Marrëdhënie Publike, jo Propagandë
Nga Agim Neza (Shekulli)
Marrëdhëniet Publike në Shqipëri janë relativisht një fushë e re e veprimtarisë njerëzore. Analistë të huaj të kësaj fushe kanë dhënë shumë përkufizime për termin Marrëdhënie Publike. Bazuar në studime të ndryshme të kësaj fushe, mendoj se përkufizimi më i përshtatshëm për Marrëdhëniet Publike është “Informim i sinqertë dhe i hapur i institucioneve publike, qeverive, partive politike, kompanive të biznesit, shoqatave, që furnizojnë shtypin dhe opinionin publik me informacion të shpejtë dhe të saktë në lidhje me temat që ka interes opinioni publik”.
Por çfarë ndodh në realitetin tonë në lidhje me Marrëdhëniet Publike?
Protagonistë në fushën e Marrëdhënieve Publike janë gjithmonë dy liderët e partive më të mëdha, që nënkupton PS dhe PD. Ndonjëri me të drejtë mund të pyesë: A nuk janë edhe në shtete të tjera protagonistë, liderët e partive më të mëdha?! Natyrisht që janë protagonistë, por nuk di ndonjë shtet me standarde demokratike që çdo ditë të shfaqet në ekranet e televizionit apo në faqet e gazetave, Kryeministri i vendit dhe Lideri i opozitës! Kjo në fakt, ndodh tek ne. Madje duket se ndikimi i të dy palëve tek media është aq i madh sa edhe gazetarët janë “bindur” se pa praninë e tyre nuk ka lajm! (Për hir të së vërtetës duhet vlerësuar pozitivisht aftësitë e Berishës dhe Ramës, që arrijnë të bindin median të jenë të pranishëm çdo ditë në ekranet e televizionit(!)
Për mendimin tim, kjo lloj të bëri Marrëdhënie Publike është për të forcuar rolin e liderit si individ, për të krijuar bindjen tek opinioni publik se si Ata janë lider të pazëvendësueshëm, dhe në fakt mbeten të pazëvendësueshëm, gjer në ato momente që vendosin me dëshirën e tyre për t’u shkëputur nga Partia apo politika. Ndoshta, ky lloj stili i përdorur nga politikanët tanë, pra përsëritja e të njëjtit fjalor dhe të njëjtave mesazhe çdo ditë në ekranet e televizioneve shqiptare, ka bërë që çdo shqiptar t’i shtrojë pyetjen vetes “Pse nuk merrem edhe unë me politikë?!”, pra, mëso pak oratori, vë një kollare dhe mund të bëhesh politikan.
Pavarësisht psikologjisë së simpatizantëve të forcave politike që mund të lumturohen duke parë çdo ditë liderët e tyre në media, mendoj se ky stil komunikimi ngjason më shumë me propagandë dhe druaj se një ditë, qytetarët do të mërziten dhe kjo mund të kthehet në bumerang, aq më tepër kur nuk zbatohen premtimet e bëra në fushata zgjedhjesh.
Imagjinoni për një çast se çfarë mund të ndodhë në Britaninë e Madhe, apo në SHBA, sikur Kryeministri britanik, Brown, apo presidenti Bush të dilnin çdo ditë në ekranet e televizionit për një temë të caktuar, siç ndodh me liderët e dy partive tona më të mëdha që janë në fushatë me temat përkatëse “Dialog me Shqipërinë!”, apo “Dialog për NATO-n”!? Natyrisht, nëse do të ndodhte kjo në SHBA apo Britaninë e Madhe, padyshim se reputacioni i tyre do të vihej në diskutim. (Kjo lloj Marrëdhënie Publike ndodh vetëm gjatë fushatave zgjedhore, ku është normale që qytetari të dijë se cilat janë premtimet dhe kush i plotëson më mirë interesat e tyre).
Pikërisht për të qenë tërheqës për opinionin publik dhe interesant për median, liderët e partive apo Presidentët, Kryeministrat, Ministrat e shteteve të ndryshme, ashtu si tek ne, kanë Zyrat e Shtypit dhe mbajnë pranë tyre staf me Këshilltarë, Drejtorë, Zëdhënës etj., të cilët këshillojnë apo koordinojnë veprimtarinë e Marrëdhënieve Publike që ka të bëjë me ndërtimin e strategjive, planifikimin e mesazheve, përgatitjen e temave, analizën e shtypit të përditshëm, përgatitjen e fjalimeve etj.
Nëse flasim më konkretisht në realitetin tonë të qeverisjes, duket se Këshilltarët e kryeministrit Berisha, në vend që të këshillojnë Kryeministrin, ndodh e kundërta, Kryeministri i këshillon Këshilltarët e tij se çfarë duhet të bëjnë!! Daljet e shpeshta në media të kryeministrit Berisha duhet të kenë edhe një arsye tjetër, që direkt apo indirekt lidhet edhe me prononcimin e kryetarit të grupit parlamentar, Patozi, i cili u shpreh para disa ditësh se: “Zëvendësimi i disa “kuajve të lodhur” mund të sjellë rifreskimin e Qeverisë”.
Në këtë aspekt, Marrëdhëniet Publike tek ne bëhen më të ndërlikuara se sa janë në realitet. Për sa kohë që shumica e Ministrave janë “strukur” në zyrat e tyre luksoze, nuk japin një konferencë për shtyp, nuk shfaqen më në debatet televizive siç krekoseshin më parë, nuk shkruajnë një rresht në ndonjë gazetë! Çfarë mund të presësh nga Këshilltarë-Zëdhënësit e tyre!?
Nuk kuptohet edhe tulatja e Zëdhënëses së Qeverisë, Majlinda Bregu, e cila ishte shumë aktive dhe organizonte çdo javë Konferenca për Shtyp? Që kur znj.Bregu u dërgoi të gjithë Ministrave si dhuratë për vitin e Ri një kartolinë-kalendar ku kishte renditur prioritetet bazë për çdo muaj për secilën ministri, që atë ditë nuk u shfaq më në Konferenca për Shtyp si Zëdhënëse e Qeverisë!? Të jetë shkak moszbatimi nga ministrat i prioriteteve për çdo muaj? Si e pabesueshme!
Të gjithë duken të tulatur në kampin e djathtë (në veçanti ministrat), më përjashtim të dy figurave: Nënkryetares së PD dhe Kryetares së Kuvendit (shumë aktive dhe e prerë në mbështetje të kryeministrit Berisha, si dhe në lobingjet jashtë Shqipërisë) dhe kryetarit të grupit të PD-së, z.Patozi, i cili duket se ka besimin e plotë të Kryeministrit. Gjithashtu duket aktiv shefi i Diplomacisë shqiptare, Basha (madje thyen edhe një tabu protokollare, si në rastin e letrës nga z.Bush), por nga ana tjetër të habit fakti se si ministri i Jashtëm, Basha dhe Ambasadorët e tij, nuk kanë mundur të organizojnë më shumë se dy vizita zyrtare për kryeministrin Berisha!? (Në gjuhën diplomatike, nuk mund të quhen vizita zyrtare takimet e Kryeministrit në konferenca të ndryshme jashtë vendit).
Në fushën e Marrëdhënieve Publike, risi e re është përfshirja në Institucionet e Presidencës, Parlament, Gjykatës së Lartë dhe pothuajse në të gjitha Ministritë, duke përfshirë edhe Kryeministrinë e femrave në detyrën e Këshilltares për MP dhe Zëdhënëses. Nuk mund të jemi nihilistë sepse ka edhe Zëdhënëse profesioniste, por vërejmë se në përgjithësi, në përzgjedhjet, duket se i është kushtuar më shumë rendësi bukurisë së tyre sesa anës profesionale. Gërshetimi i të dyjave do të ishte një gjë ideale. Kjo ideale nuk është e vështirë për t’u gjetur. Ka të paktën gjashtë vjet që në Fakultetin e Gazetarisë çdo vit diplomohen edhe në fushën e MP më shumë se 60 femra, që do të thotë se të paktën 20 plotësojnë kriterin e profesionalizmit dhe të bukurisë.
Gjithashtu mendoj se ka ardhur koha që detyra e Këshilltarit për Marrëdhënie Publike duhet ndarë me atë të Zëdhënësit. Kjo për faktin se eksperienca perëndimore nuk e koncepton që një person të ketë mundësi dhe aftësi të kryejë të dy detyrat njëkohësisht. Në zyrat e rëndësishme dhe me ritëm të shpejtë, zakonisht një person mendon në planin afatshkurtër-për shtypin e përditshëm-dhe një tjetër për planifikimet strategjike për të ardhmen. Ndërsa tek ne, një person mban dy funksione. Nëse është çështje pagese, kjo mund të zgjidhet thjeshtë me një vendim qeverie kur rroga e Zëdhënësit të jetë e barabartë me atë të Këshilltarit!
Roli dhe rëndësia e Zëdhënësit apo Këshilltarit del në pah dhe ka vlera në veçanti në momentet e krizave që kalon një qeveri, apo një Ministër. Faktet i kemi të freskëta me ngjarjen e Gërdecit. Për tri ditë rresht nuk patëm asnjë prononcim nga Ministria e Mbrojtjes. U ngatërruan aq keq sa ndryshe fliste Ministri i Mbrojtjes, ndryshe fliste Shefi i Shtabit të Përgjithshëm!!! Ndërsa emrin e Zëdhënësit apo Zëdhënëses të Ministrisë së Mbrojtjes nuk e mësoi asnjëri, megjithëse gjer në momentin e ngjarjes së Gërdecit, Ministria e Mbrojtjes ishte “thembra e Akilit” për anëtarësimin në NATO!?
Në këtë kuadër duhet të mësojmë nga eksperienca perëndimore në fushën e marrëdhënieve publike për të informuar opinionin publik me sukseset apo dështimet, dhe në ato raste kur gabojmë duhet të jemi transparentë për të pranuar gabimin dhe për të informuar se si po punohet për të përmirësuar situatën. Kështu krijohet besim tek opinioni publik për qeverisjen.
Michael D.Mekkeri (McCurry) ish-Sekretar i Shtypit i presidentit Klinton, thotë: “Qeveria ka aq shumë informacion, saqë ajo ka nevojë për një mënyrë të efektshme për t’ia shpërndarë qytetarëve dhe pikërisht këtu del në pah puna e Zëdhënësve të Qeverisë. Zëdhënësi është si një reporter që punon brenda qeverisë dhe mbledh informacion për Publikun”.
Leksionet i kemi të gatshme, veçse duhet vullnet dhe dëshirë për t’i zbatuar. Marrëdhëniet Publike duhet të triumfojnë mbi propagandën.

8 July 2008 @ 4:57 pm
si s’doli no njoni me e analizu kte..
ps : po shkoj t’lidh barin
9 July 2008 @ 12:38 am
E ke gabim që në fillim, marrëdhënie ka kuptimin dhe merr dhe jep, por kështu si janë punët politika vetëm merr prandaj ç’marrëdhënie publike të bëjë?