Mallkim për sport

david-ortiz.jpgXhino Kastinjoli, një betonier me banim në Bronks, Nju Jork por tifoz i Bostonit në bejzboll, vendosi që tek punonte për betonimin e stadjumit të ri të NY Yankees të mallkonte ekipin dhe stadjumin duke groposur në beton një fanellë të ekipit të zemrës. Boston Red Sox qëllon të jenë rivalët më të hidhur të Nju Jorkut. Duke groposur bluzën me numër 34 të David Ortiz në themelet e stadjumit të ri në NY, Xhino po shpresonte të linte një ogur të lig.

Ndonjëherë edhe sporti ka besytnitë e veta të vogla, por kur vjen puna tek bejzbolli dhe rivaliteti i hidhur mes Bostonit dhe Nju Jorkut besytnitë janë prezente gjithë kohën. Pasi fituan kampionatin e parë më 1903 dhe 5 kampionate të tjerë deri më 1918, ekipi Boston Red Sox (Çorapekuqët) nuk fituan më asgjë për 86 vjet. Nëse jua krahasoj me Inter-in prap nuk mjafton, Bostoni ishte i pafat si Inter, por niveli i fatit të keq ngritur në fuqi të dytë.

Red Sox e kthyen humbjen në art. Dështimet e tyre nuk ishin thjesht humbje në fushën e lojës por katastrofa, tragjedi…mallkim. Gjithë këta vjetë ata nuk kishin ekipe të dobët, por pretendentë për titull që në finalet rrëzoheshin si kështjella pej rëre dhe thyenin miljona zemra dhe ëndrra tifozësh të përlotur. Më 2004, kur Bostoni fitoi kampionatin e bejzbollit pas 86 vjetë endjesh në shkretëtirën e humbjeve dramatike, gjysma e sportëdashësve ia dhanë meritën ekipit të shkëlqyer të atij viti, gjysma tjetër besoi se shkaku i fitores ishte që Mallkimi i Bambinos* më në fund ishte thyer.

E nëse Xhino Kastinjolit i falet që gropos fanella në beton se fundja është vetëm një betonier, çfarë mund të thuhet për Presidentin e NY Yankees, Randi Levine që kur mori vesh çfarë kishte ndodhur vendosi të shponte themelet për të nxjerrë mallkimin nga betoni, edhe pse kostot do ishin disa dhjetra mijra dollarë? “Në Nju Jork nuk është gjë e mirë kur të varrosin në beton, prandaj në fillim menduam ta betonojmë dhe më fort”, u shpreh Presidenti Levine duke iu referuar praktikave mafioze të “zhdukjes”, “por gjithësesi, ne vendosëm ta nxjerrim bluzën nga themelet.”

Të armatosur me matrapikë dhe pasi mësuan me saktësi vendin ku ishte groposur fanella me numër 34 e David Ortiz, NY Yankees “e shmangën mallkimin”. Kostoja e shpimit të themeleve për të nxjerrë bluzën e Bostonit i kaloi 50,000 USD. Fanella ishte në formë të dobët pas një jave nën beton, megjithatë ajo u pastrua dhe rregullua e më pas u dërgua në Boston ku ka dalë në ankand për tu shitur me qëllim që fitimet t’i dhurohen “Jimmy Fund”, një fondacion për luftimin e kancerit tek fëmijët. Duket se edhe nga ky mallkim, në fund erdhi një e mirë. Organizatorët e ankandit thonë se oferta më e lartë deri më tash për fanellën është 30,000 USD, por duke njohur rivalitetin mitologjik mes dy ekipeve ata presin të arrijnë diku mbi 100,000 dollarë, çdo qindarkë e të cilave do shkojë për luftën kundra kancerit.

Blendi Salaj
peshkupauje.com

*Mallkimi i Bambinos i referohet periudhës 86 vjeçare pa-fitore të Boston Red Sox. Më 1918 Bostoni shiti fare lirë tek Nju Jorku lojtarin më të mirë të kohës (e ndoshta të të gjtha kohërave) Babe Ruth. Pas kalimit të Ruth nga Bostoni tek Nju Jorku u duk se edhe fatet ndërruan, mbi shpatullat e Ruthit Yankeet u bënë ekipi sportiv më i madh në botë, ndërsa Bostoni nuk ngriti më kokë për 86 vjet. Bambino ishte nofka e Babe Ruth, nga lindi dhe besytnia e Mallkimit të Bambinos.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. edrus thotë:

    19 April 2008 @ 4:23 pm

    Blendi, kur po e dëgjoja para ca ditësh lajmin, të betohem që më shkoi mëndja tek ti… por nuk e dija se ishe kaq tifoz i “çmen” :)

  2. buda thotë:

    19 April 2008 @ 7:02 pm

    baseball dhe Red Sox jane jane si ‘religion’ ne Boson…

  3. jay-z thotë:

    19 April 2008 @ 10:21 pm

    Ashtu ishte dhe futbolli, derisa NY Giants vune perfund NE Patriots…. :)

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com