Juritë e trukuara të Bashkisë së Tiranës

Gazeta Panorama

Altin Goxhaj*

Vetëm dy ditë më parë, Bashkia Tiranë u ul në një tryezë me disa shoqata, duke vënë si kusht “transparence” për shkatërrimin bashkiak të Parkut të Liqenit Artificial mospjesëmarrjen në tryezë të aktivistëve kryesorë të Aleancës për Mbrojtjen e Hapësirave Publike në Tiranë. Ata që nuk u thirrën janë denoncuesit kryesorë të korrupsionit “Rama”, që nëpërmjet trukimit të konkurseve dhe jurive e ka kthyer konkurrimin në një spektakël të vërtetë mashtrimi dhe manipulimi!
Transparenca Rama e zhvilluar dy ditë më parë, kishte vetëm një kusht të vockël! Palët që të do të ftoheshin në transparencën bashkiake duhej të zgjidheshin me kompromis bashkiak. Vetë organizata që do të organizonte organizimin e transparencës, duhet të ishte e preferuar e Bashkisë. Por natyrisht që më e rëndësishmja për Ramën ishte që zërat e fortë të shoqërisë civile që denoncuan korrupsionin e konkurseve të trukuara të qendrës dhe periferisë së Tiranës duhet të mënjanoheshin!
Problemi ishte se si!
Prej 2 javësh u bënë lloj-lloj përpjekjesh që emrat e padëshiruar të hiqeshin nga axhenda. Pati 2 javë e-maile, debate, kërcënime, frikësime, përpjekje për komprometime, korruptime, dhe më së fundi kolona e pestë e shoqërisë civile ia doli mbanë!
Njësoj si konkurset bashkiake për qendrën dhe periferinë, edhe transparenca bashkiake njësoj funksionoi! Natyrisht që unë dhe ca të tjerë jo vetëm që nuk u ftuam, por edhe ata që morën pjesë u kërcënuan se në rast se unë dhe ca të tjerë do të merrnin pjesë, atëherë aktiviteti do të anulohej!
Kjo frikë nga e vërteta e denoncimit të korrupsionit, frikë nga e vërteta e fakteve, frikë nga shoqëria civile jashtë skemës Rama-Soros-Ambasada Holandeze është normale për palën e korruptuar!
Sepse ne, shoqatat denoncuese jemi jashtë skemave të korruptuara sorosiane, që gjatë këtyre 3 vjetëve shkatërruan 14 vjet shoqëri civile në Shqipëri, duke rrënuar të gjitha vlerat e krijuara në vite për ta kthyer shoqërinë civile në një shkretëtirë. Sepse vetëm kështu shoqatat e krijuara apo të serumuara nga SOROS të jenë i vetmi zë qytetar në Shqipëri. Në mënyrë që Rama kur të shkatërrojë dhe shkretojë, të mos ketë zëra kundër! Dhe kështu ka ndodhur! Dhe kështu ndodhi dhe të hënën!
Shoqata pranë Bashkisë EKOLËVIZJA organizoi gjoja transparencën bashkiake, siç na kishte bërë presion 1 javë rresht nëpër e-maile me 3 kushtet:
pa media,
pa persona që do të denonconin konkurset maskaradë
pa denoncim!
Transparencë tipike bashkiake! Nga ato që trukon Rama!
Dhe meqë shoqatat e rrjetit Rama-Soros-Ambasada Holandeze nuk na lejuan të denonconim trukimin e konkursit holandez ku u përfshi djali ish-drejtoreshës së “Soros” dhe menaxhere e fondeve te Ambasadës Holandeze për 4 vjet, për t’i dhënë Ramës kredibilitet në shkatërrimin e të vetmes njollë të gjelbër sinjifikative që i ka mbetur Tiranës, po i bëj 11 pyetjet të thjeshtuara publikisht në media që t’i shohin të gjithë:
A është e vërtetë se Rama ka pasur asistencë nga një subjekt holandez, i cili ka lidhje si me firmën 51N4E fituese të qendrës së Tiranës dhe firmën fituese holandeze MVRDV të Parkut të Liqenit për të ndërtuar Jurinë për konkursin e qendrës së Tiranës dhe të Parkut të Liqenit?
A është e vërtetë që dy anëtarë të dy jurive, miqtë e ngushtë Andreas Ruby dhe Xaveer de Geyter të jenë partnerë me firmën fituese 51N4E?
Ç’lidhje ka anëtari tjetër i jurisë, arkitekti kroat që punon prej 17 vjetësh në Amsterdam, Vedran Mimica me firmën fituese 51N4E?
A është e vërtetë që anëtari grek i dy Jurive Elia Zenghelis (që punon në Holandë) të jetë kontraktuar nga Bashkia Tiranë për t’i bërë një masterplan në Laprakë dhe të ketë marrë leje nga Bashkia Tiranë për disa pallate në Laprakë dhe Kinostudio në 2005?
A është e vërtetë që Marin Biçoku, anëtar i jurisë është edhe anëtar i KRRT-së dhe a përbën kjo konflikt interesi, pasi KRRT-ja gjykon projektet?
A është e vërtetë që dy anëtarët e jurisë së Liqenit, Marin Biçoku dhe Arben Biçoku, të jenë nga e njëjta familje dhe a është normale që dy shqiptarë nga e njëjta familje të marrin pjesë si anëtarë Jurie Ndërkombëtare?
A është e vërtetë që anëtari i Jurisë së Parkut të Liqenit, Johan Anrys, është staf i 51N4E?
A është e vërtetë që anëtarja e jurisë së Parkut të Liqenit, libanezja Roueida Ayache është një ndër arkitektët e zgjedhur nga Rama 3 vjet më parë për të bërë masterplanin e Tiranës?
Të gjithë këta emra të përfshirë në Jurinë e Qendrës dhe të Parkut, duke qenë të kontraktuar nga Bashkia apo firma fituese, d.m.th që kanë marrëdhënie financiare që varen nga Bashkia apo firma fituese, a janë të pavarur në vendimet që marrin?
Mbi cilin ligj dhe mbi çfarë kriteresh janë zgjedhur pikërisht këta njerëz, të cilët kanë varësi reciprociteti apo konflikte të pastra interesi?
Dhe pyetja më e rëndësishme: A është e vërtetë që firma belge 51N4E që fitoi konkursin e qendrës së Tiranës kishte si përfaqësues artistik (çfarë termi!) djalin e ish-drejtoreshës së “Soros” Tiranë, piktorin Anri Sala, një ndër miqtë më të afërt dhe më të vjetër të Edi Ramës?
*Aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Hapësirave Publike

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. Koth thotë:

    26 September 2008 @ 12:39 pm

    Ja mire Altin e lexuam keshtu gjithe komentin. Shume mire qe ke ngritur pyetje qe kam frike se do ngelen retorika.

    Po ta marrim me rradh me shprese qe do jesh ketej gjekuni per te debatuar :

    Qe u be kjo mbeshtjellja ma do menia qe mire u be se sa pa hic fare. E kam fjalen qe Bashkia eshte tashme ne nje proces te ri ate te pjesmarrjes se grupeve te interesit.

    Ja nuk po te le te ma thush qe eshte manipuluar, sepse ti ashtu pretendon po une si publik tashme vetem sa aludoj dhe nuk kam asgje perpara pervec disa pyetjeve qe me shume jane retorika.
    Kur them retorika me shume dua te theksoj faktin qe e verteta mezi del ne disa raste dhe nuk besoj se do vije ndonje pergjigje keshtu zyrtare per te pohuar apo mohuar ato qe shkruan ti.

    Nga ana tjeter shkrimi sikur nuk me thote ndonje gje te vecante lidhur me pretendimin e mbrotjes se hapesirave publike , por vetem sa theskon qe ky eshte nje proces korruptiv. Pra e mira eshte te bashkoheshin gjerat edhe interesi publik per mbrjtjen e hapesirave edhe afera korruptive, qe ne fund te fundit eshte e supozuar.

    Mbi cilin ligj dhe mbi çfarë kriteresh janë zgjedhur pikërisht këta njerëz, të cilët kanë varësi reciprociteti apo konflikte të pastra interesi?

    Kjo pyetje behet e veshtire te spjegohet nese nuk marrim pergjigje pyetje t e tjera me siper, por mesa di une behet fjale per juri konkursi ? Ku ligji ? Mos deshe te thuash a eshte kredibel kjo juri mbi te cilen ti dyshon ??
    Se do kishte nje kunder pyetje ne kete rast : kush eshte ligji qe eshte shkelur ?

    P.S. Shoqatat e rrjetit Rama-Soros-Ambasada Holandeze ?!?! A nuk te duket se e tepron me kete ??

  2. Tironsi thotë:

    26 September 2008 @ 1:01 pm

    edhe 2 pytje kam une.
    1. C’eshte bere me ish pronarin e tokes ku jane pishinat?
    2. Nqs ish-pronari eshte kaluar per kompensim, sa eshte vlera me te cilen eshte kompensuar nga shteti dhe sa do perfitoje shteti nga shitja e pishinave?

  3. Sorkadhja thotë:

    26 September 2008 @ 1:12 pm

    Une kom nja 10-te pyetje por nuk po i bej se e di qe nuk ka per te dhone njeri pergjigje! :D

  4. Tironsi thotë:

    26 September 2008 @ 1:16 pm

    bo beji nje here a derebardhe se ku i dihet :P

  5. pedro thotë:

    26 September 2008 @ 1:51 pm

    Nuk e njoh Aleancën për Mbrojtjen e Hapësirave Publike dhe kete perfaqesuesin e tij, por me kete mendjen time, duke pare shkrimin e perfaqesuesit te kesaj levizjeje, me duket se e di perse shmanget nga debatet publike per planrregullimet e qytetit. Sepse nga sa lexoj une, ketyre nuk ua shkrep shume per mbrojtjen e hapesirave publike, por merren me persona. Dhe po ti perfshish keta neper debate, keta ta kthejne dasmen ne dreke, kur thote populli.
    Keta merren me persona dhe duan te gjejne kush ka lidhje me ke, nuk i dhemb fare hapesira publike. Sepse po tu dhimbte hapesira publike, ky djaloshi do te na kishte shkruar, se cfare objeksionesh ka ky djaloshi ndaj projektit te ish-Fushes se Aviacionit dhe ndaj rregullimit te Parkut Kombetar dhe jo se Elia Zenghelis eshte grek dhe Edi Rama i paska premtuar te ndertoje disa pallate ne Laprake, MVRDV dhe 51N4E paskan lidhje ne Bashki dhe e jema e Anri Sales qenka ish-drejtoresha e Soros-it.
    Meqe jam i fushes se arkitektures, une e shikoj shume prestigjoze nje juri e cila ka si kryetar Elia Zenghelis, nje nga bashkeformuesit e studios OMA, me prestigjozja ne boten e sotme te arkitektures dhe nje nga teoriket me te medhenj dhe me te famshem te arkitektures ne ditet e sotme. Dhe mua nuk me plas fare te me permendi njeri faktin se eshte grek.
    Nje bote e tere e artit e njeh Anri Salen si nje nga piktoret dhe artistet me te medhenj te koheve te sotme dhe nuk besoj se ai u be i njohur ngaqe ishte i biri i ish drejtoreshes se Soros-it.
    Prandaj edhe menyra e te shkruarit dhe e te shtruarit te debatit nga ana e kesaj levizjeje me duket shume e pasinqerte. Mua me duket sikur ky personi ka nevoje te bertase dhe te denoncoje dhe jo te flase mbi projektin
    Per te folur per projektet qe kjo levizje denoncon, une i kam pare dhe per vete me kane pelqyer dhe jane opsionet me optimale si nga ana urbanistike ashtu edhe nga ana ekologjike, qe mund ti ofrohet Tiranes.
    Une per vete do te isha njeriu i fundit qe do te perpiqesha ti mbyllja gojen dikujt ose qe te mos mbeshtesja protesten qytetare, mirepo keta zoterinjte le te vijne dhe te na flasin njehere se cfare kane kundra ketyre projekteve. Por jo te degjojme brockulla ketu rreth te birit te ish drejtoreshes se Soros-it. Une Anri Salen e kam degjuar si emer, kurse emrin e te jemes nuk e di.

Komentet jane mbyllur ne te gjitha temat e arkivit.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com