Liqeni Artificial i Tiranës, “ky Lul i vocërr”
Prof. Ass. Sazan GURI (Panorama)
Liqeni artificial i Tiranës, si kurrë ndonjëherë në jetën e vet, sot ndodhet i rrezikuar të vetë mbytet, të shkretohet e të kthehet në “identitetin” e tij të padëshiruar për shumëkush këtu në Tiranë. Ai, si asnjëherë tjetër ka sipërfaqen më të vogël të mbuluar me ujë, volumin më të pakët dhe për pasojë pamjen e tij më të shëmtuar se kurrë, i mbledhur, i krusur, i zbehur, sikur ka bërë faj, sikur boll i ka dhënë kënaqësi e hijeshi parkut çlodhës të Tiranës. Si i zënë në faj, ai duket sikur thotë se nuk isha unë që bëra përmbytjen, por ata që nuk arrijnë të më njohin vlerat e mia, ata që më mbajnë të mbyllur si të zënë rob dhe nuk më përdorin për të mirat e tyre si në vaditje, pastrim qyteti, për larjen, shpëlarjen dhe hollimin e ujërave të zeza të Lanës. Ai duket sikur thotë, ti i nderuar specialist dhe ti zullummadhi vendimmarrës përpiqu të më njohësh dhe të identifikosh pikat, kur unë kthehem në zullumqar dhe kur unë i lypsem të mirave njerëzore. Megjithëse thotë ai (liqeni), brezat e viteve `50 më bënë të jem për këtë të fundit. Por, ç`faj kam kur ti o njeri, kur ti o shkencëtar, kur ti o ekzekutor vendimesh më lë të mbarsem me baltra e baltovina dhe nuk më pastron, kur ti më pengon rrugët dhe mekanizmat e furnizimit me ujë, që unë të marrë jetë dhe ta japë atë në jetë për ju.
Liqeni artificial ose parku i madh i Tiranës, siç i thonë ndryshe përbën një nga zonat më të ruajtura gjatë stuhive të ‘97, si i tillë ai vazhdon të jetë vend pelegrinazhi sportiv, pse jo dhe shpirtëror i mijëra vetëve, që çdo mëngjes apo mbrëmje ushtrojnë gjimnastikë, lodrojnë, pushojnë, kuvendojnë deri në atë që zëvendësojnë filtrin e mushkërive, të mbushur me ajrin e ndotur të ditës së ngarkuar të qytetit, zhurmë e pluhur i madh. E këtë veçori, ky vend e merr nga kombinimi i shkëlqyer i parametrave të pyllit me ujërat e liqenit. Ata, tashmë janë byrazer, madje binjakë, bile për të qenë më të saktë janë vëllezër siamez, aq sa në zhargonin e përditshëm përdoren këndshëm nga populli, se po shkoj nga liqeni ose po shkoj nga parku i madh, dhe kuptohet se njeriu vete atje, ku bashkëjeton në simbiozë parku me liqenin, atje ku i gjen prehje si shpirti, trupi dhe mëndja.
Por, ç’po ndodh me liqenin? Nëse parku në brendësinë e vet po mirëmbahet, madje të jemi të sinqertë edhe po shumohet, falë punës së bashkisë, ndërkohë që ky liqen, përkundrazi po pakësohet nga dita në ditë. Ai të kujton se kam qenë dikur dhe unë, a nuk më mbani mend. Madje, ai të kujton se nuk jam vetëm unë, por pothuajse të gjithë liqenet e Shqipërisë janë katandisur si unë, me pakëz ujë, me shumë baltra, me diga copë-copë. A thua se nuk ka vendim marrës t‘i administrojnë, a thua se nuk ka specialistë t‘i orientojnë, a thua se nuk ka punonjës t‘i mirëmbajnë, a thua se ka rënë bomba, a thua se…. A nuk të duket ky liqen si “Lul i vocër”, ose më saktë a nuk të duken të gjithë liqenet apo rezervuarët tanë si “Lula të vocër”?
Ky është një mëkat që bëjmë jo ndaj liqenit artificial, por ndaj vetes. Mëkat që edhe ujët e bollshëm të shiut të fundit nuk mundën ta lanin, mëkat që do të na qeshin koha dhe brezat e ardhshëm. Na ishin njëherë, ca vendimmarrës e ca specialistë që i mbanin liqenet, aq sa mbulonin fundet e tyre, nga frika se mos përmbyteshin; Si mundet që nga i gjithë ky shi qëndron po i njëjti nivel uji. A mos vallë ndonjë dorë e zhbën natën atë që bëhet ditën si pëlhura e Penelopës?
Por, kusuret ndal liqenit dhe parkut nuk mbarojnë me kaq. Në çdo vend të rruzullit të tokës, natyra dhuron zona të virgjëra, ku ajri totalisht i pastër ledhaton fytyra dhe pastron mushkëri të njerëzve të lodhur nga jeta urbane. Shikoni sa bujare është natyra. Megjithëse njeriu shpiku “blozën” në jetën urbane, ndoshta edhe për të mbijetuar, ajo i fal filtrin për ta pastruar. Por njeriu shqiptar, duket sikur është stisur të mos e gëzojë jetën deri në prehje të plotë dhe të mos e përfitojë filtrin e mëmës natyrë.
Vini re me kujdes ç’po ndodh me parkun, me kodrinat e quajtura kurorë e gjelbërt e Tiranës, që sot me plot gojë mund t‘i quash kurora e betontë e saj. Kjo zonë tashmë s‘ka më ndryshim nga jeta urbane në Tiranë. Për arsyen e thjeshtë se aty brenda gjen shkolla, kopshte fëmijësh, bare, restorante, për arsyen e thjeshtë se edhe aty do ruhesh nga automobilat, (ku vetëm për shkollën lëvizin më shumë se 100 autovetura në ditë) nga garat e motorëve të adoleshentëve, nga shpejtësitë e biçikletave, se edhe aty do të përballesh me pluhur, plehra që digjen dhe së fundi me pallate shumëkatëshe beton armeje, jo vetëm që ta shpifin kur i sheh si plëngprishës pranë kodrinës së gjelbëruar, por në disharmoni të plotë me jetën e qetë të kafshëve të kopshtit zoologjik. Të trembin edhe më, kur i sheh të pasqyrohen në ujërat e liqenit nën dritën e kristaltë të diellit, që duket sikur thonë që ne s‘pyesim as për lartësinë e pishave të parkut e as për lartësinë e kodrave dhe as për hijeshinë e pemëve të kopshtit botanik. Nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar, që pranë hungërimave të luanëve e cicërimave të zogjve të ngrihen pallate banimi dhe të përzihet kaq keq bashkëjetesa e njerëzve, ku nuk ka për t‘u marrë vesh kurrë se ku fillon liria e qenies njerëzore por barbare me natyrën, dhe ku mbaron ajo e qenies me instikte, por ndryshe nga të parët, shumë miqësore me të.
Le të kthehemi tek betonimi, ky kancer i urbanistikës shqiptare, ky vrastar i jetës shpirtërore, si në atë kohë me bunkerët edhe në këtë kohë më ndërtimet. Betonim në qendër të qytetit, betonim në periferi të tij, betonim në plazh me rërë, betonim në plazh me shkëmbinjtë, betonim në fusha, betonim në kodra, betonim këtu e betonim atje, kur natyra të falë dhe lëndë drusore dhe lëndë kallami dhe gur metamorfik, edhe, edhe…. Kësaj i thonë betonim, betonim dhe betonim prapë.
Duket sikur njeriu shqiptar është stisur që ta vuajë jetën. Duket sikur trembet nga bukuritë e tejskajshme të natyrës, që siç duket, ndoshta pa dashje i ka pa masë.
Thonë që edhe sytë e shqiptarëve kanë ndryshuar, nuk janë më ato sy që reflektonin atë bukuri si dikur, por janë agresivë si bunkerët, të ftohtë si betoni, të krusur dhe me vetulla të rralla si pyjet e prerë, të zvogëluar dhe të mbledhur si ujët e pakët të liqenit.
Mos t‘ju duket si përrallë. Qeniet e gjalla marrin ngjyrën sipas mjedisit fizik ku jetojnë. Jo më kot zhapikët janë të gjelbërt. Jo më kot malësorët janë të gjatë. Dhe ne, diku në të ardhmen do të bëhemi gri si betoni ose me lara si pallatet. Dhëntë zoti, kjo njollë e errët të jetë pjesë e përkohshme në pjesën e poshtme të spirales së zhvillimit.

19 August 2008 @ 11:57 am
!!!
19 August 2008 @ 5:40 pm
Profesor, ne tashme jemi bere kufoma, besoj se pak rendesi ka ngjyra qe na identifikon. Fatkeqesisht me lotet tane as iken ngjyra gri e as nuk mbushet ai i shkrete liqen, por faleminderit qe e solle ketu.
Dalengadale po na thahen shpirtrat nga vala e nxehte e mendjeve te trazuara.
…E prape do vazhdoj ta takoj “Lulin e vocer” ne vrap e siper mengjeseve, gjer ne piken e fundit te tij.
19 August 2008 @ 5:50 pm
Sazan, rrofsh qe je nga zerat e paket qe flasin me principe ne mendje dhe jo para, dhe qe ngre zerin per mjedisin.
Por ky stili i te shkruarit per gjera dhe probleme serioze me metafora dhe duke iu drejtuar liqenit si njeri i gjalle i cili dhe te pergjigjet (sic i pergjigjet Ypit leshi i Inis Gjonit
) me shkrin se qeshuri. 
Gjjithsesi, ato qe thote Sazani qendrojne plotesisht.