Kujtesë nga lënda e Edukatës Qytetare: Lani duart o njerëz!
E dashur Gazeta Shqiptare dhe gazetarja E.K., ta dini që më keni borxh një orë gjumë. Ma keni borxh se mbrëmë në mesnatë para se të shtrihesha vendosa ti hidhja edhe një sy të fundit faqes tuaj për ndonjë lajm të freskët dhe në krye pashë një gjë të “mahnitshme”, diçka që s’mund ta lija pa e ngacmuar, diçcka që “s’po më hiqet nga mendja”, shkurt pashë shkrimin tuaj të titulluar 100 lekeshi rrezik i rende per shendetin, miliona bakterie ne nje kartmonedhe. Të them të drejtën shkrimi mu ngul aq fort në mendje jo për frikën që më ngjalli (hiç fare) por për buzëqeshjen që më fali se më në fund edhe dikush në Shqipëri paska zbuluar që “paratë janë të pista” (jo në kuptimin kriminalistik të fjalës)
Po vendos më poshtë disa pjesë nga shkrimi i GSh që mund të lexohet i plotë në vazhdimsi:
1) “Gazeta Shqiptare” vendosi të dërgonte për analiza në laboratorin e Drejtorisë së Higjenës në Tiranë dy monedha, një 100 lekësh letre dhe një 50 lekësh metalike. Analizat treguan se shkalla e pastërtisë së monedhave (shqiptare) që ne i ruajmë me aq shumë kujdes, është mjaft e ulët, por çështë më e keqja ato lekë aq të dëshiruara mund të kthehen edhe në një rrezik…….
2) Të gjitha këto bakterie (të gjetura në monedhën dhe në kartmonedhën – Ll.T.) shkaktojnë një mori sëmundjesh ndaj të cilëve ne jemi të ekspozuar në çdo moment. Dhe jo vetëm se ne i kemi çdo ditë në duar paratë dhe as që na bie ndërmend të lajmë duart pasi i kemi numëruar, por për kontaktin e vazhdueshmë që ata kanë me produktet që ne konsumojnmë. “Vetëm në vendin tonë ndodh që i njëjti person që të peshon mishin apo djathin, merr edhe paratë, duke rritur mundësinë e infektimit të këtyre produkteve, pasi i prek pa i larë duart, -shpjegojnë specialistët, -për këtë qëllim janë kasat. Ai që merr paratë nuk ka punë me ushqimet”
3) Pas rezultatit të këtyre analizave, këshilla më e mirë që mund të japin mjekët është vetëm një: Lani duart sa herë që prekni paratë! Një këshillë e vështirë për t’u zbatuar përderisa të gjitha pagesat e shqiptarëve kryhen ende në CASH apo thënë më shqip me “lekë në dorë”.
E dashur GSh, e dashur gazetarja E.K. E para e punës një statisticien (“emigrant” hidhu) s’do të ishte çudi të kundërshtonte përdorimin e vetëm një kartmonedhe dhe vetëm një monedhe si një numër tepër i vogël për të përfaqsuar në mënyrë të saktë të gjithë “popullatën” e kartmonedhave/monedhave në vendin tonë, e për ta marrë si shembull në një shkrim kryesor të një prej gazetave më të mëdha në vend (këtë faktin për numrin e pakët e di edhe unë me dy klasë statistikë…).
Së dyti, dyshoj fort se ata specialistë që ju kanë treguar për “botën” e ju kanë thënë se në botë ata që prekin djathin s’e prekin pagesën, bëjnë atë gabimin e përhershëm të përgjithsimit të gjërave. Sot psh unë vajta për të ngrënë drekë tek një lokal që shërben ushqim të shpejtë, zotërohet nga një Amerikane me origjinë nga Siçilia (s’flet fare Italisht po nejse) dhe ku punojnë pronarja dhe dy punonjës nga Meksika. Ai Meksikani që mori porosinë time, e mori edhe pagesën në kartmonedha, e kapi me të ato duart e paveshura me doreza (gjë që fillimisht më turbullonte ca po pastaj u mësova….) e pastaj, pasi më ktheu kusurin filloi të gatuante ushqimin. Hiç fare s’i vajti mendja as atij, as pronares e as klientëve të tjerë se mos kish ndonjë problem këtu. E ky s’është ndonjë rast i vetmuar.
Së treti, rrofshin mjekët që na japin atë këshillën për larjen e duarve por po aq fort duhen falenderuar edhe ato mësueset/mësuesit e shkollave tona fillore se me ç’më kujtohet në klasë të tretë dhe të katërt ka pasur një lëndë që quhej Edukata Qytetare (mund ta kem gabim emrin) ku mësoheshin gjëra si pastërtia personale, mirësjellja ndaj të tjerëve etj, etj. Nuk e di a jepet më kjo lëndë por me ç’duket do të jetë hequr derisa mjekët duhet të këshillojnë të rriturit (lexuesit e gazetës) që të lajnë duart…… Gjithsesi, faleminderit e dashur mësuese e klasës së tretë; emrin s’ta kujtoj më por lënda e mësimit më paska ngelur në mendje.
Së katërti, paratë Shqiptare s’janë ndonjë përjashtim i rrallë në këtë botë e ma merr mendja se s’janë as më të pastrat e as më të pistat. Në vitin 1972 një studim për Revistën e Shoqatës Mjeksore Amerikane (Journal of the American Medical Association) gjeti se nga 200 monedha e kartmonedha, rreth 13% e monedhave dhe 42% e kartmonedhave kishin bakterie të ndryshme, duke përfshirë bakterie fekale dhe Stafilokok Auerus.
Së pesti, sado që ti lajë duart prapë s’do të arrijmë ti sterilizojmë plotësisht; një përfundim ky i kirurgut P.B. Price që nga fundi i viteve ’30-të shekullit të kaluar. Kjo vlen edhe nëse i lajmë duart 10 deri në 15 herë.
Së gjashti më keni akoma borxh atë orën e gjumit por po jua fal për buzëqeshjen që më dhuruat. Nuk e dija se ishim aq keq sa kemi nevojë të na kujtojnë atë që dikur na e mësonin në fillore; që duhen larë duart shpesh gjatë ditës! Mbase po përpiqeshit të flisnit për nevojën e futjes së mënyrave të pagesës elektronike por ja që shkrimi ngec tek ai muhabeti i edukatës personale, të paktën për mendimin tim.
Natën e mirë.
Llukan Tako
1 Mars 2007
(fotografia është marrë gjithashtu nga Balkanweb)
************************************************
Shkrimi nga GSh:
Derguar me: 01/03/2007 - 07:17
I mbajmë çdo ditë me vete dhe na duhen gati për çdo gjë. Jemi kaq shumë të lidhur pas tyre saqë pa to na duket vetja të humbur. Ndaj, sa herë dalim nga shtëpia kontrollojmë xhepat apo portofolin se mos kemi harruar të fusim paratë. Po ja që e keqja mund të vijë edhe nga paratë. Të paktën këto tregojnë rezultatet e analizave të bëra në laboratorët e Drejtorisë së Higjienës në Tiranë. Së bashku me to ne mbajmë gjithmonë me vete edhe një mori të madhe mikrobesh, të cilat rrezikojnë që të kthehen në një burim infeksionesh që nga irritimet e lëkurës e deri tek probleme me valvulat e zemrës apo edhe meningjitet. Përveç kohës së gjatë të përdorimit, specialistët rendisin si shkaktarë kryesorë të ndotjes bakteriale të parave edhe kulturën e shqiptarëve në përdorimin e tyre. “Ca i mbajnë fshehur në çorape, ca të tjerë në xhepat më të thellë dhe nuk njohin bankat, -shpjegojnë specialistët, -Sigurisht kjo ka koston e saj duke i bërë paratë një burim të përhershëm infeksioni”.
Analizat
“Gazeta Shqiptare” vendosi të dërgonte për analiza në laboratorin e Drejtorisë së Higjenës në Tiranë dy monedha, një 100 lekësh letre dhe një 50 lekësh metalike. Analizat treguan se shkalla e pastërtisë së monedhave (shqiptare) që ne i ruajmë me aq shumë kujdes, është mjaft e ulët, por çështë më e keqja ato lekë aq të dëshiruara mund të kthehen edhe në një rrezik. Kështu në monedhën 100 lekëshe të letrës (tek ajo kartmonedhë që ne çuam në drejtori për ekzaminim pasi në monedha të ndryshme ndryshon edhe shkalla e pastërtisë) u gjetën, 8 koloni stafilokoku aureus, 20 koloni coliforme, 30 koloni myqe si dhe qeliza candida albicaus. Ndërkohë që rezultatet nuk ishin fort të mira edhe për monedhën 50 lekëshe metalike. Në të u gjetën 5 koloni stafilokoku aureus, 10 koloni coliforme, 15 koloni myqe si dhe qeliza candida albicaus. Të gjitha këto bakterie shkaktojnë një mori sëmundjesh ndaj të cilëve ne jemi të ekspozuar në çdo moment. Dhe jo vetëm se ne i kemi çdo ditë në duar paratë dhe as që na bie ndërmend të lajmë duart pasi i kemi numëruar, por për kontaktin e vazhdueshmë që ata kanë me produktet që ne konsumojnmë. “Vetëm në vendin tonë ndodh që i njëjti person që të peshon mishin apo djathin, merr edhe paratë, duke rritur mundësinë e infektimit të këtyre produkteve, pasi i prek pa i larë duart, -shpjegojnë specialistët, -për këtë qëllim janë kasat. Ai që merr paratë nuk ka punë me ushqimet”. Pas rezultatit të këtyre analizave, këshilla më e mirë që mund të japin mjekët është vetëm një: Lani duart sa herë që prekni paratë! Një këshillë e vështirë për t’u zbatuar përderisa të gjitha pagesat e shqiptarëve kryhen ende në CASH apo thënë më shqip me “lekë në dorë”.
Mjekja: Sëmundjet nga gjinekologjike deri te zemra
Të gjitha bakteriet që u gjetën në paratë, të cilat ne i çuam për analizë në laboratorët e higjienës janë burim infeksionesh. Kështu kardiologia Anila Shahini shpjegon se stafilokoku aureus shkakton infeksione të grykëve, të veshkave, krijon probleme te valvulat e zemrës madje në raste të rralla mund të shkaktojë edhe meningjite. Jo më pak të rrezikshme janë edhe myqet, të cilat u gjetën në mostrat e analizuara. Myqet shkaktojnë infeksione të rrugëve të poshtme, infeksione gjinekologjike, shkaktojnë pneumoni, infeksione të lëkurës dhe të aparatit tretës që fillon nga grykët, ndërsa bakteri tjetër që u izolua sërish në këto monedha, candida albikaus shkakton probleme të shumta gjinekologjike.
Reagon Banka: 100 lekëshi jashtë përdorimit në 2008
Të grisura, të ngjitura me skoç apo edhe të shpëlara nga ngjyrat për shkak të larjes pas harrimit në ndonjë xhep pantallonash. Si të mos mjaftonin bakteret që mbajnë brenda tyre, kartmonedhat e Lekut shqiptar janë krejtësisht të dëmtuara në vitin e 11-të të jetës së tyre. Një jetëgjatësi jo e vogël në Shqipërinë ku çdo formë këmbimi kryhet me para në dorë. E nëse shtojmë këtu edhe kulturën pothuajse zero të shqiptarëve për kujdesin ndaj parasë, mbajtjen në xhep e jo në portofol, fshehjen në ndonjë cep të shtëpisë në vend të depozitimit në banka, zëvendësimi i tyre me prerje të reja, duket të jetë zgjidhja më e mirë. Por kjo ka koston e saj. Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka deklaruar se në fillim të vitit 2008-ë, do të heqë nga qarkullimi, monedhën e letrës 100-lekëshe, që është prerje e vitit 1996-ë dhe do ta zëvendësojë atë me një monedhë tjetër 100 lekëshe, por kësaj here metalike. Por, nuk do të kenë të njëjtin fat kartmonedhat e tjera, siç janë ata 500 lekëshi i vitit 1991 apo 200 lekëshi i vitit 1992 që tashmë i kanë mbushur 15 vjet, që nga dita që janë hedhur për herë të parë në qarkullim.
Nderhyrjet e bankes
Aktualisht llogaritet të jenë në qarkullim rreth 1.3 miliardë kartmonedha 100 lekëshe letre, të cilat janë emetuar në vitin 1996-ë. Sipas një llogarie të thjeshtë mesatarisht i bie që çdo shqiptar të ketë 300 kartmonedha të tilla. Këshilli mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që këto monedha të hiqen përfundimisht nga qarkullimi dhe do të vazhdojnë të jenë në treg deri në fund të dhjetorit të 2007-ës, ndërsa në fillim të 2008-ës ata do të zëvendësohen nga prerjet metalike 100 lekëshe. Kjo ka ardhur për arsye se ata janë konsumuar së tepërmi dhe bankat e nivelit të dytë dorëzojnë herë pas here në bankën e Shqipërisë, shuma të mëdha me këtë prerje, që janë mjaft të vjetëruara dhe i kërkojnë asaj që t’ua zëvendësojë monedhat e vjetra me të reja. Në këtë situatë është marrë vendimi për heqjen e tyre përfundimisht nga qarkullimi. Por nëse aktualisht, kur jemi në fillim të vitit 2007-ë, këto monedha kanë kaq shumë bakterie, merret me mend se sa do të rritet niveli i ndotjes së tyre deri në fund të vitit kur ata do të vazhdojnë të qarkullojnë nga njëri vend në tjetrin. Por nuk është kjo e vetmja kartmonedhë e vjetëruar që qarkullojnë shqiptarët. Në të njëjtën gjendje, ndodhet edhe prerja 500 lekëshe e vitit 1991 dhe ajo e vitit 1992, e cila tashmë janë vjetëruar së tepërmi. Të njëjtin fat ka pësuar edhe 200 lekëshi i letrës, edhe ky një emetim i vitit 1992, i cili duket fare qartë se i ka kaluar të gjitha afatet e përdorimit.
Prerjet
Aktualisht janë në qarkullim kartmonedha të emetuara në vitin 1991-1996. Sigurisht që gjatë viteve të mëpasshme ka pasur edhe prerje të reja, të këtyre emetimeve. Kartmonedha që vazhdon të jetë më e reja, është ajo 5000 lekëshe, e cila është emetuar në vitin 1996, por ka prerje të vitit 2001. Me sa duket në gjendjen e mirë të tij nuk kanë ndikuar vetëm viti i prodhimit, por edhe fakti se pak njerëzve iu bie në mbajnë në xhepat e tyre një 5000 lekësh, ndryshe nga 100 lekëshi. Ndërkohë, aktualisht qarkullojnë në treg tre kartmonedha 500 lekëshe, dy prej të cilave janë tepër të vjetra dhe të dëmtuara nga përdorimi.


1 Mars 2007 @ 12:27 pm
Behet fjale per te ashtuquajturin “Norovirus” qe eshte bere nje nder viruset me “prominent” muajt e fundit duke ju bazuar je studimi te Institutit “Robert-Koch” ne Berlin…dicka e ngjashme do ju kete rene ne vesh edhe atyre te GSH dhe ju paska ardhur ideja te analizojne “higjenen e parave”….viktima na qenka 100 lekeshi..
1 Mars 2007 @ 12:40 pm
Ehh sa mire kur i mbante sudja, vebiu &Co…
1 Mars 2007 @ 12:44 pm
te digjet ne turren e shkrepseve..
1 Mars 2007 @ 12:46 pm
Ca do me thene prominent?
1 Mars 2007 @ 12:56 pm
prominent ?
http://rawstory.com/email_story.php?sid=2143
1 Mars 2007 @ 1:02 pm
Sipas analizave te bera ne Itali 70% e kartmonedhave jane me Kokaine po ashtu edhe ne Angli, nuk e di kush eshte me mire stafilokoku aureus apo Kokaina…
Pershendetje www.qeveria.eu
1 Mars 2007 @ 1:03 pm
e.T hehe ku e gjete..
Prominent~ i/e rendesishme, i/e nje shkalle me te larte, serioz etj..
1 Mars 2007 @ 1:07 pm
ne popull, cheney, ne popull
1 Mars 2007 @ 1:53 pm
jam tejet e prekur qe Keshilli Mbikqyres i Bankes se Shqiperise ka marre permasa te tilla ne menyre qe te na evitoje te biejme viktima te viruseve te ndryshem qe kapardisen pa i bere terr syri ne kartmonedhat e shqiptareve.
do te theksoja ketu dicka qe u tha me siper po pa patur rendesine qe meriton.
pra nje nga fajtoret per mungesen e pastertise se kartmonedhave jemi pikerisht ne, dmth ne te pabeset qe s’kemi besim te bankat tona - epo pik e zeze hec e kuptoje kte milet- dhe ne vend qe ti depozitojme ne banke i mcefim ne ndonje cep te shtepise duke injoruar keshtu se pa dashje shtojme popullaten e baktereve -dhe pse me shpeton ketu arsyeja sipas te ciles ne banke leket mbahen me paster. bejne ndonje operacjon sterilizimi? booh !!!-.
une kam dhe nje ide si bicim propozimi. te hiqen fare leket nga qarkullimi dhe njerezit te paguhen me fasule -te paziera vec- me copa mishi o me qymyr, ne kete menyre evitojme komplet rrezikun dhe semundjet qe i kanosen Shqiperise. keshtu i gjejme zgjidhjen problemit me te rendesishem e nga me te rrezikshimt qe rralle kane hasur shqiptaret:
mungesen e higjenes te kartmonedhat.
1 Mars 2007 @ 1:58 pm
…epo tani, kot nuk thone: Paraja prishi boten..
1 Mars 2007 @ 2:00 pm
te hiqen fare leket nga qarkullimi dhe njerezit te paguhen me fasule -
———————–
pse jo me bathe ?
1 Mars 2007 @ 2:03 pm
I kane vjedhur te drejtat e autorit mbi “fasulet” Idrisit eeee
1 Mars 2007 @ 2:12 pm
Mos rekomandoni faqe qe gjenerojne viruse pa i marre vesh perdorusi.
1 Mars 2007 @ 2:12 pm
Llukan,quhej Edukata Morale dhe… jo Qytetare (dhe behej si ne klase te trete si ne te katerten), ndersa tani pritet qe te hyje si lende studimi ne universitet e reja ;)(dicka te re duhet te mesojne dhe atje :P)
1 Mars 2007 @ 2:18 pm
Ky eshte tipik i mediave qe bejne qimen tra, ose thjesht kane ngelur pa mbushur faqet e gazetave.
Une e di qe leku te bene semure nga mendja, jo nga mikrobet!!
1 Mars 2007 @ 2:53 pm
e tmershme tani duhet ti kapim leket me doreza!!!!!!!!!!
1 Mars 2007 @ 2:54 pm
edrus, ke shume te drejte. na benin edukate morale. na mesonin se si ne amerike njerziut flinin poshte urave, dhe gjitashtu ushtrime ne kalimin e rruges tek vijat e bardha (kryqezimi i 21shit) - rregulla rruge/autobuzesh qe i kthyem perseprapthi dhe i zbatuam 100% ne sensin e kundert.
Sa per papastertine e lekeve nuk mund besoj se do jene me te rrezikshem se dollaret psh, qe bredhin boten mbare. Gjene me mire myk dyshekesh shqiptar sesa gjak nga hunda e atyre qe perdorin $ per te thithur kokaine.
1 Mars 2007 @ 4:05 pm
hahaha hey ky shkrim duket keq per Gazeten Shqiptare. Dhe une e lexova dhe mendova keta nuk kane me se ti mbushin faqet.
Kudo ka bakterie, mikrobe, ne zyre, ne tastieren e kompjuterit per ata qe punojn me sende te tilla cdo dite….dhe une shtroj kete pyetje…
ka patur ndonje rast ku eshte semurur ndonjeri se ka prekur lekat dhe nuk ka lare duart?????????? Une mendoj qe jo, po cudira ndodhin ne kete bote. Plus, ka dhe nje ane tjeter kur trupi mesohet me bakteriet dhe di si ti luftoje ate kur semuret vertet njeriu. Une shume gjera nga mjekesia nuk di po kjo ben llogjike. Po arrite qofte eshte shume afer te sterilizosh ambientin, dhe ne kete menyre te mos prekesh bakterie atere trupi do mesohet ne ate ambient dhe sdo dije te luftoje kur te semuresh ne vend tjeter. Tani cili qenka ky mjek qe na keshillon te lajm duart?
1 Mars 2007 @ 6:05 pm
po normale, si keni pare ata qe shfletojne parate, e futin njehere gishtin ne goje, duke e njomur mire me peshtymen e tyre … pastaj ti i merr parate dhe ndonjehere i shfleton dhe ti po ashtu…
dhe mikrobet kenaqen…
1 Mars 2007 @ 7:18 pm
Hej, c’i ndodhi sapunit dhe ujit? Pastaj tani duhet te kete dhe nga keto “hand sanitizers” vret 99.99% te bakterieve, hehehe.
1 Mars 2007 @ 10:55 pm
po keta e kane marre me gjithe pike e presje nga studimet amerikane per te njejten pune. me sa duket dikush dika te lexoka anglisht ne shqiperi.
per Lltako: qe sot e tutje mos prano me 10000 nga Gazeta Shqiptare.
per e.T. nese fasulet do te perdoreshin per para, si do t’ia bejme per luftimin e inflacionit? kalamajte e shkolles te paren ne biologji si te mbjellin fasule mesojne.
gjithsesi jemi shqiptare o njerez e pa nje doze mikrobesh ne stomak na humb identiteti kombetar.
1 Mars 2007 @ 11:23 pm
Gazetat ne shqiperi i lexojne ,por e keqja eshte se fjalet,shkronjat i mer era , dhe as kush nuk degjon ,Te gjithe ,shkruajne verejtje, te gjithe,lexojne ,te gjithe rrine indiferent,ka shume vite qe keto fenomene, si shume vertiten, per rreth,si hena rreth vetes, dhe pastaj rreth tokes ,dhe shqiperia ngelenje vend
“prane detit,
i palare…,
prane drites .,
i pa nxene ..”
deri kur keshtu ???
3 Shtator 2007 @ 7:26 pm
http://www.hermesnews.org/rubriche/1028—.asp
10 Tetor 2007 @ 8:06 pm
Nga ato qe kam pare ne Shqiperi, higjiena le shume per te deshiruar kur vjen puna tek larja e duarve.Kur veja ne banjo resorantesh vija re shume femra qe mbaronin pune e nuk lanin as duart. Nuk me duket fare i egzagjeruar interesimi mjekeve dhe sensibilizimi qe kerkojne te bejne ne popullate. Madje me duket shume pak, ne Shqiperi duhen vene tabela te medha fare ku t’u thuhet njerezve te lajne duart, ne cdo banje ne shkolla, restorante apo publike (nese ka) duhet vene mbi lavaman nje leter qe thote “lani duart qe te parandaloni semundjet”. Une vete jam semurur disa here me salmoneloze pasi kam ngrene hamburger ne tirane, ne vitet 90 (dorashkat as qe perdoreshin atehere ne perpunim ushqimi).
Me falni, po rralle pashe ne rruge njerez qe nuk fusnin gishtin ne hunde, e pastaj takonin shoket me ate dore. Edukate morale dhe politike kane bere dhe ata njerez ne shkolle, po ja qe nuk mjaftoka vetem aq.
Per t’i shtuar pastaj mungesen e ujit shumicen e dites, kuptohet vete se si eshte higjena.
Perfundimisht :ka shume pune per te bere ne Shqiperi ne kete drejtim, qofte ne zonat urbane, qofte ne ato rurale, ndaj ky artikull jo vetem qe nuk me ofendon por e pergezoj botimin e tij.