Ky model qeverisjeje vret vlerën
Nga Prof. Dr. Besnik Gjongecaj
Është një fakt i njohur në Shqipëri që zgjedhjet e 2005 prodhuan një qeveri, në të cilën marrin pjesë parti pothuajse nga i gjithë spektri politik i vendit. Si e tillë, kjo qeveri nuk ka dhe nuk mund të ketë një profil të vetëm. Si në një trup të komplikuar gjeometrik, ajo ka shumë mundësi “prerjesh tërthore”, pra mund të shihet nga shumë pikëpamje, duke qenë i sigurt që secila prej tyre prodhon një profil të ndryshëm nga i mëparshmi. Dhe, në çdo profil gjen elementë, të cilët kurrë nuk i kishe përfytyruar që mund të qëndronin madje fizikisht pranë njëri-tjetrit dhe jo më të ngjizeshin në një program të vetëm dhe koherent qeverisjeje. Profili më interesant i qeverisë krijohet nga “prerja” politike, pra, kur qeverinë e sheh nga pikëpamja e kompozimit politik. Pa përmendur pasojat politike të disa anëtarëve të qeverisë që nuk e kanë pasur për gjë të punojnë më parë për parti dhe programe të ndryshme politike, ajo që të bie më shumë në sy është se, së bashku me demokratët, të cilët në kujtesën kolektive të shqiptarëve janë ata që i sollën vdekjen diktaturës, në të njëjtën qeveri qeveris edhe ministri i Mjedisit, i cili brenda së njëjtës kujtesë konfigurohet në të kundërtën, si një faktor që ka mbajtur gjallë diktaturën. Këtë profil e bëjnë akoma edhe më të paimagjinueshëm lidhjet e tij të shumëfishta me familjet më të mëdha komuniste të diktaturës, në kontrast me supozimin që qeveritarët demokratë në mos direkt, të paktën indirekt janë edhe të persekutuarit e tyre.
Në pikëpamjen programore, arsimi, shëndetësia, punësimi dhe ambienti janë zhytur në një kaos, saqë është pothuajse fare e pamundur të dallosh hijen e ndonjë programi apo strategjie qeveritare dhe jo më pastaj të pretendosh që ai ka elementë të një profilizimi të djathtë. Boshllëku i krijuar nga mungesa e programit është mbushur me përpjekjet e kryetarëve të partive respektive që mbajnë post ministri për të forcuar pacipërisht pozitat e tyre dhe të “gjoja” partive që zotërojnë. Është vetëm një zë, ai i “Mjedisit”, i cili, meqë ndjen se sa larg është politikisht, mezi pret të gjejë pak hapësirë për të thënë që arsyeja pse jam në këtë qeveri është programi i njëjtë me të djathtët në çështjet e mjedisit. Për ata që kuptojnë diferencat e mëdha programore midis të djathtëve dhe të majtëve në fushën e mjedisit, kjo është një “pështymë” tjetër në fytyrë të demokratëve.
Kur “prerja tërthore” bëhet në pikëvështrimin e performancës, atëherë shfaqet një profil alarmant i qeverisë dhe qeverisjes. Në këtë profil dallohet qartë që ekzistenca e një ministri apo e vetë qeverisë vetëm shpallet e varur nga performanca apo rezultati, por në realitet aplikohen varësi apo funksione fare të tjera. Veçanërisht ekzistenca e aleatëve në qeveri nuk është funksion i performancës së sistemit apo fushës ku ata qeverisin, pra nuk është rezultat i reformave që ata ndërmarrin, përkundrazi, varet vetëm nga numri i votave që ata sigurojnë në parlament apo nga ndonjë raport tjetër të palidhur me detyrimin e qeverisjes. Dhe kjo gjë thuhet hapur, pa “u skuqur”, megjithëse jo rrallë herë pranohet zhytja e plotë e këtyre fushave jetike për shqiptarët në një prapambetje dhe korrupsion të thellë. Tashmë ka shumë fakte që dëshmojnë se qeveria nuk ka qëllim reformimin e thellë të arsimit, shëndetësisë, përkundrazi, një ruajtje të sforcuar të ekzistencës apo pushtetit të saj nëpërmjet ruajtjes së numrit të votave në parlament. Këtë, përveç të tjerave, e dëshmon edhe fokusimi, ardhja vërdallë apo shpenzimi i aq shumë energjive për të ashtuquajturën reformë zgjedhore, që në thelb është thjesht një përkujdesje për gjetjen e asaj forme favorizuese në zgjedhjet e ardhshme që mund të sjellë ruajtjen e pushtetit. Qeverisja në këtë mënyrë bëhet një qëllim në vetvete dhe që këtu ajo humbet vlerën e saj, duke dalë nga fokusi i interesit të shqiptarëve dhe duke u zhytur në asgjë.
Masa e përputhshmërisë së personalitetit dhe eksperiencës relevante të njeriut në detyrën e ministrit me fushën që ai drejton, krijon një profil tjetër rrëqethës të qeverisjes. Pa përmendur çështje të mungesës së personalitetit apo pranisë së një integriteti të dyshimtë, fusha e arsimit dhe shkencës merret përsipër nga njeriu, të cilit kurrë nuk i ka thënë askush punë e mbarë as në arsim dhe as si kërkues shkencor. Akoma më flagrant është rasti i drejtimit të shëndetësisë nga një njeri që vetëm po t’i veshësh bluzën e bardhë, pa pretenduar ta vësh në krye të sistemit të shëndetësisë, të ngjan me një UFO që s’ka bir k… t’i përcaktojë planetin nga vjen. Ai që e justifikon ekzistencën e këtij profili tragjikomik të qeverisjes me argumentin se drejtuesi i një sektori të caktuar është politikan dhe s’ka pse të jetë edhe i zanatit d.m.th., profesionist i fushës, tregon që akoma nuk kupton se niveli në të cilin është Shqipëria, nuk e pranon këtë luks, se Shqipëria ka nevojë për të ndërtuar në themel politikat arsimore apo ato të shëndetësisë, gjë që pa përfshirjen e profesionistëve në të gjitha nivelet e drejtimit politik është thjesht e pamundur.
Rreziku i rënies së nivelit politik të qeverisjes, pra rreziku i shkarjes në teknicizëm, mund të evidencohet, nëse qeverisja shikohet në një pikëvështrim tjetër, në një profil ku përcaktohet distanca që e tashmja ka krijuar ndaj të shkuarës. Kjo të lejon të njohësh se në ç’masë trashëgohen vlerat e qeverisjes së mëparshme të PD, se sa i pranishëm është shpirti i demokratëve që ndryshoi Shqipërinë e viteve ‘90 te ministrat e qeverisë dhe vetë qeveria e sotme. Me pak përjashtime, kjo qeveri qeveris me një kujtesë të fshirë dhe shpirtërisht e palidhur me frymëzimin e viteve të ndryshimit të sistemeve politike në Shqipëri. Prandaj ka mbetur edhe e pamotivuar politikisht, sepse përpara saj ka një kundërshtar, të cilit nuk ia njeh ose në disa raste bën sikur nuk ia njeh të shkuarën, aq sa shpesh e pranon edhe në gjirin e saj si një gjë fare të zakonshme, gati-gati si një rutinë. Ja pse në debate nuk ka argumente, nuk ka parime që shpallen, metoda që ndiqen, forma të sendërtimit të demokracisë në kushtet shqiptare, ristrukturime, nuk ka fakte historike dhe, prandaj, paralele që krijojnë argument. Ka vetëm shifra parash të dhëna nga buxheti apo të huajt, përqindje doganash dhe tatimesh, shprehje të ngrira diplomatike, gjatësi rrugësh, çati shkollash, magazina që presin të bëhen universitete, kilovatorë energji. Kjo gjë i siguron një komfort të shkëlqyer opozitës. Opozita e sotme bën të njëjtën gjë, d.m.th., jep shifra të kundërta, pa mbarim, më shumë se qeveria dhe debati automatikisht bie në një nivel teknicienësh. Qeveria e të djathtëve (PD) humb epërsinë e saj politike, e çon dëm atë kapital politik që shqiptarët i dhanë që në fillim të viteve ‘90, të cilin s’ka reshtur së keqpërdoruri sot e asaj dite. Mungesa e motivimit politik krijon pastaj boshllëkun që me shpejtësi mbushet me babëzinë e mbajtjes së pushtetit, por pa prodhuar qeverisje.
. . .
Zëvendësimi i objektivit të qeverisjes me anë të reformave që kanë kosto në mbajtjen e pushtetit, me objektivin e mbajtjes së pushtetit pa realizuar reforma, me qëllimin e ruajtjes së një stabiliteti fiktiv dhe absurd, ka çuar në konfigurimin e një qeverie që nuk prodhon qeverisje, por vetëm bashkon njerëz, metoda, pikëpamje, praktika që shpesh përjashtojnë njëra-tjetrën. Modeli që nuk prodhon qeverisje, është ekzaktësisht edhe modeli që nuk prodhon vlera, përkundrazi, i vret ato. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e së keqes. E keqja më e madhe është shndërrimi i kësaj gjendjeje në standard dhe më pas në mesazh, që udhëton drejt shqiptarëve, apo drejt të qeverisurve. Një mesazh me përmbajtjen se jo kontributi, jo krijimi i vlerës, por kapja e një posti dhe më pas shpenzimi i të gjitha energjive për ta mbajtur dhe përfituar prej tij nëpërmjet konformizmit, pa rrezikuar, përkundrazi, duke u bërë mik edhe me djallin, ja për çfarë ia vlen të luftosh dhe gjithçka përtej kësaj shpallet pa asnjë vlerë. Një mesazh që si asnjë tjetër bën shpalljen e një antivlere si vlerë në shoqërinë shqiptare.
Shembulli më i trishtueshëm ishin zgjedhjet në universitete, por raste të panumërta gjen edhe në administratën shtetërore, ku konformizmi dhe servilizmi për të ruajtur karrigen dhe përfitimet e paligjshme që vijnë prej saj kanë arritur përmasa nga më tragjiket. Për herë të parë në jetën time pashë se si për të zgjedhur autoritetet universitare u formuan grupe, ku bashkoheshin ata që ishin jashtë çdo imagjinate të bashkueshëm. Një demokrat bashkohej me një ish-vullnetar të Enverit në mbështetje të dikujt që njihesh si socialist, por që iu kishte premtuar shkuarjen jashtë shtetit, nëse ai do të zgjidhej; një profesor bashkohej me një organizues tenderësh, në mbështetje të dikujt që i kishte premtuar punësimin e njerëzve të familjes; asistentë të pranuar në universitet në mënyrë të paligjshme krijonin aleancë në mbështetje të atij që i kishte pranuar në universitet dhe i kundërviheshin pa edukatë profesorëve që iu kishin dhënë mësim dhe që ua dinin nivelin, njerëz të bërë me gradën Master shpejt e shpejt, krijonin aleanca për të shpërblyer favorin. Të gjitha këto e bënin të vështirë vënien re të grupit të universitarëve që dëgjonin me vëmendje programin dhe idetë e atij që konkurronte. Por akoma më interesante ishte edhe mënyra se si disa autoritete konkurruese komunikonin me zgjedhësit. Sot, është rektor i një universiteti dikush që premtonte se, meqë kishte njohje me ministrin e Financave, do ta bënte universitetin e pasur, se, meqë janë në pushtet demokratët dhe ai është anëtar i kësaj partie, do të mbështetej prej saj dhe prandaj duhet të zgjidhej ai, që universiteti të merrej me sy të mirë nga qeveria, dhe e kundërta, pra një socialist duhet të zgjidhet, kur pushtetin ta kenë socialistët etj. Shumë pak konkurrues u paraqitën me programe të qarta zhvillimi për universitetet dhe pak nga ata që i qëndruan strikt fushatës me paraqitjen e programeve dhe ideve të tyre arritën të zgjidheshin. Modeli kishte funksionuar. Jo pak universitarë ishin bashkuar për çdo qëllim, përveç atij të zhvillimit të universitetit, përveç qëllimit të zgjedhjes së njerëzve që do ta realizonin këtë zhvillim si një vlerë për të gjithë. Procesi e kishte ruajtur “integritetin”, por duke vrarë vlerën.
Gazeta Tema

Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.