Këpucët që vesha së pari
(tregim i jetuar)
Sado që kanë kaluar mbi 6 dekada, unë i mbaj mend mirë këpucët që kam veshur së pari. Ka qenë pranverë e vitit 1948 dhe unë isha në klasën e parë. Fillimi i shkollës nuk ka të bëjë fare me këto këpucë. Se atëherë, kohë të vështira për gjithë popullin dhe sidomos për ne që banonim në fshat, as që bëhej fjalë për të veshur një palë këpucë jo vetem se filloje shkollën, por edhe sikur të niseshe për diku: ta zëmë mik në qytet.
Një fëmijë fshati i moshës sime mund të kishte fatin të vishte një palë opinga lëkure apo shumë-shumë një palë llastika. Do të thoni ju: po si mund të shkonit në shkollë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje me ndershmëri, duhet të them se shume nga ne e bënin shkollën, pothuajëse, zbathur ose kur kishte mundësi me opinga lëkure. Në mungesë të tyre, ime ëmë (ndjesë pastë, tanimë! ) më vishte ca papuçe leshi dhe poshtë tyre më vinte si”fortesë” ndonjë copë mushama e cila, sadopak, më mbronte këmbët. Por qe mundim i kotë: nga rruga e gjatë, “fortesat” griseshin për dy ditë dhe, mandej, e merrni vetë me mend se sa rezistonin dhe papuçet. Po dhe zbathur kam qenë, pse do ta mohoj. Dhe nuk qeshë vetëm unë, por plot bashkëshokë të mi. Sidoqoftë, rasti(a nuk është rasti mbreti i botës? ! ) e solli që dhe në atë kohë kur veshja e këpucëve qe një luks i vërtetë, unë munda që të vesh një palë këpucë. Do të thoni ju, pse po shkruaj sot për ato këpucë? Se këto lloj këpucësh që vesha unë atëherë, nuk i ka veshur dot askush. dhe jo vetëm kaq: mua më takon që emri të më shkruhet në librat”Gines” dhe, veç meje, dhe “ustai” që i “seliti”këto këpucë enkas për mua. Mos po hiperbolizoj dhe merrem me pandehma? JO. Aspak. Mirë pra, le të dalim në det të hapur dhe të flasim shkoqur. . .
* * *
Ka qenë pranverë e vitit 1948. Unë, një fëmijë mjaft trazovaç që dy gurë nuk lija bashkë, aq sa sherri po të qe fshehur diku, do veja dhe ta gjeja, kisha dalë nga shtëpia vetëm dhe po kërkoja ndonjë shok për të lozur apo për të bërë edhe ndonjë yner, se, siç thashë, më hanin duarët. Një gjë duhet ta fiksoni mirë në kokë: çdo prapësi që bëhej në fshatin tim të vogël, kish prapa, pa një e pa dy, edhe emrin tim. Dola dhe, sakaq, më doli përpara një vërsniku im me të cilin kishim dhe të bënim. Jo vetëm kaq, por qemë dhe”shokë armësh” për “bëma të mbara! “. Ç’ e pyet? Mendësi fëmijësh! Lozëm sa lozëm me të dhe, mandej, i propozova shokut që të futeshim tek gruri i një fshatarit tonë, për të kërkuar në brendësi ndonjë gjë. Hymë dhe me të vërtetë, në mes parcelës me grurë(gruri qe gati për kalli! )gjetëm një parcelë rreth 200 metro katrorë të mbjellë me qepë. Ramë në qepë të njoma. Hëngrëm ndonjë, po sa do hanim, kur dhe bukë nuk kishim me vete. Dhe unë, si ters i madh që qeshë, i them shokut: -A nuk ia shkulim qepët xha Demos? Se e xha Demos qe dhe ara me grurë. E thashë, u bë. Zumë dhe ia shkulëm të tëra pa i lënë një fije në këmbë. Dhe, ashtu të shkulura i lamë kapicë, se në shtëpi as ai dhe as unë nuk guxonim që të çonim qoft dhe një fije bari dhe jo më perime apo fruta. Pasi e bëmë këtë yner, u betuam ta mbanim sekret fajin tonë dhe, secili, u kthyem në shtëpitë tona. Të besës qemë dhe kishim dhënë prova besnikërie se nuk qe zullumi i parë yni.
Unë, sa herë që do bëja ndonjë faj, për t’i dalë të keqes përpara, hiqesha si i sëmurë.
Kështu bëra dhe këtë here: I thashë nënës sime se isha i sëmurë dhe drekë nuk doja. Nëna ime e shkretë e mori ankesën time si të vërtetë dhe me vrap më vuri buzët mbi ballë për të parë mos kisha temperaturë. -Nuk ke gjë, -më qetësoi ajo. Po unë jo vetëm trazovaç, por dhe dinak, i them. -Më dhëmb barku dhe bëja sikur ulërija. Ajo, sakaq, përveç jorganit më hodhi dhe një batanije dhe pashë që vuri një tjegull mbi prush. Priti sa u skuq, e fshtolli me një rrobë të trashë dhe ma vendosi tek vendi ku më”dhimbte! “. -Do të kaloj, -më tha. Dhe vazhdoi punët e saj të përditshme. Mua asgjë nuk më dhimbte, por prisja me veshët bigë se si do vinte puna me ato qepët e xha Demos. Nga bëma ime(gjëma, thuaj? ! )kish kaluar reth nja dy orë. Kur u ndie zëri i tim eti. U ndie-dhe kjo dhe më trembi dhe më tepër-dhe po më kërkonte mua me emër. Dhe ime emë, e shkreta: -Mos bërtit se është i sëmurë, i dhëmbte për qamet barku. As drekë nuk hëngri? ! Do ta ketë zënë gjumi? ! Dhe babai: -Bobo, të shkretën, dhe unë do t’i merrja masën e këmbëve se nesër do shkoj në Fier dhe do t’i blija një palë këpucë! ! ! Joshja dhe ngasja qe aq e madhe, sa, kur im atë përmëndi fjalën këpucë, unë frrap ia bëra jorganit dhe batanijes, flaka qyramidhen që e mbaja kot mbi bark, dhe bërtita nga gëzimi: -U shërova, baba! Nuk kam gjë më! Dhe babai: -O shelegu i babait, e ku pyet ti nga barku? Pa vëre pak këmbën pak këtu që të të marrë masën babai se do të ble një palë këucë në Fier. Dhe, ndërkaq, babai përmbysi karroqen dhe unë zgjata këmbën time mbi të. E vura mbi karroqe dhe, tek ndiqja veprimet e tim eti, pashë që nxorri nga xhepi i brendshëm i xhaketës një shkarpë. E vendosi atë anash këmbës sime dhe, kur pa, që shkarpa ishte po aq e gjatë sa këmba ime, ma flakëriti me një dackë të fortë sa rashë mbi karroqe. Pastaj një tjetër, një tjetër dhe, ndërsa më kopaniste, thoshte: -More maskara, po ç’pate me qepët e xha Demos? Dhe, po të mos kish ndërhyrë gjyshja ime e mirë që t’më hiqte nga duarët e tim eti, unë desh ika bashkë me qepët e shkulura të xha Demos.
Ja, pra, të dashur lexues: këto qenë këpucët që kam veshur së pari. Dhe sado që kanë kaluar mbi 6 dekada, unë kurrë nuk i harroj ato. Nga ju kërkoj vetëm një gjë: më takon të më shkruhet emri në librin”Gines” mua dhe tim eti që i “prodhoi” ato. Ka veshur njeri këpucë si të miat? ! . . .
mars i vitit 2000
Përparim Hysi, dërguar për”peshkupauje”më 19 shtator 2007
21 September 2007 @ 12:26 pm
kujtime te çmuara qe s’kane nevoje per Gines, Papi.
21 September 2007 @ 3:42 pm
Thua qe paske qene femije trazovaç…Po pse tashti si je!?!Me ben shume pershtypje per se mabari vlerat qe dikur ti vinin me themel ne familje,neshtepi nuk mund te çonim nje fije bari….Disa cilesi ishin te mrekullueshme te familjes sone dikur.Tashti me duket eshte e kunderta:Po s’çove gje je kot,qullac..Pa dashur te dine nga vjen.Bukur Papi
21 September 2007 @ 4:05 pm
Papi,
Nje shkrim shume i bukur.
Kam nje pyetje qe mbase nuk ka lidhje shume me temen por mbase per hir te disa temave te tjera qe lidhen me historine e kombit tone.
Pas vitit ‘48 a ke shkuar ndonjehe zbathur ne shkolle? Pra ne vitet ‘50, ‘55 apo dhe me tutje. A ke pare femijet te viteve 70 apo 80 te shkonin zbathur ne shkolle?
21 September 2007 @ 4:05 pm
Ah Laluc i vogel , cer pinskuriqi paske qene.
Nice piece Papi !
E paske pas hak dajakun.
Po te ka bere mire sic duket
21 September 2007 @ 4:10 pm
Ti perseri,
Ime me thote qe ne Universitet, andej nga vitet ‘60-’70 ne dimer rrinim me sandale llastiku.
Ne universitet ne Tirane eee . Me kupton besoj
21 September 2007 @ 4:28 pm
Perparim,

E forte shume..
21 September 2007 @ 6:10 pm
Frika i rrun vreshtet qe druri ka dale nga xheneti.
21 September 2007 @ 6:55 pm
Lume po te pakten kishin sandale nuk ishin zbathur. Me sa kemi pare o Lume nuk kishte njeri qe vinte zbathur ne shkolle sado i varfer te ishte, keshtuqe mos pergjitheso per raste te veçanta. Mamaja ime ne Shkoder vinte ne Universitet ne ate kohe dhe me çizme vishej ne dimer dhe me pallto, dhe si ajo i gjithe grupi, te pakten nga fotografite qe shikoj.
21 September 2007 @ 7:13 pm
Papi kepucet paskane qene shume me vlere derisa je bere i mbare
Pastaj ate mase kembe kishe dhe babai s’te kishte faj qe ty te rritej kemba shume
Urime per tregimin dhe mund te them se me kane ardhur para syve yneret e mia kur isha ne moshen qe ti na solle te fresket.
Pergezime dhe na sill ca te tjera……
21 September 2007 @ 8:22 pm
Ah c’jane ato gomat e triciklave (gjermane) per opinga…
Bo bo, dru skraparllice, e marr me mend…. por edhe qe s’kishit as opinga, me duket qe po e zmadhon pak….
Pas atij “drurit”, ne Verzhezhe do te thoshin “e paska navasur mire”…

21 September 2007 @ 9:09 pm
Papi, i janë pjekur mollët komshijes po nuk ma mban të futem vetëm… kur do dalim??
22 September 2007 @ 4:15 pm
Ju falenderoj te gjitheve dhe,me duket,se ma sollet ate kohe te gjalle perseri me mednimet tuaja.Sa intringuese dhe sugjestionuese ajo pyetja e Zanes:-Po sot si je?Ndoshta do t’i pergjigjem ndonjehere tjeter kesaj pyetjeje te “veshtire”.Megjithese,shpesh here,sidomos ne poezite e mia,e kam dhene te plote portretin tim te tanishem.
22 September 2007 @ 4:26 pm
Po rri o Ed, c’na bi neper mend mollet tani!
A do vish te vjedhim “mistra”?
22 September 2007 @ 5:19 pm
O Papi, e paske shume te bukur kete tregimin . … Me mbajte pa fryme deri ne fund. Po mendoja ne mes, se mos u kishte bere komshija dhurate , ai qe i shkulet qepet se mbase, per t’u shkulur ishin… e i kishit bere nder (!!!!). Mire qe te paska shpetuar gjyshja, se dreqi vete paske qene!!! (C’jane femijet e… engjej te perendise) . C’jane femijet? - Pjelle e njerezve!
22 September 2007 @ 11:45 pm
Papi, hera e pare qe komentoj (99% e sigurt) ne shkrimet e tua. Jo se ato te parat s’ti kam lexuar, por me lije pa fjale.
Shkrim i bukur dhe me ngjan pak me ato fabulat e Ezopit.
Kepucet! Nuk ankohem, megjithate kisha nje shoqe qe kishte nje pale te kuqe dhe une do vija ne RTSH per te recituar. I shkembyem kepucet (te vogla mo, ku e dija une c’do behej). Tre dite ne Tirane motra; m’u bene kembet gjak. Me kepuce te te tjereve, une nuk kam veshur.
24 September 2007 @ 4:57 pm
hajde dru qe ke ngrene hajde… tama per gines
Shume e bukur historia sidoqofte
25 September 2007 @ 1:27 am
je njeri i mire ti, Perparim…