Login



Register

Katerina e mënçur

Përrallë nga Italo Calvino

Përktheu Akullnaja

Na ishte njëherë në Palermo një tregtar i madh. Ky tregtari na kishte një vajzë që, sapo kishte lënë gjirin, i erdhi një mençuri e tillë sa, për çdo gjë që ndodhte nëpër shtëpi, do thoshte dhe ajo fjalën e saj. I jati, duke parë dhuntinë e së bijës, filloi ta quante “Katerina e Mençur”. C’ishin gjuhë të huaja e libra, s’ia kalonte njeri.

Kur Katerina ishte 16 vjeç, i vdiq e jëma: vajza u trishtua aq shumë, sa u mbyll në dhomën e vet e s’donte të dilte më. Aty hante e aty flinte: për të s’kishte më shëtitje, teatër a argëtim.

I jati, që e shihte në dritë të syrit, e ndau mëndjen të mblidhte një Këshill. Thirri gjithë parinë e qytetit (dhe pse s’ishte veçse një tregtar, kishte lidhje me ajkën e vëndit) dhe u tha: “Zotërinj, ju e dini që kam nje çupë e këtë çupë e kam me kimet. Por, që kur i vdiq e jëma, rri mbyllur si qyqe e e s’do të nxjerrë as kokën jashtë. “

Këshilli iu përgjigj: “ Vajza juaj është e njohur në gjithë botën për diturinë e saj. Hapini një shkollë: mundet që duke mësuar të tjerët, mendimet e këqija do t’i davariten.”

“Mendimi juaj më pëlqen”, tha babai. Dhe thirri të bijën: “Dëgjo, bija ime: meqë ti s’do të dalësh e të argëtohesh, kam menduar të të hap një shkollë e ti të japësh mësim. Si thua?”

Katerina ra dakord përnjëherë. I mbikëqyri vetë punimet dhe shkolla u ndërtua. Vunë dhe afishe nëpër rrugë: Shkollë falas për ata që duan të mësojnë te Katerina e Mençur.

Shpejt e shpejt, gjithata djem e vajza filluan të vinin në shkollë, e Katerina i ulte njëri pranë tjetrit, pa i pyetur se të kujt ishin. Thoshin për njërin: “Po ky është druvar! S’ka rëndësi, druvari do ulet pranë bijës së princit. Kush vjen i pari, ulet i pari.” E kështu, filloi shkolla. Katerina e Mençur kishte një kamzhik me thumba. I mësonte të tërë njëlloj, po ata që s’bënin detyrat i zhdepte në dru. E kështu i vajti zëri deri në Pallatin Mbretëror e djali i Mbretit do dhe ai të shkojë në shkollën e Katerinës: vesh uniformën, hyn, gjen një vënd e Katerina i thotë të ulet. Kur i vjen rradha, Katerina i bën një pyetje: djali s’di të përgjigjet. Paf! I jep një shpullë që dhe sot e kësaj dite i ka ngelur shenjë.

Biri i mbretit skuqur nga tërbimi ngrihet dhe ikën, shkon te i jati dhe i thotë: “ Ju kërkoj një të mirë, Madhëri! Dua të martohem! Dhe për grua dua Katerinën e Mençur.”

Mbreti thërret babain e Katerinës. E babai shkon te mbreti.

“Si urdhëroni, Madhëria juaj.

- Ngrihu! Djalit tim i ka rënë në kokë për bijën tënde. C’tu bëjmë? Ti martojmë!”

- Si të doni, Madhëri. Vetëm se unë jam tregtar e biri juaj është prej gjaku mbretëror.

- S’ka gjë: djali im e do…”

Tregtari kthehet në shtëpi. “ Katerinë, djali i Mbretit të do për grua. Si thua?”

- Ashtu qoftë!”

Leshi për dyshekët s’mungonte e as mobiljet. Pas tetë ditësh, gjithë ç’duhej ishte gati. Djali i Mbretit i jep Katerinës një dhomë të madhe me dymbëdhjetë shërbyese. Hapën kishën mbretërore e bënë dasëm.

Pas dasmës, mbretëresha u thotë shërbëtoreve ta zhveshin Princeshën, e ta shtrijnë në krevat. Por Princi u thotë: “S’ka nevojë fare për njerëz ta veshin e ta zhveshin. As për roje te dera.” E kështu ngelet vetëm me gruan e tij dhe i thotë: “Katerinë, të kujtohet ajo shpulla që më dhe? A pendohesh për ç’ke bërë?

- Të pendohem? Po të doni, ju jap dhe një tjetër.

- Si? Nuk pendohesh?

- As për një mbretëri.

- As më të voglin pendim?

- As më të voglin.

- Epo, meqë qënka kështu, do ta shohësh pra.” Dhe fillon të pregatisë një litar për ta zbritur në bodrum. Kur litari është gati, e pyet prapë: “Katerinë, pendohesh apo të të zbres në bodrum?

- Në bodrum do jem në fresk! “ i përgjigjet Katerina.

Biri i Mbretit e merr e e zbret në bodrum, me një tavolinë të vogël, një karrike, një brokë ujë e një copë bukë.

Të nesërmen, vijnë nënë e baba të shohin nusen si e do zakoni.

“Mos e ngani, u thotë princi. Katerina është pak paqejf.”

Pastaj vete të hapë bodrumin. “ Si e kalove natën?

- Freskët fare, i thotë Katerina.

- Mendon për shpullën që më dhe?

- Mendoj për atë që s’ju kam dhënë akoma.

Dy ditë kalojnë e uria fillon ta mundojë Katerinën. Heq një paramandë nga fustani e fillon të bëjë një vrimë në mur. Gërryej e gërryej, pas njëzet e katër orësh sheh pak dritë e i vjen shpirti. E zmadhon vrimën dhe sheh nëpër të çirakun e të jatit. “Thoma! Thoma!” Ciraku nuk kupronte nga i vinte zëri. “Jam unë, Katerina e Mençur; thuaj tim eti që duhet t’i flas sa më shpejt!”

Thomai vjen me babain e Katerines dhe i tregon vëndin në mur nga vinte zëri. “Baba, ja ç’më ka ngjarë: jam në fund të një bodrumi. Duhet të gërmoni një kalim të nëndheshëm, nga shtëpia deri këtu, me një arketra e me pishtarë çdo njëzet këmbë. Pastaj, është puna ime.”

Tregtari bie dakord e ndërkohë i sjell Katerinës përmes vrimës së murit pula e gjëra të tjera të nevojshme për të mbajtur frymën gjallë.

Biri i mbretit e hapte derën e bodrumit tre herë në ditë dhe i thërriste: “Katerinë, je penduar për shpullën që më dhe?

- Përse të pendohem? Mendoni më mirë për atë që do t’ju jap.”

Gjatë kësaj kohe, muratorët ndërtonin kalimin e nëndheshëm, me një arketra e me pishtarë çdo njëzet këmbë. Sapo mbaruan punimet, Katerina, sapo Biri i Mbretit mbyllte qepenin e bodrumit, vidhej për në shtëpinë e të jatit.

Si kaluan ca ditë, Biri i Mbretit filloi të humbiste durimin. Hap bodrumin. “Katerinë, po shkoj në Napoli; s’ke gjë për të më thënë?

- Ju uroj rrugë të mbarë, mos harroni të më shkruani.

- Atëhere, të nisem unë?

- Akoma s’qënkeni nisur?*

Dhe Biri i Mbretit niset.

Vetëm se, sapo mbylli bodrumin, Katerina vrapoi për te i jati. “Baba, kësaj here kam nëvojë për gjithë ndihmën tuaj. Më duhet një anije me tri vela gati për t’u nisur, një guvernante, një shërbyes, fustane balloje, të gjitha këto duhen dërguar në Napoli. Atje do marrin me qera një pallat përballë Pallatit Mbretëror dhe do më presin. “

Tregtari e nisi anijen. Ndërkohe Biri i Mbretit kish bërë gati një fregatë ushtarake e niset në anën e tij. Kur Katerina pa Birin e Mbretit të nisej nga ballkoni i të jatit, i hipi anijes tjetër me tri vela e arriti në Napoli par tij; anijet e vogla, po dihet, shkojnë më shpejt se të mëdhatë.

Në Napoli, Katerina dilte në ballkonin e pallatit të saj, përditë me nga një fustan më të bukur. Biri i mbretit e sheh dhe thërret: “Sa i ngjaka Katerinës së Mençur!” Dhe dashurohet pas saj. I dërgon një folës. “Zonjë, Biri i Mbretit dëshiron t’ju vijë për vizitë, nëse s’ju bezdis”

- Kur të dojë!” – përgjigjet Katerina.

Biri i mbretit vesh uniformën dhe shkon ta takojë me ceremoni, pastaj fillojnë bisedën. Biri i Mbretit i thotë: “ Zonjë, a jeni e martuar.

- Jo, akoma. Po ju?

- As unë. E dini çfarë? Ju i ngjani një vajze nga Palermoja që më pëlqente shumë. Kërkoj dorën tuaj.

- Me gjithë qejf, Princ.” Dhe tetë ditë më vonë, u martuan.

Kaluan nëntë muaj dhe Katerina bëri një djalë të bukur. “ Princeshë, pyet Biri i Mbretit, si do t’ia vemë emrin?

- Napoli”, i thotë Katerina. Dhe e quajtën Napoli.

Kaluan dy vjet. Biri i Mbretit kishte dëshirë të dilte nëpër botë. Princesha s’ishte e një mëndjeje, po Princi vendosi të nisej. I dha Katerinës një letër, ku shkruante se Napoli ish fëmija i parë, e kur të vinte koha, do bëhej mbret. E pas kësaj, u nis për në Venedik.

Sapo u nis Biri i mbretit, Katerina i shkruajti të jatit të dërgonte menjëherë në Venedik një anije me tri vela, ngarkuar me mobilje, një guvernante, një shërbyes e gjërat e tjera. Këta do merrnin me qera një pallat përballë Pallatit të Mbretit në Venedik e do e prisnin atje.

Katerina merr një anije tjetër trivelëshe e arrin në Venedik para Birit të Mbretit. Zë vënd në pallatin përballë Pallatit të Mbretit dhe kur Princi e pa këtë grua të re të krehur gjithë hijeshi, me flori e xhevahirë, thirri; “Sa i ngjaka Katerinës së Mençur dhe gruas sime në Napoli!” E i dërgoi një folës. Kjo i tha që Princi ishte i mirëseardhur.

E filluan të bisedonin. “A jeni e martuar? pyet Princi.

- E ve, i thotë Katerina. Po ju?

- Dhe unë i ve, me një djalë. A e dini që ngjani si dy pika uji me një zonjë që kam njohur në Palermo e me një zonjë që kam njohur në Napoli?

- Puna është se ne jemi shtatë në botë që ngjajmë.”

E kështu, tetë ditë më vonë, u martuan.

Pas nëntë muajsh, Katerina lindi një djalë të vogël, më të bukur se i pari. Princi u lumturua. “Princeshë, si do ia vemë emrin?

- Venedik.“ E ia vunë emrin Venedik.

Kaluan dy vjet e mbretit i lindi prapë dëshira për të dalë nëpër botë.

“Po ikni e po më lini vetëm me djalin? i tha Princesha.

- Do ju lë një letër, që t’ju siguroj se është biri im e do jetë Princ. “ Ndërkohë që Biri i Mbretit pregatitej për Gjenovë, Katerina i shkruan të jatit të niste një anije trivelëshe, një guvernante, mobilje, fustane e kështu me rradhe. Anija trivelashe arrin në Gjenovë. Biri i Mbretit niset me fregatën e tij, Katerina merr trivelëshen tjetër e arrin para tij.

“Zot i Madh! “ thërret Princi sa sheh zonjën e bukur në dritare. “ Dhe kjo ngjan krejt me gruan time të Venedikut, që ngjante krejt me gruan time të Napolit, që ngjan krejt me Katerinën e Mençur! Si është e mundur? Katerina është në Palermo, mbyllur në bodrum, gruaja e Napolit është në Napoli, gruaja e Venedikut është në Venedik, e kjo është në Gjenovë…” I dërgon një ndërmjetës e shkon ta vizitojë.

“ E dini, Zonjë, ju ngjani fort me ca zonja që njoh unë, një në Palermo, një në Napoli, një në Venedik…

- Epo, duhet të jemi shtatë në botë që ngjajmë me njëra tjetrën…”

E pastaj, biseda e zakonshme: “ A jeni e martuar?…

- Jo, jam e ve. Po ju?

- Dhe unë i ve, me dy fëmijë…” E tetë ditë më vonë, u martuan.

Kësaj rradhe Katerina bëri një vajzë të vogël, aq të bukur sa ia kalonte dhe hënës dhe diellit. “Si t’ia vemë emrin? pyeti Princi.

- Gjenovë.”

Kaluan dhe dy vjet të tjerë. “Princeshë, më duhet të kthehem në Palermo. Por para se të nisem do ju lë një letër ashtu e kështu që thotë se kjo është bija ime e do jetë Princeshë.”

Ai niset, po Katerina arrin në Palermo para tij. Shkon në shtëpinë e të jatit, merr kalimin e nëndheshëm e kthehet në bodrum. “ Katerinë, si je?

- Unë? Mirë.

- Je penduar për shpullën që më dhe?

- Po ju, keni menduar për atë që do t’ju jap?

- Ose po pendohesh, ose po martohem!

- Po martohuni! Asnjeri s’ju mban!

- Po u pendove do bëhesh sërish gruaja ime.

- Jo!”

Atëhere, Biri i Mbretit deklaron se i ka vdekur gruaja dhe do të martohet përsëri. U shkruan mbretërve e këta i dërgojnë portretet e bijave të tyre. Më i miri ish ai i bijës së Mbretit të Anglisë. Nënë e bijë shkojnë në Napoli për të përfunduar martesën.

Gjithë familja mbretërore e Anglisë vjen në Palermo e martesa do bëhej të nesërmen. C’bën Katerina gjatë kësaj kohe? Pregatit tre veshje mbretërore për tre fëmijët e saj, Napoli, Venedik e Gjenova. Vetë vishet si Mbretëreshë, dhe merr për dore Napolin e Venedikun të veshur si Princa, dhe Gjenovën e veshur si Princeshë, e shkon në pallat me karrocën e ballos.

Kortezhi i dasmës me Princin dhe bijën e Mbretit të Anglisë po afroheshin. Katerina u thotë fëmijëve: “ Napoli, Venedik, Gjenova, shkoni i merrni dorën babait!” E fëmijët vrapojnë e i marrin dorën Princit. Sapo pa fëmijët, Princit s’i ngeli gjë tjetër veç të lëshonte armët. “Kjo është shuplaka që doje të më jepje!” thirri dhe përqafoi fëmijët. Princesha e Anglisë s’e merr vesh më se ku ndodhet; kthehet nga dera e ikën.

Katerina i shpjegon të shoqit misterin e zonjave që ngjanin si dy pika uji e ky i kërkon falje.

E jetuan e trashëguan!

Palermo

Titulli i origjinalit: “Fiabe Italiane”, mbledhur nga Italo Kalvino.

Përktheu nga frëngjishtja: akvll-naja, dora vetë.

Mos hezitoni të propozoni ndonjë fjalë më të përshtashme aty ku s’ju shkon teposhtë kollaj.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. Moza thotë:

    6 June 2008 @ 3:16 pm

    Si limonate ne mes te zhegut !
    Thanks !

  2. Perparim Hysi thotë:

    6 June 2008 @ 5:05 pm

    Me pelqeu dhe falenderoj perkthyesen.

  3. lumidrin thotë:

    9 June 2008 @ 1:24 pm

    Me spec, shume domethense.
    Me vjen ne mend nje perralle e tille.
    Nje çift te sapomartuar,burri i thote gruas, degjo ketu graja ime, une dua qe ti per çdo dite ku une shkoj ne pune te me percjellesh. Ne te kunderten te kthej tek prinderit e tuj. Dakort burri im i pergjigjet gruaja. Kur i shoqi shkonte ne pune gruaja e percillte deri ne krye te rruges, kur lindi femija i pare deri tek dera e oborrit,
    kur lindi femija i dyte e percillte deri tek dera e shtepis, me lindjen e femijes tret, filloj gruaja te mos luante as nga divani.
    Nje dite burri i thote,- grua nuk me percjell si nje here,as nuk luan nga vendi, dikur me percillje deri ne krye te rruges.Mos ke harruar se ç’fare te kam thene kur jemi martuar.
    E gruaja ja kthen,- e vertet ato qe thua burri im, por me tre djem un jam si ajo anija ne mol, e lidhur me tre litare te forte, e veshtire te luash nga vendi. Burri largohet pa dhene pergjigje.
    Kur kthehet nga puna hune me te vrull ne shtepi, grua,grua,ç’te tregoj, ka fry nje ere e fort sot ne port ku te gjitha anijet qe ishin te ankoruara edhe me shume se tre litar i ka hedhe ne mes te detit.
    Me fal i tha gruaja, qe neser te percjell si dikur.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.