Kulmak
Nuk është vetëm afërsia me një vend të shenjtë, varrin e Abas Aliut në çukë të Tomorit, që e bën Kulmakun të ruajë një vel mistik për udhëtarin që vjen aty nga rrëmujat urbane. Nga llangosjet e Tiranes, Durrësit a Beratit. Nga pluhuri i Lushnjës a i Fierit, të cilët për më tepër nuk kanë edhe ujë për të qenë. Ndonëse nuk e kam parë kurrë peligrinazhin e famshëm bektashi në Gusht, kam dëgjuar aq shumë per të, sa më duket se e kam para syve atë shpalosje madhështore të mishrave të pjekur (kurbanët), lëkurët që i dhurohen teqesë së Kulmakut dhe varganin e besimtarëve që i ngjiten shpatit të shenjtë.
Por unë Kulmakun e kam dashur shumë edhe pa peligrinazh fare; në kohën kur ky i fundit ishte herezi dhe kur vargjet e Naimit “Ëngjëll që mu qase pranë….” shqiptarisht të stamposur në shpirtin tim, ishin të lidhur më tepër me atë pamje madhështore të Tomorit nga Kulmaku, se sa me fushën e Qerbelasë, emri i të cilës filloi të shfaqet shpesh si Karbala në lajmet e CNN-it apo FOX-it. Kjo ishte për mua një “denaimizim” i shpifur që nuk më ngacmonte asnjë nerv, po të përjashtosh bezdinë fqinjëruese me neverinë ndaj historive ala Irak, që tash sa vjet futen me përdhunë nëpër shtëpitë tona bashkë me alergjitë e rrugës.
*****
Ajri ka ngjyrë tjetër në Kulmak, shkëmbinjtë janë më magmatikë, bari më i gjelbër dhe uji më kristal. Koha ka ndaluar atje ndoshta qysh se hyrjes jugore për në lëndinën e bekuar iu vu emri “karakoll”, një lloj qendre vrojtimi ushtarake turke kjo. Ato pamje alpine s’mund ti lidhësh me gjëra kote e të zakonshme. Jo, aty dëgjon për shpella ku fshatarët venë kosin në shakuj (lëkurë bagëtie) që të kullojë e të bëhet salcë (ato shpella të ftohta e të errëta i bëjnë kutiçkat e sotme ftohëse në shtëpite tona të ndihen aq të mjera), gryka pusesh që shkojnë nën dhè e që të nxjerrin larg, diku në Bogovë (legjenda rurale thotë që një vrasës preu një kokë dhe e hodhi në një pus të atillë natyror dhe koka u shfaq vërtetë në Bogovë), vila-tunel të ish udhëheqjes komuniste që do drejtonte vendin prej aty në rast lufte (termi “kryeqytet në rast lufte” përmendej gjithnjë me një zjarmi të brendshme nga vendasit që ndiheshin të respektuar ngaqë burrat e shtetit u kishin dhënë të atillë besim ti kishin fqinjë në rast agresioni amerikan, rus, grek, jugosllav, anglez, allahu na ruajt – zviceran, dhe gjithë koalicionet e tyre të mundëshme e traktatet ekzistuese), varr të dhunuar shenjtori, teqe, bejte dhe histori të vjetra me tespie qelibari, baballarë, myhypë e dervishë, kaçakë me mjeker që dilnin firarë dhe s’i kapte dot dovleti, se fshiheshin këtyre ckërkave, me shpresën që s’do kapeshin për 25 vjet, kohë që turku i falte e ju jepte gradën kapedan (fama e një komiti të tillë me emrin Shasho Gjergjova, që u vra tradhëtisht prej mikut të vet firar pas 24 vjet e gjysëm arrati, pra gjashtë muaj para se ti kurorëzohej “ëndërra amerikane” e firarllëkut, s’është shuar as sot). Ne fakt ligji njerëzor sikur nuk ekziston në Kulmak. Ka vetëm ligj natyre. Darvinizëm. Sot mendoj që atje me shpinte pikërisht një ndjesi e tille. Isha i mërzitur sa më s’ka nga realiteti kuqo-mashtrueso-delirant i parrullave idiote të gjithëgjendëshme, që do të ta kujtonin se s’bën se në ç’derexhe jetoje, edhe kur mendja sipas mekanizmave të vet kërkonte përmes harresës të vetpastrohej nga helmi. Isha i dogëndisur sa më s’ka nga fytyra të pahonepsshme 24 orë rresht solemne të agjitatorëve të komiteteve gjithfarësh. Isha i kastiguar nga vërejtja e përhershme e shefes së kuadrit që unë duhej të lidhesha më shumë me masat, qysh pas refuzimit nga ana ime të pjesëmarjes në një mbrëmje tematiko-dëfrimi me puntorët. E kisha një shkak për refuzimin që s’ja thoshja groteskes me shkollë partie. Femrat punëtore kur kaloje rrugës thoshin me zë të ulët aq sa ti ta dëgjoje: “si mafishe osht, llakum, a të hongsha e të kullufitsha të gjithin, ishalla”, me një epsh të paturp që shuante çdo gjë femërore në to. I cingërisur nga të gjitha këto unë sajoja shërbime pune dhe ikja me qejf në Kulmak, ku kishte vetëm natura viva dhe njerëz jo-komitetorë, interesantë në vetminë e tyre mes peisazhit të virgjër. “Lark, lark, nga qyteti, nga brengat, thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti”. Ishte pikërisht vendi që e mendoja krejt të pandikuar nga sistemet shoqërore “të kasabasë”. Edhe Zotat ishin më pranë atje, në këmbë të Olimpit shqiptar, Dodonës klasike, Baba Tomorit.
*****
Unë veja shpesh në Kulmak. Me kohë kisha zënë shoqëri me vendasit. Njerin prej tyre, Rrethimin, e kisha njohur në shkollë në Tiranë. Konviktor Rrethimi. Domethënë njeri që në fjalorin e përditshëm përdorte fjalën “latë”. Lata mencash lakro-pazi-spinaqore. Megjithë emrin avdall, ai u bë interesant qyshse një polic konviktesh e kishte kapur përjashta me të dashurën konviktore pas orarit të lejuar. I mbante polici të dy shtrënguar dhe po ecte rrugës krenar që i mbërtheu zogjtë në faj, çëfësht! Po ajo vajza, pasi bëri ca iasharete me shoqet që i vështronin nga dritaret e konviktit dhe i hapën nga brenda portën Skee të ndërtesës Nr. 3, gjeti një moment dhe rrufeshëm i shpëtoi nga panxha policit dhe u fut vrikthi në konvikt, nën duartrokitjet e brohorimat triumfuese të femrave konviktore me pizhama. Bravooooo! Polici u xhindos, sepse gjithë vlera e çëfështit ishte te dyshja heteroseksuale, te dashuria që ata po bënin prapa pemëve në orë të ndaluar. Një i vetëm mund të thoshte edhe se po bënte shurrën, dhe bërja përjashta e shurrës apo dhe më tej, në Shqipëri kurrë s’ka ngritur aq peshë sa dashuriçkat studentore. Polici me një shkop i binte studentit aty ku duhej të ishte penisi dhe i hakërrehej “e shkërdheve, e shkërdheve”? Rrethimi u bë i famshëm se pavarësisht goditjeve, vetëm qeshte, nuk fliste dhe sfidonte hapur. Kurrë s’u mor vesh a s’i dhembte vërtet, apo ishte thjesht ngashnjim nervor. Sidoqoftë nga ai episod Rrethimi u fut në kategorinë e interesantëve. U habita kur e pashë për herë të parë në Kulmak. “Ky shoku vjen nga ministria”, gënjeu ai si pa gjë të keq fare. Unë kujtova se ishte keqkuptim dhe doja ta korrigjoja, por shikimi mesazhsjellës e kumtlënës i Rrethimit më ndaloi. Arsyeja ishte e thjeshtë fare. Një të ministrisë i piqej një mish në hell tak-fak, me motivin që delja “theu këmbën”, kurse një studjuesi nga një institut kërkimor si puna ime as që ja varte njeri torbën dhe do ti duhej ta kalonte me dhallë. Aty përqendrohej komploti, zgjuarsia, fantazia…. kush ishte “i zoti” hante, “i zinte dhëmbi gjë”. Mbase dhe barinjve nuk u mbushej mendja nga syfeti im që isha mall ministrie, por bënin sikur e hanin dhe ata, sipas parimit “rroftë sebepi” për të lëpirë ndonjë kockë. Ishin barinj allosoj, që nuk ushqeheshin me mish; dhe jo se s’donin. Se s’kishte. “Ballin ma mban lart/ sytë e zes përdhe/ hallit si t’ja bëjmë/ hanko Selime/ ti kërkon fustan/ unë s’kam me se”. S’kam me se! S’kam se kë! S’kam! Mjerim i pamendueshëm i karnivorisë së lavdishme shekullore shqiptare. Mua sidoqoftë mu lezetua kjo puna e ministrisë sepse ata mishrat në hell apo mishrat “në bidon” ishin si jo prej kësaj bote. Sëkëlldia nga tërheqja me përdhunë në “kulturën e komplotit dhe të të hedhurit” për një copë mish (J. London sikur kish shkruar dicka me këtë titull) kompensohej nga cilësitë kulinare. Të mëkatosh në këmbë të Tomorit është dyfish njerëzore. Aq më tepër që flitej për një mall me mungesë uluritëse. Mungesa ti bën edhe më të dëshirueshme gjërat. Plus, lezetuar nga kripa dhe trëndelina e kullotës. Nga shafraja e Kulmakut. Meze të përbrendëshmesh. Kukurrec. Kakërdhi. Shqipëri e Jugut. Kaba. Iso. “Ktheje me funt!”. Zjarr dëllinje që farfurit në muzg.
*****
Mishi në bidon ishte një triumf i teknikës mbi traditën, i presionit të avullit mekanik njutonian mbi nxehtësinë graudale të zjarrit prometejan, i aluminit të bidonit mbi drurin e hellit. Legjenda rurale thotë se dikur, një çoban diku kishte parë a dëgjuar mbi kusitë me presion, që e tresnin mishin fare, e ndanin nga kocka dhe e mbanin çdo gjë brenda, i bënin dejet fërtele, s’u humbiste asgjë kot në zjarr, asnjë pikë dhjamë e dyll që me hellin pikonte mbi prush. Dhe mendja e popullit është gjeniale; nevoja e çon shoqërinë më përpara se dhjetë universitete dhe njëqind gjimnaze. Çobani novator nga kusia e presionit kaloi në bidonat e alumintë të qumështit që frëngu i kish bërë tamam sa për të futur një dele, dash apo qengj pirës, si t’mi doje. Harroi vetëm një detajth, që ajo kusia e presionit kishte një vrimë të vockël që e nxirrte avullin e presionin e tepërt me tertip. Kurrë mos u shfokuso nga vrima! Nga tertipi. Mos e humb mendjen. Se e di se ç’ndodhi? Delja më për së mbari u ther, u rop, u bë gati me erëza e ku di unë ç’të tjera nasihate, u fut në bidon, kapakun e bidonit e mbyllën mirë me aletet që frëngu i kish bërë të mos derdhej pikë qumështi, dhe direkt e në zjarr për shtatë palë qejfe. Koha e hellit kish perënduar. E mundimit disa orësh duke e dredhur e spërdredhur. Dhe që, kur larg qoftë e meazallah, qëllonte helli i shkurtër, rrezik piqeshe ti e mishi s’piqej për qamet. Helli nuk duhet i shkurtër, ngordhalaq. Helli duhet të të tundë e shkundë mirë, të të mbërthejë e rrotullojë mbi zjarr, të të nxehë sa tym të dalë nga hundët e nga sytë, ta bëjë punën mirë, të përcellojë, por të mos digjet. Edhe kjo kërkon fokus. Mishi i ka të ngatërruara punët. Kënaqsitë e mishit nuk janë aq triviale sa duken. Bidoni mbi zjarr u tejnxeh, presioni nga brenda u bë i pambajtshëm dhe luftën titanike midis zjarrit dhe aluminit e fitoi i pari, pasi bidoni plasi si bombë nga presioni, kapaqet e aletet e frëngut s’i bënë dot ballë zjarrit të shqopës shqiptare dhe mishi u zhduk pa nam e nishan në lëndinë. Vetëm era e mirë që mbeti pas dëftente për mrekullinë e humbur. A missed opportunity. Mish bidoni. U desh të kalonin shumë aksidente të tillë, që përvojat të përcilleshin gojë me gojë, deri sa të vinte momenti i lumnueshëm që kapakut ti hapej një vrimëz dhe mishi i bidonit të fitonte status të ngjashëm si ai i hellit.
*****
Shumë e kemi analizuar të keqen e komunizmit që kaluam. Me filozofi, me politikë, me ekonomi, me essera, me blogje. Por kudo pak është rrahur prishja që i bëri komunizmi raportit të shenjtë që ne kishim me mishin. Balancat mishngrënëse të prishura në ekosistemin pellazgo-baritor. Komunistët duhet ta kishin ditur që me mishin s’duhet ta krruajë njeri. Etnosi ynë është thellësisht karnivor. Nuk i thuhet një populli të tillë hani bar. Është si ti thuash bandillit bëhu murg. Kur vajzat e reja po i shpon elbi. Ne e dashurojmë mishin. Edhe në USA janë ustallarë për “beef”-in e famshëm, por dashuria e amerikanëve është më tepër teknike. Vini re se si thonë ata për gradën e pjekies së mishit, “medium rare” apo “medium well”, a thua se po flasin për ndonjë indeks ekonomik. Shqipot e duan mishin në mënyrë epiko-lirike, ju fërgëllon zemra, japin art, ritual, traditë, lashtësi. Ka diçka pothuaj seksore në atë dashuri. Një lab në kullotën e Shashicës në Vlorë më bëri të mendoj kështu tek po hante një kokë bagëtie. Në i pastë parë kokat e femrave me të njëjtin adhurim e përkushtim të tipit “jam yti” si shikonte atë kokë të pjekur, lum ato gra. Sytë i shkëlqenin. Puthja filloi nga pjesët e nofullave. U shndërrua në kafshim plot afsh. Pastaj gjuhët u ngjitën si me mastiç. Nuk i mjaftonte ajo gojë e mbyllur, e donte puthje-kafshimin më të plotë. I hapi nofullat e kokës së pjekur dhe futi kokën e vet epshore midis tyre. Nuk pa gjakun që i kullonte mbi faqe nga gërricja e thellë e dhëmbëve të kokës së pjekur. Ekstaza ishte aq e fortë, sa që labit edhe po ti ishte prerë ndonjë vesh nuk do ndjente gjë. Van Gogh i dashurisë për mishin. A ka orgazmë ta realizojë këtë jerm? A ka Marilyn Monroe?
*****
Kulmaku sillte flladin kristal të luleve dhe barit të njomë kur ne mbërritëm dhe kaluam “karakollin”. Mirë se të gjej, vend i bekuar! Grupi ynë e kishte marrë me “makrella” – fjalë ala Kulmak kjo që i ka humbur origjina dhe që tregon ngenë, ngadalësinë dhe rahatin. Grupi me vendallinj ishte në formë. Këta njerëz nuk ngacmojnë, por “xhugasin”; nuk venë në lojë, por “savisin”. Kishim udhëtuar tre-katër orë në këmbë, kishim marrë dozën e duhur etimologjike pasi kaluam bri vendeve me toponime paraosmane, si “Varri i Janit” apo “Bregu i kishës”, shoqëruar me skatologjinë që mund të sjellin emra të tillë si “Vidhi i Shemes”, “Guri i Çyçkës” apo “Gropovëth”. Ishim gati për Kulmak. Na prisnin. Shprehja mikpritëse “po nga u hapën këto rrugë, more!” ishte si gjithnjë magjiplote. Bashkë me Rrethimin ishte edhe Sigurimi, për të cilin thoshin që ishte “teleshmën”, megjithëse ishte me shkollë të lartë: agronom Kamze. Buono per Kulmak. Savitja e rradhës - Sigurimi sapo ishte martuar dhe e kishin bindur se çdo dhëndërr i ri duhet të hante për 15 ditë para dasmës 2 kg arra dhe mjaltë në ditë, për të qenë në formë atë ditën e bekuar, kur “do hynte sulltani në Stamboll”. S’ka dhëndërr që s’e bën këtë, i thanë. S’beson? Po ti qenke prapa bote, a dermbyllmë. S’e ke dëgjuar kurrë? Na mo të marr në telefon Luftimin. O Luftim! Hë? Pa hajde një çikë o, se kam një llaf. Çuàr, o? Sigurimi s’ditka gjë për atë punën e mjaltit. Jo, mor, jo! Mor të betohem që s’di. Dale, mo, se erdha….A je në vete, o? Si mor s’di gjë ti? Po ti s’je nga Hëna, e! Ju po talleni më duket…. Kush tallet, o? Po ne për ty e kemi, mo lla, se për vete ne e hëngërrm mjaltin tonë me vakt… Apo do që nusja të të bënj një pordhë e të kthenj kurrizë? Por po s’besove mua, hajt të pyesim Lavdërimin. O Lëvdim…..
Vjet savitja kish qenë më e padëmshme. Sigurimi kishte përdorur një fjalë të madhe, dëgjuar në leksionet në Kamzë, dhe pikërisht shprehjen “konduktivitet hidrik”. Sa përçohet një sasi uji për një kohë të dhënë në tokë. Jo aq, po kaq. Jo është e mundur, jo s’është e mundur. Po si ta provojmë? Po mirë, meqë ujë s’kemi këtu afër, unë po bëj shurrën dhe të shohmë sa thellë do shkonjë për një minutë. 5 cm, jo 10 cm… jo ti, jo unë… Shurra u bë, minuti kaloi dhe Sigurimi gërryente me gisht dheun e lagët që të gjente konduktivitetin e Kamzës…. Por mua këto savitje më dukeshin lule sepse sapo vija nga Trebeshina, ku barinjtë e Tepelenës që qethnin bagëtinë, ne tre fjalë, dy i kishin të ndyra dhe të thëna me zë të lartë, kurse të tretën e kishin të ndyrë me zë të ulët. Flokët e leshit të qethur të shpërndara andej këtej frymëzuan njerin prej tyre që thërriste në çdo dy minuta si i ndërkryer: “floqe, floqe, ulërin p… për loqe”! Barinjtë e Skraparit ishin më me terbiet. Ngjarja që kalonte gojë më gojë këtë rradhë ishte me temë qytetëse: nga Çorrovoda. Kryetari i këshillit ishte kapur në “flagrancë” (sa më bënte përshtypje kjo fjalë e shqiptuar ashtu natyrshëm mes tërë atij deti fjalësh të vjetra e turke) si klient i një shtëpize të vogël publike të fshehtë. Kënga s’mungonte, natyrisht. Mund të besoje që dielli s’do lindte nesër, por jo kënga. “Ne të dinim kryetar këshilli/ ti na dole kryetar p…”.
*****
Bidoni në zjarr po përgatiste mrekullinë. Një tjetër dele “kishte thyer këmbën”. Ne ishim ulur rreth një zjarri plot prush dhe po hanim si preliminari të përbrendshme që i piqnim vetë. I vinim mbi thupra të ngulura në tokë, të cilat nga pesha e mëlçive, shpretkës a veshkave, përkuleshin aq sa duhej mbi zjarr. Shumica nuk kish durim dhe i hante gjysëm të pjekura dhe pa u ftohur hiç, duke shtrembëruar fytyrën më keq se nga rakija që mbiu në zijafet në formën e një shisheje me etiketën “Vaj Luledielli” mbyllur me një gozhutë të gjatë misri. Secili e hiqte nga e njëjta shishe.
- O Sigurim, a po e punon mirë tokën?
- Tokën e sat ëme!
- Bo, bo, bo… nuk thonë kot që dhëndërrit të ri mo i dil përpara.
- Sigurimi s’është i atille. Ka namuz ky ore.
- E ç’namuz llafos, a derëzi. Nuset s’duan namuz. Nuset duan….. Po thuaj që Sigurimi s’e navas dot më duket….
- Do të gjejë si ajo punë e kurbetlliut që i nisi letër e shoqja:
“Te ara me dy çatallë,
Mbeti toka batall,
Ja hajde ta punoç vetë,
Ja do ta lëshonj me të tretë…”
- Asaj i them grua unë. Na pesë e ma del.
- Keq puna. Po ç’bëri ai kurbetlliu pastaj.
- Eh, ja si emigrantët. Para hiç, llonxhë hiç.
- Si kolonjarët thuaj.
- A?
- “Të varfërit kolonjarë, vanë për p… dhe gjetën k…”
- S’e mora vesh unë këtë.
- Eh sa ta marrç vesh ti këtë, e hëngërrn kolonjarët. He he he….
- Unë e dija që vanë për fiq e gjetën arrë.
- Mo na i përmend arrët tani. Sigurim, si shkoi ajo kura?
Zjarri kërciste shkëndia herë pas herë.
- Ore, ai gomari i Fitimit si shumë po i vardiset asaj zdërres (gomares) së Pajtimit.
- Oooo, jepi ore jepi….
- Zdërr-zdërr …. zdërr-zdërr ….
- I paska vajtur në çaçkë të kokës gomarit.
- O Fitim, po lere a derëzi gomarin të bëjë qejfin e tij.
- Jo, jo, se më lodhet gomari mua. Është kollaj të flaç me gjënë e tjetrit.
- Fitim, po mos u bëj dhe ti me gomar se gomari. Lere të bëjë qejfin e tij. Mendo si për veten tënde. Mo u bë shpirtkazëm.
- Shiko, për hatrin e këtij mikut nga Tirana, se s’ka parë si e bëjnë gomerët.
- Leri, leri, leri….
- Mirë, hajt, prishur mos qoftë. Për hatrin e këtij shokut të Ministrisë…
Aty unë pashë të pabesueshmen peep show, striptease, animal porn. Çifti i gomerëve rrethuar nga burra spektatorë, bëri ç’i thosh natyra. Reality Island. The running man. The Truman show. Shikuesit i merrnin të gjitha këto në atë pesëminutësh arti absurd, erotic blue, playboy, qejfi të ndaluar, përvjedhje ndaj ligjit e orientimeve të vyera të Partisë, gjithçka që mund të ofronte show business nga Hollywoodi në Indi. Në atë bashkim të çartur gomerësh. Disidencë veshgjatësh të ndezur!
- Ore, shiko mos u digjet mishi, a ju vraftë qulli…..
- Se mos e bën llaf nga Tirana ç’pe në Kulmak, se na nxore bojën ore…
Unë natyrisht nuk e bëra llaf. Por nga skena që pashë, mu përzie. Nuk e hëngra dot mishin e bidonit atë rradhë. Sidoqoftë, ma “mblojtën” në një copë gazete Zëri i Popullit.
- Mos e bëj kaq hall, ore…
- Hajt se të shkon shpejt. Të dhemburit e burrit, si të dhemburit e gjurit….
Tomori vështronte me qortim mbi Kulmak. Porn gomerësh për njerëz që s’kishin asnjë argëtim. Zdërre fatale…. Zhbërje totale….
Ndjeva keqardhje për ta, për veten time, për gjithçka tjetër… një keqardhje të hapët pa objekt. Ja kisha marrë doren atij lloj pikëllimi. Isha mpirë. S’dhimbte aq shumë. Po largohesha nga Kulmaku, të cilit mu duk se sapo iu prish virgjëria. Dhe mori hiret e gruas.
Më prit herën tjetër Kulmak. Ndoshta do kthehem shpejt. Kjo është “ndoshta” më e sigurtë e jetës sime. Që jehon nëpër labirinthet e shpirtit….. më priiit… se i’tesh po t’vij….
……Është një dëshirë pa bërë premtim, është vuajtje pa patur halle, është sakrificë pa përbetim, është dashuri për shtojzavalle…..
Emigrant
4 Maj 2007

4 May 2007 @ 5:53 pm
Emigrant,
je i ftuar qe tani per gushtin qe vjen.
“Një tjetër dele “kishte thyer këmbën”. jo te gjithe do e kuptojne.
4 May 2007 @ 6:34 pm
Domethënë,shkove deri në Kulmak dhe mua më harrove:më le si Lipe SHtogun pas liste.Po s’ka gjë,more evlat,se kurrizi im mban.Të bëfshin mirë ato seç hëngre dhe seç pe!Ters po ma vërvit”sherjanë”,Emigrant?!Sa lë “verën”,fillon “rakinë”.Ore,nuk më the,ndopak ujëbore pive?Apo t’ia hidhje pak rehanisë për të gjetur midenë.Bukur!Shumë bukur!Sa,për vete,po përpjek buzët!Seç më kanë mbetur ca”thërrime”,po do t’i mbledh dhe me gisht nga qiellëza do t’i heqë,se më duhen:se janë nga Kulmaku…
Përparim Hysi,4 maj 2007
4 May 2007 @ 7:46 pm
Emigrant akoma po më con goja lëng…. Këtë punën e bidonit e dija por ma prishe mëndjen me atë vrimën…
hahahahahahahaha
Të lumtë emigrant…
Emigrant nuk e dija se ishe mistrec Berati….
hahahahahahahahaahhaah
Në Berat kam qenë kushedi sa herë por në Kulmak asnjëherë…
E di që në Tomorr bëhet cdo vit festë për nder të Baba Tomorrit
Mos vdeksha pa shkuar një herë në Kulmak emigrant
4 May 2007 @ 8:04 pm
Dhe përsëri për Kulmakun:
Jam”valencë e lirë” se kot nuk jam plak
Ngjitem bëj sehir,lart gjer në Kulmak.
Kulmaku ku është(nga këtu:sa larg?!)
Sa”afër”që është:nga ti,Emigrant!
Hap tefterë të vjetër,zë e mollois
Unë po plak i vjetër(andej po tropis)
Më thërret mua gjaku(thirrje e të parëve)
Kur isha spurdhjaku,u gëdhiva staneve.
Hëngra djathë nga shakulli, edhe bukëvale
Tani më zë gjarpëri se kam aq merake.
Vende që i shkela,edhe prapë i dua
Sepse kurrë s’u vela(si mjaltë janë për mua)
Plaga dhëmb më shumë,kur i heq guallin
Ndaj më zë me shkumë(”fajësoj”Emigrantin)
Ky ma ngriti mendjen dhe ma bëri erë
S’e zotëroj gjendjen(të shkoj një copë herë)
Të shkoj në Kulmak apo në Tomorr
Të ha një përvlak,të pi ujë me borë.
Pastaj zë e rihem(kush thotë që jam plak?)
Me të tëra nginjem(dreq,o Emigrant!)
Pse më sjellë të shkuarën,ma sjell parasysh
S’e duroj dot plagën se jam babagjysh.
O të gjettë e mira(ma gjete midenë)
Shkrime të arrira(”hallall”,Selimenë?!…)
Se do s’do,s’të rrihet(pa vargje ashiku)
Pas “ngrënies” të”pihet”(ah,unë kokëshiniku!)
Ma solle Kulmakun(si ta kem këtu?!)
E “kurdise”plakun(u nis andej-vu…)
Përparim Hysi,4 maj 2007
4 May 2007 @ 8:44 pm
Sa po behesha gati qe te pergezoja e t’i thoja Llukanit, qe, kete here ja ke kaluar dhe Ypit e Emigrantit
5 May 2007 @ 3:03 am
“Shumë e kemi analizuar të keqen e komunizmit që kaluam. Me filozofi, me politikë, me ekonomi, me essera, me blogje. Por kudo pak është rrahur prishja që i bëri komunizmi raportit të shenjtë që ne kishim me mishin…” deri tek “A ka Marilyn Monroe?”
Emigrant: Ma ke heq trurin me kete paragraf. Letersia dhe analiza historike te koklavitura bashke ne menyre te pazgjidhshme, pikerisht ashtu sic jane edhe ne letersine e dIKujt qe ne te dy e respektojme shume. Jam i interesuar te flasim privatisht ndonjehere.
5 May 2007 @ 4:41 am
“….Më raftë pika që nuk kisha qenë më parë në Skrapar, në Skraparin që Zoti e ka bërë me dorën e vet. Se jam Shqiptar, jam Skraparlli….”
Edison Ypi
minator, patjeter!
5 May 2007 @ 7:37 am
Edrus une nuk shkruaj dot keshtu
5 May 2007 @ 1:11 pm
ne nje diskutim qe pata/kam me tetenen e parisit, me beri pyetjen kush quhet shkrimtar profesional. nga dallohen keta. po i them si pergjigje, sepse ato qe u mundova ti jap nuk besoj ti kuptoje ngaqe te paqeruara mire prej nxitimit : te vije te lexoje ketu.
shkrimi Kulmak eshte shkrim prej shkrimtari profesioni, pak rendesi ka a jeton apo jo ai nga kjo pune. ngaqe jemi mesuar qe quajme profesionist dike qe jeton me aktivitetin qe ushtron si mjeshteri.
5 May 2007 @ 1:44 pm
Llukan, sepse kujtova qe e kishe shkruar ti, e mbylla nje sy tek:”Mishi në bidon ishte një triumf i presionit të avullit mekanik njutonian mbi nxehtësinë graudale të zjarrit prometejan”…. ta lashe sepse edhe mund te pranohej nga ‘ndonje normal’…. por meqe eshte e ‘modellatorit’
atehere s’mund t’ja kalojme vetem per bukurine e frazes… s’mund te humbase pike ne detaje qe ne zanatin e tij jane aq te çmuar
Kurrë mos u shfokuso nga vrima! Nga tertipi.
5 May 2007 @ 3:47 pm
mendoj se shkrimi eshte i tejmbushur me koklavitje fjalesh qe perfundimisht lodhin leximin. hartuesi duhej ta kishte thjeshtuar duke lene me te domosdoshmet ose ato qe ai konsideron te tilla. si the nuk duhen thene te gjitha ç’dime ose zoterojme ne te njejtin shkrim. ky shkrim te jep nje pershtypje te tille.
ps; vleresimi qe jap eshte sikurse mund ta kuptoni relativ (nuk mund ti pelqejme te gjitha, ashtu siç dhe ai qe shkruan nuk mund te kenaqe te gjithe, bile tek ose nga keto gjera behet diferenca), prandaj nuk duhet t’u shqetesoje.
5 May 2007 @ 4:38 pm
zog, asnje shqetesim. eshte dicka qe e thone edhe te tjere. pra ka dicka qe qendron ne te. sidomos te lodhja ne lexim dhe karakteri prej leksioni. name dropping, gjithashtu. po une nuk mund te ndryshoj as stil, as point of view - too late for that

…
dhe as nuk kam ndonje ndjenje shfajesimi - se s’lodh njeri me dashje…
por seriozisht, te them shume flm! keep in touch!
@kothere: ke per te ftuar dhe P. Hysin. Mos harro, Kulmaku dhe Mali i Verzhezhes, jane vetem nje vrap pele….
@peshkaqeni: nuk jam “mistrec berati”, por Beratit i mbaj mend nje embelsire karakteristike qe e quanin “momlan” qe vinte prej fërrrngjishtes Mont Blanc, se ashtu ngjante e bardhe si mal me bore. E ke provuar ndonje here?
@edrus: ma degjo llafin ndonjehere se s’te del domosdoshmerisht keq.
PS shume dobet ju te italise sot, s’ju degjohet zeri hic.
5 May 2007 @ 5:23 pm
Ore, nese e beni me fjale qe te mblidheni ne Kulmak dhe s’na beni ndonje ze ketej, se pastaj ne vend te dhise…. do ju thyej kembet juve
5 May 2007 @ 5:26 pm
Ed, po te marrim, po vetem si nga fshati i gruas ama
Po vertet, du me marr edhe njerin qe e ka emrin shkurt si ty.
5 May 2007 @ 5:30 pm
c’beri ‘d’ e c’beri ‘t’ ?
Po me ka humbur sot….. i eshte futur fotografise me duket
po ne u mbledhcim… s’te le njeri te mbeshtjellç gje me ‘zerin e popullit’
5 May 2007 @ 5:31 pm
Po jo dhi or ti se le nam.
Kec i njome.
5 May 2007 @ 5:35 pm
Ha ha ha ha…. eh sa perdorime kishin ato te shkreta gazeta nje here vaktit; se kishte shume mall mungese. E keqja ishte se shkronjat ishin me plumb, dhe ishte i demshem per shendetin
Nejse, mua me erdh koha e “beef”-it, se kur s’ke kulmak do hash bbq me grill… Deri heren tjeter. E more shafrane per sot, por nuk di pse shafraja sot nuk qe e plote. Ciao, Ed!
5 May 2007 @ 5:37 pm
Kothere, duke pare numrin e larte te iskricioneve, me duket se edhe gomarin e Fitimit do ta shkojme ne hell (natyrisht nese s’e ka bere ate pune perpara se ta therim, se perndryshe i nakatoset ‘ndonjerit’
)
5 May 2007 @ 5:52 pm
Nok: “Pertej Lanes”
http://img70.imageshack.us/img70/8923/485178588a6dfea2af8orz7.jpg
5 May 2007 @ 5:58 pm
Thashe une qe i eshte fut fotografive Ai
5 May 2007 @ 5:58 pm
Teqeja ne maje te Tomorrit. by Aurel Duka
http://img178.imageshack.us/img178/6644/4851858008fc2912ae3wp6.jpg
5 May 2007 @ 7:23 pm
E mor Emigrant, mos vdeksh kurre
Ajo pjesa me ate labin me koken e mishit me pelqeu shume.
6 May 2007 @ 9:20 am
Emigrant, mè fal po nuk gjete dot ndonje Lab tjetèr ti?
E kam fjalèn qè pèrveç atij labit gjysèm opinge ne Shashicè, mund tè gjeje ndonje Lab pa opinga, si puna ime. Hahahaa.
Pergezime per shkrimin, u argetova.
Mè çudit larmia e dialekteve qè pèrdor nè shkrimet e tua.
6 May 2007 @ 9:29 am
Do ti lutesha Emigrantit , qe disa fjale shqipe qe ne nuk i kemi hasur, ti bashkangjiste me nje / keshtu , me nje fjali te ngjashme apo sinonim me ate qe permend ne fillim. Fjalet anglisht eshte e mira te perkthehen nga vet autori.
6 May 2007 @ 9:30 am
Te Peshku ( Letèrsi) po ndodh diçka e bukur.
Autoret plotesojnè njeri - tjetrin. Asnjeri prej nesh nuk èshtè i pèrsosur, por ajo qe i mungon per shembull Emigrantit e ploteson Z. Hysi ose ate qè nuk shkruan ai mund ta shkruaj Akull-naja e keshtu me rradhè.
Larmia e stileve e shnderron letèrsinè e Peshkut nè njè farè “Libri” Madheshtor!
Tè paktèn ky èshtè opinioni im.
6 May 2007 @ 11:20 am
sa i perket opinionit te fundit ose me shume konstatimit te drejte qe ai ve ne dukje, po postoj nje thenie zemerake te Wilde, i forte per kete lloj gjykimi.
“En art, les bonnes intentions n’ont pas la moindre valeur. Tout l’art médiocre est le fruit de bonnes intentions.”
ne shqip ben pak a shume keshtu : Ne art ‘qellimet e mbara’ (pra kur autoret plotesojne njeri tjetrin per avancimin e çeshtjes te themi, si ç’vuri ne dukje diskutanti lart) nuk kane as te voglen vlere. I gjithe arti medioker s’eshte veçse frut i tyre.
kjo shpjegon edhe pse nje moment andej nga vitet e 90 -ta Kadareja e konsideroi letersine e Fishtes veç me vlera patriotike por jo artistike. me von ai e riparoi kete qendrim, ndoshta duke mos qene i sigurte, ose per te mos pat polemike, e cila filloje pernjeheresh ngaqe Fishta ka partizane te shumte.
me kujtohet me njerin qe dikutova mbi çeshtjen ne ate kohe, me thote : normal qe Kadareja fishten ta konsideroje kundershtar, ata luftojne per te njejtin kolltuk ose piedestal ku nuk vend per dy.
ndersa sa i perket çeshtjes ; a mund te besh letersi te mire, duke qene patriot ose patur qellim te mire, si pergjithesisht literatura qe lexojme pak a shume tek autoret shqiptare te rinj ose akoma te panjoh, te cilet mbajne veshtrim kritik ndaj shoqerise ne te cilen bejne pjese, per kete nuk di te them gje.
6 May 2007 @ 11:53 am
Është një dëshirë pa bërë premtim, është vuajtje pa patur halle, është sakrificë pa përbetim, është dashuri për shtojzavalle….
http://youtube.com/watch?v=NLLZ_OLbiNE
Mirmengjes Auswanderer!
6 May 2007 @ 1:32 pm
arkadia ne kohen e qytetit, kurban ne kohen e dreqit, shenjterim ne kohen e komunizmit. e ke kap.
6 May 2007 @ 1:51 pm
Është një dëshirë pa bërë premtim, është vuajtje pa patur halle, është sakrificë pa përbetim, është dashuri për shtojzavalle….
as pushkini nuk ka varg kaq te lemut, kaq profesional (ose kaq flagrant e te kapshem prej syrit te nje femre qe neper libra veç vargje te tilla peshkon), prandaj eshte i madh.
qe thoni ju une them, qe megjithese i kendon femres dashurise se saj, poeti duhet ti drejtohet burrit (qe si ai lufton per te njejten dashuri, pra jane shoke armesh) per ti prekur zemren ose telat. prandaj duhet ta ashpersoje penen e jo rrrumbullakose ate.
6 May 2007 @ 2:20 pm
Tomorri, mali i perendive, i perendive qe e braktisen per te shkuar ne Olimp dhe i njerezve qe i falen kujtimit te tyre. Mos valle hallet tona filluan me ikjen e perendive nga Tomorri?
Ne fillim pelegrinazh pagan, me pas i rekuperuar nga feja e krishtere dhe me se fundmi nga bektashinjte. Aty njerezit vene per te takuar historine dhe per te pare te ardhmen nga çuka e Tomorrit. Pelegrinazhi ka lidhje faktikisht me çuken e Tomorrit. Aty kryhet riti i sakrifices kur lind dielli me pamje nga lindja. I drejtohen diellit a Mekes ku i dihet. Ne çuke eshte vendosur varri i Abaz Aliut, martir i Qerbelase (ç’deshen kockat e tij ne Tomorr?). Kleriket bektashjane pranojne se kockat e tij nuk gjenden aty por nje tufe flokesh(?) jane sjelle nga Iraku i larget per tu vendosur aty. Ne Kulmak eshte teqeja e Dervish Iljazit (edhe varri i tij), nje nga ata dervishe qe i ka bere nder sivellazerise bektashjane dhe filozofise qe ajo ka kerkuar te perçoje. Bamires, erudit dhe atdhetar i flakte. Une nuk mund ta pershkruaj me mire Kulmakun se Emigranti. Kjo shpjegon faktin qe shumica derrmuese e pelegrineve shkojne ne Kulmak (eshte me afer dhe me bukur).
Vitet e fundit pelegrinazhi i malit te Tomorrit ka njohur nje sukses te madh por problemi eshte se shume njerez te ardhur nga rrethet e tjera e shikojne me shume si nje mundesi per te bere piknik sesa si nje vend i shenjte. Edhe kur e konsiderojne te tille ata e kane te pamundur te kuptojne mistiken e malit te perendive. E si mund ta kuptojne ata pa qene skraparlinj? Mistika bektashjane nuk mundi ti rezistoje pavaresise se Shqiperise dhe komunizmit. Megjithate ajo gjendet atje nder skraparlinj pa arritur ti nxjerresh permbajtjen. Mistika e pelegrinazhit nuk mund te kuptohet pa menyren melodioze te te folurit te skraparlinjve. Per tu marre vesh me njeri tjetrin ata nuk bertasin por oshetijne. Jehona e kengeve te tyre zgjon hyjnite e Tomorrit. Ndersa dervishet e Azise se vogel rrotullohen pa pushim per skraparlinjte kjo eshte menyra e tyre per te hyre ne komunikim te drejteperdrejte me shpirtrat e shenjte. Kjo i çon ne nje ekstaze mendore e cila u mundeson te prekin, te shohin e te degjojne mistiken qe permban Tomorri.
6 May 2007 @ 2:27 pm
Naim, s’e di se sa hyn misticizmi atje, por te kalosh pushimet ne Tomorr, eshte riperteritese dhe frymezuese per kedo … sidomos po te te qelloje qe te jesh me ndonje shok qe te te prezantoje si te ‘ministrise’
ose : kete e kemi ‘tonin’
6 May 2007 @ 2:30 pm
zog, “femra qe neper libra veç vargje te tilla peshkon” pati pershtypjen se ajo ishte jo dashuri femre, as dashuri mashkulli, por dashuri tout court… dashuri per nje kohe, per nje vend, per nje enderr…Kulmaku per nje eshte thjeshte maje mali, per nje tjeter eshte thjeshte teqe, per Emigrantin duket mall i vjeter, ndaj komenti i pare qe mbi ato vargje. Kisha ne maje te gjuhes t’i thoja qe s’ka alet frengu ta pjeke mishin si nje hell qe vertitet me nge mbi prushin e shqopes, po une chose à la fois, zog
6 May 2007 @ 2:42 pm
akull-naja me duket nuk me kuptove. kur lexova dhe une ate rreshtin, thash pernjeheresh, qe nje rresht i tille i hudh femrat ne toke. a per Kulmakun apo Irakun pak rendesi ka me duket, ngaqe vet ti e pranon me ate “tout court”.
e pra ket po them dhe une mike. qe shkrimi eshte shkruar per vesh femre e jo mashkulli. sidhe e kuptoj qellimin e autorit si mashkull qe eshte, e kerkon ndoshta femrat te preke e jo meshkujt.
nga ku del posti im ne lidhje me …. pastaj.
sidoqofte s’kam asgje kundra. shigjetat “e helmatisura” qe hedh nuk i kam kundra autorit, por-dhe une ne tymnaje te peshkoj kerkoj.
6 May 2007 @ 2:43 pm
Emigrant, na le pa fjale… shkrim i mrekullueshem, eksperinca te paperseritshme… ironia/ngacmimet e popullit te thjeshte perhere me kane lene pa mend… me bejne ta besoj qe vertet jemi popull i zgjuar…
6 May 2007 @ 3:12 pm
zog, ajo “lima” vec kur sheh femer fillon dhe limon dreqi
kur ka meshkuj futet ne kellef e s’eshte as per t’ja falur dreqit….
Me kupto, jo cdo lloj femre; llafi ishte per shtojzavalle…. se qe thua ti keto te uruara qellon qe jane “ustallesha”, “duhanxhesha”, “XXX”-dmth trekendesha te demtuar bermudesh, “verera klasi qe i zbulove ja vone, ja papritur”, “hallexhesha qe u bie ne koke per ty”…. eh zog, lere lere…. mos me bej ta shpraz zemren ….
akull, je ilac per shpirtra prush… (zog me fal, s’e bej me
)
6 May 2007 @ 3:18 pm
zog, kujdes shigjetat, jo ne tera drejtimet! Si tha emigranti, kurre mos u shfokuso nga vrima! Nga tertipi!
Seriozisht tani, a s’ju kujton ai paragrafi me zbulimin e vrimes historine e shqiperise, tere kohen duke rishpikur rroten, ate qe bota e ka prej kohesh… e trishte apo jo?
Zog, se u kujtova, eshte çeshtje shijesh, po kjo m’u duk se me nja dy prej ketyre donte te prekte femrat emigranti… http://www.peshkupauje.com/halle-ashikesh-2/2007/05/04/
lexo te dyten psh…
6 May 2007 @ 3:58 pm
Nga kulti pagan te miti romantik
http://sq.wikipedia.org/wiki/Mali_i_Tomorrit
Eshte shkruar nga Jorgo Bulo, besoj. Gjendet e botuar dhe diku tjeter nen siglen e tij. Po ketu eshte mire e sistemuar.
Ja perse te them perseri faleminderit emigrant dhe kete Gusht duhet me e ba bashke me nja 5-6 peshq te tjere atje.
“Nė kėtė pelegrinazh nuk do tė merrnin pjesė, si marrin edhe sot, as synitė, as tė krishterė, sikur ky kult tė mos lidhej me njė traditė tė lashtė parafetare.”
Keshtu thote Bulo.
6 May 2007 @ 4:01 pm
Kothere, c’duhet bere per te qene bektashi??(te filloj qe heret
)
Ore, se mos me thuash se duhet te behem synet tani
6 May 2007 @ 4:05 pm
edrus,
kisha fjalen tek ajo “parafetare”.
As e kam idene bektashiut praktikant.
Nuk bahen synet me duket bektashinjte!
6 May 2007 @ 4:14 pm
Rrofsh se ma hoqe friken
6 May 2007 @ 4:57 pm
emiganto per ty
http://www.youtube.com/watch?v=E5aVbA1Sv3s&mode=related&search=
6 May 2007 @ 7:35 pm
ahh qenkam vone, qenkan mbaruar komplimentat, eshte lepire helli, dhe ai shoku nga ministria paska ikur.
edhe nje here pune e paqme emigrant. e rrite turizmin e kulmakut pa u perpjekur fare! vetem per peshqit, kushedi sa dele do te thyejne kembet.
presim instalimin tjeter.
6 May 2007 @ 7:42 pm
Po rri o blete se s’ke vuxhut ti te ngjitesh deri atje lart
6 May 2007 @ 7:58 pm
ed, s’e lexoke blogun e bletes qe thu kshtu…. une e vizitoj rregullisht (i vetmi pervec peshkut…
“s’kam se kur” sic i thashe akksidentalit per blogjet e tjere, i joti dhe i eT perfshire) “beltbzz” dhe them qe blete duhet te jete si pune komandante e grupit per kulmak…
Pervec kulmakut, dua te ngjitem dhe ne Kruje, te shoh muzeumin dhe lagjen varosh…. (kruja eshte gjithashtu bektashie kam degjuar… jo se feja po ka ndonje rendesi per kete munhabet, por sa per info…)
6 May 2007 @ 8:07 pm
emigrant,
Mburru me te paret e tu.
http://www.beratprefecture.net/corovoda.htm
6 May 2007 @ 8:11 pm
Flm. Kothere! T’ja cojme dhe Agjentit Operativ (kombinimi Skrapar Shkoder - cfare lavdie!) se eshte fusha e atij kjo, kam pershtypjen.
6 May 2007 @ 8:13 pm
Edhe Papit.
Ma sqaro cer lidhje ka AO me Shkodren?
6 May 2007 @ 8:17 pm
Sipas AO dora vete ketu te peshku, prinderit jane nje nga Skrapari dhe nje nga Shkodra.
Prandaj ka ate cilesi ai, them une! Gjenetikisht i favorizuar!
6 May 2007 @ 8:30 pm
emigrant mos je gje sokoli ti, nje qe ka pas shkruar, nuk e di tani a shkruan perseri, tek forumishqiptar i albos ?
6 May 2007 @ 8:36 pm
Jo zog, nuk jam ai.
Peshku dhe bletezz jane te vetemt vende shqipo qe vizitoj. Tek peshku marr gjithe elementin e mire shqiptar qe me mungon ketu ku jam. Eshte nje “bella compania” si me thene.
Cheers!
6 May 2007 @ 8:37 pm
komplet jashte teme………..kjo kenga duhet te vihet te ky forum patjeter….
http://www.youtube.com/watch?v=NJTtEDa6c9k&mode=related&search=
6 May 2007 @ 8:54 pm
Em, shkrun vetem n’gjuhen tate dreqi
, dhe mire qe vjen ndonjehere ketu, qe me ben ta adhuroj (sinqerisht) per komentet qe ben.
7 May 2007 @ 1:58 pm
Emigrant,
hudhi nje sy ke panorama Ypit. Kane vjedh nje Ure andej nga Macukulli.
RROFT’ RRUSHI
…Urën e vjedh shqiptari. Lumin e djeg gjermani. Kurvat i merr italiani. Gënjeshtrat i shpërndan Parlamenti. Dallaveret i bën politika. Nacionalizmin e bën dallkauku, paret i thith kafeneja. Këngët i bën greku. Domatet i sjell maqedoni. Vreshtat bosh. Rrushin e kemi tonin! Rroft’ rrushi!
7 May 2007 @ 8:06 pm
Swed…….. ke nevoje per nje justifikim per mungesen pa aresye ne Kulmak.
7 May 2007 @ 8:19 pm
Edrus, nuk kam qene ca dite. Dje ne darke qe u ktheva e lexova, po s’kam c’ti them emigrantit me, ja kam thene njehere ta leri statistiken se sigurohet me kollaj jetesa me letersi, ku me c’duket ai ndihet ne shtepi.
10 May 2007 @ 12:09 am
Emigrant
ndjeva kenaqesi per shkrimin tend. si ty pakkush shkruan. Je pak Naimian i shartuar me Ismail. Ke bere nje stil tendin Ate qe nuk e ben dot administrata jone, e ke bere ti me nje shkrim te vetem. Ky eshte nje sonet nga ty per ne. te falenderoj. nga shkrimi yt, edhe te tjeret e kuptuan se ç’eshte mishi ne hell i ngrene ne livadh. Rrofte mishi ne hell qe arriti te bashkoje te panjohurit?!!!
10 May 2007 @ 12:10 am
Perfundimisht te njoha ty edhe disa te tjere qe te shoqerojne ne kete lundrim romantik.
10 May 2007 @ 12:11 am
Mos harro te shkruash per tullat dhe Bathoren.
10 May 2007 @ 2:02 am
Tironc i vjeter, ti mund te me ndihmosh te shkruaj per Zall Herrin, po te jesh ai qe mendoj une se je.
Po te kesh durim te lexosh “fluid transfer”, po ta lexosh deri ne fund ama, do gjesh nja dy elemente autobiografik, gjithnje nqse je ai qe mendoj une. Eshte nje fraze atje, qe do te beje te qeshesh, edhe po te mos e pelqesh shkrimin.
Ketu e ke linkun:
http://www.peshkupauje.com/fluid-transfer/2007/05/08/
11 May 2007 @ 8:45 pm
Emigrant.
Ka mullar e mullar.
Megjithse shkrimi ishte nje pamflet erosi, me pelqeu shume. Ti e di qe mua me pelqejne shume keto llo shkrimesh. Ky eshte nje himn per Mensurin i cili i dergoi letren Violetes, por nuk pati fat i shkreti se dolli ai bir Rreme, dhe …. rrofte mangalli pastaj.