Identifikohu



Regjistrohu

Ketra për Mozën

Kushtuar B

Ketra për Mozën

keter.jpgMirë Moza, po të sjell ca ketra
Në vend të trëndafilëve,
Se lulet më dokëndisin,
Më sjellin kujtime stallash,
Mërzi foragjere
E pikëllime gomerësh ballkanikë
Që i përtypnin ngadalë
Me dhëmballë të palara.

Por ketrat,
Ketrat s’më rëndojnë në peshoret
E shbalancuara të ndërgjegjes,
Ku një shitës fshati bën dallavere
Dhe më vjedh kujtime.
Se ketrat
I zhdukëm nga zoologjia
Më parë se dinosaurët,
Ketrat apolitikë nuk kishin vend
Në labirinthin evolucion të darvinizmit të partishëm,
Ku mbretëronin
Kazilët sulmonjës të brazdave socialiste,
Lopët mashtruese me karakterin si lëkurët
E tyre lara-lara,
Që bënin sikur s’shihnin kur mjelësja e dalluar
Hidhte ujin diskreto-folklorik
(Të keqen, o dhallë…)
Në bidonin besnik,
Aleatin e heshtur të tabelës së emulacionit,
Komplotuesit të regjur
Të fletës së lavdërimit.

Mbretëronin macet nevrike,
Rrugaçet e përdala të koshave të komunales,
Që nga njerëzit kishin frikë
Dhe kazanët e plehrave braktisnin
Tek dëgjonin hapa që afronin.
Macet çifute,
Që tmerroheshin nga hapat tanë SS,
Më çjerrin shpirtin,
Mi lëndojnë ende shkurtet
Me epshin e përgjakur majë avllive,
Ku dacët me kokë të zmadhuara
Ziheshin për laviret e zhdërvjellta
Që bënin sikur s’donin…
Tigrat e netëve qerpiçëse të ftohta alidemse,
Me epsh sulfuror
Që shponte rrezikshëm
Errësirën evgjite,
Macet rrugaçe,
Të patretshme si diftongu “nd”,
Nuk bënin romancë,
Por
“Ndiqeshin”,
Ndukeshin ndyrazi,
Ndërronin ndjekësit,
Ndërzeheshin ndezur,
Nderur në hatulla – skena krimesh të vogla,
Me thonjtë – spiranca
Të fëminisë rrugaçe.

Unë s’besoja
Në macet qeshire,
Me atë qeshjen post-mortem,
Ato të mijat nuk qeshnin,
S’besoja as që humbnin rrugën,
Sado Mik Xheger kërkonte
Të na bindte ndryshe…
Ishin Tomi e Xherri ata
Që humbnin rrugën
Duke shkuar te Theatri politik i Kukullave,
Me brumbuj me ngjyra
Demaskuar nga bletët punëtore,
Me duon e kryqëzuar
Ujk-dhelpër alegorike,
Pra imperializmi dhe social-imperializmi,
Ardhur nga gërxhet gërxho të faqes 4,
Apo nga parrullat tuberkulare
Mbi kazerma -
Pisllëku i vërtetë i fëminisë
Nën thonjtë tanë
Solidarë me kthetrat.

Po Moza,
Ketrat janë ide e mirë,
Se ketrat janë oportuniteti ynë i humbur,
Ketrat s’ishin mjaftueshëm militantë,
Prandaj ishin të rrezikshëm,
Ishin borgjezë,
Ura lidhëse kur urat shembeshin,
Mes egërsisë dhe shtëpiakes,
Ngecur diku në segmentin “from nobel savage to savage nobel” të Fukoit,
Zona gri
Që nuk pranohej
Në bardh’ e zinë partizane
Dy dimensionalëshe.
Ketrat më sfidonin
Me indiferencë,
Me mosfrikë,
Mosçjerrje,
Me mos-shkurtet epshore.
I desha të zinj e të imët në Bronks,
Të përhimët e të bëshëm në Boston,
Të kafenjtë në oborrin tim të pasmë,
Plotësim i vonë i fëminisë sime
Macore,
Të paketër…

Po Moza,
Ketrat më bëjnë të ndihem ca xhentëllmen,
Ashtu si golfi harbutin.
Prano, pra, ca ketra nga unë,
Se ndoshta dhe ty
Do të vijnë si plotësim i vonuar
Fëminie,
Moza!

YENTL

Krimi u krye, gërsheti u pre.
Një Jentëll hipotezë,
Një supozim i bukur,
Sapo mori pamje çuni,
Se avantazhe çunash
Kërkonte.

Gërsheti thurur si ëndërr,
Do varet nëpër ëndërra,
Si litari në shtëpinë e të varurit.

Paç fat Jentëll,
Kokën pas mos kthe,
Mos dëgjo
Gërnjisjen e gërshetit dhe gërshërës,
Se ka shpirt aty
Më tepër se fije floku,
Sepse gërsheti, Jentëll,
Nuk është bisht rrëshqanori,
Është si buka,
Si mish Zotash,
Kur thyhet, nuk ngjitet;
Të dhemb vendi i prerë,
Si besë e prerë,
Si himen i porsashqyer,
Si gjini e tradhëtuar….
Sa lehtë ishe çun si fëmijë,
Kur baltën e të njëjtëve pellgje
Sillnit gjer te qukat
Me specien tjetër
Kërcixhungë,
Gjymtyrështrembër!
Por më vonë,
Kur gjaku s’qenkësh vetëm plagë
Dhe mami shpjegonte
“Ca gjëra që s’ti kish thënë më parë”,
Kur rritja dhe centimentrat
Nuk qenë vetëm vertikalisht,
Pra më vonë
Edhe pellgjet, edhe balta u ndanë,
Si oqeanet
Nga Uji fillestar.

Fat të urova,
Sepse Jentëll, ti po hyje në ferr të ri,
Në fjetore çunash me sy testoreshentë,
Që gulçonin netëve duke fantazuar
Specien tënde me kofshë të bardha,
Dhe çunat janë brutalë,
Çunat e kanë turp romantikën
Mes vedi,
Species tënde
I thonë “asaj” dhe “njona”,
Nuk ka “yll” dhe “shpirt” mes çunash,
Se ashtu ësht’ puna,
Ashtu ësht’ muhabeti.
Diskrecion?
Jo, jo,
Është thjesht pasojë evolucioni,
Seleksion çunor,
Çunash që quhen Çarls,
Apo shkurt Çak,
Gjysma çakmaqesh,
Çamçakizash,
Pra thjesht nuk ka,
“Yll” e “shpirt”,
U zhdukën ato
Pa “çak” e pa bam.

Se çunat ti i kishe njohur si hënën,
Nga ana e shkëlqyer
Me dritë kavalereske,
Me shkretëtira mahnitëse pa rëndesa,
Me rërë të bardhë e qiell të zi,
Ku fluturimi ishte më i lehtë se ecja.
Mirësevjen në anën e errët,
Ku çunat ndonëse rruhen me brisqe të modës së fundit,
Vetë kanë ngecur diku
Mes copës së mermerit dhe Davidit
Kur Mikelanxhelo djersinte
Mbi embrione gishtash,
Mbi filizin e krahut
Mes plisash kuarcorë.
Çunat janë ende diku
Midis veglës së gurit dhe briskut gilette,
Çunat janë aty te zdrukthi,
Pa mbërritur te zmerili,
Prandaj duhen zdruguar çunat,
Apo jo, Jentëll?

Çunat kolektiv, natyrisht,
Ku zëri i të “fortit” dëgjohet
Si vegla e çakorduar në orkestër
Që 10 gjithë melodinë.

Sa kokë operove me sy,
Sa xhunga të padukshme,
Tek aprovoje gënjeshtrat e tyre të dashurive,
Tek shihje
Që ata as pjesën e dukshme të hënës femërore
S’e njihnin,
Pale atë të errtën,
Atë pusen,
Që do vdisnin mbase pa e shkelur kurrë.

Sepse çunat, Jentëll, tek ana e errët
Fshihen nga vetvetja,
Ashtu si thelbi i arrës nën lëvozhgë.
Kanë shumë frikë nga vetja, çunat,
Si Davidi parritur kish frikë nga errësira,
Kur dora e hobesë ende s’i kish mbirë.

Nuk di për ç’avantazhe çunash u ç-unëzove,
Por diçka nga fjetoret,
Nga duhanpirja fshehur,
Maskat e këqia të batanijeve hileqare,
Me vete do kesh marrë patjetër.

Një urtësi, që më shumë se hormonet
Të bën kandidate për grua,
Filtruar mes baltës së shakave të fëlliqura,
Bejteve para gjumit,
Garave me gazra,
Paliaçollëqeve që fshihen pas kromozomit Y,
Një urtësi që thotë
Se anët e errëta duhet të shohin shoshoqen,
Se hënat tona duhet të kthehen ndryshe,
Dhe gjumin ciklik ta prishin,
Se bota nuk është hemisferike,
As rrethi 180 gradë,
Se skajet duhet të bashkohen
Dhe të kundërtat duhet të ngjajnë.

Urtësi hëne kjo, e thellë shumë,
Si ujërat e qeta,
Sepse Jentëll, hëna eshtë bijë e një pasioni të madh të vjetër,
Kur toka aguridhe ra në dashuri
Me Thean lozonjare, që s’dihet ç’ish,
Soj komete a soj planeti,
Me gërshetë a pa gërshetë;
Bijë dashurie kozmike është Hëna
Që anën e errët t’ja shkelim na grish.

Një shenjë, do më bësh?
Të të njoh mes mjerimit tonë uniform,
Një shenjë hënore,
Baticë a zbaticë,
Sonatë gjeniu shurdh,
A ti e di ç’tjetër,
Pa shpjegime, thjesht një si sepse,
Një sepse të thjeshtë dua vetëm, se Jentëll…

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

11 Komente »

  1. da vinci thotë:

    19 Prill 2008 @ 7:15 pm

    Ndonese e di se po nxitohem, ndonese e ndjej dhe besoj ate qe ndjej, pra , se duhet ti lexoj edhe njehere, ndoshta dy here ( ku i dihet, ndoshta edhe me shume se kaq) e ndonese mbas mundimit te kenqashem me i lexu aq sa thashe , aq sa duhet, e aq sa ndjej mangesine e kapjes ne leximin e pare e te shpjet. Nuk me durohet pa thene: mania me shkrujt gjate ne poezi, asht shpeshhere me e demshme se e dobishme. Duke mos m’u shqit nga mendja ca fjale per te cilat mund te gjinden sinonime…. si psh plehera-pleh… dhe sidomos vargu “pislleku i vertete i feminise” stonon shume ne nje poezi. Feminise edhe jashteqitjen nuk ia quan dot kaq ashper “pisllek”, edhe jashteqitja e feminise nuk asht “pisllek i vertete”…. sido e cfaredo ke dashur te nenkuptosh vret shume ne nje poezi. Pislleqet behen te verteta kur e thyen qafen feminia… Duket si nje tulle e zeze e shtremet e vene diku pa lidhje ne nje mur me tulla te bardha. A dicka ma keq se keshtu.
    Ti emigrant je i rritur. ( jo ne kutpimin -moshe). Por ne kuptimin njeri dhe mendim. Kam qejf me te lexu. Madje sa shikoj qe ke postuar ti, me vjen me thane sa ende pa lexu. Oh paska shkru emigranti, shyqyr.

    Heren tjeter sigurisht nuk do ndihem nxituar.

  2. karmapolitick Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 Prill 2008 @ 10:43 pm

    Em, urime!:)

    PS: ….meqë titulli “Ketra për Mozën” dhe më sipër “kushtuar B”, ja çdo të thotë të vrasësh me një gur dy ketra ose dy kunadhe…siç edhe na instrukton autori popull në të mëposhtmet: Moj kunadhja gushëbardhë/ s’të qëllova për të vrarë/ të qëllova për të marrë… :)

  3. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Prill 2008 @ 3:16 pm

    @KP:

    Ekuilibrat e mi jonike vene bast cdo kohe
    Me fiziken, gjenetiken dhe veterinarine.
    Mendimet e mia fajtore i shoh
    Qe lahen vjedhurazi nen dushin tend
    dhe i shquaj lakuriq nga xhamat.
    Turbull.
    Mos i quaj fajtore mendimet e mia
    Se ti jeton kaq pak me mua
    Kurse, veten e jeton perhere.

    A e kupton te pakten
    qe nuk ka drejtesi fare, ne gjithe kete?

    Prandaj, dmth, si perfundim, si konluzion, si rekomandim:

    Mos ji kaq e ashper, o Ledda…” :D

    PS (”ajt” e pershatasim i cik Shakespeare-n, si vu ple):

    “Nuk mund te me thuash qe (sa me siper) e kam ber’ une, ndaj ata floke ish te verdhe mos i tund ashtu…” :P
    —-

    FLM, KP!

  4. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Prill 2008 @ 3:59 pm

    Em, lexova dhe rilexova vetëm të parën… si gjithnjë, vorbull që të pështjell dhe nuk të lë një minutë të vetme për ta mbledhur mëndjen… deri sa të dalësh në fundin e qetë.
    Marr guximin, rifutem dhe një herë…. arrij përsëri të dal nga vorbulla vetëm me kujtime :) .

    P.s: KP, për mendimin tim, Moza është Moza llastica dhe B s’ka se si të mos jetë tekanjozi Berdeci :P

  5. karmapolitick Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Prill 2008 @ 5:25 pm

    ah sa e bukur, emo, sikur të mblidheshim… po nja 12-13 veta, nga ata që jetojnë në shekullin e gabuar, e të shtinim me poezi… tip dueli, po më shumë… dikur bëhej në një librari, ndërsa tani shtijmë në internet poezi si helme biologjike (vër thonjza po u deshën, tek fjala që i pranon)…

  6. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 Prill 2008 @ 5:33 pm

    se mos eshte vetem shekulli Kabim, o KP… po kontinentin ku e le… :D
    kohe-hapesire kontinuumi/ vate e tha ai merhumi… :P

    until next, KP!

    PS Ato mbasditet poetike me caj e lexime poezishe (a la Pushkin e Jevtushenko - eh c’kan qen ata ruset per ca gjera) gezoj/shijoi dhe per mua, se mua me ka zene TV Bloombergu “jesir”…

    Ciao!!!

  7. Perparim Hysi thotë:

    20 Prill 2008 @ 5:48 pm

    Sado i semure,per force zakoni,u ngrita nga shtrati dhe hodha nje sy ketej,nga letersia.Dhe u befasova:hasa ne nje “guxim poetik”qe me ndolli me tutje.Kur them guxim,se vetem tek ti gjeta dicka origjinale dhe unike:lulet i ke zevendesuar ne ketra.Dhe eshe nje origjinalitet qe nuk humbet,po,permjet aluzionesh te qelluara(te lexueshme keto iluzione per seren tone!)shfleton ate qe do te thuash.Dhe eshte e cuditshme qe,sado qe flet gjate(perjashtim ne gjinine e poezise,ne teresi),nuk e humbet fillin.Perkundrazi,thuaj ate qe do te thuash dhe kjo tregon se,sado literal,je racional.S’flas,mandej,per figurat qe di te qendisesh per merak.Si,p.sh:”Gresheti thurur si enderr/rrinte varur ne enderra/si litari ne shtepinee te varurit/…dhe amudn te vazhdoj?…

  8. Peshku Fluturues thotë:

    21 Prill 2008 @ 1:53 am

    Emigrant
    Ate te ketrave e ke qare, e kam lexuar edhe me pare. Ate te dyten se mora vesh, mu duk me teper si “inside joke”.

  9. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    21 Prill 2008 @ 4:18 am

    PF, ke nje fare te drejte per te dyten. E ka nje “small insider history” ajo …

    sa per filmin yentl, besoj e ke pare… :)

  10. Peshku Fluturues thotë:

    21 Prill 2008 @ 4:33 am

    Jo se kam pare filmin Emigrant. Mesa duket ndaj jam fare out. Kurse ajo poezia per ketrat eshte e bukur mu si nje story e Walt Disney.
    Me kujton kur isha ne 97 ne Cikago dhe goca e madhe atehere 4 vjec merrte ne telefon mamane time dhe i thoshte: “Nena ketu eshte shume bukur. Une loz me pellumba dhe me ketra prej verteti”. Dhe plaka qe me fliste mua ne telefon:”C’eshte mer ajo goca qe lu me ketra. Hiqe mer se do ta haje ndonji keter! Ku dreqin qekan ato ketra?!”

  11. Vemendje thotë:

    24 Prill 2008 @ 6:48 pm

    Emigranti dhe Perparim Hysi me krijojne pershtypjen se lexojne ne lartesine e duhur njeri-tjetrin per shume arsye. Nje nga arsyet mendoj se disiplina eshte ndertuese e pergjegjeshme, deri ne kufijt e emancipimit tek te dy.
    Mos rrjedheshmeria per lexues te ndonji fjale, ndjenje, kontekst ne shkrimin e emigrantit nga karmapolitick, mendoj se eshte se; ndjeshmeria s’eshte e thene te kete disiplin shkrimtari qe te jesh i ndjeshem, se me sa kame lexuar nga karmapolitick; ka disipline, por jo shkrimtari, dhe kjo se ndalon te jete nje nga radaret me poetik qe dedekton ndjenjen. Ndersa per karmapolitick do thoja se duhet te kete me shume disipline shkrimtari, per emigrantin do thoja se ajo disipline eshte pjesa me e admirueshme ku marrin vlere pjes te ndjera. Me fjale te tjera emigranti ekspozon bukur ngjarjen. Nuk e di nese ngjarja ne poezi me intereson ne trajten qe sjell emigranti.
    Mendimi im me kritik per emigrantin eshte se pasi shkruan shume mire per pasurin e ngjarjes qe jeton, jo vetem realisht por edhe metaforikisht, nuk le vend per pasigurin ne te gjitha nivelet te zhvilloj gjuhen e saj. Mendoj se emigranti eshte nje personazh me artistik se shkrimet e tij. Kjo vetem se influenca e moralizimit pershkon si vizitor i privilegjuar te gjitha situatat e shkrimeve te tij. Spontani, eshte i preferuari im kur i ve perball te privilegjuarin moral.

    Konsiderata ime per emigrantin nuk eshte nje, dhe kjo eshte dyshimi qe lind. Jame ne fazen qe duhet te hulumtoj dyshimin tim, se i c’lloj eshte.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.