Ligji i Gjobave, Moisiu do ta kthejë në Parlament
Bledar Hoti
Gazeta Panorama
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, do të kthejë mbrapsht ligjin “Për gjobat” ndaj biznesit.
Sipas burimeve pranë Presidencës, ligji i kontestuar nga grupet e interesit dhe nga opozita pritet të kthehet mbrapsht në Parlament për rishikim. Ky pritet të jetë vendimi i kreut të shtetit në ditët e ardhshme, për sa i përket dekretimit ose jo të këtij ligji. Vendimi i kreut të shtetit do të bëhet publik menjëherë pasi ligji i miratuar në Kuvend të paraqitet në zyrën e tij. Sipas burimeve pranë Kuvendit ligji ende nuk është dërguar, pasi po zbardhen të gjitha ndryshimet e nevojshme që drafti pësoi në seancën e së hënës në darkë. Qëndrimi i presidentit vjen pas zhvillimit të një sërë konsultash të bëra me grupet e interesit, të shoqatave të biznesit. Çështjen e kthimit të ligjit kreu i shtetit e paralajmëroi dje gjatë vizitës së tij në Pogradec në bashkinë e këtij qyteti. Në fjalën e tij, Moisiu kritikoi mosarritjen e një konsensusi për një ligj të tillë që prek zhvillimin e vendit. “Ne duhet të bëjmë ligje që zgjidhin probleme dhe jo që t’i krijojnë e gjenerojnë ato. Duhet të ketë një bashkëjetesë midis pozitës dhe opozitës, kur bëhet fjalë për çështje madhore që i interesojnë një mase të gjerë njerëzish, si dhe mirëkuptim të përsosur në miratimin e ligjeve themelore. Kur ligjet prekin interesat e shumicës, ato duhet të miratohen me konsensusin e plotë të palëve dhe duhet të merret në konsideratë mendimi i grupeve të interesit”, deklaroi kreu i shtetit. Moisiu theksoi gjithashtu se ligji nuk ka mbërritur ende në zyrën e tij. “Nuk jam njohur me të hollësisht, që të shprehem në rast se do ta dekretoj apo jo. Megjithatë para kësaj dhe marrjes së një vendimi do të konsultohem me specialistë dhe grupet e interesit”, nënvizoi presidenti. Për kreun e shtetit, pavarësisht programeve politike, ka një kuptim të përgjithshëm që ligjet themelore, pavarësisht nga mënyra se si votohen në mënyrë të thjeshtë apo të cilësuar, kur preken interesat e shumicës duhet të merren në konsideratë qëndrimet e njerëzve, mendimet e grupeve të interesit. Dhe sipas tij, “është e vërtetë se ai ligj është në interes të zhvillimit të vendit”. Ligji “Për procedurat tatimore” u votua këtë hënë në Kuvend me 66 vota pro, 43 kundër dhe asnjë abstenim. E djathta ka në Kuvend 81 vota gjithsej, por aleatët e PD-së, si PBDNJ dhe PDK, votuan kundër kësaj nisme. Po kundër saj votuan dhe dy deputetët e PD-së, Spartak Ngjela dhe Bujar Leskaj. Gjatë votimit të orëve të vona, kryeministri Berisha u detyrua të bënte një kompromis të radhës me PDK-në, duke e ulur nivelin e parapagimit të gjobës. Me propozimin e Lesit, niveli i parapagimit të gjobës u ul nga 25 deri 15 për qind. Mungesa e votave brenda maxhorancës detyron kryeministrin Berisha të bëjë hapa prapa, duke pranuar që gjoba ndaj biznesit të vilet jo 25%, por 15%. Votimi final për këtë ligj u realizua në orën 00:36 të ditës së martë. Opozita votoi kundër, duke bërë të qartë se nëse vjen në pushtet do ta shfuqizojë këtë nismë të qeverisë. Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi se një nga vendimet e para që do të marrë qeveria e re e PS-së do të jetë shfuqizimi i këtij ligji. Kreu i PS-së kërkoi gjithashtu që kreu i shtetit të mos e dekretojë një nismë të tillë. Ndërsa PBDNJ-ja ka bërë të ditur se do ta çojë këtë nismë në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse një gjë të tillë e ka bërë publike kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, për t’iu drejtuar Gjykatës Supreme duhen firmat e 25 deputetëve.
Rama
“Presidenti të mos e dekretojë”
Kreu socialist, Edi Rama, në një takim me përfaqësues të biznesit dy ditë më parë i bëri thirrje presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, të mos dekretojë ligjin e Gjobave për biznesin. Sipas tij, opozita do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur antikushtetues këtë ligj. “Opozita do të bëjë çdo përpjekje për të bindur Presidentin e Republikës që të mos e dekretojë ligjin “Për procedurat tatimore”, i cili u miratua dy ditë më parë në Kuvend”, tha Rama. Kreu socialist siguroi biznesin se “përsa i përket situatës aktuale, ne do të bëjmë gjithçka për ta zmbrapsur nismën ligjore, e cila ka kaluar në mënyrë abuzive, pa dialog, pa transparencë dhe pa marrë në konsideratë asnjë prej shumë argumenteve dhënë për karakterin tërësisht antidemokratik dhe kundërproduktiv të kësaj nisme”.
Moisiu: Dua ta mbyll me nder
Presidenti i është shmangur pyetjes së medias nëse do të rikandidojë apo jo përsëri. “Pres të përfundoj me nder mandatin aktual dhe mendoj se puna që kam bërë gjatë këtyre viteve ka qenë në emër të interesave të popullit dhe të shtetasve shqiptarë”, theksoi kreu i shtetit. Presidenti është ndalur në qytetin e Pogradecit për të takuar të zgjedhurit vendorë. Moisiu mbajti një fjalë, gjatë së cilës çmoi iniciativat dhe përkushtimin për mbarëvajtjen e punëve në qytetin e Pogradecit, në këtë fillim pune të Këshillit të ri Bashkiak. Kryetari i shtetit vuri në pah vlerat e vyera turistike dhe traditën e hershme pogradecare, të cilat kanë rëndësi të promovohen për të zhvilluar më tej turizmin, nëpërmjet krijimit të kushteve cilësore dhe një imazhi konkurrues, që do të tërheqin vëmendjen e turistëve vendas dhe atyre të huaj. Ai vendosi një buqetë me lule në shenjë nderimi pranë monumentit të Lasgush Poradecit.
Afati i dekretimit, brenda 20 ditëve
Neni 84, shpallja e ligjeve
1. Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij.
2. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85.
3. Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.
4. Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.
Neni 85. (Kthimi i ligjit, vetëm një herë)
1. Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë.
2. Dekreti i presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Bizneset, letër Moisiut për mosdekretimin e ligjit
Një grup shoqatash biznesi i kanë kërkuar Presidentit të Republikës, Alfred Moisiut, të mosdekretojë ligjin “Për disa ndryshime në ligjin për procedurat tatimore”. Sipas ndryshimeve që janë bërë në këtë ligj sipërmarrësit duhet të paguajnë 15 për qind të gjobës së vendosur nga tatimorët, përpara se të nisë procesi gjyqësor. Gjatë një takimi të zhvilluar dje mes presidentit dhe përfaqësuesve të biznesit, këta të fundit i kanë dorëzuar një letër, ku i kërkojnë mosdekretimin e ligjit. Në letrën e dorëzuar presidentit shoqatat e biznesit theksojnë, se ky ligj bie në kundërshtim me disa dispozita të Kushtetutës. Ndërkaq, mësohet se letra nuk është firmosur nga Konfindustria. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, drejtori ekzekutiv i Konfindustrisë, Eduard Ypi, ka shpjeguar të gjitha arsyet se pse nuk e kanë firmosur këtë letër. “Të ndodhur para faktit të kryer të ligjit të aprovuar, Konfindustria mendon se do të ishte më mirë dhe po punon në këtë drejtim, të marrim në konsideratë mbrojtjen e biznesit në kushtet e këtij ligji. Konkretisht jemi të mendimit që në bashkëpunim me shoqatat dhe organizatat e tjera në bashkëveprim dhe me pjesën vullnetmirë të qeverisë të përpiqemi për të garantuar sistemin e taksave dhe tatimeve, përmes rrugëve ligjore e administrative, nga çdo arbitraritet që mund të burojë për shkaqe subjektive”, ka deklaruar Ypi.


Shkruaj një koment (login)