Login



Register

Kur mban 15,000 Euro si pare xhepi….

….atëherë hajdutët kanë goxha interes tek ty. Fatkeqsisht këtë duket se s’e ka ditur Ambasadori ynë në Malajzi kur ka lënë në zyrën e ambasadës një sasi parash me vlerë rreth 15,000 Euro të cilët siç njofton Gazeta Shekulli kanë qënë pre e grabitësve. Shyqyr që z. Ambasador s’i ndodhi gjë por pyetja meriton të shtrohet, ç’ka i bekuari që mban 15,000 Euro si pare xhepi në zyrën e ambasadës? Nuk ka një bankë në Kuala Lumpur? Apo nuk ka punonjës të aftë në ambasadë që të hapin një llogari të rrjedhshme dhe të vendosin paratë aty? Mbase do të ishte mirë që edhe ambasadat tona të mësonin për kartat e debitit dhe kreditit, fundja me ç’dëgjohet po fillojnë të përhapen edhe në Shqipëri e jo më në Malajzi!

Gjithashtu edhe një hollësi e vogël për ata që u pëlqejnë imtësirat; ambasada Shqiptare në Kuala Lumpur ndodhet në një ndërtesë goxha luksoze në qendër të qytetit por për të shteti Shqiptar s’paguan asgjë, qiraja paguhet si ndihmë nga qeveria Malajziane.
***********************************

Lajmi nga Shekulli:
 

Hajdutët kanë thyer zyrën e Hajdar Munekës dhe kanë marrë 15 mijë dollarë, një telefon celular e orendi të tjera

Malajzi, grabitet ambasadori shqiptar

Ened Janina

TIRANË- Sulmohet dhe grabitet zyra e Ambasadorit Shqiptar në Malajzi, Hajdar Muneka. Persona të paidentifikuar kanë hyrë me forcë në zyrën e ambasadës tonë dhe kanë marrë çfarë kanë mundur. Verifikimi i kryer disa orë më pas ka treguar se në zyrën e Ambasadorit Shqiptar në Malajzi, Hajdar Muneka, ishin grabitur rreth 15 mijë euro, një aparat telefoni celular si dhe disa sende të tjera. Ngjarja po hetohet momentalisht nga policia e Kuala Lumpurit, ku ndodhet edhe zyra e ambasadës tonë në Malajzi. Vetë ambasadori shqiptar, Hajdar Muneka, është shprehur shumë i habitur se si mund të vidhet aq lehtësisht zyra e një përfaqësie të huaj. Lajmi është pohuar dje nga gazetat malajziane. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur gjatë fundjavës dhe është zbuluar nga vetë ambasadori shqiptar Hajdar Muneka.
Grabitja
Ditën e shtunë, ambasadori shqiptar në Malajzi, Hajdar Muneka, kishte filluar që të bënte gati gjërat pasi do të kthehej në vendin tonë. Ai do të fillonte pushimet dhe të djelën do të nisej nga vendi aziatik për në Shqipëri. Kur gjithçka ishte bërë gati, Hajdar Muneka, ka shkuar për herë të fundit për të kontrolluar zyrën e tij. Kjo zyrë ndodhet në “UBN Toëers” në lagjen “Jalan Sultan Ismail” të Kuala Lumpurit. Rreth orës 15 e 30 minuta ai ka hyrë në godinën shumëkatëshe dhe ka marrë ashensorin për tu ngjitur në zyrën e tij. Me të mbërritur në katin e 31-të, ku ndodhet edhe zyra e përfaqësisë shqiptare në vendin aziatik, Hajdar Muneka, ka mbetur i habitur. Dera e zyrës së tij ishte thyer dhe gjithçka ishte kthyer përmbys. Menjëherë është njoftuar policia vendase, e cila ka filluar hetimet. Policia së bashku me ambasadorin shqiptar kanë verifikuar sendet që ndodheshin në zyrë dhe në përfundim ka rezultuar se mungonin 57,000 RM (monedha malajziane), të cilat nëse konvertohen në dollarë amerikanë bëjnë shumën e 15 mijë USD. Ndërkohë nga zyra mungonin edhe një telefon celular si dhe disa pajisje të tjera.
Dëshmia
Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë ambasadori shqiptar në Malajzi, Hajdar Muneka, përpara policisë vendase, ai është larguar nga zyra rreth orës 16 e 30 minuta të ditës së premte. Gjatë asaj dite ai nuk është kthyer më në zyrë. Muneka ka shkuar sërish në zyrën e tij 23 orë më pas, rreth orës 15 e 30 minuta të së shtunës. Në dëshminë e tij ambasadori 52- vjeçar ka pohuar se në momentin që ka hyrë në zyrë ka parë gjithçka të shkatërruar dhe derën e thyer. Paratë ndodheshin në një prej syrtarëve të komodinës së tij, e cila ishte thyer dhe kthyer përmbys. Një pjesë e parave ishin kursimet personale të ambasadorit, ndërsa pjesa tjetër ishte e fondit të Ambasadës Shqiptare në Malajzi. “Ajo që më shokon më shumë është fakti se dikush mund të hyjë kaq kollaj dhe të grabisë zyrën e një ambasade. Kjo zyrë ndodhet në një ndërtesë, e cila ruhet 24 orë nga kamera me sistem të mbyllur. Nuk e kuptoj si askush nuk ka parë hajdutët teksa hynin në zyrë”,- ka thënë ambasadori shqiptar Hajdar Muneka pas ngjarjes. Më pas ai ka shpjeguar se kjo godinë ka vetëm një hyrje dhe një dalje dhe këto porta ruhen nga kamerat. Për më tepër në hollin e godinës, i cili ndodhet në katin e parë, ndodhen një sërë rojesh, të cilët janë në shërbim 24 orë. Raporti për këtë ngjarje si dhe dëshmia e Hajdar Munekës janë dhënë në komisariatin e policisë në Dang Wangi.

DYSHIMI
Gjurmët e grabitësve, në vendin e ngjarjes
Pak orë pas ngjarjes së rëndë, policia lokale ka pohuar se në zyrën e ambasadorit shqiptar janë gjetur shumë gjurmë gishtërinjsh, ndër të cilat dyshohet se janë edhe ato të grabitësve. “Ne kemi gjetur disa gjurmë gishtërinjsh. Janë të disa personave por ende nuk mund të themi nëse janë të grabitësve apo jo. Këto gjurmë gishtërinjsh do të verifikohen me ato të punonjësve të ambasadës dhe në fund do të gjejmë se kush janë të grabitësve”, -tha dje një zëdhënës i policisë të Kuala Lumpurit. Ndërkohë hetuesit malajzianë kanë sekuestruar edhe të gjitha regjistrimet e kryera nga kamerat me sistem të mbyllur. Këto kaseta do të shqyrtohen gjatë këtyre ditëve për të zbuluar nëse kanë arritur që të filmojnë apo jo grabitësit. E gjithë kjo procedurë e re ka bërë që kthimi i ambasadorit shqiptar në Malajzi të shtyhet për rreth një muaj. Kjo kohë i është pohuar atij nga policia lokale, e cila po merret me hetimin e ngjarjes.

Largimi
Ambasadori shqiptar Hajdar Muneka është larguar nga zyra e tij rreth orës 16 e 30 minuta të ditës së premte. Ai ka mbyllur derën e zyrës dhe ka dalë nga godina si zakonisht. Kur ai ka ikur godina ishte e ruajtur nga kamerat e sigurisë si dhe rojet private

Zyra
Një ditë më vonë, rreth orës 15 e 30 minuta Hajdar Muneka është kthyer në zyrën e tij në Kuala Lumpur. Ai ka marrë ashensorin dhe është ngjitur në katin e 31-të të “UBN Towers”, ku ndodhet edhe zyra. Sapo është afruar tek dera ka parë se ajo ishte thyer

Grabitja
Pasi ka hyrë në zyrë Hajdar Muneka ka vënë re se gjithçka ishte kthyer përmbys. Në një prej syrtarëve të tavolinës ndodhej një shumë pre 15 mijë dollarësh, e cila ishte vjedhur. Ndërkohë nga zyra mungonin edhe një telefon celular dhe disa sende të tjera

Hetimi
Policia e Kuala Lumpurit ka filluar menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Një zëdhënës i saj ka pohuar dje se në zyrën e ambasadorit shqiptar Hajdar Muneka janë gjetur disa gjurmë gishtërinjsh, të cilat mendohet se i përkasin autorëve të grabitjes

Reagimi
“Ajo që më shokon më shumë është fakti se dikush mund të hyjë kaq kollaj e të grabisë zyrën e një ambasade. Kjo zyrë ndodhet në një ndërtesë, që ruhet 24 orë nga kamera me sistem të mbyllur. S’e kuptoj si askush nuk ka parë hajdutët kur hynin në zyrë

31/07/2006

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

10 Komente

  1. blete thotë:

    31 July 2006 @ 8:16 pm

    Po ai parate e veta apo te shtetit i kishte?
    Pasta nuk ka kasaforte ambasada jone, qe perdor sirtare?
    Ketu ka tradheti o burra!

  2. LlTako Shkruaji mesazh privat thotë:

    31 July 2006 @ 8:23 pm

    E “shkreta” ambasade s’ka as faqe ne internet, jo me kasaforte qe tu qendroje grabitesve. Shtet leckaman, ambasade leckamane e rene ne parate e dikujt tjeter!

  3. blete thotë:

    31 July 2006 @ 8:26 pm

    Po une kam kaq vjet ketej dhe 15000 euro nuk i kam pare njehere te tera se bashku o njeri. Kur shteti eshte kaq leckaman, nga i mbine parate? Ka kontrolluar xhepat e tij ambasadori (se nuk dua t’i hyj ne hak, por “ngaterresa” edhe ndodhin)

  4. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    31 July 2006 @ 8:32 pm

    15,000 euro ne formen Cash, ne zyre diplomatike, ne nje vend te zhvilluar si Malajzia, kjo eshte interesante…Pa dyer zyrash thyen perdite…

  5. anonymus thotë:

    31 July 2006 @ 9:17 pm

    edhe ja vodhen ketij ee?
    kurioz jam, e ka pa njeri tjeter te hyje ne godine ndonje njeri qe nuk i takonte te ishte atje apo te gjitha mbeshteten vetem nga llafet e “te grabitureve”???
    sa pa klas qe jane keta te sotshmit mer ti eeeej.
    tamam ashtu sic e keni te gjithe ne mend llafin e pare qe ju vjen kur flitet per keta te sotshmit.

  6. ypsilon thotë:

    31 July 2006 @ 11:27 pm

    Nejse po tia kishin vjedhur kesaj Rajsit hajde . … por ambasadorit shqiptar te ben pershtypje. …
    Cfare duhet ti jene dashur 15000 euro-dollare ne ate te shkrete zyre ………. ndofta desh ti mbillte si pinoku me dhelpren??? per ti shtuar neser ne mengjes….
    Kjo dhelpra si e ka emrin se pinoku dihet ………………..

  7. john thotë:

    1 August 2006 @ 3:26 am

    kjo o pune e brendshme lalo
    se nuk guxon njeri me vjedh zyrat e nje perfaqesie diplomatike se e di qe e ka te shkurter diten e kapjes.Sidoqofte kishin lene dhe shenja gishtash ne zyre.
    Une kur kam qene student jashte,di qe shume studente i conin leket ne ambasade qe tja dergonte ambasadori apo atasheu ne Shqiperi kur ata udhetonin,ose kur vinin nga shqiperia,kshu qi mos e akuzoni aq kollaj,se po ti kishte te vjedhme nuk i mbante ne zyre o njerez.Po dhe amasadori yne ne Malajzi si te gjithe politikanet qe kemi,
    qi nuk dine me lidh dy fjale si gorre, e nuk e kane haberin prej asnji gjoje.Atij gjeja e pare qe do e pyesi policia,eshte se çne 15euro ne zyre.

  8. Bona thotë:

    1 August 2006 @ 9:21 am

    Sa per ambasadorin e ka ne rregull ai, po he. 15 00 euro gjenden prape. Ne nje ndertese 31 kateshe, qe eshte mabasada, ky puc mund te jete bere vetem nga te brendshmit. Si eshte e mundur te vidhet zyra e ambasadorit shqiptar kur e gjithe ndertesa ruhet me roje dhe kamera?

  9. Candy thotë:

    3 August 2006 @ 5:46 pm

    Kur isha ne Kuala Lumpur para nje muaji mendova te shkoja te beja nje vizite ke ambasada Shqiptare, por nuk mu dha mundesia. Isha kurioze per perfaqesuesit tone atje. Tani me iku gjithe kurioziteti :).
    Kjo qenka ngjarje e cuditshme. Kuala Lumpuri eshte i mbushur me banka dhe kartat e creditit perdoren gjithe andej. Pse shqiptaret vazhdojne ti mcefin leket poshte dyshekut akoma, ket s’po e marr vesh..lol..

  10. Bona thotë:

    5 August 2006 @ 5:26 pm

    O Candy, po nuk kane besim tek bankat moj, prandaj i mcefin paret poshte jastikut, se ndryshe nuk ka sesi shpjegohet! :))

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.