Kavajë, Allah, Berishë… dhe skamje

Ben Andoni

Kemi mbetur vetëm. Nën diellin përvëlues të korrikut 1991: arkmorti; hoxhë efendija… dhe ne tre vdekëtarët. Nuk kuptoj asgjë, ndërsa shikoj duart e tre burrave në moshë, që bri meje i përballin me fytyrën. Kjo gjendje të jep brengë. Të heq shpresën. Të tulat. Dëshiroj që fjalët t’i lidh me fjalët e Sures të Bakarait, të vetmes gjë që mbaj mënd:
O Zoti ynë, kërkojmë faljen tënde./O Zoti ynë i madh, mos na dëno, nëse do të harrojmë apo gabojmë/O, i madhi Zoti ynë, mos na ngarko ne me borxhe
shumë të rënda/O, i madhi Zoti ynë, mos na lidh ne me atë çfarë nuk mundemi të mbajmë dhe kryejmë/Na fal, ki mëshirë dhe mundohu të na japësh forcë…
Më kot, të gjithë kanë ikur. Një orë më parë kemi qenë aq shumë njerëz në xhenazen e njeriut të respektuar në Kavajë. Të prirë nga hoxha kemi pritur që mbi tabut të këndoheshin fjalët e fundit në tokë… Pastaj, dikush ka pëshpëritur anijet… Një nga një rreshtat e besimtarëve kavajas kanë firuar… Kemi mbetur vetëm ne të katërt dhe shpirti i të vdekurit… para nesh.

Dy javë më parë, nga mesi i muajit qershor të vitit 2008, me fletët e kalendarit të Gregorit është ngjitur vetë në majë të minaresë. Dikur ka qenë oxhaku i fabrikës së bukës. I është dashur të bëjë vetë pak riparime. I ka mbyllur vetë. Gjithmonë vetë. Burri i vjetër, shtylla e besimit të Kavajës, ka ligjëruar për herë të parë, kur është ri-lejuar feja në Shqipëri. Atëbotë, e kanë ndjekur me adhurim dhjetëra-mijëra besimtarë të qytetit dhe përreth tij. Ishte çarë akulli… Po, kaq të gjallë, 77-vjeçarin hoxhë Xhaferr Shkodrën e gjejmë pas një rrugice në lagjen e vjetër, ku banon prej vitesh. Ka një shtëpi modeste në pamje të parë dhe është tepër mikpritës. I kujdesshëm. Nuk ka shumë salltanete, ndërsa turbanin e ka lënë matanë. Divanhania e tij është e thjeshtë. Pa shumë pretendime. Flet kur bëhemi të gjithë. Jemi tash pesë vetë. “Dalsh faqebardhë në dy botë. Jo se jam kavajas, po ky qytet është me tradita paqësore. Kavaja nuk ka qenë këtu ku është sot. Kavaja ka qenë në Bukaq. Me ardhjen e Perandorisë osmane u ndërtua ku është tani… Kur ka kaluar sulltan Fatihu nga jugu… Në hyrje e kanë mirëpritë, por ka qenë rrugë vetëm për kambsorë. Ai thotë: Ky qytet e kalon vaji i ullirit deri në Qamet… sepse janë mikpritës. Është futur dhe ka ikur për në Durrës. Pastaj filloi zhvillimi i këtij vendi këtu. Zbritën nga fshatrat dhe u mbush me popullatë”. Hesht pak dhe pyet. Ka qenë pak kohë në Al-Azhar në Kajro. Mrekullohet kur i themi që ka pasur fatin e madh që ka qenë atje… Flet si në predikim…sepse për të Kajro është mrekullia në tokë.

Kleriku ndryshe
Hoxhë Xhaferri ka punuar në kohën e viteve para ’90 në tregti. Ka pasur një karrocë, pa është marrë me mbathjen e kuajve, me gjithçka. I ka dhënë jetë tetë fëmijëve, që bajagi ia kanë shpërblyer. Pas vitit ’90 e mori mirë situatën në dorë. Fabrikën e bukës e privatizuan fëmijët e tij, kurse oxhakun, që mbeti ‘pa punë’ e kthehu në minare. Poshtë tij përshtati një faltore, ku kryhen shërbimet për banorët përreth dhe për të tjerë që vijnë nga Kavaja. Fëmijët u morën me tregti, ndërsa ai me besimin. Sot, në sheshin e xhamisë, që matanë funksionon si fabrikë tullash, ka vendosur disa shilarës, që t’i bindë fëmijët se këtu është mirë. Roja, që na shoqëron pak orë më vonë me një letër urdhëruese të Hoxhës - në interiorin e thjeshtë të vendit të faljes tregon për besimin e plakut dhe përkushtimin e tij. Është një vend modest, siç janë shumë nga faltoret në vend. Ai bën imamin, ligjëruesin etj. Përveç librave të Kuranit- një mori tjetër librash fetarë, shtuar me shumë libra të tjerë janë përmbajtja e mjedisit. Diku pas dere, dy raketa babingtoni. E ka kuptuar mirë filozofinë e fëmijëve, që nuk mund t’i ngucësh në besim pa i ofruar diçka… Hoxha është i ‘qartë’ në histori, edhe pse historia e tij e Kavajës ka lidhje vetëm me Islamin… dhe të keqen e të kuqve: “Kjo ishte dhuratë e Allahut. Ishte thënë se në Shqipëri do vi një qeveri që do vi nga mali dhe do marri me të njom e të thatë. Vetëm me forcë krahu do mbetet dhe gratë do i tufëzojë. Këto janë në librat e fesë, ndërsa njerëzit do hanë me një çanak. E ke arritur triskën?”, përfundon befas. Qesëndis pak pastaj: Këta në mal thoshin se e morëm me gjak dhe do e dorëzojmë me gjak. Por këta e dorëzuan vetë me dy gishtërinj… Kaq trima ishin. Aludimi është i lehtë: Njësoj socialistët, për të, janë të ardhur nga një çanak, kurse demokratët janë ndryshe…

Kavaja…
Ena, që e mblodhi qytetin pas viteve ’90, është bërë gjithnjë e më e madhe, nga masa e popullsisë që jeton atje. Është shumëfishuar, por sërish gjendja mbetet e varfër. Pushteti lokal, kur ishin socialistët në fuqi, nuk ka marrë fonde, ashtu si në Shkodër - simotra urbane demokrate, që nuk pranonte të merrte fonde për zhvillimin e qytetit. Për ironi të kohës, në demokraci, qyteti po vuan shumë për shkak të korrupsionit dhe mosshfrytëzimit të mirë të fondeve, që vinë në këtë vend nga qeveria e Demokratëve. Kavaja është disa herë më e mjerë. Edhe pse kryeministri i vendit është deputet në këtë vend, kurse ish-presidenti i dikurshëm ishte me origjinë nga Kavaja. Të gjithë i kanë ngopur me lugë të zbrazët dhe kavajasit duket se u pëlqen kjo gjë. Si në gjithë qytetet e Shqipërisë, burimi kryesor mbetet pa asnjë dyshim emigracioni… Këtë ma pohon dhe një burrë gati 60-vjeçar, që flet jo rrjedhshëm dhe me ndalesa. Tepër i kulturuar, Nazmi Roli, autor i disa vëllimeve me poezi dhe prozë, mundohet të më flasë me patos për qytetin. Pastaj të flet për Etimologjinë e Kavajës, sipas Çabejt- dhe me një ton akademik të sqaron se që nga 2000 vjet të shkuara Kavaja është vend urban. Kjo nuk do shumë të besohet, kur mendon se ajo ka qenë e vendosur në trekëndëshin e njohur Tiranë-Durrës dhe Elbasan. Afër kanë luftuar Pompei me Çezarin dhe toponimin e vendit shumë e lidhin me atë se në këtë vend fushuan kuajt e ushtrisë së atëhershme. Kujdesi i kavajasve është të thonë se Kavaja u rrit shumë në shekuj dhe disa herë e rivalizoi madje edhe Durrësin “shemrën” e saj. Madje, në regjimin monarkist juridiksioni administrativ i Kavajës shtrihej deri në Ndroq. Edhe Ahmet Zogu, ka qenë këtu deputet, na tregon Hoxha- bashkë me një histori që lidhet me të. Sot, Kavaja është rrudhur shumë në ekonomi, por qyteti vetë është hapur. Sërish, e gjitha rrotullohet në tri lagjet e vjetra: “Sharrë…. ishte një gur sharr i fortë; Zguraj, që lidhet me gurin, por e lidh me Zgraj; dhe lagjen në veri, që njihet me emrin Sallbeg. Emërtimi ka… Këto kanë qenë dhe bashkoheshin të treja, ku ishte xhamia dhe sahati. Duke ardhur nga skajet dhe përfundonin së bashku. Ata të parët kanë qenë urbanistë të mirë. Kavaja e ka marrë ujin nga kodrinat lindore nga tubacionet deri para 20 vjetësh. Ato lidhnin njëkohësisht dhe nga kodrinat perëndimore”, më shpjegon Roli.

Pse nuk është ruajtur Kavaja…
Ato fiset e vjetra të qytetit, si Haveriku, Cara, Arkaxhiu, Kapedanët, që tash po shkon te 40.000 banorët nuk mundëm më. Të tre lagjet që pikëzoheshin në qendër tek dy monumentet: Xhamia dhe Pazari pak nga pak e humbën shkëlqimin e tyre. “Ato u asgjësuan me xhaminë dhe pastaj u prish i gjithë pazari për të bërë një Kavajë të re dhe për të mos pasur asgjë nga tradita. Fatkeqësia është se pushtetarët e rinj me emërtesat e reja politike nuk kanë njohje dhe nuk kanë tradita që të mbledhin dhe të përmirësojnë ato që janë tronditur. Ishte një vend i vogël pazari dhe duhej që thjesht të rikonstruktohej. Kurse pushteti lokal e dha me qira dhe u prish… Kavaja ka mikpritje. Unë kam dhimbje si krijues, sepse jam 63 vjeç dhe se nuk do shoh më Kavajën time të vërtetë ku më janë vrarë gjunjët”, shpjegon burri me flokë të bardha dhe tepër i edukuar, që dikur edhe vetë ka punuar në fabrikën e letrave dhe në agjitacion.

Poçeria dhe vegjet
Por trishtimin e tij, sot e ndjekin të gjithë kavajasit. Me pak fjalë në Kavajë vdiqën shumë gjëra. Mes tyre: Vdekja e artizanatit kavajas do të thoshte edhe vdekjen e një tradite të hershme, ku dikur ishin plot 2100 gra e vajza, që jepnin djersën në Fabrikën e Qilimave të Kavajës, një nga krenaritë e eksportit shqiptar. Nëpër pak familje ka filluar që të prodhohet sërish me traditën e vjetër për bisnes. Dikush gjen porositë dhe gratë përkulin kurrizin, siç kanë bërë për dhjetëra vjet në mekanizmin gati antik kavajas, që quhet vegjë. Ka mbetur si traditë në Kavajë, që familjet me taban kur martojnë një nga familja t’i japin me vete një nga qilimat. Vetëm se ky fat i vështirë nuk është për të gjithë. Shumica e qytetarëve të saj zdërhallen në qytet. Njësoj dhe poçeria që po zbehet, qilimat, dhe fare pak zeje të tjera, tashmë nuk i duhet më mburrjes së zejtarisë shqiptare.

Oxhakët
Oxhakët, po ashtu, kanë mbetur të heshtur në qytet. Hoxha do dëshironte, që ato mos të kishin punë dhe ashtu si me oxhakun e Fabrikës së bukës, t’i kthente në minare. Të paktën të vlenin, sepse sot, ato heshtojnë frikshëm. Kjo pjesë nuk interpretohet nga Hoxha. Paçka sistemit, Kavaja- kishte një përqendrim industrie të mrekullueshëm. Oxhaqet e mëdha, në qytet, që dikur nxirrnin shumë tym, tregonin se qyteti ishte bajagi industrial. Edhe pse u bënë privatizime, duket se industria e dikurshme nuk do të ngjallet kurrë më në këtë vend. Fabrika e qelqit, deri para disa kohësh, dukej si një studio gjigande horrori. Njësoj dhe mjediset e tjera, ku tubacionet dhe ngrehinat e braktisura, të sjellin ndjenjën e tmerrshme të vdekjes. Të vdekjes së këtij qyteti dhe ish të kaluarës së tij industriale. Tani të gjithë ngrehinat duhet të jenë të privatizuara. Por, që për qytetin vlejnë pak ose aspak. Të akomoduar me thashethemin, vendasit mjaftohen me kaq: Kjo këtu është e këtij, kjo tjetra është e këtij, e kështu me radhë. Në fabrikën e qelqit dikur punonin rreth 1200 punëtorë, të cilët prodhonin një xham të cilësisë së lartë, për sa i përket fortësisë. Tashti, Shqipëria e importon. Më parë, jo vetëm plotësoheshin më së shumti nevojat e vendit, por edhe eksportohej. Qetësia, që ndjek heshtjen e objekteve industriale, është padyshim edhe tregimi se çfarë është bërë me qytetin në këto vjet. Njësoj edhe me Fabrikën e Gozhdë-Bulonave, subjektit që prodhonte pjesën dërrmuese të këtyre ‘çikërrimave’ të vendit. Sot puna e saj ka reshtur në krahasim me vite më parë. Ashtu si 800 punonjësit e saj dhe 600 kolegët e tyre që punonin në Fabrikën e Letrës. Tashmë të gjithë janë kontingjent i kafeneve dhe kuptohet i mundësisë për emigrimin për të mbajtur gjallë planet e tyre të mbijetesës.

Pse kështu Kavaja?
Një përgjigje na e jep Aqif Haveriku. Bashkë me vëllezërit e tij është një nga njerëzit më të kamur të qytetit. Ai ka marrë Fabrikën e Gozhdë Bulonave dhe tregon si është bjerrë qyteti vazhdimisht. Janë 1800 familje me asistencë në qytet sot nga plot 5000 familje, që ka sot qytetit. Të jenë 40% me asistencë, bëje vetë llogarinë më rrëfen Aqifi, që ka dhe një hotel të madh në mes të qytetit. Një pjese e madhe e banorëve janë të papunë ose me punë të përkohshme. “Ka punuar disi ndërtimi, bujqësia, Uzina e Gozhdë-Bulonave. Për mua ka rënë ekonomia. Nuk na konkurron me çmime, por kaq të lejon… tregu”. Faji i tij është organizimi i dobët i pushtetit lokal. Ndërsa zverdhjen e qytetarëve të tij e shikon teksa në qytet janë ngritur rreth 60-70 lokale bixhozi dhe gjithfarëlloj dreqi tjetër. Nuk mohon se kavajasit po punojnë në turizëm, që përbëjnë të ardhura të mira për qytetin. Dhe, shkon atje ku i dhemb: Vetëm se pushteti aktual po e mbyt Kavajën, sipas tij. Si ish-kryetar i Këshillit Bashkiak ai ka luftuar fort, që bizneset kavajase të ishin më prezente, por me sa duket më kot. “Unë nuk rresht së luftuari se kjo është luftë për ekzistencë por të gjithë ata se po i zvogëlohet ajri dhe duhet të bëhen fort dhe të bëhen faktorë dhe të ndryshojnë situatën. Nuk mund ta lemë situatën në dorë të kryetarit të Bashkisë, Rugjia dhe zëvendësministrit Halit Shamata… sepse ne jetojmë këtu… Ne jemi pak konservatorë. Është peng i politikës së poshtër dhe abuzive me kavajasit… Për mua ka ndryshuar shumë mentaliteti i Kavajës… votohet 25-35%. Kjo është një mënyrë e reagimit të politikës… më parë ishte 75%… Çfarë kryetari bashkie është ky që vjen me 3600 vota…dhe krenohet”. Në fakt mandati i vetë Haverikut nuk zgjati shumë:” Unë dhashë dorëheqjen pasi PD e Kavajës dhe deputeti Engjëll Cara ka mbledhur 11 firma kundër meje një mocion… I mblodhi këta që punonin në institucione… dhe arsyet ishin se unë isha i paaftë dhe pa etikë. Ne organizuam bashkë me PR-në që të kontrollohej urbanistika ligjore e bashkisë. Aty qelbet korrupsion”. Kuptohet se nuk mundi.
Kanë gjeneruar korrupsion
Në fakt për abuzimet në Kavajë është folur shumë. “Ne mbështetem në fakte në dritë të diellit. Në Kavajë janë dhënë shumë fonde për infrastrukturë dhe për ndërtime shkollash. Në këto fonde janë të përjashtuar të gjitha firmat e Kavajës pa përjashtim, sepse kryetari nuk merr dot lekë nga ata por i merr nga jabanxhinjtë… Këtë që them unë e them me përgjegjësi dhe mund ta verifikoni në agjencinë e prokurimeve publike. Brenda ditës një firmë Pevlaku Sh.P.K…ka marrë në Kavajë tendera me vlerë 2 miliard lekë. Kjo firma Pevlaku ka çudinë se udhëhiqet nga ish-bodigardi i z.Shamata, që sot është zv/ministër i Arsimit. Kështu në Kavajë fitojnë firma nga Lushnja, nga Tropoja, por aspak nga Kavaja”. Si kanë reaguar kavajasit?-e pyesim. Janë mbledhur dhe kanë krijuar shoqatën e tyre të ndërtuesve botuesve dhe i kanë paditur publikisht këto në TCh apo në emision Fiks Fare dhe kanë sjellë filmime direkte të korrupsionit, por deri më sot nuk lëviz absolutisht asgjë. Për të, në radhë të parë.” Këtu nuk mendohet për zhvillim ekonomik. Më keq akoma, janë gjeneruar në majat e pushtetit të kavajas të gjithë ish-spiunët..E them me përgjegjësi dhe kjo po i sjell humbjen PD. Ne i njohim fiset e Kavajës dhe ia dimë hallet njëri-tjetrit dhe gjërat dhe nuk mundemi të bëjmë hasmëri”, shprehet Haveriku. Një gjë, e cila të lodh në rrëfimin e tij është se fondet që vinë në Kavajë nuk mund të shkojnë në zhvillimin e plotë të qytetit. “Ato nuk ndikojnë në ekonominë e Kavajës, por i përlajnë të huajt. Këtu vinë firma fantazma, që nuk kanë asgjë me çfarë të krenohen dhe Kavaja ka firma me kantiere dhe me fabrika të plotësuar me personel që kanë ndërtuar kisha, xhami… kanë ndërtuar rrugë dhe kanalizime..por janë të përjashtuara. Kavaja sot jeton me djersën e emigrantëve. Jeton për faqe të zezë…”, më thotë me mllef Haveriku, që mëton se ka dhe një firmë cilësore ndërtimi bashkë me të vëllezërit. Tund Kokën: Unë di që kavajasit janë shumë sentimentalë dhe të lidhur. Të gjithë emigrantët sakrifikojnë për familjen… por ata janë vetë me familje tash..dhe ka rënë ndihma… Di të them se nëse do hiqesh ndihma e tyre, Kavaja do ishte në grevë urie…

Hoxha e përcjell çdo shembull me nga një histori. Mbetet pak kur e ngucim për Berishën, Amerikën dhe Ortodoksët, por gjithsesi edhe për këto është shpejt gati: “Amerika nuk nxiton por pse ka nxituar nuk e di. Amerika e ka lapsin e gjatë 1 kilometër ndërsa majën e lapsit e ka 100 metra, po çfarë veprimi është nuk e di. Zoti përpara dhe Amerika pas na ka shpëtu. Amerika i ka dhënë pavarësinë se askush në Evropë nuk na do ne”, më sqaron me bindje. Fishta thotë:… Evropë moj kurvë e motit.. si e tradhtove besën e Zotit”. Po Fan Noli - e pyes. “Ka qenë komunist pa yll sepse nga këtu iku te Lenini pavarësisht se iku në Amerikë. Kur ka ardhur në Kavajë ka ikur në kishë dhe nuk ka ardhur në xhami…”. Për Berishën? Është i respektuar për atë që ka bërë për Kavajën dhe për bashkëqytetarët e tij. Është njeriu i Dritës…i Demokracisë…Temë pa përgjigje.
Xhaferr Shkodra e kujton atë ditën e eksodit të madh tw anijeve, por nuk mban mënd gjindjen, pas tij. Kemi qenë të izoluar, justifikohet. Lutet për shpirtin e të ndjerit… Lutet edhe për Kavajën e vitit 2008.

MAPO

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

31 Komente

  1. Magdalena thotë:

    12 July 2008 @ 9:00 pm

    Për Berishën? Është i respektuar për atë që ka bërë për Kavajën dhe për bashkëqytetarët e tij. Është njeriu i Dritës…i Demokracisë

  2. edrus thotë:

    12 July 2008 @ 9:07 pm

    Shyqyr doli një MJAFT-ist që di të shkruajë :) .

    Brenda ditës një firmë Pevlaku Sh.P.K…ka marrë në Kavajë tendera me vlerë 2 miliard lekë. Kjo firma Pevlaku ka çudinë se udhëhiqet nga ish-bodigardi i z.Shamata, që sot është zv/ministër i Arsimit

    Kur dëgjon fakte të tilla s’ka se si të mos mbushesh me optimizëm për të ardhmen :(

  3. Cheney thotë:

    12 July 2008 @ 10:37 pm

    Ka shkruar vertet bukur,

    Ka ven lexuesit perball fakteve dhe asgje me shume!

    Edrus,
    Mu i gjo me bo pershtypje; si se kane shpreh ngazellimin Kavajsit per hyrjen ne NATO dhe per liberalizimin e vizave?!

  4. shefi kuadrit thotë:

    13 July 2008 @ 3:44 am

    “Pas vitit ’90 e mori mirë situatën në dorë. Fabrikën e bukës e privatizuan fëmijët e tij, kurse oxhakun, që mbeti ‘pa punë’ e kthehu në minare”

    e car kopili

  5. Dajoshi thotë:

    13 July 2008 @ 4:01 am

    As nuk me vjen ke

  6. Dajoshi thotë:

    13 July 2008 @ 4:04 am

    q hic per kavajen as per kavajsit, e kane nxjerre berishen deputet me 90% ne cdo zgjedhje qe nga 90, e kane bere vete zgjedhjen. Bravo i qofte, jane njerez pa shume pretendime, kenaqen me “Kavaja e demokracise”, votojne berishen dhe vazhdojne vegjetimin.

  7. edrus thotë:

    13 July 2008 @ 5:35 am

    Pse flet ashtu mer Dajosh? Rob Zoti jan ene ata… ja u ka marrë perenia menien ;)

  8. Rob-terneti thotë:

    13 July 2008 @ 6:05 am

    Pushteti lokal, kur ishin socialistët në fuqi, nuk ka marrë fonde,…

    Duket se nuk u kane lene mundesi tjeter.

  9. Nostalgji thotë:

    13 July 2008 @ 8:29 am

    Kom ca miq n’Kavaje edhe bomat e ktij me ner me thone hoxhe efeniut i kom nigju. N’kohen qe punote n’tregti ka qene ene komunist, pranej hoxha mire e bo mos me rrejt.
    Po kto kavajsit mo robt koti se paskan qene qe na pacin m’qafe ishallah, t’gjithe ato me mani pushteti kto i qesin mer jahu?
    Edhe Ahmet Zogun e pasken pas deputet, po ashtu ene Salen.
    E hongrem m’duket, ene Sala do u vetshpallka mret.

  10. Pjer Thomas thotë:

    13 July 2008 @ 9:59 am

    Kot nuk i thone; mos u merr me llogje Kavaje :-)

  11. adriatik thotë:

    13 July 2008 @ 10:15 am

    Fort u paska dhembur perfaqesueseve te erresires emancipimi i femres shqiptare! (Kolektivizimi i grave) Ofsh, ofsh per nje pale kofshe, kur i kisha, i zoti s’isha, tani s’i kam, i zoti jam. Keshtu thoshte Chantragupta.

  12. alka thotë:

    13 July 2008 @ 12:02 pm

    Kavaja, mjerim i pashoq. Reportazhi i Andonit eshte vetem nje panorame e caktuar e jetes ne ket qytet fatkeq. Persa kohe ne Kavaje do te vazhdojne dhe qeverisin Rrugiet, Caret, Shamatet, Patozet dhe dallkauke te tjere si keta, Kavaja do te kete gjithmone mjerim.

  13. Artian thotë:

    13 July 2008 @ 12:59 pm

    Kavaja po kthehet ne tur-qni,me hoxh e me ..minare,oxhaqe te larta..dhe me t`keput shpirtin fukaralliku,dhe ijnjoranaca,me jetu akoma si kohen e pordhes,..

  14. trimi thotë:

    13 July 2008 @ 1:18 pm

    “Hoxha” ne fjale nuk mund te merret si baze per te kuptuar Kavajen (nuk po i hyj detajeve, pasi kaloj ne thashetheme).
    Sa per Berishen deputet, realisht ai ka fituar ne dy zgjedhjet e para pas 1990. Me pas, dhe kete e them me siguri te plote, nuk ka marre vota nga popullsia, por nga individe te ndryshem, te cilet te lidhur me interesa ekonomike, kane vjedhur voten (deri edhe 2000 vota ka hedhur nje person).
    Shprehje te tilla si “vazhdojne vegjetimin”, nuk eshte mire me i perdorur Dajosh, kur nuk dine asgje per Kavajen dhe popullin e tij.
    Ka shume ngjarje te ndryshme per te treguar se si jane manipuluar te gjitha zgjedhjet ne Kavaje, jo vetem per Kuvend, Bashki, por edhe brenda vete partive. P.SH. U votua brenda PD per te zgjedhur kandidatin per kryetar Bashkie, dhe Berisha dha urdher qe vendi i fundit do te ishte kandidati i PD.
    Me nje perqindje votuesish qe nuk i kalon 30% te totalit te votuesve, si eshte e mundur qe PD merr mdi 60% te totalit???
    Ndersa kryetaret e Bashkise nder vite nuk kane bere tjeter vetem se kane vjedhur!
    Te gjitha ato kavajas qe arrijne te bejne pak pasuri ose ata te rinj te afte qe gjejne vende pune ne Tirane, largohen. Keshtu, duke u larguar vazhdimisht pjesa me vitale dhe me e afte, pakesohet mundesia per te ndryshuar situaten.
    Pjer Thomas, verjtja e pare: shkruhet lloqe dhe jo llogje. E dyta: a je i bindur se Kavaja i ka me te shumta se pjesa tjeter e Shqiperise lloqet???

  15. Artian thotë:

    13 July 2008 @ 1:31 pm

    Otrim mos u merzit bejme pak edhe shaka edhe me te ngjeshme,nuk eshte vetem Kavaja,permendimin tim injoranca ne shqiperi po kthehet perseri.Ti do te me thuash se paraclirimit,Kavaja ka qene e zhvilluar?

  16. Artian thotë:

    13 July 2008 @ 1:34 pm

    Andon Z.Cajupi ka thene nje vjershe ,nje varg po e citoj:
    ..Fshati per karshi,
    me Kisha e me varre,
    rrotull ca shtepi,
    te vogla fare,

    Ndryshi eshte,se atje eshte hedhur beton !

  17. trimi thotë:

    13 July 2008 @ 1:41 pm

    Artian
    Nuk i hyra analizave si ishte, si ka qene e si do te jete.
    Une thjesht u perpoqa te jap mendimin tim, duke i hequr talljet dhe duke u perpjekur te shikoja arsyet e situates se sotme.

    Por mos harro, ne drejtimin qe ka marre Shqiperi, se shpejti emertimin qytete (duke mos analizuar anen urbanistike…) do ta meritojne vetem ja 5-6 prej qendrave te banuara. Tere te tjeret do te furnizojne me intelektuale, artiste, studiues, puntore krahu, lypsa, injorante etj. qendrat kryesore te banuara.

  18. liljana thotë:

    13 July 2008 @ 1:47 pm

    NUK ME DUKET SE KJO REVISTA “MAPO” ESHTE EDHE KAQ E EKUILIBRUAR…..
    BOLL TE MENDOSH QE MINXHOZET E DREJTOJNE ATE DHE NUK KA NEVOJE PER KOMENTE TE METEJSHME…… ;-)

  19. Artian thotë:

    13 July 2008 @ 2:06 pm

    Dakort Trim,por dua te theksoj se nje nga pikat e zhvillimit eshte pikerisht urbanizimi,sepse ka te beje me jeten e nje komuniteti,nje fjale thote,”me ler te shikoj se si funksionon urbanizimi te them se ne ckohe dhe si jeton ai popull!
    RRuget,dritat,uji,dyqanet,shkollat,qendrat kulturore,fetare,sportet,transporti publik,rendi, siguria,ligjet,politika. etj, te mara ne harmoni,ne mardhenie me njera tjetren..jane zhvillimi qe kerkojme,me duket se jemi akoma ne kohen me “andra” mballoma,cop,mbi cop, nje ashtu rrojme,njona cop,rrjep tjeter..dhe i gjithe kostumi duket si ne mesjete,ene KaVAJA,ene Tirona..

  20. Adam thotë:

    13 July 2008 @ 2:26 pm

    Mire qe Kavajen e Berishes po e njohim ,po Skraparin e I Metes kush do te na pershkroje sepse atje ka fituar gjithmone IM.

  21. trimi thotë:

    13 July 2008 @ 2:28 pm

    Po mire Artian, at’here ti biem shkurt dhe te themi se jetojme ne nje fshat gjigand…

  22. Idris thotë:

    13 July 2008 @ 2:54 pm

    Maj men nje muhabet me nje te talentuar ne futboll …deri edhe me Kombtaren dhe teper produktiv…..
    Kur po marote ushtrine,i propozun me nejte ne TIRANE dhe ne kete gjendje shpirterore po llafosnim:
    -Rri o Reme ! Pse do ikesh .TIRANA o k/qytet.Ne forme je , per pako vjet rregullohesh!
    -E mer lal! Ne Kavaje e pjek byrekun pa pare , ne 5 lekshin e gomes se bicikletes po mu ca ,e kursej se e ngjis pa leke….Kush ma var mu ne TIRANE mre ?
    Qe njeri FLORI e shkuar FLORIRIT po kur e analizoja me vone dilte gjithmone i njejti perfundim me BARAZVLEFSHMERI te plote dhe EMRUS i
    perbashket i te gjithe SHQIPTAREVE ……..
    Te kenaqurit me pak !!!!!!!!
    Dhe ne kete popullsi dallon pak me teper “kavajsi”…qe nuk eshte me shume se FSHAT dhe kjo jo per ta nenvleresuar por ne nje fare menyre per te shpjeguar se ku i ka RRENJET parulla BERISHIANE qe e mbushte sheshin me Veriore dhe ULERINTE:
    “SE Kavaja__DJEP i DEMOKRACISE”. :( :( :( .Dhe shih Shqiperine SOT!!!

  23. adriatik thotë:

    13 July 2008 @ 5:15 pm

    trimi,
    Te besoj ne fjalet e postimit tend dhe e admiroj te verteten mbi zgjedhjet.

  24. Amazona thotë:

    13 July 2008 @ 5:23 pm

    Deputeti i asaj zone “nuk e di ” ku ndodhet Kavaja…

  25. trimi thotë:

    13 July 2008 @ 5:33 pm

    Idris
    eshte e vertete ekzistenca e ketij metaliteti, dhe kjo as nuk mund te fshihet as te zbukurohet. Por personalisht, me sa kam pare dhe njohur, une kete mentalitet e kam pare ne pergjithesi ne Shqiperine e Mesme.
    Ne çdo drejtim po ta vesh re (politike, administrate, biznes, shkence), jane shqiptaret e jugut dhe te veriut me te levizshmit dhe qe kerkojne me shume nga vetja dhe jeta. Ndersa ne te Shqiperise se mesme, jemi mesuar gjithmone mos me e vrare mendjen.
    Ndersa per çeshtjen e fshatit: fshati qe duket nuk don kallauz, por çti bejme fshatrave te tjera qe mbahen per qytete.
    Dhe e fundit: dmth faji qe Shqiperia sot eshte ne kete gjendje eshte i Kavajes??

  26. Faji? thotë:

    13 July 2008 @ 5:46 pm

    Dhe e fundit: dmth faji qe Shqiperia sot eshte ne kete gjendje eshte i Kavajes??

    Jo eshte i atij qe ka tall bythen dhe mashtruar ata njerez per 17 vjet.
    I atij qe i ka shfrytezuar dhe manipuluar aq shume keta njerez sa lexon akoma me 2008 shprehja te tilla ” Për Berishën? Është i respektuar për atë që ka bërë për Kavajën dhe për bashkëqytetarët e tij. Është njeriu i Dritës…i Demokracisë…Temë pa përgjigje.”. :( :( :(

  27. Idris thotë:

    14 July 2008 @ 4:44 am

    TRIM!
    S’ka faj Kavaja.perkundrazi…mundohen gjithmone per me te miren e vetes…aq e vertete eshte kjo sa edhe ne kohen e diktatures me bente pershtypje nje gjo e bukur.
    Ne lulishten ku pihej BIRRE ishte nje marreveshje e heshtur e NTUS-it apo kush i furnizonte me meze me “tregtaret ” kavaiote…
    veze te zime dhe domote “zemer kau” djathe nape, sa te dush nen dore prane cdo tavoline dhe HAPUR :).
    Bile kujt i kujtohet (po qe ne moshe se edhe une isha ke 14-15 vjec),ne stacionin e trenit gjejshe gjithmone “tregtaret” me gota uji per pes lek gota.Perfshi edhe femije e gra…..
    Me thene te drejten vend qe prodhon dhe pa shume pune ose si i thone “i mbin preshi nga maja”,…dhe po aq e drejte eshte sa edhe Diktatura ne kete pike nuk e ngacmonte shume por per ta qit i cike me shume ne selamet , e kishte atashuar ne rrethin e DURRSIT.
    Qe nga koha e ardhjes se PD vetem e kane mashtruar dhe shfrytezuar…
    Me aq sa e njoh dhe e kam jetuar PD dhe vecanerisht SALIU e genjeu vetem me kupola xhamie dhe me hoxhallare si per ti vene vulen e nje krahine te prapambetur dhe e paafte te zhvillohet pervecse ne drejtim te bujqesise me prodhim “‘Brokoli” dhe “Karrota”.
    TRIM!
    Thone qe ne vendet ku prodhimet nuk duan shume mund njerzit jane me “dembele” dhe vetem Diktaturat i bejne ZAP… :) :) :)

  28. xhibi thotë:

    14 July 2008 @ 7:46 am

    edrus thote:

    Shyqyr doli një MJAFT-ist që di të shkruajë.

    Mjaftist qenka dhe ky? Po te kesh parasysh frekuencen e mjaftistave tek Peshku, flas per keto dite qe e lexoj rregullisht, te jepet pershtypja se ne cdo 3 shqiptare njeri eshte Mjaftist. :lol:

    Edro, ca do bente Mjafti pa Berishen ne pushtet, do egzistonte valle si organizate sot pa Berishen? :D
    Peshku nga ana tjeter mbase ka me shume shanse te egzistonte dhe pa Mjaftin. :P

  29. trimi thotë:

    14 July 2008 @ 10:50 am

    Thone qe ne vendet ku prodhimet nuk duan shume mund njerzit jane me “dembele” dhe vetem Diktaturat i bejne ZAP… :)

    Idris
    aty ku ke te drejte …ke… nuk kam çte them

  30. Moza thotë:

    14 July 2008 @ 2:34 pm

    Brenda ditës një firmë Pevlaku Sh.P.K…ka marrë në Kavajë tendera me vlerë 2 miliard lekë. Kjo firma Pevlaku ka çudinë se udhëhiqet nga ish-bodigardi i z.Shamata, që sot është zv/ministër i Arsimit

    Ehe, ehe, ky eshte shteti yne. Shteti i bodigardeve ! :-(

  31. Dori thotë:

    15 July 2008 @ 2:09 am

    “Për mua ka ndryshuar shumë mentaliteti i Kavajës… votohet 25-35%” dhe më pas “Di të them se nëse do hiqesh ndihma e tyre, Kavaja do ishte në grevë urie…”

    Sa gati që janë për grevë urie, se mos rregullojnë ndonjë gjë duke votuar.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com