Identifikohu



Regjistrohu

Mbreti me kurorë shkrepash dhe ahesh…

theth male/ alpsTeli i llambës mezi skuqet dhe drita e tij është më e dobët se ajo e flakës së oxhakut të ulët, të cilin Frani 6-vjeç e furnizon herë pas here me dru. Në gropën e Thethit bën ftohtë, shumë më ftohtë nga sa e kishim menduar kur u nisëm këtë të hënë në mëngjes nga Tirana. Sidoqoftë, derisa Frani i vogël, djali i kryeplakut Prek Harusha, i cili na ka pranuar si bujtës në shtëpinë e tij, vazhdon të mbajë ndezur zjarrin, ne nuk para e ndjejmë të ftohtin thëllim. Pas dy-tre shëndetesh me raki kumbulle të bërë në shtëpi, biseda në tavolinë bëhet edhe më e qeshur, edhe pse gjithmonë ajo vërtitet po aty, rreth halleve të mëdha të Thethit të vogël.

I cili ka hidrocentral, por s’ka drita;

ka turistë, por s’ka kushte; ka rrugë, por askush s’kujdeset për to; ka shkollë, por s’ka mësues; ka pyje, por edhe druvarë me motosharra, që po i masakrojnë ato.

Këto, kundërshtitë e gropës mes Alpeve të Shqipërisë, të pasur me natyrë e miq dhe të varfër me ekonomi dhe investime, na bëjnë edhe ne të ndjehemi fajtorë, pa ditur në të vërtetë nëse kemi apo jo faj.

theth lindje dielli/ sunrise theth

Fshati prej guri e drurësh, i cili jeton nën hijen e maleve, që e zënë diellin herët në mbrëmje dhe e lënë të lirë vetëm vonë në mëngjes, është një nga vendet më të përzgjedhura të Shqipërisë, i cili vetëm këtë vit është vizituar nga më shumë se 2500 turistë të huaj. “Siç na e ka falur natyra”, thotë Preka dhe bën me dorë nga dritaret e kullës së tij dykatëshe, për të na thënë se ajo që është falur, ndodhet jashtë.
Asnjë dorë njeriu nuk mund ta ndryshojë atë, ose të paktën deri tani askush nuk e ka bërë. Ajo është mbretëria e pashpallur e gurit dhe e drurit, e ujit dhe e dëborës, e erës dhe e aromës. Kurrkund nuk mund të gjesh kurorë si ajo që Zoti i ka falur Thethit. Prej malesh që çajnë mes reve e mjegullës, gdhendur me ahe, që tani në vjeshtë kanë marrë ngjyrën të kuqe e të verdhë, të gjetheve në të rënë, bredha e pisha të ngulur si me dorë, tek-tuk shpateve të thepisura me gurë të bardhë, ku dëbora e ngrirë prej dimrit të vjetshëm përthyen si gur i çmuar rrezet e diellit. Fjalët zënë fjalët dhe historia historinë, ndërsa Françeskoja 6 vjeç, që është Fran për ata të shtëpisë dhe Çesk për të huajt që vijnë deri këtu, nuk lë rast pa na treguar me fjalë e me duar si një herë ujku zbriti deri afër në Theth dhe u largua vetëm kur “nusja e axhës i bërtiti”.

Është thuajse mesnatë, kur vendosim të çohemi për të fjetur. Errësira në këtë natë pa hënë është e thellë thuajse si gjithçka në Theth. Si humnerat, kanionet dhe qielli, në të cilin pas shumë kohësh, ne që vinim nga Tirana, kishim mundësi të shihnim aq shumë yje, madje edhe Rrugën e Qumështit e pluhurin e saj yjor, që prej kohësh i kishim humbur mes pluhurit dhe ndotjes në kryeqytetin tonë. Në këtë orë këtu vështirë se dëgjon zhurmë tjetër, veç asaj të erës, që rreh në shpatet e malit dhe rrëshqet mes gjethesh e pemësh, dhe përroit që herë rrjedh ngeshëm dhe herë shembet në kataraktet e zonës … Po, po, Thethi është vendi i duhur për poetët, të dashuruarit me natyrën dhe për të gjithë miqtë e këtyre njerëzve, që nuk përtojnë të shtrojnë sofra të bollshme me gjithfarë kanë.

miku im Frani/ My friend FranPër në Theth u nisëm aty rreth orës 7:45 të mëngjesit, së bashku me një përfaqësues të ambasadës gjermane, që shkonte në Alpe për të parë çfarë ishte bërë me projektet e mbështetura nga GTZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Teknik) dhe KfW (Banka Gjermane për Zhvillim), që synonin të përmirësonin sadopak turizmin familjar të Thethit. Në fakt, ishte një ftesë e ambasadës, që na mundësoi edhe ne shqiptarëve të shihnim për herë të parë këtë pjesë të Alpeve. Nga i gjithë grupi prej 22 vetash, vetëm 2 a 3 kishin qenë edhe më parë këtej. Kështu të gjithë, që nga zëvendësambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, z.Jörn Beißert, kishim plot pyetje për Thethin. Ku ndodhej? Sa larg ishte? Si ishte rruga? Sa ftohtë ishte? Vërtet të ishte aq bukur, sa na kishin thënë?
Si në të gjitha rastet, rrugëtimi ynë filloi me të njëjtat probleme. Dy-tre ngecje në trafikun e rënduar të kryeqytetit dhe Kamzës, ku të duhet të ndalosh e të shohësh pamjet e plehrave, tregtarëve që shesin në të njëjtin vend këpucët e vjetra dhe djathin me bidonë. Sigurisht, të pakënaqur me këtë “peizazh” të njohur, ne preferojmë më mirë të flasim. Një shans i mirë për të provuar edhe gjuhët e huaja dhe për të shuar ndonjë kuriozitet, duke qenë se jemi në të njëjtën makinë me zëvendësambasadorin.

Bisedojmë pak për të gjitha. Që nga gjermanishtja jonë jo fort e kënaqshme, për të cilën z. Beißert përpiqet të na e mbushë mendjen se është e mirë, deri te shqipja e tij, po kaq e çalë, por sidoqoftë mjaft e mirë për dikë që ka vetëm 1 vit në Shqipëri. Zëvendësambasadori nga pamja është ashtu siç i paragjykojmë shpesh gjermanët, biond dhe i bardhë, por sillet krejt ndryshe dhe duke “zhgënjyer” pritshmëritë tona për ftohtësinë nordike, është ai që këmbëngul të bisedojmë duke bërë edhe ndonjë batutë. Derisa mbërrijmë në Shkodër, kemi folur për gazetat shqiptare, kemi shfletuar nja dy dhe kapërcyer pengesat e para të të saponjohurve.

Pas kafes jo fort të hairit në një kioskë në Shkodër, udhëtojmë sërish, kësaj here më të heshtur, pasi rruga është e panjohur, derisa na tërheq vëmendjen një autokolonë vërtet e gjatë me armë dhe trupa të ushtrisë turke, që kthehen nga misioni në Bosnje. Diskutojmë një copë herë për trupat paqeruajtëse. Shqiptarët me gjermanët në Bosnje, shqiptarët në Irak dhe Afganistan dhe pas autokolonës, makinat tona që kanë kaluar Koplikun ecin sërish në drejtim të Thethit. Këtu natyra fillon të falë mrekullitë e para dhe të gjithë humbasim, duke e mbajtur kokën në dritare, duke dashur të mos lëmë asgjë pa parë. “Tani rruga bëhet më e mirë”, na lajmëron në shqip e duke qeshur zëvendësambasadori, sapo fillojnë kilometrat e paasfaltuara nga Boga në Theth. Rrugën e vështirë me makinën që tundet e shkundet e kalojmë duke parë jashtë e duke “gjuajtur” për ndonjë foto.

Ndalojmë dy herë. Fillimisht në Bogë, prej nga mund të shohim Alpet ende para nesh dhe më pas në Qafë, një lartësi rreth 2 mijë metra, ku nga era e ftohtë të merret fryma, por këtu të gjithë e kanë mendjen për të shijuar ç’të mundin nga majat e zhveshura me forma të pakuptimta dhe pemët të ngjyrosura me të verdhë e të kuqe, për të cilat biem dakord se i ngjajnë një pikture. Këtu fillojmë të zbresim për në Theth, me makinat që, ndonëse ndjekin njëra-tjetrën, humbasin nëpër kthesat e rrugës së veshur me shkozë, ah dhe pisha. Tek-tuk shfaqen parcela të zhveshura nga motosharrat dhe copa drurësh të braktisur për t’u kalbur. Ndërsa e vetmja makinë që hasim rrugës është një kamion, i mbushur me kashtë, dele e derra, shenja e parë se banorët e Thethit po ikin për të dimëruar diku tjetër, atje ku dëbora nuk t’i mbyll të gjitha rrugët, për të të lënë në mëshirë të fatit.

Zbresim në Theth, vetëm pas 6 orësh rrugë. Qielli këtu nuk është shumë mikpritës. Retë kanë mbuluar një pjesë të tij dhe mjegulla zbret kërcënueshëm nga majat e maleve. Veçse asgjë nuk e prish mrekullinë e të qenit i rrethuar nga të gjitha anët me bukuri. Banorët na presin në qendër te shkolla e fshatit. Nga fytyrat gjithmonë të qeshura dhe shtrëngimet e zgjatura të duarve, kuptojmë se janë të gëzuar, për vizitorët, për kamerat dhe për faktin që do kenë me kë të qajnë hallet, që pakkush vjen e ua dëgjon deri këtu.

Në fshat tani kanë ngelur shumë pak banorë dhe sipas asaj që thotë kryeplaku Harusha, janë rreth 20 familje që dimërojnë në Theth. Fshati është i shpërndarë si të gjithë fshatrat e Veriut të vendit. Me shtëpi prej guri dhe diku me mbulesa metalike, që stonojnë me terrenin prej guri dhe drurësh. Kulla e parë në të cilën futemi është ajo e Nikajve, në të cilën na kanë ftuar për drekë. ThethGjithçka këtu është natyrore dhe provokon të qeshura, por edhe një farë kënaqësie ekzotike. Trofta të freskëta, mish të pjekur në hell që serviren të gjitha në sofrën e mbushur plot. Në fund të gjithë ngopen, ndoshta më shumë nga bollëku i asaj që u shtrua sesa nga sasia e asaj që hëngrën. Zoti Beißert duket më entuziasti. Madje, më vonë, kur e pyesim të na krahasojë gjithë këtë me një drekë me krerët e pushtetit vendorë në Koplik, thotë me bindje se dreka në Theth ishte shumë më e mirë. “Troftat ishin mjaft të shijshme”, thotë në shqip dhe shton edhe ndonjë fjalë mburrje për rakinë dhe ushqimet e freskëta të shtruara në sofrën pranë oxhakut. Pasditen e kalojmë duke parë atë që ofron Thethi. Aq sa mund të shihet në një pasdite të shkurtër, kur dielli ka perënduar në ultësirë, por vazhdon të ndriçojë majat e maleve.

Mbrëmja këtu duket se vjen më shpejt dhe ndërsa rikthehemi për në fshat, e vetmja dritë që mund të shquajmë, prej larg është e ajo e kryqit të kishës katolike, vendosur diku në anë të fshatit. Të ardhurit, që jemi ne, shpërndahemi nëpër shtëpitë e banorëve, të përgatitura për të pritur miq, madje edhe në numër më të madh se ai i yni. Kryeplaku, që jeton së bashku me të vëllain në një familje që i kalon të 15 personat, do të presë katër prej nesh, pasi më parë na ka ofruar një kafe në shtëpinë e tij, për të cilën është krenar. “Ne kemi vetëm këto”, thotë ai, duke u treguar të sapoardhurve dhe zëvendësambasadorit shqiponjën dykrenore të punuar me kujdes në tavan dhe kryqet e ikonat prej cope të qëndisura e të varura në mur.
tavan i punuar theth
Nata kalon duke folur dhe parë urët e zjarrit teksa digjen në oxhakun e ulët dhe Franin e vogël, kureshtar për xhinglat tona elektronike, i kënaqur sa herë ka mundësinë të na tregojë ndonjë gjë për Thethin dhe shkollën, ku sapo ka mësuar A-në. Në mëngjes zgjohemi herët, sapo dielli ka filluar të përthyhet në majat e Alpeve, duke dalë herë këtu e herë atje. Të zotët e shtëpisë janë zgjuar më herët dhe janë gati të na përcjellin, ashtu siç e do zakoni i tyre, deri në të dalë të fshatit, atje ku dikur ka qenë shtëpia shtetërore e pushimeve. Kështu nisim të ikim, duke lënë pas pyjet plot ngjyra prej ahu e shkoze, e duke iu afruar pa shumë qejf Tiranës, me pengun që nuk mund të shohim “Kataraktin” e famshëm dhe ndonjë tavan tjetër të punuar prej kushedi se cilës dorë artizani. Ndërsa ngjitemi, fshati humbet dhe zvogëlohet në gropë…

Banorët thonë se Theth është pararendëse e fjalës thellësi dhe thellësia këtu është gjithandej. Mjafton të shohësh teposhtë nga malet në humnerat e kanionet, apo lart drejt qiellit dhe majave të Alpeve.

Botuar në Standard vjeshte 2007

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

8 Komente »

  1. Perparim Hysi thotë:

    20 Shtator 2007 @ 1:51 pm

    Shkruar bukur dhe ma solli si te gjalle gjithe ate mjedis te Thethit qe,pse ta mohoj,e dua deri ne enderrim.Me vjen keq qe kjo bukuri e natyres lihet ne meshire te fatit dhe ngarkon me pergjejgjesi shtetitn qe nuk i ruan keto bukuri ku”gatrat” rrenojne pa meshire druret e pyjeveqe jane gjerdani me i bukur ne keto treva.Pergezime nga une Krasta-Krau.

  2. artan thotë:

    20 Shtator 2007 @ 2:00 pm

    Thethi te ben te ndihesh krenar qe je Shqiptar,pershkrimi fantastik..!

  3. blete Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Shtator 2007 @ 5:19 pm

    krasta, na kenaqe. u dashka bere edhe nje vrap pele andej.
    p.s. ke vene foto nga Thethi ne flickr?

  4. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Shtator 2007 @ 10:14 pm

    Është kënaqësi që të shikosh shkrime të tilla, pa mëndjemadhësinë e opinionistit të rradhës që jep ‘zgjidhjen e vetme’ të situatës politike, por me thjeshtësi të ndezin zemrën me mall e dashuri për ato male.
    Bukur Krasta!

  5. shefi kuadrit Shkruaji mesazh privat thotë:

    22 Shtator 2007 @ 12:20 am

    Shkrim i thjeshte dhe qe lexohet me endje. Gjithmone i kam admiruar malesoret. Jane pak te paditur nga bota por jane bujare dhe me duken shqiptare te vertete, si nga pamja fizike dhe rracore edhe nga zakonet apo nga gjuha dhe feja e paprekur qe e kane ruajtur me fanatizem.

  6. krasta krau Shkruaji mesazh privat thotë:

    22 Shtator 2007 @ 4:09 pm

    Faleminderit te gjitheve…blete, po kam hedhur te njetat foto dhe njady me shume… te faqja ime ne setin shkodra… nderkohe duke qene se sapo jam kthyer po prej andej, mund te hedh te tjera shume shpejt…

  7. Zana thotë:

    22 Shtator 2007 @ 4:27 pm

    Kraste ,vertet edhe mua me pelqeu.Une i adhuroj ato vende e ato njerez.Ne pergjithesi edhe ata jane te kristalte ashtu si natyra qe i rrethon.Si nature ndoshta shtrihet ne me pak gjeresi por eshte e njejte me te famshet Dolomite kendej pari.Ishalla po bejne ndonje investim noj gjerman a austriak se per tanet u pa puna,bile shyqyr.Me mire te mos vene dore se po na e bejne Thethin si Tiranen…………………

  8. krasta krau Shkruaji mesazh privat thotë:

    22 Shtator 2007 @ 11:03 pm

    Ne pergjithesi edhe ata jane te kristalte ashtu si natyra qe i rrethon…
    Krejt e vertete Zane…

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.