Ligji për dosjet - Larje hesapesh brenda mazhorancës
Nga BBC
Në Shqipëri janë rindezur debatet lidhur me hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit të kohës së komunizmit. Ashtu si në raste të tjera, pseudonimet e politikanëve kanë nisur të përmenden në parlament dhe nëpër gazeta. Aleksandër Furrxhi bisedoi me analistin Fatos Lubonja, një prej ish-të përndjekurve të regjimit komunist
Sa i vërtetë është ky vullnet i fundit i kësaj mazhorance për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit?
Është aq i sinqertë, sa janë të sinqertë politikanët tanë, që dihet që mungesa e sinqeritetit është gjëja e parë që i karakterizon. Hapja e dosjeve është një çështje që është bërë banale tashmë, është një show i radhës, i lodhshëm.
Ju keni vuajtur personalisht 17 vjet në burg në kohën e komunizmit. Disa ish-të përndjekur sot mendojnë se duhet dekomunistizuar Shqipëria, shoqëria në Shqipëri, duke hequr juristët, gjykatësit, mësuesit e kohës së komunizmit, duke rishkruar tekstet e historisë, duke rishkruar gjithçka nga e para. Ju si mendoni?
Unë mendoj që dekomunistizimi është një çështje e rëndësishme dhe është një çështje mbi të gjitha jo thjesht personash, por fryme ndryshimi të një mendësie, e një mënyre të menduari dhe sigurisht problemi e një pjese të njerëzve që vinin nga komunizmi me një ambiguitet, me një jetë dhe gjuhë të dyfishtë, ka qenë problematik dhe në njëfarë mënyre ka pjellë këtë shoqëri që kemi sot me mungesën e sinqeritetit. Por çështje të tilla si hapja e dosjeve në këtë kontekst janë gjëra që duhen bërë nga një shoqëri e shëndoshë dhe jo e sëmurë. Në mënyrë figurative kam përdorur fjalën doktor dhe kasap. Një i sëmurë ka nevojë për doktor, jo për kasap, ndërsa përgjithësisht politika jonë është sjell si kasap dhe përgjithësisht dhe çështja e hapjes së dosjeve apo edhe e dekomunistizimit është trajtuar nga kasapë.
Nëse arrihet, ashtu siç po thotë mazhoranca e sotme, që brenda muajit korrik të bëhet një ligj i ri për hapjen e dosjeve, çfarë efekti mendoni se do të ketë?
Unë e shikoj këtë si një larje hesapesh midis grupesh të ndryshme politike dhe herëpashere përdoret nga njeri apo nga tjetri krah. Këtë herë kam përshtypjen se është larje hesapesh brenda mazhorancës. Nganjëherë e vërteta del edhe nëpërmjet të tilla synimesh të mbrapshta. Mua më habit çështja se, megjithatë, njerëzit e përdorin kaq shumë një kartë morale, ndërkohë që imoraliteti mbretëron politikën shqiptare, e bëjnë përsëri politikën në emër të moralit. Ky paradoks është interesant dhe ndoshta në kuptimin e një lloj ndërgjegjësimi të shoqërisë shqiptare se çfarë jemi, ku jemi, pse jemi këtu ku jemi, mundësitë dhe gjithë kjo zallamahi. Por në tërësinë e vet mendoj që nuk do të ndryshojë asgjë, sepse, tek e fundit, qëllimet, për të cilat nisen njerëzit i janë qasur përsëri kësaj çështjeje, nuk janë qëllime të mira, janë qëllime që kanë të bëjnë me luftën për pushtet dhe jo qëllimet e pastrimit të një shoqërie, ndryshimit të një mentalitetit apo emancipimit të shoqërisë.
marre nga Tema

8 July 2008 @ 10:56 am
Hapjen e dosjeve nuk duhet ta shikojne vetem si nje qellim lufte per pushtet,ne fakt populli shqiptar dhe opinioni nderkombetar duhet te informohet per ‘SPIUNET’ qe kane, dhe po qeverisin kete vend…Ne nje fare menyre te kuptojne DE FAKTO kush jane ato lloj kategorie qe tani shajne e ofendojne njeri-tjetrin duke na bere per leshko te gjitheve.