Lika, “kamikazi” mes Tiranës e Dinamos
Ish-kapiteni dinamovit është përjashtuar nga blutë, por strehohet tek bardheblutë
Sporti Shqiptar
Ilir Cara
Gjatë këtij sezoni në kategorinë superiore ka pasur histori të shumta, që kanë lidhje me “prerje kokash” të trajnerëve dhe lojtarëve të ndryshëm. Në këtë fundjavë, në kryeqytet do të luhet derbi Tirana-Dinamo dhe të dy skuadrat e kryeqytetit e kanë përdorur “gijotinën” në këtë sezon. Përveç trajnerëve, ekipet kanë përjashtuar nga radhët e tyre edhe lojtarë. Por si Dinamo dhe Tirana kanë treguar humanizëm, duke u hapur derën të përjashtuarve dhe i kanë strehuar. Në nëntorin e vitit të kaluar Tirana përjashtoi Patushin dhe Merkoçin. Në këtë moment, blutë u treguan bujarë dhe i hapën derën Eldorado Merkoçit për t’u përgatitur dhe në merkaton e janarit kërkonin ta bënin të tyre. Një fjalë e urtë thotë se në këtë botë nuk ngelet hak pa marrë e borxh pa shlyer. Kështu që nuk vonoi shumë dhe i erdhi radha Tiranës që t’i hapte derën të ashtuquajturit ikonë e Dinamos, Ilion Lika, i cili u pezullua nga blutë dhe nuk u lejua të stërvitej me skuadrën. Duke parë situatën dhe personalitetin e portierit Lika, ishin teknikët bardheblu që u treguan humanë dhe i dhanë mundësi “ish-gardianit” blu që të përgatitej me bardheblutë e trajnerit Shkëlqim Muça. Por sipas disa burimeve pranë drejtuesve të Tiranës mësohet se afrimi i Ilion Likës me kryesuesit e kampionatit nuk është pritur mirë nga drejtuesit dinamovitë, të cilët kanë kërkuar sqarime nga pala tjetër për këtë gjest. Sipas këtij burimi të afërt me drejtuesit tiranas, mësohet ka pasur nga ata donatorë të bardhebluve, që janë interesuar hollësisht për afrimin e Likës me skuadrën e tyre. Mësohet se ka qenë vetë stafi teknik i Tiranës që e ka parë të udhës t’i hapë derën Ilion Likës pa asnjë lloj interesi. Sipas bardhebluve, Lika është një futbollist me emër, që ka shkëlqyer si në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, kështu që nuk është e drejtë të braktiset nga të gjithë. Sipas kampit tiranas, pranimi i Ilion Likës nuk ka asnjë të përbashkët me vajtjen e Eldorado Merkoçit tek Dinamo. Bardheblutë sqarojnë se afrimi i Likës nuk ka asnjë prapaskenë, pasi ata nuk e synojnë ish-dinamovitin, pasi Tirana e ka “top” repartin e portës me Hidin dhe Nallbanin. Po bëhen gati dy muaj që “të dashuruarit e përjetshëm” (drejtuesit blu dhe Ilion Lika) i kanë hapur luftë njëri-tjetrit. Javën e kaluar, Ilion Lika ka dalë si shpesh në ekranet e televizioneve, ku ka zbrazuar “vrerin” e tij ndaj ish-drejtuesve. Ish-kapiteni ka kërkuar drejtësi dhe zbardhje të çështjes që ka lidhje me atë si dhe ka kërkuar shpagim nga presidenti dinamovit, Besnik Sulaj, pasi i ka prishur imazhin dhe po i shkatërron karrierën. Drejtuesit blu nuk kanë preferuar të replikojnë me akuzat e Likës, pasi edhe ata presin përgjigjen e prokurorisë, vetëm sa kanë sqaruar se thëniet e ish-kapitenit janë spekulime. Mbase drejtuesit dinamovitë po ndjekin një rrugë indirekte për t’u marrë me Likën, siç është rasti i saqrimit me donatorët bardheblu, të cilët e kanë strehuar në shtëpinë e tyre. Pra, blutë kërkojnë që të mos e lenë të qetë ish-ikonën e tyre që të përgatitet me Tiranën. Nëse kjo nuk realizohet, atëherë dinamovitët do të kenë rastin të shtunën që të “hakmerren” ndaj bardhebluve për këtë proçkë që kanë bërë.


Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.