Lidhje ajrore interneti falas për të gjithë në zemrën e Silicon Valley, ShBA
A mund të vihet në jetë lidhja me internet falas e mbështetur vetëm nga reklamimi i ndërmarrjeve lokale? Nqs po, mund të vihej në jetë në Shqipëri? Ideja është tërheqëse, mbase po punoi në këtë rast nuk do të ngelet një gjë e rrallë.
______________________________
Kompania Amerikane MetroFi njoftoi para disa ditës se do të fillojë të ofrojë lidhje falas me internetin nëpërmjet një rrjeti ajror në qytetet Cupertino, Sunnyvale dhe Santa Clara në Kaliforni, pak a shumë zona e njohur si zemra e Silicon Valley (Lugina e Silikonit, një nga qëndrat teknologjike më të rëndësishme në ShBA). Rrjeti i MetroFi do të mbulojë një zonë prej 64 kilometra katrorë (25 milje katrore) dhe MetroFi do të mbështetet vetëm në të ardhurat e siguruara nga reklamimi i tregtarëve e organizatave lokalë në faqet e saj.
Drejtori i Plotfuqishëm (CEO) i kompanisë tha në një intervistë për shtyp se gjetja e klientëve është një nga veprimtaritë më të kushtueshme të çdo ndërmarrjeje. MetroFi synon ta shmangë këtë harxhim duke punuar me ndërmarrjet lokale të cilat do të jenë më të interesuara për të reklamuar sepse të gjithë përdoruesit e MetroFi do të jenë banorë të zonës prandaj ndërmarrjet do ta dinë që reklamat e tyre po shihen nga njerzit e duhur. Shmangia ose ulja e këtij shpenzimi do ti mundësojë MetroFi të ofrojë lidhjen falas.
Ndërkohë, në një qytet tjetër Amerikan, Filadelfia (Philadelphia) qeveria lokale ka mbaruar së diskutuari një marrveshje 10-vjeçare me firmën e shërbimit të internetit, Earthlink, sipas të cilës firma do të ndërtojë një rrjet ajror për tu përdorur nga banorët e qytetit në shkëmbim të një pagese më të ulët se çmimet në treg. Sipas Associated Press, Earthlink do tua “shesë me shumicë” lidhjen me rrjetin e saj firmave lokale të internetit për 9 dollarë në muaj për çdo klient dhe pastaj këto firma do ta shpërndarjnë tek banorët. Nëse marrveshja miratohet nga këshilli bashkiak muajin e ardhshëm atëherë rrjeti mund të vihet në punë brënda 2 viteve të ardhshëm.
CBS Marketwatch
31 Janar 2006
Pështati: Llukan Tako


Shkruaj një koment (login)