Meta kryeministër? Përse jo…

Luan Rama

Gazeta Panorama

Në mënyrë paradoksale lidershipi i Partisë Socialiste vazhdon të mos e kuptojë se problemi më i rëndësishëm që ka Shqipëria sot nuk është qeverisja e keqe e maxhorancës së kryesuar nga Berisha, të cilën në fund të fundit e kanë votuar ata qytetarë që i dhanë votën, por inekzistenca e opozitës reale, jo në kuptimin formal institucional por në kuptimin e mungesës së alternativave dhe të projekteve reale të zhvillimit perspektiv të vendit, mbi bazën e të cilave rifitohet besimi i qytetarëve dhe krijohet maxhoranca politike. Eshtë kjo arsyeja që maxhoranca e Berishës ndjehet e lirë dhe komode në mënyrën abuzive me të cilën qeveris, e madje shfaqet edhe e sigurt, pasi e di që përballë ka një opozitë-butafori.

Mjafton vetëm një vështrim retrospektiv mbi sjelljen dhe qëndrimet politike të Partisë Socialiste pas 3 korrikut 2005 për t’i dhënë të drejtë konstatimit të mësipërm.

Ka një të vërtetë përgjithësisht të pranuar, sipas të cilës partitë pushteti i përçan, ndërsa të qenit në opozitë i kompaktëson, i bën më homogjene. Mirëpo me Partinë Socialiste në veçanti dhe opozitën në tërësi po ndodh e kundërta. Pikërisht atëherë kur duhej të fitonte solidariteti, u shfaq konfliktualiteti, fryma e përçarjes dhe e përjashtimit.

Pa pretenduar që në këto radhë të analizoj disa nga defektet më shqetësuese që PS-ja ka shfaqur që prej 3 korrikut 2005 e në vijim, si për shembull vrasja e qëllimtë e ndjenjës së solidaritetit, atrofizimi i frymës së debatit dhe largimi prej praktikës kolegjiale në vendimmarrje, nepotizmi e klientelizmi, aplikimi i dy standardeve etj., pasi mendoj që ato të jenë objekt i një trajtese më të zgjeruar, dua të risjell në vëmendjen e lexuesit fitoren e parë të Edi Ramës në postin e kryetarit të PSSH; “bashkimin” e opozitës dhe në mënyrë të veçantë “pajtimin” me LSI-në.

Duke ditur njërën prej arsyeve kryesore të humbjes në zgjedhjet e 3 korrikut, Edi Rama ia arriti të shkrijë armiqësinë PS-LSI dhe të shndërrojë në energji pozitive gjithë negativitetin që kishte dominuar gjatë fushatës raportet mes këtyre dy partive politike. Të paktën, ky është perceptimi nga jashtë. Mirëpo çfarë ndodhi? Kur pritej që fryma e bashkëpunimit dhe e partneritetit të arrinte në një nivel cilësisht të ri, sidomos për probleme parimore që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, gjithçka u kthye në të kundërtën e asaj që i ishte servirur opinionit. Tonet e komunikimit dhe të akuzave të ndërsjella na rikthejnë sërish në armiqësinë e para 3 korrikut 2005. Dhe, menjëherë edhe Ilir Meta na doli se qenka nga ata të politikës së vjetër, paçka se vetëm pak ditë më parë ai ishte mes atyre të politikës së re. Dhe më tej akoma deklarata e kundërdeklarata, komente e analiza për të majtën e përçarë.

Në fakt, nuk ka pse ta fshehim se kemi të bëjmë realisht me një të majtë të dobët dhe të paaftë për të bërë opozitë reale në Shqipëri, për të ofruar alternativa dhe zgjidhje që ngjallin besim, kemi të bëjmë me një të majtë të përçarë dhe pa identitet, sepse e përçarë dhe pa identitet është vetë Partia Socialiste.

Prej kohësh Kryetari i Partisë Socialiste flet për 17 vjet politikë të vjetër, e cila në 17 vjet qeverisje vetëm ka gënjyer shqiptarët dhe i ka sunduar ata (tetë vjet qeverisje janë të Partisë Socialiste?!), megjithëse në kryesinë e PSSH-së dhe në forumet e tjera drejtuese të saj ka tre prej ish-kryeministrave socialistë dhe shumicën e ministrave të qeverisjes tetëvjeçare, njëri prej të cilëve është edhe ai vetë, dhe askush nuk ngre zërin e të thotë: “Jo more shoku kryetar, se në tetë vjet qeverisje të socialistëve janë bërë edhe shumë punë të mira për këtë vend”.

E nëse vërtet ne socialistët nuk paskemi bërë asnjë të mirë në tetë vjet, a nuk është një e mirë qoftë edhe e vetme ajo që bëmë Edi Ramën tri herë kryetar të bashkisë së kryeqytetit?

Kompleksi i fajit që po i atribuohet Partisë Socialiste është në thelb përpjekje djallëzore për të prerë çdo urë komunikimi të qytetarëve të këtij vendi me partinë, që në historinë e vet 17-vjeçare ka meritën e rezistencës shembullore dhe me shumë sakrifica ndaj regjimit të dhunës gjatë periudhës 1992-1997, se e shpëtoi Shqipërinë nga gremina e 1997-ës, se e riktheu atë në normalitetin e nevojshëm për të ndërmarrë hapat e procesit të pakthyeshëm të integrimit në strukturat euroatlantike, se e bëri Shqipërinë partnere të denjë të SHBA-së dhe BE-së në rajonin e Ballkanit, se e bëri Shqipërinë faktor shumë të rëndësishëm dhe me një rol të veçantë për çlirimin e Kosovës dhe për fitoren e pavarësisë së saj.

Reforma zgjedhore është një kusht krucial për Shqipërinë në tërësinë e hapave që ajo duhet të realizojë që të meritojë ftesën për anëtarësim në NATO dhe më tej anëtarësimin në BE. Padyshim që kjo është sfidë e gjithë klasës politike në vend, por në radhë të parë është sfida e radhës e opozitës, përkatësisht e PSSH. E kur kjo çështje duhet të jetë kryefjala e gjithë veprimit politik të PS-së, disa prej atyre që e drejtojnë PS-në e ftojnë opinionin në një tjetër temë debati, krejt të pavend e madje të dëmshme, në atë se kush do të jetë kryeministri pas zgjedhjeve, Meta apo Edi Rama?!…

A është vërtet ky problemi i ditës që duhet zgjidhur? A është vërtetë kjo “enigma” që duan të mësojnë qytetarët e këtij vendi?

A mund të jetë Meta Kryeministër? Përse jo, nëse kjo gjë garanton kompaktësimin e opozitës dhe fitoren në zgjedhje?… Mirëpo mendoj se nuk është ky problemi. Ata që i mëshojnë kësaj teze duan të drejtojnë mbi Metën mërinë e socialistëve, për të fshehur në rastin më oportun paaftësinë e tyre për ta bërë realisht PSSH-në faktor politik të dorës së parë në vend. Por ndërkaq, përgatisin kësisoj edhe argumentin e nesërm në rast humbjeje, se ja fajin e ka LSI dhe Ilir Meta. (A nuk humbëm edhe më 2005 për faj të tyre?!…)

Mirëpo, këta udhëheqës “harrojnë” në fakt se me Metën kryeministër socialistët janë ndjerë më në pushtet nga sa ndjehen sot në pushtet në bashkinë e Tiranës apo edhe në vetë Partinë Socialiste.

Partia Socialiste nuk mund të ketë detyrë të dorës së parë emërimin e kryetarit kryeministër, por të fitojë zgjedhjet për të ndalur qeverisjen e mbrapshtë dhe korruptive të maxhorancës aktuale dhe të ndërtojë Shqipërinë evropiane. Kjo është beteja dhe detyra jonë e radhës, të cilën për hir të së vërtetës nuk mund ta fitojmë të vetëm. Në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara deri sot në Shqipërinë postkomuniste, PSSH asnjëherë nuk ka mundur të fitojë e vetme as 50 për qind të votave. Prandaj veprimi i saj politik duhet të synojë konvergimin e shumë faktorëve politikë dhe qytetarë në një synim të përbashkët; në fitoren e zgjedhjeve të vitit 2009. Por që të fitohen zgjedhjet, pikësëpari duhet të rikthehet besimi i zgjedhjeve te vlerat e qeverisjes socialiste. Mirëpo, rikthimi i besimit nuk vjen me urdhër dhe as duke u mbështjellë rreth vetes apo rreth zyrës së kryetarit. Rikthimi i besimit nuk arrihet duke emëruar në krye të PS karrieristë të zellshëm të bashkuar përmes lidhjesh nepotike, apo më keq akoma edhe përmes “miqësish” me prapavijë kriminale.

Përçarja dhe konfliktualiteti është përgjegjësi e lidershipit. Nuk është anëtarësia ajo që provokon apo që do përçarjen. Dhe problemet nuk zgjidhen duke u krekosur si kaposhi në majë të plehut, por përmes bashkëpunimit institucional dhe transparent. Kjo do të thotë që lidershipi i partisë më parë se të mbledhë kryesinë në Laç për të vendosur se cilin sistem zgjedhor të përkrahë, duhet të mbledhë Asamblenë Kombëtare, e përse jo edhe Kongresin kur është fjala për vendimmarrje të një rëndësie të veçantë. Dhe pasi të jetë konsultuar dhe të ketë vendosur në forumet legale të partisë, lidershipi i PS duhet të bëjë të gjitha përpjekjet të arrijë konsensusin më të gjerë të mundshëm me aleatët, për të shkuar në tryezat e dialogut dhe vendimmarrjes me maxhorancën me një projekt të qartë, i cili të garantojë standardet e zgjedhjeve demokratike që shprehin realisht vullnetin e zgjedhësve.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente

  1. ardi thotë:

    5 March 2008 @ 10:33 pm

    …por me jahuu…..fillojme nga e para….meta, majko, nano….
    ….sa keq paska njel shqipnia….cdo gjo eshte bo - laj thaj -
    ….ta menosh dhe kur ska uje…ngelet vetem me u tha…..
    ….
    …..ec e ktheju ne shqipni masanej…..

  2. ados thotë:

    5 March 2008 @ 11:03 pm

    Luan Rama ka qene minister i Metes ne ate kohe, rrjedhimisht i leverdise te kepusi te tilla..!!

  3. Cheney thotë:

    5 March 2008 @ 11:25 pm

    c’prisni nga cakenjte?

  4. Zebra thotë:

    6 March 2008 @ 4:44 am

    Luan Rama mbeti jashte loje dhe sillet rrugeve te Tiranes. Nuk ka pse te mos shfryje.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com