Mbi doganierët dhe të tjerë
Ka diçka në fytyrën e doganierëve. Diçka gati të padallueshme, por të pranishme megjithatë. Një si ngërdheshje ndoshta automatike, ndoshta instiktive. Një si neveri të pashpjegueshme. Për shembull fytyrën që bën kur një shuk i dendur me flokë ka rënë mbi piletën e dushit dhe të duhet ta heqësh me dorë se nuk ke mënyrë tjetër.
Ose ajo ndjesia e ndotjes së këpucës kur ke shkelur një dhuratë të lënë në rrugë nga qeni i rastit i zënë ngushtë…këtë lloj ngërdheshjeje. Janë ndoshta jo më shumë se 10 muskuj të fytyrës që ndërrojnë përgjithmonë qëndrim ndaj pjesës tjetër të saj. Dhe ndalesh të mendosh se ku e ke parë mëparë këtë ngërdheshje, këtë arrogancë të maskuar me delikatesë të zorrshme. Dhe të kujtohet fytyra e profesorit që njihej më tepër si dashnor i imponuar i konviktoreve të pashpresa dhe/ose ambicioze. Dhe të kujtohet po ajo ngërdheshje, po ajo delikatesë e sforcuar. Një fytyrë tek e cila njerëzorja ia ka lënë vendin shprehive frigoriferike. E habitshme, ose krejt normale mbase, se si funksionojnë ca mikrobotë (që pastaj shumohen për të dhënë makrobotën), e si gjithnjë kanë funksionuar e do të funksionojnë. Dhe nuk mundet të mos mendosh për vogëlsinë e njeriut. Se si pushteti mundet të zbulojë, pa pasur mundësi profilaksie, karkaterin e dikujt. Se si ideale pak të shpëlara e të dala mode mbase që kur janë pjellë, si ndershmëria apo kuraja, kanë qenë asgjë më shumë se një kuvertë për të mbuluar atë që ndodh në të vërtetë poshtë tyre, atë që shumica {por pak të gjithë, ku i dihet (?)} bën por nuk ka këllqe ta shohë me sy apo ta rikujtojë, atë që të prish shijen, që të bën të ngërdheshesh, për tu mbrojtur nga vetja. Për të mos dashur të pranosh që edhe ti je pjesë e makinerisë së madhe, je një ingranazh i denjë madje; do të habiteshe se sa. Sikur të kishim një metër për hipokrizinë (oh, ja një tjetër fjalë me inflacion) që fshehim nën luspat e kostumeve që zgjedhim të veshim, mundet që do ta shkatërronim me duart tona sepse të frikësuar nga përgjigjja,…nëse nuk ka egzistuar dhe e kemi shkatërruar ndërkaq një të tillë metër. Dhe kërkon diku një pasqyrë për tu parë, e për të vërtetuar shpresën që ti nuk je i infektuar nga e tillë ngërdheshje. Që ti je akoma i virgjër, ty nuk të ka prekur kjo sëmundje e patransmetueshme dhe prapë epidemike. Por kjo bindje e formuar para pasqyrës nuk është tjetër veç një pasqyrim i dëshirës, një rezultat i shqisave (që gënjejnë, dihet kjo). Ty nuk të mjafton kjo përgjigje. Dhe me këtë dyshim vazhdon e sheh të ngërdheshurin e radhës, qoftë ky doganieri matrapaz, profesori plot dashuri brenda, apo reflektimi yt në pasqyrë.


4 Dhjetor 2007 @ 6:33 am
StrangeMAN, e ndava mendjen ne fillim te shkruaja nje pyetje, nje provokim per ty, por kjo fjali ma nderroi mendjen. Vogelsia e njeriut perballe stermadhesise se sistemit po me paraqitet shpesh keto kohet e fundit. Doli ne nje interviste te David Simon, qe eshte krijuesi dhe skenaristi i nje seriali amerikan qe quhet “The Wire”, telefilm qe me ka pelqyer me shume se cdo gje qe kam pare kete vit. Doli dhe ne disa “reviews” te nje libri qe po mundohem te lexoj, “Infinite Jest” nga nje tjeter amerikan, David Foster Wallace.
Sigurisht qe cdo kritike e modernitetit mund te permblidhet pak a shume ne te njejten gje, ne faktin qe perballe institucioneve dhe mekanizmave te sistemit kapitalist, njeriu duket jashtezakonisht i vogel. Ama, me duket se keto kohet e fundit po qartesohet me shume, e gjithmone e me teper.
Bote mizore, por e vogel kjo e jona, apo jo?
4 Dhjetor 2007 @ 6:48 am
neologjizem strangian: “ik mer, turidoganier!”….

4 Dhjetor 2007 @ 8:03 am
S’e di nëse qe tema që është trajtuar apo vetëm pjesa ku përshkruhet “ngërdheshja” e doganierit që më solli ndërmënd një film me Totò e Fernandel…
S’e di nëse e ke parë atë filmin me doganierin dhe kontrabandierin në një fshat që gjëndej në kufi mes Italisë dhe Francës.
Një raport dashuri/urrejtje dhe që shpesh ndërronte formë dhe forcë në funksion të asaj se Fernandeli ishte akoma ‘dora e ligjit’ apo i përndjekuri.
Filmi, përveç aspektit komik, na bënte që të ndjenim respekt për devotshmërinë e doganierit Fernandel (AI bënte detyrën…. është diçka ndryshe ‘doganieri’ yt) dhe na bëhej qejfi që Totò, megjithëse nga ana tjetër e barrikadës, arrinte që ta bënte fora sa herë përballë Ligjit.
… Apo ishte fytyra e Fernandelit lidhja me ngërdheshjen
4 Dhjetor 2007 @ 11:38 am
Ajo fytyra siper po me ngjaka si e Shpetim Idrizit. Megjithese e dinin s’e c’eshte njerezit prape votuan per te. Helbete per Paloken nuk do votonin. Kjo eshte tragjedia jone qe mileti ka sanksionuar doganierllekun.
Megjithate me duket se kjo pjesa “zhvatese” e mentalitetit te shqiptareve po ndryshon. Kam shprese
4 Dhjetor 2007 @ 2:17 pm
Ajo që në fakt më bëri ta shkruaj këtë copëz, Penar, është diçka e përafërt me atë që përmend. Më ka bërë gjithnjë të mahnitem në të dyja drejtimet ( dhe -) mënyra se si njeriu, në vogëlsinë e tij, raportohet me pushtetin dhe me fuqinë në përgjithësi. Dhe ajo që kam mundur të vërej (dmth nga praktika), është se shumica prej nesh (këtu fus edhe veten, sepse një opinion i denjë fillon nga vetja, nuk është qëllimi im të shaj ca të tjerë e të them që unë apo ne jemi më të mirë) përthyhen, përkulen dhe palosen në trajta të paimagjinueshme, duke na dhënë neve jo më individë, por personazhe të mirfilltë romanesh, ingranazhe pra, njerëz të përshkruar bollshëm dhe përpikshëm nga të mëdhenjtë e të vegjlit e letërsisë. Megjithatë, mbetem në brigjet e dyshimit, nuk kam asgjë më shumë për të ofruar sesa një dyshim i thellë.
Përshëndetje!
4 Dhjetor 2007 @ 2:23 pm
* (negaive dhe pozitive)
**(dyshim të thellë)
4 Dhjetor 2007 @ 9:33 pm