryer ndërmarrjen e tij të shnjerëzimit, sistemi krijon dallimin radikal mes viktimave dhe xhelatëve, të cilët nuk i përkasin më të njejtës specie. Të parët ndërsa të dytët kryejnë thjesht detyrën, pa patur ndërgjegjen se po shkelin ndonjë « ndalim » moral ose ligjor. Sidoqoftë njerëz, nga ata që përshkruan Primo Levi në tekstet e tij :

« .. ata ishin bërë nga e njejta lëndë si e jona, ishin qënie njerëzore të zakonshme, mesatarisht inteligjentë, mesatarisht të këqinj : përveç ndonjë përjashtimi, ata nuk ishin monstra. Ata kishin fytyrë si tonën ».

Kush mban përgjegjësi për këtë të shkuar kaq pranë të sotmes ? Fatos Lobonja shprehet hapur :

« …sipas meje, të gjithë duhet të ndjejmë përgjegjësi për atë që ndodhi, për ato që kemi bërë, apo edhe për atë që nuk kemi bërë. Sepse ai regjim nuk do të ishte kurrsesi aq monstruoz pa bashkëpunimin me të dhe veçanërisht të asaj pjese që ishte e ndërgjegjëshme për atë që ai përfaqësonte. » (shih tekstin e plotë).

Megjithë syçelësinë që e karakterizon, vështrimi e Lubonjës mbetet i zymtë. Ai ndikohet nga një dialektike rrethqarkulluese, sipas të cilës, « njeriu është, në një farë mënyre, rob i së kaluarës së tij; nuk shpëton dot prej saj. Kur kjo e kaluar është e ngarkuar me mëkate, ai e ka të vështirë të jetojë me to ». Në këtë mënyrë, ai shpreh dilemën esenciale të njeriut të sotëm shqiptar që jeton « një proces vazhdimësie, jo ndarjeje me të kaluarën. …dekompozimin e kufomës së komunizmit ».

Njeriu dhe lidhja e pandashme me botën dhe kohën e vet, izolimi i tij moral në gjirin e një shoqërie të destrukturuar – aksiologjia temporale, ja edhe kuptimi etik i vlerave që shfaqen herë pas here në indin thurës lubojan.

* * *

Pas këtij vështrimi « analitik », personalisht gjendem në rolin e nikoqires me thikë në dorë që heziton përpara se të ndajë në pjesë çyrekun metafizik… dhe ndoshta është filozofi Sartrë që zotëron formulën « e mesit të artë ».

Në parathënien e dramës së tij « Mizat », të shkruar në vitin 1943, ai shkruan : « Cilado qofshin rrethanat, në çfarëdo vendi që të jetë, një njeri mbetet gjithmonë i lirë të zgjedhë në se do të jetë ose jo një tradhëtar ». Sigurisht që duke shkruar këto fjalë në atë vit të largët, ai s’kish parasysh as Ballin Kombëtar dhe dilemat e tij historike as edhe Z. Korça dhe etikën e tij si gjykim. Sartri i drejtohej një ilegali të Rezistencës – si puna e të atit të z. Lubonja, të cilin fati i keq dhe zelli i madh i bashkëpuntorëve të pushtuesit gjerman e kishin vënë në karriken e torturave të specialistëve të Gestapos. Pra, ai e kqyr problemin në spektrin e kurajës – të pranohet ose jo rreziku i veprimit. Ç’ka mbetet jashtë tij ? Një shqiptar i kohës së Enverit ose ishte me rregjimin ose ishte kundër tij. Asnjë zgjidhje tjetër nuk i ofrohej. Në këtë rast, a egziston vetë zgjedhja ?

Disa vjet më vonë, në dramën e tij « Djalli dhe Zoti », Sartri kundërshton vetvehten nëpërmjet njërit prej personazheve, i cili nuk është në gjendje të zgjedhë mes Kishës që ka braktisur të varfërit dhe mes të varfërve që kanë braktisur Kishën – një qënie njerëzore krejtësisht i kondicionuar nga situata në të cilën jeton.

Në mënyrë paradoksale, është brenda këtyre dy kufizimeve sartriane që duhet vendosur vehtja : pa mohuar guximin e brendshëm të sejcilit, që dikur arrin të çlirohet nga guacka individuale dhe shëndrrohet në një thirrje revolte, çdo qytetar si i tillë mban një pjesë të përgjegjësisë dhe të peshës së diktaturës. Pasi, është po aq hipokrite për ndërgjegjen të shkarkosh fajësinë e plotë mbi një popull, në gjirin e të cilit lindi një diktator, sikundër dhe absurde të kufizosh krimet e një rregjimi në atë majën e mprehtë të piramidës të pushtetit.:

Sartri, gjithmonë ai, e ka përcaktuar këtë gjendje me anë të shprehjes së mëposhtme :

« sejcili është përgjegjës për atë çka të tjerët kanë bërë me të, edhe sikur të mos mundë të bëjë asgjë tjetër përveçse të pranojë këtë përgjegjësi. Ky është edhe përkufizimi vetë i lirisë : një lëvizje e vogël që shëndrron një qënie sociale krejtësisht të kondicionuar në një individ, i cili nuk rikthen në mënyrë të plotë gjithçka ka pranuar gjatë kondicionimit të tij » (3).

(www.albanie-albanais.com)

——————
(1) Max WEBER, Le savant et le politique, Plon, 10/18, Paris 1995..

(2) Hannah Arendt, la banalité du mal, comme mal politique, l’Harmatan, Paris 1998.

(3) Jean Paul Sartre, L’Existentialisme est un humanisme, Gallimard, Paris 1996.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente

  1. adriatik thotë:

    26 January 2008 @ 1:34 pm

    Nje anlize e tille perpiqet qe te me mbushe mendjen se krimi me i madh i shqiptareve si komb a si popull eshte qendrimi tolerant ndaj tradhetise se interesave te njeri tjetrit. Ne fund te fundit kjo u ka interesuar te gjithe popujve fqinj ne lidhje me shqiptaret.
    Me sa duket bota na njeh mire dhe i pelqen “tolerancen e madhe fetare, toleranca nderetnike dhe toleranca nderperandorake. Sikur izraelitet te mos ishin mbeshtetur ne forcat e tyre nuk kishin per te siguruar mbeshtetjen e te tjereve. Me habit permbysja e raporteve ne shkrimin lidhur me objektin kohor. Edhe pse te gjithe e dine se diktatura komuniste ishte nje pengese per zhvillimin e shumanshem te dhe te metejshem te Shqiperis dhe kishte shume plage dhe beri shume te mira, prape vazhdohet me nje sulm ne progresion gjeometrik kunder cdo gjeje brenda 50 vjeteve. Eshte e cudicme kjo kur kraheson numurin e dramave te komunizmit me numurin e dramave vetem te “Vizion Plusit”. Dashje pa dashje te krijohet imazhi se autorit me shume i vjen keq per kolaboracionistet apo kuislinget (term qe sot pak njihet ne bote-sh. im) si thote ai se sa per ato mijra subjekte te drames njerzore shqiptare qe besoj do te perbenin mjaft subjekte per tragjedi edhe me tronditese se ato te Eskilit dhe te Shekspirit.

    Shqiptaret si popull, mendoj se nuk e kthejne koken prapa por jane bijte e tij te lindur si dobicat e perdhunes se sofistikuar neokolanialiste qe kerkojne qe tja shtremberojne qafen dhe tja kthejne koken vetem mbi ate aneks te komunizmit ku te gjithe sistemet kryejne nevojat e perditshme. E konsideroj jashtzakonisht te mjerueshme qe shpesh here kalemat e mprehur me djersen e ketij populli dhe te ngjyer ne gjakun dhe vdekjen e tij te perditshme, perpiqen te mbushin mendjen e njerzve se e gjithe kjo katrahure 18 vjecare eshte pasoje e komunizmit. Cudi se si iu turbullua ujet e ujkut prej qengjit qe pinte qindra metra me poshte rrjedhjes. Sa me shume perpiqen revanshistet per tu hakmarre (ekstremi i djathte-fashizmi) mbi kete popull aq me shume do te rrenjoset urrejtja ne popull (ekstremi i majte -Komunizmi). Kjo ndodhi edhe ne periudhen 1920-1944. Si qytetar apo pjestar i kombit shqiptar e ndjej per detyre qe te shpreh mendimin tim se askush nuk ka te drejte qe tu jape te drejte ekstremeve pasi ne te gjtiha rastet ekstremet bashkohen. Le ta kthejme koken prapa per te nderprere mbjelljen e urrejtejes dhe jo per te ndezur minat e destabilitetit vrases. Boll duruam 18 vjet lekundje marramendese dhe histori personale te verteta dhe te shpifura apo te ndryshuara nepermjet ndryshimit te historise. Liria personale merr fund kur cenohet liria e Kombit.

  2. alb thotë:

    26 January 2008 @ 2:17 pm

    sejcili është përgjegjës për atë çka të tjerët kanë bërë me të, edhe sikur të mos mundë të bëjë asgjë tjetër përveçse të pranojë këtë përgjegjësi.

    Mos thoni poshte tiranet por thoni poshte skllevrit.

  3. toko thotë:

    26 January 2008 @ 4:15 pm

    XIxa te me falesh mbase eshte koha ime e kufizuar, mbase eshte pamundeisa ime per te kuptuar plotesisht drejet shkrimin tuja. Por mendoj se shrehja e fundit e Sartre do te jete dhe konkluzioni tuaj.
    Mendoj se eshte e drejte. Duke filluar ketu me “Sejcili eshte pergjgjes” perfundimi eshte jemi te tere ne ( po heq ketu ata qe viti 90 i gjeti ne fillimet e moshes se adoleshences apo me te vegjel) qe duhet te mbajme pergjegjesi . Nuk duket sikur pas kesaj shprehje ka vend shprehja “Bashkfajtore dhe bashkevuajtes”? Ne qofte keshtu une jam dakort. ( pavarsisht se kete e ka thene edhe Bersha qe une nuk e pelqej, dhe nga arsyet e mospelqimit eshte pikerist demagjia e tij ne kte shprehje “Te tjera ben te tjera thua
    qe te ma prishesh mendjen mua”
    Ndersa sa per shmbujt qe keni sjelle dua tju pyes
    sa % e popullsise jane ne pozitat e Korces ( te cilin e njoh personalisht) dhe Lubojes ( te cilit i kam njohur ne vogeli babin e tij). Nuk mendoj se ata perbejne shumicen e popullsise. Dhe pavarsisht nga qendirmi i tyre ai eshte nje qendrim subjektiv ( qe me sa kuptoj nga shkrmi tuaj edhe ju e keni trajtuar keshtu) Do ta quaja mendimiin e tyre me konflikt interesash, pasi si njeri dhe tjetri kane vujtur nga rregjimi komunist ( pavarsiht nga rrethana e ndryshme)
    Nuk do te qe me mire te merrej per shmbul cfare mendon i biri i nje ish komunisti te thjeshte dhe nje ish jo komunzmi te thjeshte. Mbase mendimet e tyre jane me me vlere se ato te nje pakice njerezish. Thjesht mendimi im ky.dhe e perseris t eme falesh nese nuk e kam kuptuar drejt komentin tuaj

  4. Vemendje thotë:

    26 January 2008 @ 6:32 pm

    “Xixa” qe bene xixa. E para; Xixa nuk te ka asimiluar mire edhe vete ate qe shkruan, e dyta; S’ka gje te keqe, qe Lubonj-at “gabojne” se gabimi i Xixeve eshte me i madhe, duke u marre me ate qe autoret bene (para 90-es), dhe jo me ate qe autoret po bejne (pas nentedhjetes) Une e lexoj ndryshe rreflektimin e Lubonje-ve; Pamvaresishte se quhen si shartese e pemes komuniste, ata ishin ne radhe te pare te nji peme njerzore shqiptare, pastaj ne degen e komunizmit, dhe ajo dege qe u pre (shartua) Sa te te mire dhe qiellore veprojne te jene Lubonj-et, nuk arrin t’i kuptoj drejte nje “nacionalist” qe u shartua qe ne fillim nga e njejta peme qe eshte shqipria. N.q.s ka rilindje te nacionalizmit ai nuk duhet te konfliktoj me qytetrimin, rreflektimin, qe sjelle pervoja e “deges” se shartuar nga komunizmi (lubonj-et) por me fashizmin e vonuar te tyren qe po ju pelqen ta aplikojne tani, 68-te vjete me vonese. Pra rrugen qe nisi Nacionalisti ne vitet 40-te, ka fatin tani t’a integroje me Lubonj-et, qe te mos marri jete si po merr fashizmi i komunisteve te viteve 40-te edhe sote me pretekstin se po bene ate qe Nacionalistet deshironin ne vitet 40-te. E keqja eshte magnet i madhe, dhe eshte ne duart e shumices per t’a ndryshuar sasine qe po thith ky magnet, pamvaresishte se te kujt spektri, gjithnji te te njejtit trung se pemes Shqiptare.

  5. Idris thotë:

    26 January 2008 @ 6:56 pm

    Perpjekjet tuaja i nderuar XIXE per te hapur nje faqe te jetes se nje populli, jane me te vertete per tu admiruar.Jane me te vertete per tu pershendetur kur aq me teper pavaresisht nga informacion i kufizuar ne OBJEKT,parashtron me zhdervjellesi e metoden e ballafaqimit e mbi te gjitha te veshura me DIJE mendimet tuaja.
    Kam dashur gjithmone ashtu si edhe JU qe para se te vij tek Ballafaqimi i
    Barbarit KOMUNIST HOXHA me DELET e PERENDISE te BALLIT,te sqarohej pergjigja e pyetjes nga te cilan do te lidhet shpjegimi i nje varg problemeve KYCE ne kete Ballafaqim ku rolet jane kryer nga njerez te pervecem.
    Duke e filluar nga KOHA e LII PYETJA KYCE qe do te duhet te pergjigjej z M.KORCA e gjith perkrahesit e kesaj teorie do te ISHTE:
    A do te ekzistonte SHQIPERIA ne se do te deklarohej si MBESHTETESE E FASHIZMIT ?
    Dicka me laike si te thuash pa ngarkesa emocionale te peraferta ne kohe ,pyetja tjeter po aq thelbesore eshte:
    NE se do te kishte fituar FASHIZMI C,fare lloj shteti do te perfaqesohej ne SHQIPERI ne mos DIKTATURE FASHISTE?
    Nje pyetje qe i permbledh te dy sistemet (jo per Fantastet) a mundet qe SHQIPERIA ndryshe nga te gjithe shtetet e BOTES ta kaperxente formen e QEVERISJES nen DIKTATURE,menjehere pas LII?
    Perseri per te qetsuar ndergjegjen qe nga koha kur Populli shqiptar me ne krye fitimtaret ne vitin 45 bertiste rrugeve”S.Francisko-S.Francisko”
    a mendon se e pyeti njeri kur vijen ja kaluan (pa e ditur se ekzistonte fare si shtet apo si popull)ne ANEN e MAJTE?
    Dhe e fundit per te mos thene qe ne te gjithe kete balla- faqe edhe JUVE si PENE e ARRIRE ju mungon njohja e PLOTE e KONCEPTIT ne menyre “Laike” para se ta vishni me momente POLITIKE..Ndoshta per me vone…Me respekt.

  6. Artian thotë:

    26 January 2008 @ 8:19 pm

    XiXa dhe jo vetem xixa, por te gjithe, edhe ai qe i ka dy pare mend,do te kuptoje se sot eshte shume e lehete te teorizosh mbi ngjarjet historike te e shkuares,pamar parasysh se ne ato ngjarje kane qene dhe disa rrethana te kushtezuara nga situatat ne bote,dihet se pas luftes se dyte boterore,SHQIPERIA dhe mbeti nen influencen e fitimitareve lindore,te cilet ishin te paret qe do ta ndimonin ekonomikisht ne radh te pare per tu rimekembur,kur dihet se shqiperia kishte pasur nje humbje te madhe njerezore dhe ekonomike,Rusia ne ate kohe kishte nje influence te madhe,ne lindje dhe shqiperia u besoi endrave per nje bote me te mire me te drejte.
    Nje i verber nuk mund te refuzoje nje dhurate,qe i premton vizionin e rruges te re,nje premtim per nje jete ndryshe.
    Rusia e ndimoi jashtezakonisht vendin tone,per tu rimekembur shume shpejt,duke dhene ndima te medha financiare dhe njerezore.Shqiperia ishte reshtuar dhe perkrahur nje ideologji komuniste ndoshta edhe te imponuar nga rrethanat e kohes dhe veshtiresite qe po kalonte nga lufta boterore.
    Koncepti i lirise nuk mund te ishte sic eshte sot,ajo liri ishte e kufizuar dhe e kushtezuar nga sistemi qe u aplikua ne te gjithe lindjen.,dhe do te ishte nje nje vete vrasje per ata qe do te mendonin ndryshe,ashtu edhe sic ka ndodhur.
    Guximi i sotem eshte lux.kur ekzistojne apsolutisht rrethana te tjera historike.
    Mendoni nje moment.,imagjinoni ne kohen e sotme ku shqiperia,nuk mund te jetoje dot,pa ndimen njerezore dhe ekonomike,e vetme, te kundershtoje ose teguxoje te kete mendimin e vete te pavarur dhe fuqine kunder Amerikes ose Bashkimit Europian.??Do te ishte absurditet.
    Kjo eshte zgjedhja jone,sot per sot ne rethanat qe jane krijuar.,,perendimi.Mendimi ndryshe do te shtypet,ose do te injorohet.

    Por sikur te ndryshojene rrethanat,asgje nuk eshte apsolute e perhershme.,e perjetshme.Shqiptaret jane te denuar te shkojen dhe ti pershtaten ererave,lindje perendim se ndryshe nuk mund te mbi jetoj.Kjo eshte nje cilesi e mire e jona per te mbijetuar.
    Me sistemet e kaluar sot mund te luash piano,te ulesh e te ngresh figura historike sikur te lush shah.Sepse ajo qe dje ishte e gabuar,sot eshte e nesermja qe do te pergojohet, ose fajsohet nga brezat qe do te vijne.

  7. Idris thotë:

    27 January 2008 @ 12:33 am

    Xixa!
    Mos prit me pyetje e interpetime. Do ti keshe me tonelata te indoktrinuara,nga te dy krahet.
    Me qe pate KURAJON ,dhe nuk eshte gje e paket te marresh persiper te nderhysh ne HISTORINE e nje populli:
    PERGJIGJU ose SHTROI NDRYSHE PYETJET KYC?
    Interptimi i Art..shton me teper kutpimin e pyetjeve…

  8. Idris thotë:

    27 January 2008 @ 4:47 am

    Tani duke u “rehatuar” e rilexuar perpjekjet e interpetimet filosofike te trajteses se shkurter Tuaj,ve re me vemendje se po perdorni nje figure plotesisht Komuniste, si “nikoqire me thike ne dore” per te ruajtur nje kendveshtrim te mesit te ARTE.
    Sartri ……i plote i qendron jetes dhe vepres se tij nen moton:
    “Marksi pa mua eshte jo i plote”
    Pasi ka lexuar letren e Angels-it (njeriut me te ditur ne bote keto 2000 vjet te shoqerise njerzore) drejtuar nje filososfi te ri rus (mat.dial) ku pranohet dhe shpjegohet arsyeja perse eshte lene si menjane “individi”, prej Marksit, Angel-i ben nje “si ftese” per filosofet e ardhshem per ti kushtuar me shume rendesi individit (interesave te tij) duke e shkeputur nga interesat shoqerore ne GRUP (bllok).
    Per humor :perpjekjeve qe beri J.S STALIN si “filosof” per te shpjeguar individin si materialist,”kopuket” ju kundervune me nje pergjigje e cioa e largoi njehere e pergjithmone nga fusha e FILOSOFISE:
    -”Sipas JS Stalin na del se gryksi me i madh i botes na qenka materialisti me i madh ne bote”…:D :D :D
    Ne kete grup ben pjese Sartri qe duke perqafuar tezen e Marksit se ;
    “qe nje njeri te merret me politike ,art,fe,kulture etj, duhet me pare te kete nje pune te sigurte nga ku duhet te siguroje te ardhurat per jetese,
    dhe nje banese ku te fut koken”……dhe ne perpjekje per te sqaruar perfundimisht ne menyre shkencore individin u rrek dhe krijoi si origjinale te tij teorine te Marksit…ate qe u quajt EKZISTENCIALIZMI”
    Dihet shume mire se kjo teori u be shkaktarja e levizjeve te studenteve ne FRANCE dhe me pas ne pothuaj te gjithe EUROPEN duke tronditur thelle jeten ne qendren e metropoleve.
    Pas nje “shikimi kritik” teoria e tij u “shty” drejt LIRIVE dhe te DREJTAVE FEMRORE ne vecanti dhe ne teresi ne EMANCIPIMIN e SHOQERISE per te pranuar INDIVIDIN. Fundi i teorise se tij eshte perzierja e saj me FROJDIZMIN dhe me pjellat e kesaj teorie “LEVIZJEN e HIPIZMIT”.
    Megjithate sot shkenca ka zbuluar e zberthyer me thelle qenien njerezore dhe qe te operosh me “tru” ne fushe te paster TEORIE si Lubonja apo tjeter eshte e “dale mode”.
    Me sa ju kuptova behet fjale per kushte te caktuara Historike jo sic i mendoj une dhe juve apo kushdo por “mbi c’baze u cfaqen dhe sa ishte real zhvillimi tyre” per te gjetur pastaj se “sa te eger apo njerzor”ishin kapitalizmi apo sistemi politik i DP.

  9. Pjer Thomas thotë:

    27 January 2008 @ 8:04 pm

    Artikulli ishte shum filozofik dhe shtronte pyetje qe vertet nuk jepen me nje te rene te lapsit. Gjithe thelbi i çeshtjes , me duket se rrihte tek ky perkufizim;
    …Pasi duhet të jemi të sinqertë, të paktën me vetvehten : një projekt i tillë shoqëror si komunizmi, një rregjim i tillë politik si totalitarizmi nuk mund të reduktohen në një njeri të vetëm, qoftë ky edhe gjeni ose diktator. Në qoftë se karizma personale mjafton për të mbledhur rreth vehtes një grup individësh që synojnë pushtetin dhe favoret e tij, në qoftë se ideologjia arrin të anesteziojë shpirtrat e një brigade sulmi – qoftë edhe një divizioni besnikësh, si duhet shpjeguar nënështrimi i një populli për dhjetëvjeçarë të tërë si dhe bashkëngjitja e tij ndaj projekteve të një pushteti ? Më frikën nga dhuna apo me mungesën e përvojës demokratike ? – Çuditërisht, as kurajo nuk i ka munguar, as edhe tradita liridashëse…

    Perpara se te hidhemi ne Komunizmin e Lindjes, ne duhet te shohim me perpara. Komunizmi primitiv, eshte aplikuar me perpara, e konstatuar nga filozofet e shekujve 17-18. Pra prona e perbashket, e krijuar nga rrethanat dhe instiktet, e jo nga ndonje teori. Socializmi shteteror i Shtainerit, socializem i kritikuar ashpersisht nga Marksi, eshte aplikuar ne disa nga kolonite hollandeze, ku ka dhene rezultate sa te shkelqyera aq edhe rrenqethese, pra nga njera ane ne arken e shtetit te hollandes futeshin miliona (miliarda , po te perkthehen ne kursin e sotem) e nga ana tjeter ajo koloni , me gjith ngritjen qe kishte, puntoret nuk kishin te drejta, ç’do gje varej nga pergjegjesat e vene nga shteti. Ky lloj socializmi eshte praktikuar ne tere Lindjen, gje qe kam folur dhe ne librin tim (1995) te pabotuar akoma. Individi, shoqeria, aty, pak rol luajne se gjithshka percaktohet nga sistemi. Pra nga forma e prones.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com