Java e parë e qarkullimit
Aty nga fillimet e viteve ‘70, sapo mbarova fakultetin për ingjenieri nafte, më thirrën në Qendror. Partia ka vendosur që të emërojë në Fier, për të mbuluar sektorin e naftës, -më thanë. Unë, i sapodiplomuar, ndjeva një të përskuqur se, elbete, të shkoje si drejtues në pushtet, pa një farë përvoje dhe aq më tepër në një sektor aq të vështirë, nuk qe aq e lehtë. Dhe, domosdo, sado i këndellur (se këndellje qe!) pata një farë stepje dhe duket e demonstrova në fytyrë. Po shoku i Qëndrorit, i ngarkuar nga sekretariati për t’ma komunikuar emërimin tim, shtoi: -Dëgjo, shoku Nevzat, partia duke të ngarkuar me këtë detyrë të vështirë, ka marrë parasysh të kaluarën tuaj familjare dhe, duke u mbështetur edhe në rezultatet e studimeve ku jini treguar skrupuloz, mendoi që t’ju emërojë në Ekzekutiv si nënkryetar për industrinë dhe, kryesisht, për naftën. Ne besojmë se ju, si komunist (harrova t’ju them: unë militoja në parti qysh në fakultet!) . Dhe fillova punën. Qe një punë rutinë si të gjitha punët zyrtare. Merrja informacion nga seksioni i industrisë në rreth, po se po, por dhe më tej: në Patos kish një kanal enkas përinformacion të veçantë; për prodhimin, shpimin, për vendburimet e reja të cilat më informonin hap pas hapi dhe, pasi vilja këto të dhëna, unë dërgoja dhe raportoja në ministri të industrisë apo dhe në sekretariat, posaçërisht tek sekretari i KQ, i ngarkuar me këtë detyrë. Vetë titulli nënkryetar i KE të rrethit, për moshën që kisha, do të thoshte shumë. Por dukja qe e tillë. Po ta zije hollë-hollë këtë punë, do të shihje se ti si nënkryetar (të paktën për aq sa kam qenë vetë!) kishe vetëm çelësat e kashtës. Se puna qe organizuar në mënyrë të tillë që, në se titullari (në rastin tim, kryetari) ishte nga ta që dinin ta tundnin këmborën, për ty si nënkryetar s’të mbetej vetëm titulli që kish vetëm vlera honorifike, se tjetër gjë nuk mund të bëje dot. Ta zëmë doje të ndihmoje dikë? Me ligj, s’bëje dot gjë. Me krahmarrje, mundet. Se në fund të fundit, të drejtën e firmës për këto lëvizje, i kish vetëm kryetari. Sidoqoftë, krahasuar me bashkëshokët e mi, qe favor që më ish bërë. Dhe isha i ndërgjegjshëm.
Unë u u ambientova me punën time dhe, si të thuash, qeshë si veshka në mes të dhjamit. Pse duhet ta bëj hasha? Mos kujto se kjo punë zgjati pak. Gati një 10-vjeçar. U ktheva, si të thuash, në një zyrtar profesionist. Dhe jo do si do. Kuadër me rëndësi. Nuk qe pak, apo jo. Mirëpo punët në sektorin e naftës, sa vinin e po bëheshin më keq. Drenova jo vetëm u dogj (nga një pakujdesi banale) , por filloi të digjte pasuri të çmuara vetëm e vetëm për të vënë në jetë atë që, midis nesh, unë e quaj çmënduri. Secili jepte ndonjë mendim dhe shteti vu për ta vënë në jetë. Vetëm me batanijet e reja që u hodhën mbi atë pus lubi, do mjaftonin për të mbuluar terë Patosin. Pa llogaritur madje harxhe të tjera, të cilat të nxirrnin rruar-qethur, kur thotë populli. Nuk guxoje të flisje dhe nën zë, se atmosfera qe aq”inkadeshente” sa jo vetëm të ndizte, por të përvëlonte me kuç e me maç. Kish filluar gjeutia e shtrigave dhe, pasi u arrestuan “sabotatorët” e rrezikshëm, tak dhe erdhi Letër nga Qëndrori. Të dërgohen në sektorin nevralgjik të naftës njerëzit më të besuar. U mblodh komiteti, u lexua letra dhe nën zë, daktiligrafsitja, më thotë: -Të mori valoma, shoku nënkryetar! E dija që ma kishte pa të keq, por, në të njëjtën kohë qeshë i përgatitur për lëvizjen, megjithatë i them asaj: -Lora kur fryn tufani e di ti kush e ka keq: rrënjët apo gjethet? Ajo: -Natyrisht, gjethet. E, pra, -i thashë, -rrënjët (ku e fus veten unë!) hepohen sa andej këndej, por mjerë gjethet dhe, sidomos, ato të verdhat. Qe e zgjuar dhe e kuptoj aludimin tim. Sidoqoftë, mua më qarkulluan. Drejtor në ndërmarrjen e shpim-shfrytëzimit në Patos. Shkova (po deshe, mos shko? !) se prapa të vinte teskereja. Drejtor nuk gjeta se ishte nga ata”puçistët”, de! . Ma dorëzoi detyrën një ingjinier i vjetër që kish shpëtuar hanxharit që ra mbi ata që punonin në këtë sektor të vështirë. Dy ditët e para u mora me një farë organizimi të ri që, sipas meje, do kthente mbroth çdo gjë. Aty nga mezi i javës, i them shoferit: -Sot në ora 10 të mbrëmjes do vish në shtëpinë time. Vetëm vishu trashë, se nata është e ftohtë. Nuk i thashë se ku do shkonim. Erdhi dhe kur më pa dhe mua të veshur po trashë, më tha: -Drejtor, ku do shkojmë? -Në sektorin e Drenovës, do kontrollojmë turnin, -i them. E pashë që sikur do më thoshte diçka, po u ndruajt. -Sikur doje të më thoshe diçka, - e rëmova unë. -Po ja drejtor, në këtë të ftohtë nëntori të shkosh natën në Drenovë, do të thosh më mirë të shkosh në dreqov, -foli shkoqur.
-Është shkrehur puna, -i thashë dhe, pse dikë zë gjumi në turn, shkon dëm një pasuri e tërë.
E di, e di, -pohoi shoferi. Po s’ka dreq që nuk e zë gjumi në këtë të ftohtë pranë sobës me gaz. E, pse ta zgjasë? U nisëm. RRugë e vështirë, pak e largët, por, siç e gjykoja unë, drejtori tringo, që do vija rregull, ia vlente barra qiranë. Kur arritëm tek pusi i parë që do kontrolloja, i them shoferit: -Fiki dritat dhe ec avash! -Pse t’i fik? -më kundërshtoi ai me politesë. Mos të na shohin, se dua t’i zë në befasi, -i them. Drejtor, -më tha shoferi, -kam dhjetë vjet me këtë punë dhe për një gjë të siguroj: -Edhe sikur t’i bie borisë unë, ta dish mirë se roja i gatishmërisë as ka për të dëgjuar në atë”konfort” që ta do xhani tani në dimër. Megjithatë, i fiku dritat dhe, sa u afruam, tek sektori askush nuk e ndjeu që kishim ardhur. Hyj brenda kapanonit dhe pashë që i “gatshmi” po flinte për 7 qejfe. E zgjova dhe, i llahtarisur, nga këta”mysafirë të paftuar” (mua s’më njihte, se sapo kisha ardhur, po njohu shoferin dhe siç duket i ra në të!) . -Kështu e bën detyrën ti? ! -i thashë me ton të rëndë. Ne sapo kemi dënuar një grup. Ti, siç duket, nuk paske vënë mend. -Më fal, zuri të thoshte dhe qe në një gjendje që të vinte keq, ta shikoje. Dëgjo, -i them, -të jetë herë e fundit, se, po erdha dhe një herë këtu dhe të gjeta në gumë, ta dish që do të çojë në gjyq. Aman, - more shoku drejtor, -zuri të më lutej. Të betohet Xhelua, për ideal të partisë që këtë trup të sotëm, do ta shlyej me punë. Sa për gjumë, as mos e zërë në gojë. Ja, për kokë të kalamjëve, drejtor. U theva nga këto lutje dhe pasi i mbajta një leksion të shkurtër për gatishmërinë e ku të di unë, u largova duke mos e ndëshkuar atë Xhelon. Ndërkaq me shoferin vazhduam për në sektorin tjetër, sado që kish kaluar mesnata. Këtej rruga qe dhe më e keqe, por, sidoqoftë, mbrritëm. Shoferi tani s’kish më nevojë për udhëzime. Sa u afrova, dëgjoj që çirrej zilja e telefonit. Po kush ta ngrinte? I “vdekuri? ! “. Se i vdekur e shkuar qe ky i “gatshmi”tjetër. Këtij, kur thonë, topat e Allemanjës të zbrazje, s’e zgjoje dot nga gjumi. Gjumë marinari, më duket i thonë. NJë herë mendova ta zgjoja, por ndërrova mëndje. Kapa telefonin. Dëgjoj: -Ore shurdh, ngreu se po vjen drejtori dhe do ta. . . të tëmë! Jam Xhelua, më dëgjon o shurdhaqi i Drenovës ! Le që mirë t’ju bëhet ju drenovarëve, se kot nuk e mbytët atë priftin ju. Unë: -O Xhelo, mirë ia bëmë priftit ne po më thuaj po ty si të gjeti drejtori? -Mua? Mua më rroi shelegët me brisk. Se kot nuk jam Xhelua nga Lofkëni unë. E ke dëgjuar atë fjalën ti, ore shurdhaq, që thotë: -O Lofkënd! O Lofkënd! Vete dhjetë në çdo vënd. JO, more, për këtë u mburrke ti, -ia ktheva. Sado ky komenti për Lofkëndin sikur më shpotiti pakësa, s’më hiqeshin nga mendtë”shelegët” e Xhelos nga Lofkëndi. Dhe aty për aty, i them shoferit: -Nasi, kthej makinën dhe o burra të zëmë Patosin se pak nga pak po gdhinë. Shoferi u çudit, po s’m'u ndenj pa i shpjeguar se ç’më bëri Xhelua nga Lofkëndi. Nuk kam nge, - i thashë shoferit, -që të qethë gjithë”shelegët” e “gatishmërisë”. Shoferi ia dha të qeshurit.
Sapo kish aguar kur zumë Patosin. Ndërkaq mensa e punëtorëve qe hapur. Hajde, - i thashë shoferit, -të hamë mëngjes se jo vetëm u lodhëm, por jemi bërë dhe esëll. Qe vetëshërbim. U futa unë së pari dhe kuzhinierja ma hodhi supën mbi pjatë. E pashë që duhet të merrje lupë që të kërkoje kokrrat e orizit. Për thela as që bëhej fjalë. Pas meje, shkoi shoferi. E pashë që jo vetëm pjata e tij qe më ndryshe, por, ç’qe më e keqja, nën oriz (sikur qe pilaf!) zbardhën jo një , por dy thela. Nuk durova dhe shkova tek sporteli. I them kuzhinieres: -Moj shoqe, po kjo s’durohet. Unë një supë për t’ia hedhur qenëve, kurse ky shoku jo vetëm goxha supë, por dhe dy thela! ! ! Ajo: -Po ky është shoferi i drejtorit, more qorr! ! !
S’kishte ku shkonte më shumë se kaq. Nuk më mjaftuan “shelegët” e Xhelos nga Lofkëni, por tani edhe qorr. Kuptohet që çdo gjë kish marrë rrokullimën. Unë vetë jam nga labëria dhe në Labëri ka një fjalë të urtë: “Deles së trullosur? Krrej binanë! Lëre të marrë brinjën! “Pra, e kish marrë ferra uratën. Në krye të muajit, dhashë dorëheqjen dhe, mandej, ti e ke parë vetë. Shteti mori brinjën. Si ajo dele e trullosur. Dhe ku do qëndroj, nuk jam i zoti të them.
Përparim Hysi, tetor 1990
Dërguar për”peshkupaujë” më 30 nëntor 2007
3 December 2007 @ 9:26 pm
…realitet ky tregim….
…por edhe nenkryetari menje te keqe kishte , po skishte cbente se kryetari i kishte lene celsat e kashtes…
…ate kohe te gjithe njesoj ishin….edhe ata qe qahen sot se i kane “rene ne qafe” qef e qylit i kane rene….
3 December 2007 @ 9:44 pm
Tregimi dukej si pershkrim i nje copeze jete , jo keq , veç une do ta rekomandoja Papin te shkruante nje here ne veten e trete, per ta stervitur me mire doren.