Login



Register

Male të larta a Male të lartë

Një kërkesë e një studenteje gjermane, e cila mëson shqip, drejtuar para sa kohësh gjuhëtarëve a “gramaticienëve”, siç i quan ajo, të Forumit Mbarëkombëtar të Studiuesve Shqiptarë “Alb-Shkenca” që t’i ndihmonin të zgjidhte një problem, për të cilin nuk kishte gjetur dot zgjidhje logjike, e që në fakt kishte të bënte me ambigjininë a dygjinishmërinë e emrave në gjuhën shqipe, dhe përgjigjet dhe këshillat e disa anëtarëve të këtij forumi drejtuar kësaj studenteje, më shtynë të bëj një hulumtim të vogël lidhur me zbatimin në praktikë të rregullave të drejtshkrimit sa i përket dukurisë së ambigjinisë.

Problemi i Andrea Goldschmidt-it (kështu quhet kjo studente) është: “A janë korrektë togfjalëshat: botim shkencor – (shumës) botime shkencore; periodik shkencor – (shumës) periodikë shkencorë. Nëse po: meqenëse kemi dy emra të gjinisë mashkullore (njëri i lakimit të parë, tjetri i lakimit të dytë) pse mbiemri pa nyje ‘shkencor’ (ashtu si popullor, elementar, etj.) shfaqet njëherë me mbaresë –e dhe njëherë me mbaresë –ë?”

Përgjigjet e anëtarëve të Alb-Shkencës do të mund të klasifikoheshin në tri kategori, përfaqësuar nga tre emra të njohur:

1. Prof. dr. Françesko Altimari, profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, Kozencë, Itali, anëtar i Këshillit Ndërakademik për Çështje të Shqipes Standarde: “Besoj se ky shpjegim [se te këto “botime shkencore kemi të bëjmë me ndërrimin e gjinisë në shumës, nga mashkullore në femërore, e në rastin e dytë jo – shpjegim ky i Naser Aliut, Gjermani, profesor i gjuhës frënge dhe përkthyes] nuk do ta ndihmojë shumë nga ana logjike znj. Andrea, që nuk e ka shqipen si gjuhë amtare. Asaj ndoshta duhet shpjeguar paraprakisht se ka në gjuhën shqipe disa emra të gjinisë mashkullore (p.sh. ata që mbarojnë me -im, si botim) që marrin në shumës mbaresën -e dhe pra bëhen të gjinisë femërore. Prandaj mbiemri me këta emra duhet të jetë në shumës me gjininë femërore, dhe jo me gjininë mashkullore.”

2. Prof. dr. Emil Lafe, Tiranë, Shqipëri, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë, 1972), autor e bashkautor i shumë artikujve e teksteve për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, anëtar i Këshillit Ndërakademik për Çështje të Shqipes Standarde: “Në gramatikën shqipe përcaktohet se: emrat mashkullorë që e formojnë shumësin me prapashtesën –e, i marrin përcaktorët në formën e gjinisë femërore: këto arsyetime, burime të ftohta, dete të thella, kanale të reja ujitëse, probleme të vështira, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këto vende të bukura, vendime të rëndësishme, zbulime gjeografike etj. etj. Kjo është një dukuri më fort e arealit të gegërishtes, por është përhapur gjerësisht dhe është bërë normative. Togfjalëshat e mësipërm kështu përdoren, besoj, thuajse nga të gjithë. Përveç kësaj klase të madhe emrash, i nënshtrohen kësaj dukurie edhe emrat ish-asnjanës, si edhe disa emra të tjerë mashkullorë dhe e formojnë shumësin me prapashtesën –ra: ujëra të ftohta, këto djathëra, këto fshatra të reja, drithërat e sivjetme, mishra të pjekura, mallra gjermane. Duhet pasur kujdes: ka disa emra mashkullorë që dalin me bashkëtingëlloren fundore –r dhe e formojnë shumësin me prapashtesën –a, si: hekur-a, pjep(ë)r-a, lib(ë)r-a etj.; format e tyre të shumësit hekura, pjepra, libra, misra fonetikisht janë të ngjashëm me ujëra, mallra, fshatra, mishra etj., prandaj për analogji, si në gjuhën e folur, ashtu dhe në gjuhën e shkruar, ndeshen përdorime jonormative, si: libra të reja, misra të pjekura, hekura të ndryshkura etj.”

3. Dr. Arben Kallamata, Mississauga, Toronto, Ontario, Kanada, gazetar, ish-botues i së përjavshmes së njohur tiranase “Drita”, nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Kanadasë: “Andrea, Ju keni të drejtë. Forma e rregullt e shumësit të togfjalëshit “botim shkencor” duhet të jetë “botime shkencorë”, siç është edhe “periodikë shkencorë“ shumësi i “periodik shkencor”. Praktikisht, në shqipen e folur përdoret më tepër trajta e gabuar “botime shkencore” dhe kjo formë ka hyrë në përdorim edhe në shqipen e shkruar. Ndoshta përdorimi i vazhdueshëm i kësaj trajte dikur do të ndikojë në ndryshimin e rregullit të krijimit të shumësit në shqip. Në fund të fundit, gramatika, më tepër se sa ushtruese e një ligji të ngrirë, është pasqyrim i mënyrës se si përdoret gjuha dhe duhet t’i përshtatet ndryshimeve logjike që sjellin përdoruesit.”

Pra, shkrimet lidhur me këtë çështje mund t’i grupojmë në tri kategori: ato që i tumirin pothuajse pa vërejtje vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit (prof. Emil Lafe), ato që mendojnë se ka ardhur koha që disa vendime të këtij kongresi të rishqyrtohen dhe të ndryshohen (dr. Arben Kallamata) dhe ato që kërkojnë shpjegime dhe sqarime e udhëzime sa më praktike për to (prof. Altimari).

Dukuria e ndërrimit të gjinisë së emrave asnjanës, dhe të disa emrave mashkullorë (jofrymorësh) në shumës, sipas Prof. Shaban Demiraj [Gramatika historike e gjuhës shqipe, Rilindja, 1988], është relativisht e vjetër në gjuhën shqipe, është e periudhës parashkrimore të saj. Por ajo nuk është arkaike, po gjallëron edhe sot e kësaj dite. Ajo ndeshet jo vetëm në veprat e shkrimtarëve tanë të vjetër, po dhe në veprat e shkrimtarëve të traditës, e sidomos në veprat e autorëve bashkëkohorë. Ja disa shembuj, sa për ilustrim:

Gj. Buzuku: mbë male të nalta (njëjës: mal-i); ujënatë e mëdha (njëjës: ujë-të).

P. Budi: ujënatë të mëdha (njëjës: ujë-të); me sa tjera lëngime (njëjës: lëngim-i).

N. Mjedja: n’pyje t’veshuna; n’ankime t’veta; nder male t’reja; per faje t’hershme; n’gjytete t’hueja; do vorre t’reja; me tjera male; një ndër ndryshimet kryesore; kriteret e ndjekuna etj.

Gj. Fishta: bjeshkë e male të blerueme; ke ato bjeshkë e ke ato male; mbi ato male e bjeshkë kreshnike; ato male të madhnueshme etj.

F. Noli: mentimet dhe idealet e tij sociale; këto shkrime; Shtetet e Bashkuara (por dhe: Shtetet e Bashkuar); interesat tona etj.

Asdreni: ato fshatra; nd’ ato mal’ e ato vise; viset tona; rreziqe të mëdha; mësime të mëdha, tregime si të reja si të vjetra (por dhe: vegime mendjeshkretë; emra të famta etj.) etj.

E. Çabej: studime (shënime, monumente) gjuhësore; tekstet e vjetra; elementet latine të gjuhës shqipe; elementet ballkanike të lashta; shumëset e singularizuara etj.

J. Xoxa: në këto çaste të mallëngjyera; këto ushqime; këto mendime; tiparet e papërcaktuara; gropat e varreve të reja; frikësimet e vazhdueshme etj.

A. Shkreli: këto mendime; currile të kristalta; çaste të tëra; e shikimeve të shurdhëra; kundërshtime kacafytëse etj.

I. Kadare: emra shtetesh të reja; shkrime të lashta; në stacionet kryesore; këto male; funeralet homerike; këto provokime; kanune të vjetra; operacionet ushtarake; këto paragrafe të vjetra [sipas Drejtshkrimit do të duhej: këta paragrafë të vjetër] etj.

Me –e shumësin e bëjnë emrat (kryesisht që shënojnë jofrymorë) që mbarojnë më: ant, –at, –az, –ent, –id, –it, –ont, pastaj më: al, –am,an, –ar, –azh; –ec, –el, –end, –er, –esh, –et, –ez, –ezh, –ël, –il ,–im, –ir,–ion, –llëk, ozh, –(i)um, –und, –us, si dhe emrat: djep-e, kallëp-e, kryq-e, mikrobe-e, probleme-e, raft-e, zarf-e etj.

Emra frymorësh (emra njerëzish dhe kafshësh) që e ndërrojnë gjininë në shumës (nga mashkullore në femërore), ka shumë pak: personalitete të shquara, personazhe pozitive, baktere të dëmshme, insekte helmuese.

Në emra që e ndërrojnë gjininë në shumës duhet përfshirë edhe emri interes: interesi im – interesat tona kombëtare.

Emrat e gjinisë mashkullore që në shumës kalojnë në emra të gjinisë femërore, pra që shoqërohen me përcaktorë (mbiemra e përemra, si dhe me numërorin tri) të gjinisë femërore nuk janë edhe aq të paktë në gjuhën shqipe, duke pasur parasysh se këtij grupi i takojnë edhe emrat prejfoljorë që në njëjës mbarojnë më –im, që pothuajse mund të formohen prej çdo foljeje që mbaron me –oj dhe –ej, e që në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe janë mbi 1800.

Për ta ilustruar përdorimin e dendur të emrave të dygjinishëm në gjuhën shqipe në praktikë (në shumicën e rasteve në përputhje me Drejtshkrimin), po paraqesim disa nga rezultatet e kërkimeve tona në internet, me anë të makinës kërkuese “Google” (28 korrik 2007):

këto burime – këta burime: 778/19; ato burime – ata burime: 980/8; burime të tjera – burime të tjerë: 12.400/5; burime të brendshme – burime të brendshëm: 187:0; burime të jashtme – burime të jashtëm: 101/0; burime të reja – burime të rinj: 431/1; burimet tona – burimet tanë: 842/0; burimeve tona – burimeve tanë: 458/0.

këto fakte – këta fakte: 13.700/57; ato fakte – ata fakte: 864/9; fakte të tilla – fakte të tillë: 2.260/3; fakte të tjera – fakte të tjerë: 3.490/7; fakte të reja – fakte të rinj: 2.540/2; fakte të cilat – fakte të cilët: 2.980/1; fakte të vërteta – fakte të vërtetë: 1.110/0; fakte të mjaftueshme – fakte të mjaftueshëm: 1.190/0; fakte të pamohueshme – fakte të pamohueshëm: 416/0;

këto male – këta male: 1.390/60; ato male – ata male: 751/250 [me këtë rast dhe në raste të ngjashme duhet mbajtur parasysh se, gjatë kërkimit në Google, si fjalë e togfjalësha shqip mund të na përvidhen edhe fjalë nga gjuhë të huaja, që për nga shkrimi na dalin si të jenë të shqipes]; malet tona – malet tanë: 1.150/3; maleve tona – maleve tanë: 375/1; male të larta – male të lartë: 544/426; maleve të larta – maleve të lartë: 649/638.

këto mendimekëta mendime: 960/58; ato mendimeata mendime: 1.330/28; mendime të bukuramendime të bukur: 1.140/0; mendime të thellamendime të thellë: 952/0; mendime të ndryshmemendime të ndryshëm: 10.000/0.

këto vendekëta vende: 41.200/165; vende të ndryshmevende të ndryshëm: 51.900/6; vende të bukuravende të bukur: 3.850/3; vende të largëtavende të largët: 463/2.

këto qytete këta qytete: 674/76; ato qytete ata qytete: 918/25; qytete të reja qytete të rinj: 2970/3; qytetet e reja qytetet e rinj: 3.900/0; qytete të vjetra qytete të vjetër: 937/0; qyteteve të vjetra qyteteve të vjetër: 936/1; qytetet e vjetra qytetet e vjetër: 1.790/1; qytete të lashta qytete të lashtë: 224/0; qytete të ndryshmeqytete të ndryshëm: 980/2; qyteteve të ndryshmeqyteteve të ndryshëm: 1.140/1; qytetet e ndryshmeqytetet e ndryshëm: 3.100/0.

këto shtetekëta shtete: 9.470/245; ato shteteata shtete: 575/109; shtete të ndryshmeshtete të ndryshëm: 16.200/5; shtetet e ndryshmeshtete të ndryshëm: 8.190/0; shteteve të ndryshmeshteteve të ndryshëm: 4.840/4; shtete të mëdhashtete të mëdhenj: 2.140/2; shtetet e mëdhashtetet e mëdhenj: 3.580/3; shteteve të mëdhashteteve të mëdhenj: 2.550/2; shtete të voglashtete të vegjël: 929/5; shtetet e voglashtetet e vegjël: 2.750/5; shteteve të voglashteteve të vegjël: 1.940/10; shtete të rejashtete të rinj: 1.880/1; shtetet e rejashtetet e rinj: 11.100/4; shteteve të rejashteteve të rinj: 5.450/10; Shtetet e Bashkuara të Amerikës Shtetet e Bashkuar të Amerikës: 86.200/80; Shteteve të Bashkuara të AmerikësShteteve të Bashkuar të Amerikës: 27.000/15.

këto fshatrakëta fshatra: 1.880/66; ato fshatra – ata fshatra: 476/17; fshatra të tjerafshatra të tjerë: 2.380/1.990; fshatrat e banuarafshatrat e banuar: 463/4; fshatra të voglafshatra të vegjël: 714/6; fshatra të djegurafshatra të djegur: 202/7.

këto mallra këta mallra: 645/2; ato mallra ata mallra: 181/4; mallra të importuara mallra të importuar: 583/2; mallra të rrezikshme mallra të rrezikshëm – 207/0; mallra të ndryshmemallra të ndryshëm – 608/9; mallra të tillamallra të tillë – 213/5; mallra të tjeramallra të tjerë – 617/401.

këto ujërakëta ujëra: 362/32; ato ujraata ujra: 135/2; ujërat e zezaujërat e zinj: 10.100/0; ujrat e zezaujrat e zinj: 860/1; ujëra të zezaujëra të zinj: 516/0; ujra të zezaujra të zinj: 242/1; ujërat e turbullta – ujërat e turbullt: 173/1; ujrat e turbullta – ujrat e turbullt: 92/2; ujëra të turbullta – ujëra të turbullt: 636/1; ujra të turbullta – ujra të turbullt: 1.030/0; ujërat e ndotura – ujërat e ndotur: 204/133; ujrat e ndotura – ujrat e ndotur: 124/9; ujëra të ndotura – ujëra të ndotur: 595/2.

këto interesakëta interesa: 1.250/76; ato interesaata interesa: 204/9; interesa të ndryshmeinteresa të ndryshëm: 3.000/4; interesat e mëdhainteresat e mëdhenj: 3.630/1; interesa të mëdhainteresa të mëdhenj: 1.530/0; interesa të vogla interesa të vegjël: 692/0; interesat tona kombëtareinteresat tanë kombëtarë: 817/0; interesave tonainteresave tanë: 1.110/5; interesa të ngushtainteresa të ngushtë: 400/1;. interesat e ngushtainteresat e ngushtë: 461/2; interesat e gjerainteresat e gjerë: 236/1.

Raporte të ngjashme janë fituar edhe për shumë emra të tjerë që e bëjnë shumësin me –e, si: argumente, botime, fakultete, kanale, nocione, probleme, telashe, urime, zbulime etj. etj.

Duhet vërejtur me këtë rast që, për shkak se shumë përdorues të uebit (internetit) në vend të grafemës ë përdorin grafemën e, nuk kemi mundur të bëjmë krahasimin e çifteve të togfjalëshave të tipit: botime shkencorebotime shkencorë, qytetet antike qytetet antikë; zbulimet gjeografikezbulimet gjeografikë etj. etj.

Për kërshëri, po japim edhe përdorimet e drejta e të gabuara të përcaktorëve me shumësin e emrit libër (libri) – librat (i cili, siç u tha, nuk ka të bëjë me ambigjininë):

këta librakëto libra: 1.250/803; ata libraato libra: 636/2.350; librat e vjetër librat e vjetra: 2.330/2.040; libra të vjetër libra të vjetra: 875/7; librat e rinj librat e reja: 1.740/8; libra të rinjlibra të reja: 1.230/1.970.

Nga shembujt e dhënë më lart shihet se mbizotërojnë dukshëm trajtat ku respektohet ambigjinia. Ajo është absolutisht mbizotëruese në rastet kur kemi të bëjmë me mbiemra që kanë trajta më të dallueshme në të dy gjinitë, si: të reja – të rinj, të voglatë vegjël të zeza – të zinj; tona – tanë etj. Kemi përdorim të baraspeshuar te çiftet e togfjalëshave me: të larta – të lartë; të tjeratë tjerë.

Madje edhe vetë A. Kallamata, i cili thotë se nuk e pranon ambigjininë, në artikujt postuar në forumin Alb-Shkenca, mjaft shpesh e përfill atë: burimet që ju sillni janë të njëanshme dhe tendencioze; tre argumentat (= argumentet) e para; klasifikimet janë të ndryshme; shërbime të fshehta, shërbime sekrete; të vëllimeve të botuara dhe të pabotuara; ato reflekset e vjetra; me argumente të sjella; sipas interesave të veta; universitetet më të mira të botës; televizionet tuaja; pallatet e shëmtuara parafabrikate; numri i madh i reagimeve negative; pas nocioneve të tilla qesharake; bashkime profesionale; qendra e dokumentimit të krimeve gjysmëshekullore; të tilla veprime; me gabime dhe budall(all)ëqe të papranueshme.

Me interes, me siguri, do të ishte hetimi i dukurisë në terren, e sidomos në shkollat tona të të gjitha niveleve.

Dukuria e ambigjinisë nuk është një dukuri e veçuar e gjuhës shqipe. Ajo haset edhe në disa gjuhë të tjera indoeuropiane, ku më shpesh, si në rumanishte, po dhe në spanjishte e italishte, polonishte e sllovakishte, ku më rrallë, si në frëngjishte, çekishte e serbishte etj. Ja disa shembuj (pa përkthim), sa për ilustrim: rumanisht: un tren rapid – doua trenuri rapide; greqishte e re: ho plutos – ta plute; italisht: il mio pàio – le mie pàia; spanjisht: el arte es fascinonte – las bellas artes; frëngjisht: mon amourdélicieuses amours; çekisht: dítě (asnjanës në njëjës) – děti (femëror në shumës); serbisht-kroatisht: moj kolega – moje kolege.

Ndërrimi i gjinisë gramatikore të disa emrave në shumës në gjuhën shqipe nuk ka të bëj me ndërrimin e gjinisë së sendeve a dukurive që ata shënojnë, se sendet e dukuritë nuk kanë gjini (biologjike, natyrore), siç nuk duhen kuptuar se janë pa gjini (biologjike, natyrore) Mädchen (vajzë, çupë) në gjermanishte a momçe (djalosh, çun) e dete (fëmijë) në bullgarishte e serbishte ngase janë të gjinisë (gramatikore) asnjanëse. Që të gjitha e kanë logjikën e vet – gjuhësore.

Prof. asoc. Dr. Nebi Caka

Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, Kosovë

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

24 Komente

  1. anonymus thotë:

    9 August 2007 @ 2:21 am

    Ketij “problemi” i ka dhene pergjigje Faik Beu. Zakonisht, shkrimet e Faikut gjenden ne libra.
    Faik Beu ka thene qe keto “ambiguitete” jane mbetje (jo mbeturina) te nje kohe me pare kur shqipja/arberishtja/para-arberishtja kishte gjini asnjeanese. Si rrjedhim as nuk jane gabim dhe as nuk duhen “korrigjuar” per hir te konsistences. Jane ashtu si jane dhe duhet te mbeten ashtu. Femija i huaj qe meson shqip do ti duhet thjeshte t’i memorizoje. Femijes Shqiptar i vjen krejtesisht e natyrshme t’i thote sic edhe i kemi thene gjithe jeten.
    Ne te njejtin shkrim (qe duhet te gjendet ne “Vepra” te tij) Faik Beu flet edhe per problemin e zbehjes se h-se ne te foluren e shqiptareve, gje qe ai e vajton. H-ja ne fakt mbijetoi deri ne ditet tona, me pak perjashtime si ne ODA qe ne Vlore eshte HODA, por mua gjithmone me shkon mendja ne kete hall te Faik Beut kur degjoj vajza (dhe se fundi edhe djem) qe thone “karige” ose “sheraxhi” ose “radha”.

  2. Sk Tirana thotë:

    9 August 2007 @ 6:25 am

    Kur Shqipja flitet paster dhe bukur (pa italjanizma dhe huazime te kota qe e bejn vetem pis) eshte nje gjuhe e mrekullueshme dhe e mahnitshme. Duhet te bejm çmos qe ta mbrojme!!!

  3. Odysseus thotë:

    9 August 2007 @ 8:46 am

    mur i lagur - mure te lagura :)

  4. Laura Shkruaji mesazh privat thotë:

    9 August 2007 @ 9:08 am

    Faleminderit per artikullin…

    vertete qe gjuha respekton ligjet e veta perfshire ato te fonetikes, ndaj nuk duhet nxituar per ta quajtur fenomen anormal gjuhesor…

    psh. studime gjuhesore, eshte me e lehte per shqiptimin se versioni ne mashkullore…

    Por mesa duket nga rezultatet e google, paska perdorime te te dyja rasteve, eshte e nevojshme dhe e vlefshme kur gjuhetaret me eksperience nderhyjne dhe japin shpjegime…

    Gjuha shqipe te kenaq shpirtin…

  5. Zana thotë:

    9 August 2007 @ 9:18 am

    Te mahniteshme e te mrekullueshme shqipen e ben vetem fakti se eshte gjuha jone e jo pse ka aftesi te jashtezakonshme shprehese o pasuri te tilla qe ta vene mbi te tjerat….

  6. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    9 August 2007 @ 11:19 am

    Ustallare te gjuhes shqipe mbi gjuhen shqipe:

    Po e filloj me te Madhin fare, qe i ka bere me nder asaj dhe qe ajo i dha nder atij me shume se kerkujt tjeter.

    Ismail Kadare

    Gjuha Shqipe

    Kur në sulm hodhën turqit
    Hordhitë e pambaruara,
    Kështjellat e sintaksës
    S’i muar, që s’i muar.

    Në bedena poemash
    Popullore mbetën
    Kufoma divanesh e
    Kufoma bejtesh.

    Kur panë se gjuhës
    S’i hodhën dot prangat,
    Lëshuan drejt saj
    Gjithfarë merimangash.

    Parashtesa e pjesëza
    E lidhëza së prapthi
    Të bukurën gjuhë
    Ta bënin lesh arapi.

    Në përçartje ta kthenin,
    Në delir në jerm.
    Shin vite të rënda,
    Ishin shekuj plot helm.

    Të të bënin ty, donin,
    Shqipëri memece,
    Por ja, erdhi Naimi,
    Si yll mbi ty ecte.

    Dorën e zbehtë
    Mbi ballë të vuri,
    Të të hiqëte zjarrllëkun
    Prej të sëmuri.

    Dhe vdisnin pjesëzat,
    Thaheshin merimangat,
    Ndriste si perlat
    Poezia e madhe.

    Kjo gjuhë, që provoi
    Akrepët e shkretëtirës,
    Çdo të thotë përçartje
    E di, oh, e di mirë.

    E di çdo të thotë
    Kllapi, hermetizëm
    Qoftë e ardhur nga Roma,
    Qoftë e ardhur nga Parisi.

    Kjo gjuhë martire,
    Lehonë e përjetëshme,
    Që lindi mes dhembjesh
    Art të pavdekshëm

    FISHTA

    Gjuha shqype

    Porsi kanga e zogut t’verës,
    qi vallzon n’blerim të prillit;
    porsi i ambli fllad i erës,
    qi lmon gjit e drandofillit;
    porsi vala e bregut t’detit,
    porsi gjama e rrfes zhgjetare,
    porsi ushtima e nji tërmetit,
    ngjashtu a’ gjuha e jonë shqyptare.

    Ah! po; a’ e ambël fjala e saj,
    porsi gjumi m’nji kërthi,
    porsi drita plot uzdajë,
    porsi gazi i pamashtri;
    edhe ndihet tue kumbue;
    porsi fleta e Kerubimit,
    ka’i bien qiellvet tue flutrue
    n’t'zjarrtat valle t’ameshimit.

    Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
    qi këtë gjuhë të Perëndis’,
    trashigim, që na la i pari,
    trashigim s’ia len ai fmis;
    edhe atij iu thaftë, po, goja,
    që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
    qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
    flet e t’veten e lan mbas dore.

    Në gjuhë shqype nanat tona
    shi prej djepit na kanë thánun,
    se asht një Zot, qi do ta dona;
    njatë, qi jetën na ka dhanun;
    edhe shqyp na thanë se Zoti
    për shqyptarë Shqypninë e fali,
    se sa t’enden stina e moti,
    do ta gzojn k’ta djalë mbas djali.

    Shqyp na vete, po pik’ ma para,
    n’agim t’jetës kur kemi shkue,
    tue ndjekë flutra nëpër ara,
    shqyp ma s’pari kemi kndue:
    kemi kndue, po armët besnike,
    qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
    kah kanë dekë k’ta për dhe t’Parvet.

    Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
    qi’i rruzllim mbretnin s’ia xeka,
    në këtë gjuhë edhe Kastriota
    u pat folë njatyne ushtrive,
    qi sa t’drisë e diellit rrota,
    kanë me kenë ndera e trimnive.

    Pra, shqyptarë çdo fes qi t’jini,
    gegë e toskë, malci e qyteta,
    gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
    mos ta lini sa t’jetë jeta,
    por për te gjithmonë punoni;
    pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
    fisi juej, vendi e zakoni
    kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
    N’per gjuhë shqype bota mbarë
    ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
    ka me ju njohtë për shqyptarë;
    trimi n’za, sikurse jini.

    Prandaj, pra, n’e doni fisin,
    mali, bregu edhe Malcija
    prej njaj goje sod t’brohrisim:
    Me gjuhë t’veten rroftë Shqypnia!

    Naim Frasheri

    Gjuha Shqipe

    Vëllezër shqipëtarë!
    Qasuni më dëgjoni,
    Sa të mundeni më parë
    Gjuhën tuaj mësoni.
    Pa shihni sa ësht’e mirë
    S’u vjen mall’ e dëshirë?
    Gra, burra, djem e vasha!
    E ju plaka zë-trasha!
    Mos rrini pa mësuar,
    Kjo do të na nderojë,
    E do të na bashkojë,
    Këtë gjuhë, që flasim,
    Këtë zë të këndojmë,
    Gjënë tonë të qasim
    Të huajn t’a dëbojmë,
    Se gjuh’ e Shqipërisë
    Është e Perëndisë,
    Njeriu të shperndëronjë!
    Gjuhën e Mëmëdheut!
    Q’është e bukur’ e zonjë!

    Gjuhën e Skënder - beut!
    Oh! e madhe mëkatë!
    Kjo punë s’ka uratë.
    Ju shkëmbenjë e ju male,
    Ju brinja e bregore,
    Dhe ju lumënj ngadale,
    Ju fusha gjelbërore.
    Shqip të flisni për herë!
    Fjesht’ e të papërzier!
    Dielli, hëna, pylli,
    Dallëndyshija, larashi,
    Edhe bilbili vetë
    Shqip të flasë ndë jetë!
    Dhe vetë Perëndija,
    Edhe Zot’ i vërtetë,
    Dh’ e tërë gjithësija
    Këtë gjuhë të ketë
    Këtë dhe shqipëtari,
    Shpirt-madhi, punë-mbari.

    Gjuha Jone

    Vëllezër Shqipëtarë,
    të prekim urtësinë,
    të zëm udhën e mbarë,
    të ngjallim Shqipërinë.

    Shqipëria ka qenë
    dhe do të jetë,
    po sot në ditët tona
    të metë të mos ketë.

    E ka nderuar Zoti
    gjithënjë Shqipërinë
    ish fort mirë qëmoti,
    do bëhet dhe taninë.

    Ajo ish koh’ e zjarrtë
    dhe kish mundime tepër,
    po sot pëndë dhe kartë
    na duher, nuk tjetër.

    O burra Shqipëtarë
    të marim dituritë,
    se s’ është koh’ e parë,
    tani lipsetë dritë.

    Të shkruajm gjuhën tonë
    kombin të ndritojmë,
    gjithë ç’ është e ka qenë
    ngadalëzë ta mësojmë.

    Pa shihni ç’gjuhë e mirë!
    Sa shijë ka e hije,
    ç’e bukur edh’ e lirë,
    si gjuhë Perëdije.

    Strofa legjendare nga vjersha KORCA

    Gjuha jonë sa e mirë!
    Sa e ëmblë, sa e gjerë!
    Sa e lehtë, sa e lirë!
    Sa e bukur, sa e vlerë!

  7. preparat Shkruaji mesazh privat thotë:

    9 August 2007 @ 11:25 am

    Zana - Në rradhë të parë unë nuk jam gjuhëtar, kështu që mendimi im është thjesht i një vëzhguesi të interesuar. Më duket mua se gjuha shqipe ka disa veti fonetike të cilat u japin atyre që e kanë shqipen si gjuhë amëtare një aftësi jo të zakontë të të folurit të një gjuhe tjetër pa theks. Tinguj të tillë si ‘q’, ‘gj’, ‘zh’, ‘xh’ e të tjerë të cilët nuk hasen në shumë gjuhë të tjera na mundësojne ne t’i flasim pa theks ato gjuhë në të cilat hasen. Gjuha ime e referimit është anglishtja e Amerikës - dallohen shpeshherë folësit për të cilët nuk është gjuhë amëtare (italian, francez, arab, çfarëdoqoftë), ndërkohë që në shumë raste shqiptarët e flasin me shumë më pak theks.

    Kështuqë, për mendimin tim, shqipja ka disa veti fonetike jo të zakonta të cilat na ndihmijnë ne në mirëshqiptimin e gjuhëve të huaja.

    Mbase dikush me më shumë njohuri se unë mund t’a qartësoje këtë pikë.

  8. Zana thotë:

    9 August 2007 @ 11:30 am

    Te gjitha keto qe solle Emigrant jane perlat e gjuhes sone.Por mos harro se shpesh duke ekzaltuar gjuhen qellimi ka qene i mbajtjes se gjalle i identitetit tone shqiptar qe kostantisht(te jete shqip kjo!!)eshte kercenuar…Siç e quan edhe ti vete diku nje fare masturbacioni kolektiv e qe per fat te keq na ka mbushur mendjen qe si ajo s’ka mbi dhe.E perseris eshte gjuha jone prandaj nuk ka te krahasuar me asnje tjeter…Gjuha me te cilen mbase shumica jone ka thene per te paren here :”Te dua moj qen’ e qenit”ose shiko sa bukur tingellon ne shqip:”Guri i çyçkes ;dashuria ime…e jo Guri i çyçkes -mon amour etj etj…”

  9. Lumja thotë:

    9 August 2007 @ 11:38 am

    Mire more te perveluar mire,
    Gjuha jone eshte gjuha jone. E duam shume.
    Po si do ja bejme qe ka ngel aq e varfer dhe e pazhvilluar.
    Kohet e Fishtes kane kalu. E dini qe kur na duhet me shkujt gjera ngelem tu perdor llafe te huaja se shqip jo e jo qe si gjejme por as te huaja nuk jane pershtat apo standartizu ne shqip. Ne jemi vend sh i varfer edhe kena njof sh pak zhvillim, pranej edhe ne gjuhe kemi ngel prapa.
    Une per vete e gjej shqipen e sotme te mangut. Ka shume nevoje per tu pasuru ne menyre qe te mund te shkruajme rreth gjerave te shekullit te 21.

  10. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    9 August 2007 @ 11:44 am

    Per ne te zakonshmit gjuhen e ben magjepse edhe goja qe e nxjerr… mos me beni te filloj tani, se me late ketu….

  11. Lumja thotë:

    9 August 2007 @ 11:47 am

    ik mer emingrant futja gjumit se te natarrohen shifrat masanej :-)
    Gjuhen shqipe ni ktu e ke , nuk leviz

  12. Zana thotë:

    9 August 2007 @ 12:10 pm

    “La migliore insegnante è
    la bocca dell’amante….” thone keta ketu per mesuesen e nje gjuhe te huaj

  13. blete Shkruaji mesazh privat thotë:

    9 August 2007 @ 4:27 pm

    ne rradhe te pare edhe nje here me shtohet respekti per prof. Nebi Caka. nga te paktet gjuhetare qe e meritojne kete emer.
    e kam ndjekur debatin ne forumin e Alb-Shkences e per fat te keq shume vete e shfrytezuan 1. per te ekspozuar dijenite e tyre te gjithanshme; 2. per te hedhur hipotezat e tyre te paqena. me c’shoh ka shume nevoje per shkopin e zyshes se gjuhes shqipe te klases se dyte, sepse njohuria e gjuhesise te ketyre dijetareve nuk e kalon kete nivel.
    sa per pasurimin e shqipes me fjale moderne (bashkekohore) mendoj se shumica duhet te rikthehen ne bankat e shkolles dhe rimesojne si te shkruajne bazat, para se te kerkojne te bejne dizertacione shkencore. dashur pa dashur, stili i te shkruarit ekspozon shume me teper sesa dijenite e gjithanshme qe permenda me siper.
    gjuha shqipe ka mungesa, te cilat mund te mbushen lehtesisht nga njerezit e afte e te talentuar, jo nga kalemxhinjte, shumica e te cileve vrasin miza virtuale ne forumet e interneteve dhe e quajne veten kerkimtare te mirefillte. (sa keq qe nuk perdor dot e-ne me dy kacurrela te balli)

  14. adriatik thotë:

    9 August 2007 @ 4:50 pm

    Gjuha shqipe vertet nuk eshte gjuha me e mire ne bote por vlerat e sintakses se saj, pasuria fonetike dhe aftesia e saj per te perthithur gjithe trashegimine kulturore, teknike dhe teknologjine boterore nepermjet morfologjise se saj,jane karakteristika qe ne shqiptaret kemi te drejte te mburremi. Vini re nje grimce nga Servantesi te perkthyer ne shqip nga (s’me kujtohet emri, vell. II i Don Kishotit) kush e njeh spanjishten. Madam Trebishtina dhe doktor Pisburrero ne nje shqiperim te thjeshte do kishin emrat e tyre ne spanjisht qe shume pak do te na terhiqnin vemendje, por kur keta emra vijne te shqiperuar nga mjeshtrat e medhenj, kuptohet se ke te besh me nje zonje qe mban kostumin e kohes se vet me tre bishta si dhe me nje doktor qe vertet eshte pis burre.

    Persa i perket temes, eshte e natyrshme qe s’mund te flase kusho per te duke qene nje teme fort e specializuar ne fushen e fenomeneve gjuhesore. Pa dashur te them ndonje gje 100% te sigurte, kam pershtypjen se ne Kongresin e drejtshkrimit nuk eshte trajtuar ky fenomen gjuhesor me qellimin per t’ia neneshturuar gjinine femerore te mbiemrave qe cilesojne apo percaktojne nje grupim te emrave mashkullore ne shumsin e pashquar.

    Le te marrim shembullin me te thjeshte qe eshte dhe tema:
    Iamaili thote: Perse mendohen keta male te larte……

    E lashe me kaq, kur s’ke libra eshte njesoj sikur t’ja fusesh kot po kot fare ama…

    Ti Lume perse e konsideron gjuhen shqipe kaq te varfer per te perkthyer zhvillimin e sotem boteror? Mua me eshte krijuar pershtypja se ti je nje gazetare shume e mire nga bisedat e shkembyera midis teje dhe peshqve te tjere ne blog. Ne se kjo qendrom, do te isha shume kurioz te shihja shkrimet e tua per te pare ate fenomen te veshtire qe ju e pretendoni. Ne se mundeni, ku mund te lexoj ndonje gje te tille?

  15. Asterion thotë:

    9 August 2007 @ 6:03 pm

    Problemi i shumësit: mal i lartë - male të larta është problem vetëm për kë e ka harruar gramatikën e tetëvjecares, ose ka munguar në klasë kur është trajtuar ajo temë.
    Autori i artikullit e ka shpjeguar mirë, por është njëlloj si të vësh një kimist të shpjegojë pse formula e ujit është H20.
    Për një gjë vlejti ky artikull: për të vërtetuar se sa më pak të dish për gjuhën tënde, aq më shumë i jep gojës në publik, madje me budallallëqe.
    Nuk e kam fjalën për diskutimin këtu te Peshku, por atë të cilit i referohet artikulli. Edhe gjermania, kot e bëri atë pyetjen në një forum shkencëtarësh me mjekër; është njëlloj si të vete unë në një forum me shkencëtarë të gjuhës angleze e të pyes: pse vallë fjala “man” bën në shumës “men”? E ka shpjeguar dot njeri këtë mister i padëgjuar? Do të më thonë: go open a grammar book, a**h*le. Dhe me të drejtë.

  16. krasta krau Shkruaji mesazh privat thotë:

    9 August 2007 @ 7:40 pm

    Ne vazhdim te emigrantit…
    Gjuha shqipe

    Përmbi za që lshon bylbyli,
    gjuha shqipe m’shungullon
    përmbi er’ që jep zymbyli,
    pa da zemren ma ngushllon.

    Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
    ku e shkoj jetën tash sa mot,
    veç për ty m’rreh zemra e mjera
    e prej mallit derdhi lot.

    Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
    jan’ të bukra me themel
    por prap’ kjo, si diell pa hije,
    për mue t’tanave iu del .
    …………………………..

    Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
    me zbardh, Shqipe, zanin tand,
    e ku Drinit a burimi
    që shpërndahet kand e kand.

    Geg’ e tosk’, malsi, jallia
    jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
    fund e maj’ nji a Shqipnia
    e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

    Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
    ndër kto vllazën shoq me shoq,
    kush e dan me flak’ e shkrime
    çka natyra vet’ përpoq.

    Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
    si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
    për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
    s’t'kishte kush për motër t’vet.

    E njat tok’ që je tue gzue,
    e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
    shqiptaria, që mbet mblue
    sot nën dhe, edhe shqip flet.

    Per ata qe besojne se shqipja eshte e vafer ju keshilloj te lexojne Martin Camajn, me siguri do ju duhet fjalori… Une besoj ne fakt qe ne nuk e njohim dhe per me shume e shkaterrojme gjuhen, duke mos e njohur. Shtoji kesaj faktin qe grumbullimi i fjaleve te vjetra e te reja, ka mbetur ne vend prej vitesh, ndersa instituti i gjuhesise nuk ka mundur te nxjerre e te na jape asgje te re… Sidoqofte shqipja ka fjale mahnitese dhe tingellon si gjuhe Zotash.
    Per temen nuk jam i zoti te flas…Di vetem qe gramatikisht eshte e shpjeguar prej kohesh dhe ka rregulla te qarta, per emrat ne gjinine mashkullore, qe ne shumes dalin ne femerore dhe kaq…

  17. anonymys thotë:

    9 August 2007 @ 8:59 pm

    Geg’ e tosk’, malsi, jallia
    jan’ nji komb, m’u da, s’duron;

    Jalllia eshte Shqiperia e mesme, apo jo?! Apo eshte thjeshte “fusha”?

  18. Detari Shkruaji mesazh privat thotë:

    10 August 2007 @ 12:43 pm

    Ajo gjermania qe ka kerkuar kete shpjegim duhet ta di shume mire, se kete problem ka dhe gjuha gjermane. Ne gjuhen gjermane jane shume gjera qe duhen mesuar ashtu siç jane dhe jo duke u nisur nga llogjika. Kalimi nga nje gjini ne tjetren, ne pershtatje me situationin dhe kuptimin e thelbit te mendimit, eshte nje gje normale ne gjuhen gjermane (p.sh. “die Frau” - gruaja ne “der Frau”.

  19. Lumja thotë:

    10 August 2007 @ 1:30 pm

    Adriatik thote :
    “Ti Lume perse e konsideron gjuhen shqipe kaq te varfer per te perkthyer zhvillimin e sotem boteror? Mua me eshte krijuar pershtypja se ti je nje gazetare shume e mire nga bisedat e shkembyera midis teje dhe peshqve te tjere ne blog. Ne se kjo qendrom, do te isha shume kurioz te shihja shkrimet e tua per te pare ate fenomen te veshtire qe ju e pretendoni. Ne se mundeni, ku mund te lexoj ndonje gje te tille?”
    Adriatik, cer te te them, ta marr per lavderim qe me perfytyron gazetare ? :-) Jo mer daje jo, cer gazetarje. Cer shkrimesh. Kam shkrujt ne fakt i here ne gazete, kur kam qene 16 tek Kunji nje shkrim humoristik ne bashkeautorsi me shoqen time te ngushte. Hard Copy-n se kam rujt kshu qe skam se si te ta jap.
    Sa per gjuhen shqipe, nuk e kisha llafin per debatet e as per shkrimet mender teje e gazetave shqiptare qe po kallin ne dhe gjuhen shqipe.
    Ta kisha llafin eshte e varfer ne shume fusha te tjera pervecse llogjeve.
    E varfer dhe per me teper pa norma edhe per fjalet e huaja qe duam sduam do ti fusim kur skemi tonat.
    Mua ne pune ne menyre konstante me rrasin te shkruj shkresurina, ku me duhet te perdor gjuhe te paster gjuhe teknike diplomaci korrektesi qartesi dinakeri.
    E pra une e kam shpesh here me kollaj ta bej ne anglisht sesa ne shqip.
    Si une dhe shume te tjere, tere korrespondenca jone e punes mer daje , eshte ose ne anglisht ose nje shqipe e mbushme plot e perplot me terma anglisht, si ne nivele operacionale, teknike e gjer tek sherbimi i klieneteve.
    Kam provu te shkruj tutoriale per ndonje gje te vogel per perdorues te thjeshte qe sdine anglisht. Me ka dale shkuma daje , shkuma po te them, per ti thene thjesht dhe qarte ne gjuhen e memes.
    Une personalisht nuk kam ndonje aftesi te madhe elaboruese ne shqip, edhe libra nuk lexoj fort, as nei fjalor te pasur nuk kam. Hyj ke shtresa e rendomte e perdoruesve te gjuhes. Pra une nuk pritem te bej vepra letrare, por ta kem per kollaj ta perdor gjuhen time ne pune e gjithandej.
    Ja qe se kam dhe aq kollaj pra.

  20. Julius Shkruaji mesazh privat thotë:

    10 August 2007 @ 2:04 pm

    Mundohuni t’i perktheni fjalet e huaja standart Lume. Do lini pas nje thesar. Nese perdorim termat e huaj pa vend, do leme pas thase me patate. Eshte e veshtire e kuptoj, por perkthimi i termave dhe perdorimi i shpeshte i tyre con ne rrenjesimin brenda gjuhes. U jep fjaleve si te thuash, status zyrtar.

    Te forumi qe kam marre persiper, me luan tepeleku ndonjehere kur perdorin anetaret pa teklif fjale te huaja, i bejne fjalite gjys shqip e gjys anglisht. Mund te duket bukur dhe “trendy”, po mua me ngjan si lope laramane qe ben mwwwwww. :D Ndonjehere u pervishem dhe i perkthej vete postimet e tyre.
    Force karakteri, vullnet e njohuri duhet. Vetem kaq. Noli qe dinte 13 gjuhe te huaja, suflerit i thoshte “peshperites”.

    Tjeter cudi eshte dukja banale, sidomos e termave te fushes se seksologjise….e kane te veshtire te thone…(hm). por “fcuk u” hyn e del per qejf brenda postimeve. Te mos flasim pastaj per vuajtjen e fjales “lopthi” psh, “doggy” duket me “nice”. lol
    Mgjse sa kam vene re nga ty, nuk i perdor keq termat shqip ne kete fushe.

    Si perfundim, kemi gjuhe shume te bukur. Nese vleresohet me shume, do behet me e bukur akoma.

  21. Lumja thotë:

    10 August 2007 @ 2:13 pm

    Une gojeshthurur mo dihet ajo. :-) Me pelqen e me mbushet goja e shpirti plot kur shaj shqip. :-) Por sa per at vullnetin apo forcen e karakterit qe permende ti, jo per zotin nuk i kam. MEgjithate me ate timen perpiqem. Kur fillova pune ktu ku jam tani, bera nje si diagnostic report, 60 faqe, teknike,te gjthin ne shqip. Mu duk sikur po i sillja nje pasuri kompanise. Pikerisht sepse ishte dhe shqip.
    Kapitalisti me tha : Mire, mire, po pse se bere anglisht ?
    Mire i thashe se e perkthej per pune ditesh. :-) U bene gati 2 vjet, akoma se kam perkthy. Nga inati.:-)

  22. anonymus thotë:

    10 August 2007 @ 2:21 pm

    Kam provu te shkruj tutoriale per ndonje gje te vogel per perdorues te thjeshte qe sdine anglisht. Me ka dale shkuma daje , shkuma po te them, per ti thene thjesht dhe qarte ne gjuhen e memes.
    Nuk ke faj, nuk ke faj!
    Por mos u dekurajo! Po ben dicka te vlefshme!
    Lume, ndoshta ti e di, por levizja per Anglishte te Thjeshte (te pakten ne Ligj) ka filluar ne SHBA qe ne vitet 40, dhe akoma ka fusha te tera qe nje njeri me arsim mesatar, e lexon dhe gje nuk merr vesh!
    Por nuk e ka fajin gjuha. Ne fakt nuk e ka fajin asnjeri, dhe asgje. Eshte thjeshte ceshtje kohe. Sa me shume te levrohet, sa me shume te thellohet nje fushe, aq me e kollajte do behet per te tjeret qe do vijne.
    Asgje nuk do ndodhe brenda nje dite, asgje. Por deshire te keshe dhe fuxhut.

  23. Lumja thotë:

    10 August 2007 @ 2:30 pm

    Po mo po, e besoj ate te amerikaneve.
    Por ketu tek ne merre per kuriozitet nje liber letersie gjimnazi te viteve te fundit edhe me thuj sa shanse ka nxenesi te kuptoje ca eshte shkruar e le me pastaj se ca kane dash me thene me ate qe eshte shkruar.
    Epo te lutem, libri i shkolles presupozohet te jete i kuptueshem.

  24. blete Shkruaji mesazh privat thotë:

    10 August 2007 @ 8:21 pm

    Lume duhet t’u biesh kokes me thuper pseudo-perkthyesve, pseudo-shkrimtareve e pseudo-studiuesve qe i kane mbushur dyqanet me dengla.
    brezi i ri me sa shoh nuk e ka problem fare te krijoje fjalet qe i duhen per t’u shprehur, e me siguri do ta vere trurin e vet te shkelqyer ne pune, pavaresisht nga librat e cuditshem te gjimnazit.
    Jam kureshtare te di, cilet shkrimtare jane tani ne lenden e letersise?
    une kam mbaruar ne 1993, kur as mesuesja nuk e kishte me te qarte cfare te perdorte dhe kur egzistonte vetem nga nje kopje libri per muzeun kombetar.
    ama na e merrte shpirtin me hartime.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.