Mefshtësia e shtypit sportiv
Erald Martiko / albaniasoccer.com
Meqenëse “gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen”, tastiera e një gazetari sportiv bën vetëm 3 euro, por mund të rrëzojë një president, lojtar apo trajner milionësh. Derisa mundet ta fshijë nga krejt historia. Ndoshta quhet në një aspekt faktor i fuqishëm dhe një armë e mirë për të propaganduar interesat personale… deri në intriga. Mjafton pak lëshim i ndërgjegjes dhe çdo gjë mund të bësh. Në rastin konkret frymëzimi nuk vjen nga kritikat dhe sulmet e gazetarëve, por nga pasiviteti i shtypit dhe indiferenca e shqiptarëve. Konkretisht, është shumë e lehtë të dallosh nga të thënat një shkrim se cila dorë e ka shkruar dhe kur sheh një faqe të parë si ato të përditshmet e Shqipërisë, të zë një melankoli e frikshme, që të vë në pozitë të vështirë për vetë profesionin që përfaqëson. Paraqesim vetëm disa tituj (nga qindrat e përjavshëm), për të kuptuar më thellë se me çfarë fenomeni mbarëbotëror kemi të bëjmë: “Dhëmbi ja nguli dhëmbët”, “Ujku i dëborës kafshoi”, “Të kuqtë: Blutë s’kanë nga t’ia mbajnë”, “Verdhejeshilët zbarkojnë në lumë”, “Nëndetëset peshkojnë në liqen”, etj., etj. Dhe nëse një i sapokthyer në atdhe lexon këto faqe të para, shtanget, mos kushedi ka zbritur në aerodrom të gabuar?!.
Nga njëra anë (dhe bazuar në përvojën e një pune të tillë) nuk ke shumë zgjidhje, pasi deklaratat janë të tipit: “Do luajmë fort” - pa harruar që edhe fantazia e rubrikave është e ngushtuar. Si rrjedhojë, nuk mund të kritikosh fantazma, apo nuk mund të sugjerosh zgjidhje për probleme që nuk i njeh, sepse të gjithë kanë të drejtë dhe asnjë nuk ka faj. Fenomeni “konferencë shtypi”, që praktikohet në çdo vend të botës, njihet së paku ose aspak në Superiore dhe përbën një luks, i cili nuk respektohet as në ndeshje ndërkombëtare. Si shembull, ajo me Holandën, kur gazetarët prisnin në dhomat e medias për minuta të tëra… por në vend të pyesnin trajnerët ose lojtarët, pyesnin njëri-tjetrin: “Kur do vinë ata që do flasin”?. Po kështu edhe forca e kontingjentit të gazetës është e pakët dhe pa kualitetet e duhura për të paraqitur ashtu siç duhet ato që duhen.
Me pak fjalë, çdo tentativë për speciale interesante dhe dedikime të bukura, në ditët e sotme është fenomen i rrallë. Aq më shumë kur luan Kombëtarja dhe të gjithë (gazetarë, trajnerë e lojtarë) jemi një dorë dhe qeshim e argëtojmë së bashku.
Shkas për një prezantim negativ si ky, është pragndeshja, post ndeshja Slloveni-Shqipëri që këtë herë jo vetëm që nuk paraqet zhvillime të fundit, por tregon se sa i prapambetur vazhdon të jetë shtypi shqiptar.
Sa i mangët në ide dhe prodhim, por shumë i shkathët për të rrëmbyer nga mediat elektronike dhe për të mbushur faqet e gazetave. Edhe më e keqja është se nuk shprehin as më të voglën mirënjohje e respekt për punën e të tjerëve.
Anembanë rruzullit dëgjon reporterë të kritikojnë deri në fyerje personazhet e futbollit dhe këta të fundit gjithashtu të kundërpërgjigjen, duke mbajtur interesimin e publikut gjallë. Tek ne që mbretëron “NISH Vërdalla”, jemi shokë e miq dhe e planifikojmë më së miri me se do të paraqitemi dhe se çfarë do të themi. Kë do shajmë dhe kë do mburrim.
Ku do të kishte më bukur se sa karakteri dhe personaliteti, qoftë ky edhe i një tifozi të çmendur provokues, por vetëm e vetëm nota e re që do të sillte në këtë fushë do të shtonte detyrimisht audiencën. Kjo pjata që na servirin gazetat e sportit shqiptar, herë-herë të ngjan si ajo gjella me recetë të goditur, që bëhet me perime të skaduara dhe më e keqja?: do të të duhet ta hash përditë e madje çdo vakt. Një karakter pa fjalë, pa reagim, pa buzëqeshje dhe pa lot askush nuk e afron. Në të kundërtën, ngjyra që sjell një sulm, një kritikë, një vërejtje, një propozim shkakton reagime dhe gjallëron fushën përkatëse. Pikërisht këtu qëndron sekreti i demokracisë dhe i fjalës së lirë.
Pas kaq kohësh është e lehtë të kuptohet përse Gëzim Sinemati konsiderohet si jashtëtokësor dhe të tjerët si të çuditshëm, për një edukatë që nuk ekziston: edukata e replikës në sport. Sa herë vallë kemi lexuar për zgjidhje taktike gjatë një ndeshjeje apo vlerësime të lojtarëve me nota? Mos guxofsh të kritikosh sistemet e një trajneri, sepse do të kesh mbi krye një mijë armiq. Çdo gjë sipas tyre shkon vaj dhe nuk ka nevojë për kritika, por vetëm për investime.
Gjithsesi, sapo kemi prekur keqazi një plagë të thellë dhe ndoshta kjo nuk shërben për përmirësime, por ka ardhur koha që personazhe të rëndësishëm për publikun e gazetave shqiptare të zgjohen dhe të mprehim penën, pasi kjo politikë e “të pasurit mirë me të gjithë” dhe “hajt ta mbushim gazetën me të thëna e të pathëna vetëm që të shitet”, nuk nxjerr gjëkundi. Aq më mirë kur do të ketë edhe reagime nga vetë protagonistët e fushave ndaj kritikave, duke shtuar rendimentin në fushë (qoftë edhe të shoqëruar me antikritika).
Si përfundim, se ç’bëhet në realitet, të gjithë e dimë, por asnjë nuk e shpreh. Pse? Një Zot e di.
Më tej, le të presim mrekullinë e zhvillimit të futbollit në vend, që bën hapa “gjigandë” drejt Evropës.
Marrë nga albaniasoccer. com

17 October 2007 @ 5:41 pm
“U mbars mali e polli nje mi” - Me kujtohet ky titull shfryres pas nje humbjeje te Gjermanise (kryeredaktori i gazetes ne fjale ishte tifoz i gjermaneve).
E tille eshte katandisur vertet gazetaria sportive ne Shqiperi. Ka shume arsye (qe s’kane te bejne me cilesine apo konkurencen ne treg);
1. Shitja bazohet me teper tek informacionet qe mund te jepen per bastet
2. Ata qe merren me gazetarine sportive shpesh nuk kane asnje haber nga sporti, ose kane haber nga sporti, por jo nga te shkruarit per gazete.
3. Politika “Mbaje mire me te gjithe” eshte e vetmja qe te lejon t’i afrohesh nje burimi. Rrjedhimisht, te gjithe kushtezohen pres saj.
4. Edhe vete sportistet jane po aq te veshtire sa gazetaret qe merren me ta ne perzgjedhjen e fjaleve, jo me te fjalive apo ideve qe s’dine as te shprehin, as te mbrojne, qofte edhe kur behet fjala per topin.
5. Sporti shqiptar eshte aq i personalizuar, i politizuar, biznesuar…cfaredo qe te jete, saqe eshte e veshtire te gjesh brenda tij dicka te bukur qe ta shesesh mire.
6. Edhe nese gazetari “zbulon” nje informacion dopingu, shitje ndeshjeje, kontrate fallco, shkelje procedurash, apo c’faredo tjeter, patjeter i del kryq “politika redaksionale” ose “lajmerimet miqesore” te te interesuarve direkte, qe lajmi ose te mos jepet, ose te tjetersohet, ose te shitet pacavure hartuar me menyrat e mesiperme.
7. Fjalori i gazetareve sportive (ashtu si edhe kolegeve jashte kesaj fushe), permbledh shume-shume 300 fjale, qe pervec termave teknike (shpesh te pakuptueshem as nga vete ata), katandiset ne: “gjithesesi…serish…ne menyre potente….e megjithate…por gjithesesi….”
E c’te presesh nga keta gazetare qe faqet e vetme qe lexojne jane ato qe shkruajne vete?
17 October 2007 @ 6:03 pm
Pse nuk thua qe me shume ka,gazetare sportiv, sesa sportiste ose aktivitete cilesore sportive.!!
..
23 October 2007 @ 8:47 pm
I dashur Erald,
C’kemi, si je, si i ke ato te shtepise? Behu i gjalle se nga s’te kam kerkuar, me shkruaj te: saimir_1@yahoo.co.uk
(Ndjese te tjereve per “diskutimin” jashte teme)
Perqafime,
Saimiri