Llogaridhënie apo kontabilizim ?*

 Nga Rafael Hadas-Lebel** (Marre nga Shekulli)

Kur zëdhënësi i Nikola Sarkozisë njoftoi se performanca e çdo ministri do të vlerësohet në përputhje me kriteret e vendosura nga një firmë private auditi, ndoshta, mund të mos priste një reagim të ashpër më pas. Por, duhej të ishte i tillë. Opozita e sulmoi shpejt këtë lëvizje si “dredhi të rrezikshme” dhe “perde tymi”. Një ekspert pyeti: “A do të vijë shpejt koha kur ministrat të rekrutohen si mercenarët”? Kurse një deputet i ri deklaroi se “Franca nuk mund të menaxhohet si një uzinë bulonash”.

Por çfarë ka absurde në vendosjen e standardeve, sipas të cilave të mund të vlerësohet mbajtja e premtimeve të Sarkozisë në fushatën zgjedhore? Fill pas emërimit të tyre në qershor 2007, ministrat e Sarkozisë morën një paketë objektivash të qartë në formën e një letre synimesh. A s’është normale të krijohen disa mënyra llogaridhënieje të ministrave?

Në modernizimin ekonomik të Francës ka zënë vend qendror kultura e “rezultateve”, kështu a nuk do të duhej përhapur kjo përvojë në qeveritë franceze me prirjet e tyre të ngulitura për pasivitet dhe jetërsim? Dhe çështja e vendosjes së standardeve matëse për veprimtarinë e qeverisë nuk kufizohet me Francën. Kryeministri britanik, Gordon Braun (Brown) vuri të tillë objektivë sasiorë si veçori të lidershipit të tij që kur ishte Kancelar i Thesarit (Chancellor of the Exchequer).

Sigurisht, institucionet e ngarkuara me supervizimin e Sektorit Publik të Francës, si për shembull, Gjykata e Llogarive apo Inspektimi i Përgjithshëm i Financave, i kanë shprehitë dhe kapacitetet për të përmbushur detyrat e tyre. Për më tepër, politikat publike franceze i nënshtrohen procedurës së revizionit të përgjithshëm. Por kultura e një firme private auditimi mund të sjellë diçka të re, duke lëvizur përtej një shqyrtimi bazë të ligjshmërisë drejt një vlerësimi të përgjithshëm të performancës.

Për kundërshtarët e këtij plani, shkaku kryesor i indinjatës janë kriteret e vlerësimit. A duhet gjykuar puna e ministrit të Emigracionit nga numri i emigrantëve të paligjshëm të dëbuar? A duhet vlerësuar ministri i Arsimit mbi bazën e orëve jashtë orarit të mësuesve për të realizuar treguesit? A duhet vlerësuar puna e ministrit të Kulturës sipas numrit të vizitorëve të muzeve pa pagesë dhe pjesës së filmave francezë në tregun e brendshëm?

Pas këtyre pyetjeve fshihen probleme më themelore, pikërisht: A ka mundësi që përmbushja e objektivave politikë të jetë realisht sasiore? A është i mundur vlerësimi i shtetit me të njëjtën mënyrë si një firmë, duke e reduktuar performancën e tij mbi bazën e një sërë veprimesh specifike?

Pjesërisht, po. Gjithsesi, burokracitë (në anglisht fjala “burokraci” nuk ka kuptim pejorativ si në shqip - shënim i përkthyesit) shtetërore, nga njëra anë, janë thjesht lloje organizatash të mëdha dhe komplekse, që në sektorin privat u nënshtrohen treguesve standardë të performancës. Në shumë demokraci - Zelanda e Re, Suedia, Britania e Madhe dhe madje Italia - përpjekjet për modernizimin administrativ janë fokusuar në lidhjen më të ngushtë mes menaxhimit dhe perfomancës.

Nga ana tjetër, megjithatë, burokracitë shtetërore janë tejet të ndryshme nga organizatat e sektorit privat, sepse ato kanë karakteristikat dhe objektivat e tyre, që do të viheshin në rrezik, po të katandisen në standarde sasiore performance dhe efektiviteti. Në fakt, një nga shkaqet kryesore përse disa detyra duhet t’i marrë përsipër qeveria dhe jo sektori privat, është se mekanizmat e zakonshëm të tregut s’funksionojnë në rastin e “të mirave publike”, sepse tregu nuk mund të përcaktojë nivelin optimal të shpërndarjes së tyre.

Prapa objektivash sasiorë, është vendimi i rëndësishëm politik mbi “portofolin” përkatës të shërbimeve që duhet t’i shpërndajë qeveria. Nëse vlerësimi i aksionit të shtetit do të bazohej vetëm në një grup objektivësh sasiorë të parapërcaktuar, ministrat do të shpërfillnin cilësinë edhe detyra të tjera të rëndësishme, gjë e kuptueshme, por e gabuar.

Kështu, a ia vlen që francezët të shqetësohen? Kryeministri Fransua Fijon (Francois Fillon) tha: “Nuk jemi në shkollë”. Përveç kritereve teknike, ministrat do të vlerësohen edhe sipas ndikimit të ushtruar nga partitë ose fraksionet e tyre politike, rezultateve elektorale dhe popullaritetit e tyre në media dhe publik. Pra, nuk ka kontradiktë mes qëllimit për të shndërruar ministrat në menaxherë efektivë dhe forcës së Parlamentit për t’i detyruar anëtarët e qeverisë të japin llogari. Gjithsesi, fjala e fundit u mbetet votuesve.

Kështu, vënia e objektivave sasiorë mund të jetë inovacion i dobishëm, por vetëm me kusht që qëllimi i tyre të jetë sigurimi i një instrumenti të ri për menaxhimin e disa aspekteve të performancës së shtetit. Përtej kësaj pike, objektivat e aksionit qeveritar - thelbi i përgjegjësive të ministrave - do të vendosen mbi bazën e vlerave, rëndësia dhe kompleksiteti i të cilave nuk mund të katandisen në shifra të ftohta formulari.

*Titulli në origjinalin anglisht (dhe pse autori është francez): “Government Accountability or Government Accounting?”

** Rafael (Raphaël) Hadas-Lebel, anëtar i Këshillit të Shtetit (Conseiller d’État) të Francës dhe profesor në Institutin e Studimeve Politike (l’Institut d’études politiques) të Parisit, është autor i librit “101 fjalë mbi demokracinë franceze” (101 Mots de la démocratie française)

Përktheu: Vladimir Mustaqi

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. blete thotë:

    25 June 2008 @ 4:57 pm

    accountability = pergjegjesi
    zot na ruaj nga perkthyesit qe kane inat fjaloret.

  2. xhibi thotë:

    30 June 2008 @ 3:02 am

    Amin! Mgjths pershtatja ne shqip e accoutability me duket se eshte pergjegjshmëri jo pergjegjsi, se pergjegjsi i bie te jete responsibility :)
    Gjithashtu accounting nuk eshte kontabilitet ne vend te kontabilizem?

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com