Login



Register

Kohët moderne

Nga “Tranzicioni”
17/05/2008

Ne e kuptojmë sa shumë nevojë kemi për ajrin atëherë kur na sëmur tymi dhe pluhuri. Kërkojmë të kemi një det të pastër atëherë kur ndonjë anije-çisternë hedh si pa dashje tonelata naftë që rrafshojnë çdo specie nën det e na e sjell befas naftën në breg. Kuptojmë sa rëndësi ka shëndeti, jo atëherë kur në çoka dasmash e ditëlindjesh urojmë shëndet të mbarë, po kur doktori na jep një lajm të keq… Po atëherë kuptojmë se kemi edhe një trup.

Kuptojmë sa shumë dashuri na kanë dhënë disa njerëz, atëherë kur ata nuk janë më mes nesh.

Zhdukemi për orë e ditë të tëra në aktualitetin e jetës me punë, me njerëz, me marrëveshje, inate, statistika, hatërmbetje, projekte, euro, dollarë, qëllime.

Fundosemi në këto ditë që nuk kanë as ngjyrë as edhe ndonjë ndryshim nga njëra tjetra dhe pasi lodhemi pyesim veten se çfarë rëndësie kanë…

Gjyshja ime nuk e njihte fare këtë jetën e sotme të mbushur me takime pune, me njerëz, me PR, e me kafe të gëlltitura nën presionin e stresin e psikologjisë së komunikimit verbal e jo verbal, përballë një të huaji që diç kërkon prej teje, e prej të cilit ti diç pret…

Gjyshja ime, e cila refuzoi të shkonte në luftë, sepse sapo ishte bërë nënë në 1943 e një vajze që do të rritej e mplakej më pas si pianiste, e pinte kafen në orën 16.00 të çdo pasditeje.

Ulej në cepin e saj të preferuar, te dritarja e aneksit të kuzhinës dhe shikonte me vëmendje këdo që kalonte poshtë asaj dritareje. Sikur donte të vidhte pak prej tyre, njëcikë nga bukuria e të qënit jashtë, e të ecurit jashtë në ajrin e pastër buzë liqenit, si edhe e të shkuarit diku.

Në ato kohë, kur unë e shikoja çdo pasdite me filxhanin e kafesë në dritare, nuk mund të dilte aq kollaj nga shtëpia. “Më janë bllokuar këmbët”, i ankohej kujtdo që vizitonte shtëpinë tonë.

Nuk dinte fare ta lexonte filxhanin…

Përballë nuk preferonte të kishte njerëz “hallexhinj” kur pinte ate kafe. Donte te kishte sa më shumë miq me të cilët të fliste për fëmijët, nipërit, mbesat, vitet e shkuara e për qytetin ashtu siç e mbante mend ajo.

Fliste për sakrificat që i kishte bërë me aq pasion: shkonte në Ersekë sa herë që njëra prej vajzave kishte nevojë, rrinte atje me muaj të tërë, pastaj i hipte makinës për të shkuar në Tiranë, nëse vajza tjetër i qahej se s’po ia dilte dot me punën e me shtëpinë, e me fëmijët, apo nese i biri, daja im, kishte envoje per te. Lumturohej, nëse i jepej ndonjë mundësi të rriste nipërit e mbesat, i njihte ata më mirë se fëmijët e vet, gëzohej më shumë se ta, kur ata/ato gëzoheshin e mërzitej shumë më tepër kur ata/ato mërziteshin.

Një zot e di se si ka mundësi që pasi kishte rritur me aq shumë vështirësi katër fëmijë, dëshironte të rriste ndoshta edhe me më shumë mundime fëmijët e tyre, nipërit e mbesat e saj.

Pjesë e këtij brezi të tretë, isha edhe unë. Ime më, më duket mua, ishte fëmija me më pak fat, ne krahasim me motrat e vëllezërit e saj. Për këtë arsye, edhe unë, me duket mua, isha më i dashuri i gjyshes sime…

Ajo bënte edhe humor, sidomos kur kujtonte se ndonjëherë, në kohën e komunizmit, gjyshi ftonte për drekë ndonjë të partisë dhe ajo, pa menduar fare, skllav i lumtur i traditës, e mblidhte kutullaç dorën e djathtë, e vendoste së pari në ballë, pastaj në krahun e djathtë e në të majtin e pastaj mbi stomak, dhe pasi formonte këtë kryq virtual shqiptonte mu në sytë e të ftuarit zyrtar të komunizmit, bekimin: “Na fal o Jezu Krisht”…

Harronte se atëherë ne duhet te ishim atehere ateistë…

Im gjysh ishte komunist!

Kishte besuar te fuqia pozitive e shokëve të vet gjatë luftës. Besonte me të vërtetë se bota mund të bëhej ideale brenda atyre metra katrorë komunistë të Shqipërisë. Kështu besoi deri… nuk e di se deri kur…

Por me siguri nuk besonte kështu në ato momentet e fundit kur unë e mbaj mend të gjallë.

Më kujtohet një ngjarje e çuditshme, kur isha 10 vjeç. Ai jetonte ditët e fundit të jetës… Televizioni transmetonte intervistat e njerëzve që pak më vonë do të merrnin pushtetin. Im gjysh, rreth 75 vjeç, që e dinte shumë mirë se po ikte nga kjo botë, ngrihej në shtrat sapo fillonte edicioni i shumëpritur i lajmeve dhe ndiqte me një vëmendje djaloshare çdo gjë që thuhej atje. Emocionohej më shumë se prindërit e mi për erën e ndryshimeve që po frynte (vonë, por më në fund…!)

Pse?

Asnjëherë nuk e kuptova se çfarë ishte ajo që e bënte të kapërcente vuajtjet dhe dhimbjet e trupit, për t’u fokusuar te diçka që sidoqë të zhvillohej, ai nuk do të mund ta jetonte…

Ime gjyshe jetoi më gjatë.

Në fotografinë e fundit ku unë pa e menduar fare se sa e rëndësishme do të ishte, e kisha fiksuar, ajo më duket e trishtuar, atje te këndi i aneksit, me perden e hapur të dritares që veç pamjes së rrugës së zakonshme i ofronte në ato vitet e fundit të saj, siluetat e ca njerëzve që nxitonin të shkonin me shpejtësi diku, pa kthyer kokën asgjëkundi…

Te ajo fotografi, ka mbështetur dorën e djathtë te koka dhe shikon nga aparati fotografik pa asnjë dëshirë, pothuajse e dorëzuar dhe e heshtur me 80 vjetët që i ka jetuar ndryshe, që dikur e bënin të fluturonte sa te shtëpia e një prej fëmijëve, sa te tjetra. Sa në punë, e sa në shtëpi sërish. Të njëjtat vite, që kur u bënë aq shumë, mezi i mbante. Vitet që ia bllokuan këmbët…

Te 85-ta keto vite ajo i ka mbushur vetëm me dashuri dhe i ka mbushur vetëm përmes dashurisë. Ka lindur 4 fëmijë. I rriti duke përdorur për secilin rroba e tesha të përgatitura nga vetë duart e saj, për të veshur fillimisht më të madhen, pastaj me të njëjtat rroba për të dyten, për më të voglin, e në fund fare duke përdorur në mos të gjitha, disa prej atyre teshave të qëndisura edhe me gishtat e saj qe kishin mbijetuar, edhe për më të voglën, e cila gjithmonë ankohej, derisa u martua, për faktin se ishte e dënuar të vishej njësoj si vëllezërit dhe motrat.

Ime gjyshe nuk jeton më.

Unë preferoj të mendoj se ajo me siguri është pranë gjyshit tani. Atje ku nuk ka më kufizime ideologjike. Atje ku nuk u duhet të zbardhin ditët duke enjtur sytë me shqetësime: si do ia bëjmë të kalojmë këtë muaj? Ku do i gjejmë lekët për shkollën e vajzës? Cdo ndodhë me djalin… Po me vajzën e vogël?

Unë jam njëri prej 10 fëmijëve të brezit të tretë: me gjyshen dhe me gjyshin na bashkojnë kujtimet. Ditët kur ishim të gjithë të vegjël dhe që kalonim mbi 10 orë në plazh, ktheheshim me të bërtiturat e prindërve dhe me tentativat për të fshehur zullumet që kishim bërë…. Të cilat i fshihnim ose vetëm pas trupit të shëndetshëm dhe energjik të gjyshes, ose pas syve babaxhanë mirekuptues plot dashur të gjyshit, që na kuptonte pa folur fare.

M’u kujtua edhe një moment shumë i rëndësishëm për mua, një moment i kaluar më gjyshin, atëherë kur ai ndoshta as e ka kuptuar se sa rëndësi do të kishte për mua ai moment: po rendja me të katërta në shëtitorën buzë liqenit sapo pashë siluetën e gjyshit tim nga larg, ku dukej qarte bastuni që ai e hidhte ngadalë ngadalë.

Ai po drejtohej për nga turizmi i qytetit për të pirë një gotë (nuk e di se çfarë pihej atëherë), ndërsa me mua ishin edhe dy kushërirat e mia. E rrethuam për pak sekonda dhe ai… nuk di si ta përshkruaj po ai ishte gati të hidhte atë bastun fisnik e të fluturonte, aq shumë u gëzua kur na pa. I morëm të gjitha qindarkat që gjyshja ime i kishte dhënë për pijen e tij në turizëm. Me to blemë akullore 10 lekëshe. Kur u kthyem në shtëpi, gjyshi ishte kthyer i pari, ndërkohë… Por pa lek ne xhep, lekë që na i kishte dhënë neve të vegjëlve. Ashtu e kishte konsumuar ai, pa u futur fare në turizëm, kënaqësinë e asaj pasditeje…

Nga ne të dhjetë që ato vite gëzoheshim me akulloret që i blinim me lekët e gjyshit, katër janë bërë prindër. Disa prej këtyre fëmijëve të lindur e rritur jashtë Shqipërisë, unë ende nuk i njoh!

Kusherinjtë e tjerë janë larguar gjithashtu nga Shqipëria, dikush për punë, dikush për shkollë. Prindërit tanë ende vazhdojnë të gjejnë njëri tjetrin, atëherë kur njëri nuk është panikosur nga stresi i punës, apo atëherë kur tjetri nuk është dorëzuar nga malli për fëmijën e vet. Të katërt, pra ime më, daja im dhe dy tezet e mia, janë përshtatur apo tentojnë të përshtaten me kushtet e njëri tjetrit, në një epokë qe ime gjyshe e shikonte nga dritarja, ndërsa im gjysh e ëndërronte nga krevati i vdekjes…

Gjyshi u varros në qytetin e vogël në juglindje të vendit, atje ku rregjimi të cilin e deshi shumë në fillim e detyroi të punonte. Gjyshen e sollëm në Tiranë, ku jetoi 5 vjetët e fundit, e palumtur… E palumtur më është dukur mua, dhe ndoshta padrejtësisht e lidh këtë palumturi të saj me pamundësinë time për ta bërë atë të ndihej pjesë e fateve të mia. Ajo s’më ndihmonte dot me këmbët dhe trurin e saj të bllokuar… Dhe përnjëherë edhe unë e harrova…

Sot, nuk është më. Eshtë varrosur në Tiranë, larg qytetit ku është varrosur im gjysh. Nëse do duhet t’i bashkojmë, mbi bazën e atyre traditave që dhe ata i respektuan sa ishin gjallë, do na duhet të zgjedhim një vend që nuk është as si këtu, as si atje. Një vend që askush prej nesh të shpërndarë nëpër botë nuk mund ta gjejë dot…

Ndërkohë, matrapazët qëndrojnë në pritje: cilin vend varri do shesim në mënyrë që ai të përdoret nga një tjetër shqiptar që kërkon një vend truall…?

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

13 Komente

  1. Perparim Hysi thotë:

    18 May 2008 @ 1:59 am

    Cilido qofsh,more z.Tarnzicion,te pershendes se ke goditur ne shenje duke bere anatomine e kesaj”kohe moderne”(qe vec noderne nuk eshte!)ku ne kemi humbur dhe jemi shperndare si zogjte e korbit.

  2. Roni thotë:

    18 May 2008 @ 5:49 am

    Sa me fat jemi ne shqipetaret qe jemi rritur me gjysh dhe gjyshe.

  3. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 May 2008 @ 1:11 pm

    Tranzicion je nje person i mrekullueshem.Po ta shtrydhesh ket shkrim rrjedh dashuri ,mirenjohje dinjitioze e jo qurrashe e plot lot e psheretima.Je shume i ekuilibruar edhe kur pranonse gjyshi yt ishte komunist.Por e do njelloj.Ndoshta si pak shqiptare qe ndajne personin nga ideologjia ,nga problemi.Me dukesh mbese e denje e gjyshes.Mendoj se eshte bukur e shume e rendesishme si gjithnje te jesh rritur me dashuri.Me kenaqe vertet.

  4. klajdevour thotë:

    18 May 2008 @ 5:04 pm

    Zana, jam nip i gjyshes :)

    Thashe te hiqja kete here vemendjen nga klajdevour…

  5. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 May 2008 @ 8:31 pm

    Jam dy here e kenaqur qe shkruesi qenke ti.Anuk jam koherente ne gjykimet e mia?? :) Siç e di nuk jam fort bujare ne komplimenta.Por ketu ishe shume i vertete e nuk eshte e para here qe flet keshtu per gjyshen.Ah,nuk r dija qe edhe ti qenke paksa kolonjar!! :)

  6. Moza thotë:

    18 May 2008 @ 8:40 pm

    I knew it !
    E madhe jam, e dallova qe ishte Kristi.
    Thashe ta them i here, por pata frike se po me shajne : Ik mi paranojake.
    Por paskam pas te drejte !
    No further comments !

  7. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 May 2008 @ 8:45 pm

    Ne fakt edhe une e mendova ,por Kristi ka shkruar nje tregim ku gjyshja ishte ende ne jete e nuk ma mori mendja qe nderkaq nuk ishte me.I embel Moze vertet!!

  8. Syribukur Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 May 2008 @ 10:52 pm

    Zane,
    i embel shkrimi apo Kristi? ;) :)

    Ti do thuash te dy bashke ;)

    Gjume te embel!

  9. klajdevour thotë:

    18 May 2008 @ 11:31 pm

    :) Nuk jam kolonjar Zana, nje tezja ime eshte martuar ne Erseke dhe une kur kam qene i vogel duke ndjek gjyshen pas, kam kaluar aq shume kohe ne Erseke dhe ne disa raste dhe ne Barmash, nje fshat pak larg Ersekes por qe une e mbaj mend vetem te gjelberuar, me koshere bletesh dhe me toka te punuara :) Kam kaq shume respekt per te gjithe ata njerez te asaj zone (punetore e te mencur, e llafepak :) e ke vene re qe skane nxjerre asnjehere njerez publike ata??? Shume pak se kane preferuar te merren me punen e tyre

    Po, e kam permenduar njehere gjyshen dhe te dicka qe kam sjelle me pare te peshku: atehere ishte ende gjalle :(
    Jam dakort Roni, sa me fat vertet qe jemi rritur me gjysh e me gjyshe. Nje nga keta niperat e brezit te katert qe ska ardh akoma ne Shqiperi, ne familjen tone, ngaqe ndjen te e ema kete dashurine e forte per gjysherit, nuk e konsideron fare gjyshe gjyshen e saj, po kur mendon per gjyshen shprehet “the real grandma…” dhe ka parasysh ate gjyshen qe s’mundi ta shikoje ndonjehere por per te cilen thjesht ka degjuar.

    Keto familjet tona te rritura me vuajtje dhe me aq shume dashuri… (ska rendesi nese ne shperfytyrohemi… ska me ilac ndaj kesaj :) )

  10. Sky thotë:

    19 May 2008 @ 8:51 am

    Kolonja elegante eshte vendi i Fan Nolit, Petro Ninit. Ne Erseke koshat e mbeturinave jane te ndare sipas materialeve si ne vendet perendimore. LOVELY CLEAN Erseka

  11. WASU Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 May 2008 @ 2:00 pm

    Klajd,

    Shume komplimente per shkrimin. Megjithese mund te jete nje pjese nga jeta jote, kam pershtypjen se cdo lexues gjen aty nje pershkrim te jetes e femijerise se vet. Ke te drejte, s’ka ilac :) !

  12. gre_wireless Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 May 2008 @ 4:40 pm

    Kënga e gjyshes

    Tregon gjyshja një herë,
    na ishte seç na ishte,
    na ish një herë një djalë,
    si veten shokët kishte.

    Dhe unë duke dëgjuar,
    shikoj me sytë e mi,
    një trim duke luftuar,
    për fatet e lirise.

    Refreni:

    I ëmbël zëri i gjyshes,
    kur ngjarjen më tregon,
    e lehtë dorë e saj,
    mbi krye më ledhaton.

    I ëmbël zëri i gjyshes,
    kur ngjarjen ma tregon,
    e lehtë dorë e saj,
    mbi krye më ledhaton.

  13. klajdevour thotë:

    21 May 2008 @ 11:16 pm

    ti gre apo zi ne te bardhe wireless edhe gjyshen do shisje per politike vallai!!!!!

    …………

    Mjere gjyshja :)

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.