Kushtetuta e re, Topi 11 ditë afat
ALBANA LIKA
Metropol
Kuvendi ka depozituar në Presidencë ligjin e miratuar në datën 23 prill. Pritet vendimi.
Neni 177 i Kushtetutës detyron Kreun e Shtetit të firmosë ndryshimet kushtetuese.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka ende edhe 11 ditë afat për të firmosur dekretin e pranimit të paketës me ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rastin e shfrytëzimit të afatit maksimal nga Kreu i Shtetit të këtij afati, Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të plotësojë ndërkohë numrin kushtetues prej 28 firmash që i duhet për të zhvilluar referendum kushtetues.
Dekreti
Neni 177 i Kushtetutës pika 6, detyron Presidentin e Republikës, të firmosë ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Kuvendi. Sipas këtij neni, Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës. Ndërkohë, Kreu i Shtetit, po sipas Kushtetutës, nenit 84, shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Amendamentet e Kushtetutës janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën parlamentare të 21 prillit dhe kanë mbërritur në tryezën e Presidentit dy ditë më pas. Sipas një llogaritjeje të thjeshtë matematikore, Presidenti duhet të firmosë dekretin e pranimit deri më 12 të muajit maj. Edhe nëse Presidenti Topi nuk e ushtron këtë të drejtë, ligji quhet i shpallur. Derisa të mbërrijmë tek kjo datë, dhe nëse Kreu i Shtetit do shfrytëzojë të gjithë hapësirën që i jep Kushtetuta, atëherë Ilir Meta ka në dispozicion minimalisht edhe 10 ditë për të bindur edhe 6 deputetë të tjerë, për realizimin e referendumit. Në nenin 177, pika 5 përcakton se amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Aktualisht, LSI-ja në nismën e shpallur të saj është mbështetur nga 22 deputetë, mes të cilëve edhe socialistë.
Ndryshimet
Paketa e plotë me ndryshimet kushtetuese u mbështet nga 115 vota pro, 17 kundër dhe 3 abstenime. Partitë e vogla, kryesisht të opozitës, kundërshtuan ashpër ndryshimet të propozuara nga PD-ja dhe të mbështetura edhe nga PS-ja, duke i cilësuar puç institucional. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, dhe ai i PSD-së, Skënder Gjinushi, vlerësuan se ndryshimet godasin në thelb Kushtetutën, parlamentarizmin në vend dhe pluralizmin. Ndërsa nga mazhoranca, republikanët dhe PBDNJ-ja, apo deputeti Ngjela, kundërshtuan gjithashtu draftin PD-PS. Sipas ndryshimeve, Presidenti i Republikës së Shqipërisë do të zgjidhet edhe me 71 vota, ndërsa sistemi zgjedhor që do aplikohet në zgjedhjet e 2009-s do të jetë ai proporcional rajonal me lista të mbyllura. Në amendamentet për Kryeministrin, ky i fundit ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj qeverisë. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi, i kërkon Presidentit shpërndarjen e Kuvendit. Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi. Kuvendi shmangu nga votimi propozimin e 28 deputetëve mbështetës të zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga populli, propozim ky i cili ndau në dy pjesë deputetët e mazhorancës qeverisëse.
Brenda javës LSI do plotësojë firmat
Lëvizja Socialiste për integrim, menjëherë pas nismës së startuar prej saj për mbledhjen e firmave për zhvillimin e një referendumi mbi amendamentet kushtetuese, ka arritur të mbledhë vetëm 22 prej tyre. Sipas përcaktimeve kushtetuese, asaj i duhen edhe 6 firma për të plotësuar në total numrin e mjaftueshëm të firmave që i duhet për të startuar procedurat e referendumit. Përveç deputetëve të partive të vogla të opozitës, listës së firmëtarëve i janë bashkëngjitur edhe 4 firma të PS-së, aktualisht deputetë të pavarur.
Reforma zgjedhore
Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur me sistem proporcional me zona shumemërore, të cilat përputhen me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit nis me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të zgjedhur.
Zgjedhjet për Kuvendin e ri, zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore, si dhe nga zgjedhësit. Renditja e tyre në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës.


Shkruaj një koment (login)